Book of Common Prayer
72 O Perëndi, paraqit mendimet e tua mbretit dhe drejtësinë tënde birit të mbretit,
2 dhe ai do të gjykojë popullin tënd me drejtësi dhe të pikëlluarit e tu me saktësi.
3 Malet do t’i sjellin paqen popullit dhe kodrat drejtësinë.
4 Ai do t’u sigurojë drejtësi të pikëlluarve të popullit, do të shpëtojë bijtë e nevojtarëve dhe do të dërrmojë shtypësin.
5 Ata do të të kenë frikë deri sa të ketë diell dhe hënë, për të gjitha brezat.
6 Ai do të zbresë si shiu mbi barin e kositur, si një rrebesh që vadit tokën.
7 Në ditët e tij i drejti do të lulëzojë dhe ka për të patur shumë paqe deri sa të mos ketë më hënë.
8 Ai do të mbretërojë nga një det te tjetri dhe nga lumi deri në skajet e tokës.
9 Banorët e shkretëtirës do të përkulen para tij, dhe armiqtë e tij do të lëpijnë pluhurin.
10 Mbretërit e Tarshishit dhe të ishujve do t’i paguajnë haraçin, mbretërit e Shebas dhe ai i Sabas do t’i ofrojnë dhurata.
11 Po, gjithë mbretërit do ta adhurojnë dhe gjithë kombet do t’i shërbejnë.
12 Sepse ai do ta çlirojë nevojtarin që bërtet dhe të mjerin që nuk ka se kush ta ndihmojë.
13 Atij do t’i vijë keq për të dobëtin dhe për nevojtarin dhe do të shpëtojë jetën e nevojtarëve.
14 Ai do të çlirojë jetën e tyre nga shtypja dhe nga dhuna, dhe gjaku i tyre do të jetë i çmuar para syve të tij.
15 Dhe ai do të jetojë; dhe do t’i jepet ari i Shebas, do të bëhen vazhdimisht lutje për të dhe do të bekohet tërë ditën.
16 Do të ketë bollëk gruri mbi tokë, në majat e maleve; kallinjtë e tij do të valëviten si drurët e Libanit, dhe banorët e qyteteve do të lulëzojnë si bari i tokës.
17 Emri i tij do të vazhdojë përjetë, emri i tij do të përhapet deri sa të ketë diell; dhe tërë kombet do të bekohen në të dhe do ta shpallin të lumtur.
18 I bekuar qoftë Zoti Perëndia, Perëndia i Izraelit; vetëm ai bën mrekulli.
19 Qoftë i bekuar përjetë emri i tij i lavdishëm, dhe tërë toka qoftë e mbushur me lavdinë e tij. Amen, amen.
20 Këtu mbarojnë lutjet e Davidit, birit të Isait.
73 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë; më jep zgjuarësi që të mund të mësoj urdhërimet e tua.
74 Ata që kanë frikë prej teje do të më shohin dhe do të kënaqen, sepse pata shpresë në fjalën tënde.
75 Unë e di, o Zot, që dekretet e tua janë të drejta, dhe që ti më ke hidhëruar në besnikërinë tënde.
76 Mirësia jote qoftë përdëllimi im, sipas fjalës që i ke dhënë shërbëtorit tënd.
77 Ardhshin tek unë dhemshuritë e tua të mëdha dhe kështu paça mundësi të jetoj, sepse ligji yt është kënaqësia ime.
78 U ngatërrofshin mëndjemëdhenjtë, sepse më trajtojnë në mënyrë të padrejtë dhe pa arsye; por unë mendohem shumë mbi urdhërimet e tua.
79 Le të drejtohen tek unë ata që kanë frikë nga ti dhe ata që njohin urdhërat e tua.
80 Le të jetë zemra ime e paqortueshme lidhur me statutet e tua, me qëllim që unë të mos ngatërrohem.
81 Shpirti im shkrihet nga dëshira e zjarrtë e shpëtimit tënd; unë kam shpresë në fjalën tënde.
82 Sytë e mi dobësohen duke pritur të shkojë në vend fjala jote, ndërsa them: "Kur do të më ngushëllosh?".
83 Ndonëse jam bërë si një calik i ekspozuar në tym, nuk i kam harruar statutet e tua.
84 Sa janë ditët e shërbëtorit tënd? Kur do t’u vish hakut atyre që më ndjekin?
85 Mëndjemëdhenjtë kanë hapur gropa për mua; ata nuk veprojnë sipas ligjit tënd.
86 Tërë urdhërimet e tua meritojnë besim; më përndjekin pa të drejtë; ndihmomë.
87 Më kanë eliminuar gati gati nga toka, por unë nuk i kam braktisur urdhërimet e tua.
88 Gjallëromë sipas mirësisë sate, dhe unë do të respektoj porositë e gojës sate.
89 Gjithnjë, o Zot, fjala jote është e qëndrueshme në qiejtë.
90 Besnikëria jote vazhdon brez pas brezi; ti e ke vendosur tokën dhe ajo ekziston.
91 Qielli dhe toka ekzistojnë deri në ditën e sotme, sepse çdo gjë është në shërbimin tënd.
92 Në qoftë se ligji yt nuk do të kishte qenë kënaqësia ime, do të isha zhdukur në pikëllimin tim.
93 Nuk do t’i harroj kurrë urdhërimet e tua, sepse me anë të tyre ti më ke dhënë jetën.
94 Unë jam yti; shpëtomë, sepse kam kërkuar urdhërimet e tua.
95 Të pabesët më zënë pusi që unë të vdes, por unë do të mbështetem në parimet e tua.
96 Pashë caqet e çdo gjëje të përsour, por urdhërimi yt nuk ka asnjë cak.
18 Ditën e tretë, Jozefi u tha atyre: "Bëni këtë dhe do të jetoni; unë kam frikë nga Perëndia!
19 Në rast se jeni njerëz të ndershëm, njeri nga ju vëllezërit të rrijë i lidhur me zinxhir në burgun tonë, dhe ju shkoni t’u çoni grurë familjeve tuaja që vdesin urie;
20 pastaj më sillni vëllanë tuaj më të vogël; kështu do të vërtetohen fjalët tuaja dhe ju nuk keni për të vdekur". Dhe ata vepruan kështu.
21 Atëherë i thonin njëri-tjetrit: "Ne jemi me të vërtetë fajtorë ndaj vëllait tonë, sepse e pamë ankthin e shpirtit të tij kur ai na lutej, por nuk ia vumë veshin! Ja pse na ra kjo fatkeqësi".
22 Rubeni iu përgjegj atyre duke thënë: "A nuk ju thoja unë: "Mos kryeni këtë mëkat kundër fëmijës!"? Por ju nuk më dëgjuat. Prandaj tani na kërkohet llogari për gjakun e tij".
23 Ata nuk e dinin që Jozefi i kuptonte, sepse midis tij dhe atyre kishte një përkthyes.
24 Atëherë ai u largua nga ata dhe qau. Pastaj u kthye pranë tyre dhe u foli; mori Simeonin dhe vuri ta lidhnin me zinxhir para syve të tyre.
25 Pastaj Jozefi urdhëroi të mbushnin me grurë thasët e tyre, të vendosnin paratë e secilit në trastën e tij dhe t’u jepnin ushqime për udhëtimin. Dhe kështu u bë.
26 Ata ngarkuan, pra, grurin mbi gomarët e tyre dhe u larguan.
27 Tani, në vendin ku po kalonin natën, njëri prej tyre hapi trastën e vet për t’i dhënë ushqim gomarit të tij dhe pa aty brenda paratë e veta, që ishin në grykë të trastës;
28 kështu iu drejtua vëllezërve të tij: "Paratë e mia m’u rikthyen; ja ku janë në trastën time". Atëherë, zemërvrarë dhe të trembur, i thonin njëri-tjetrit: "Ç’është vallë kjo që na bëri Perëndia?".
9 Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë,
10 dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.
11 Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.
12 Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.
6 A guxon ndonjë nga ju, kur ka ndonjë çështje kundër një tjetri, të gjykohet përpara të padrejtëve dhe jo përpara shenjtorëve?
2 A nuk e dini ju se shenjtorët do të gjykojnë botën? Dhe nëse bota do të gjykohet nga ju, a thua nuk jeni të zotët të gjykoni gjërat më të vogla?
3 A nuk e dini ju se ne do të gjykojmë engjëj? Dhe aq më tepër mund të gjykojmë gjërat e kësaj jete!
4 Pra, në qoftë se keni për të gjykuar çështje të kësaj jete, vini gjykatës ata që çmohen më pak në kishë.
5 Këtë e them për turpin tuaj. Kështu midis jush nuk paska asnjë të urtë, i cili të jetë i zoti të gjykojë në mes të vëllezërve të tij?
6 Por një vëlla hyn në gjyq me të vë-llanë, dhe kjo përpara të pabesëve.
7 Gjithsesi është një e keqe që të keni gjyqe njëri me tjetrin. Pse nuk lejoni më mirë që t’ju bëhet padrejtësi? Pse nuk lejoni më mirë që të mashtroheni?
8 Po, përkundrazi, ju bëni padrejtësi dhe mashtroni, dhe këto ua bëni vëllezërve.
4 Pastaj nisi përsëri të mësojë në breg të detit; dhe rreth tij u mblodh një turmë aq e madhe, sa që ai hyri në barkë dhe rrinte ulur në det, ndërsa gjithë turma ishte në tokë pranë detit.
2 Dhe ai u mësonte atyre shumë gjëra në shëmbëlltyra, dhe u thoshte atyre në mësimin e tij:
3 “Dëgjoni! Ja, doli mbjellësi të mbjellë.
4 Dhe ndodhi që kur hidhte farën, një pjesë e farës ra gjatë rrugës dhe zogjtë e qiellit erdhën dhe e hëngrën.
5 Një pjesë tjetër ra në gurishte, ku nuk kishte shumë dhe dhe mbiu menjëherë, sepse s’kishte një tokë të thellë.
6 Por, kur doli dielli, u dogj; dhe me që nuk kishte rrënjë, u tha.
7 Një pjesë tjetër ra midis ferrave; ferrat u rritën, e mbyten dhe nuk dha fryt.
8 Një pjesë tjetër ra në tokë të mirë, dhe solli frut që rritej, dhe u zhvillua për të dhënë njëra tridhjetë, tjetra gjashtëdhjetë dhe tjetra njëqind.”
9 Pastaj ai u tha atyre: “Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë!.”
10 Tani kur ishte vetëm, ata që i rrinin përreth bashkë me të dymbëdhjetët e pyetën për shëmbëlltyrën.
11 Dhe ai u tha atyre: “Juve u është dhënë të njihni misterin e mbretërisë së Perëndisë; kurse atyre që janë përjashta të gjitha këto jepen me shëmbëlltyra,
12 që: "Duke parë, të shohin, por të mos vën re; edhe duke dëgjuar, të dëgjojnë, por të mos kuptojnë, se mos pendohen dhe mëkatet u falen".”
13 Pastaj u tha atyre: “Nuk e kuptoni këtë shëmbëlltyrë? Po atëhere si do t’i kuptoni të gjitha shëmbëlltyrat e tjera?
14 Mbjellësi mbjell fjalën.
15 Ata gjatë rrugës janë ata në të cilët mbillet fjala; por pasi e kanë dëgjuar atë, vjen menjëherë Satanai dhe ua heq fjalën e mbjellë në zemrat e tyre.
16 Po ashtu ata që e marrin farën mbi nje gurishte janë ata që, kur e kanë dëgjuar fjalën, e pranojnë menjëherë me gëzim;
17 por nuk kanë rrënjë në vetvete, dhe janë të përkohshëm; dhe kur vjen mundimi ose përndjekja për shkak të fjalës, skandalizohen menjëherë.
18 Ata përkundrazi të cilët e marrin farën midis ferrave, janë ata që e dëgjojnë fjalën,
19 por shqetësimet e kësaj bote, mashtrimet e pasurisë dhe lakmitë për gjëra të tjera që hynë, e mbyten fjalën dhe ajo bëhet e pafrytshme.
20 Kurse ata që e morën farën në tokë të mirë, janë ata që e dëgjojnë fjalën, e pranojnë dhe japin fryt: një tridhjetë, tjetri gjashtëdhjetë dhe tjetri njëqind.”