Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 93

93 Zoti mbretëron; ai është veshur me madhështi; Zoti është mbuluar me mantel, është ngjeshur me forca. Po, bota është e qëndrueshme nuk do të tundet kurrë.

Froni yt është nga përjetësia i qëndrueshëm; ti je i tillë nga përjetësia.

Lumenjtë kanë ngritur, o Zot, lumenjtë kanë ngritur zërin e tyre; lumenjtë kanë ngritur valët e tyre plot zhurmë;

por Zoti në vëndet shumë të larta është më i fuqishëm së zërat e ujërave të mëdha, më i fuqishëm se baticat e detit.

Statutet e tua janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Shenjtëria i shkon shtëpisë sate, o Zot, përjetë.

Psalmet 96

96 Këndojini Zotit një këngë të re, këndojini Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

Këndojini Zotit, bekoni emin e tij; lajmëroni çdo ditë shpëtimin e tij.

Shpallni lavdinë e tij midis kombeve dhe mekullitë e tij midis tërë popujve.

Sepse Zoti është i madh dhe i denjë për lëvdimin më të lartë; nga ai duhet të kemi frikë përmbi gjithë perënditë e tjera.

Sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë.

Shkëlqimi dhe madhështia janë para tij, forca dhe bukuria janë në shenjtëroren e tij.

Jepini Zotit, o familje të popujve, jepini Zotit lavdi dhe forcë.

Jepini Zotit lavdinë që i takon emrit të tij, çojini oferta dhe ejani në oborret e tij.

Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës.

10 U thoni gjithë kombeve: "Zoti mbretëron; bota është vendosur mirë dhe nuk do të luajë nga vendi; ai do t’i gjykojë popujt me drejtësi".

11 Le të gëzohen qiejtë dhe të gëzohet toka; le të zhurmojë deti dhe gjithçka gjindet në të.

12 Le të ngazëllohet fusha dhe gjithçka gjindet në të. Atëherë tërë drurët e pyllit do të lëshojnë britma gëzimi përpara Zotit,

13 sepse ai vjen, vjen për të gjykuar tokën. Ai do ta gjykojë botën me drejtësi dhe popujt në besnikërinë e tij.

Psalmet 34

34 Unë do ta bekoj Zotin në çdo kohë; lëvdimi i tij do të jetë gjithnjë në gojën time.

Shpirti im do të krenohet me Zotin; njerëzit e përulur do ta dëgjojnë dhe do të gëzohen.

Lartojeni Zotin bashkë me mua, dhe të lëvdojnë të gjithë emrin e tij.

Unë e kërkova Zotin, dhe ai m’u përgjigj dhe më çliroi nga të gjitha tmerret e mia.

Ata e shikuan atë dhe u ndriçuan, dhe fytyrat e tyre nuk u turpëruan.

Ky i pikëlluar klithi dhe Zoti e plotësoi, e shpëtoi nga të gjitha fatkeqësitë e tij.

Engjëlli i Zotit zë vend rreth atyre që kanë frikë prej tij dhe i çliron.

Provojeni dhe shihni sa i mirë është Zoti; lum ai njeri që gjen strehë tek ai.

Kini frikë nga Zoti, ju shenjtorë të tij, sepse asgjë nuk u mungon atyre që kanë frikë prej tij.

10 Luanët e vegjël vuajnë nga mungesa e madhe dhe nga uria, por atyre që kërkojnë Zotin nuk u mungon asgjë.

11 Ejani, o bij, dëgjomëni; unë do t’ju mësoj frikën e Zotit.

12 Cili është ai njeri që dëshiron jetën dhe do ditë të gjata për të parë të mirën?

13 Mbaje gjuhën tënde larg së keqes dhe buzët e tua të mos thonë gënjeshtra.

14 Largohu nga e keqja dhe bëj të mirën, kërko paqen dhe siguroje.

15 Sytë e Zotit janë mbi të drejtët dhe veshët e tij janë të vëmendshëm të kapin britmën e tyre.

16 Fytyra e Zotit është kundër atyre që sillen keq, për të çrrënjosur kujtimin e tyre nga faqja e dheut.

17 Të drejtët bërtasin dhe Zoti i dëgjon dhe i çliron nga të gjitha fatkeqësitë e tyre.

18 Zoti qëndron afër atyre që e kanë zemrën të thyer dhe shpëton ata që e kanë frymën të dërmuar.

19 Të shumta janë vuajtjet e njeriut të drejtë, por Zoti e çliron nga të gjitha.

20 Ai i ruan tërë kockat e tij, dhe asnjë prej tyre nuk copëtohet.

21 Ligësia do të vrasë të keqin, dhe ata që urrejnë të drejtin do të shkatërrohen.

22 Zoti shpengon jetën e shërbëtorëve të tij, dhe asnjë nga ata që gjejnë strehë te ai nuk do të shkatërrohet.

Zanafilla 44:1-17

44 Jozefi i dha këtë urdhër kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Mbushi trastat e këtyre njerëzve me aq ushqime sa mund të mbajnë dhe vëri paratë e secilit në grykën e çdo traste.

Përveç kësaj vëre kupën time, kupën prej argjëndi, në grykën e trastës të më të riut, bashkë me paratë e grurit të tij". Dhe ai bëri ashtu siç i tha Jozefi.

Në mëngjes, sa u bë ditë, i nisën ata njerëz me gomarët e tyre.

Sapo kishin dalë nga qyteti dhe nuk ishin akoma larg, kur Jozefi i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çohu, ndiqi ata njerëz dhe kur t’i kesh arritur, thuaju atyre: "Pse e shpërblyet të mirën me të keqe?

A nuk është ajo kupa me të cilën pi zotëria im dhe që e përdor për të parathënë të ardhmen? Keni vepruar keq duke u sjellë kështu"".

Ai i arriti ata dhe u tha këto fjalë.

Atëherë ata iu përgjegjën: "Pse zotëria im na drejton fjalë si këto? Shërbyesit e tu duhet t’i shmangen një qëndrimi të tillë!

Ja, pra, ne të kemi rikthyer nga vendi i Kanaanit paratë që kishim gjetur në grykën e trastave tona; si mund të vidhnim argjend ose flori nga shtëpia e zotërisë tënd?

Ai prej shërbëtorëve të tu të cilit do t’i gjendet kupa, të dënohet me vdekje; edhe gjithashtu ne do të bëhemi skllevër të zotërisë tënd".

10 Ai tha: "Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju: ai të cilit do t’i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju do të jeni të pafaj".

11 Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi.

12 Dhe kryeshërbëtori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari dhe duke mbaruar me më të riun; dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.

13 Atëherë ata i shqyen rrobat e tyre, ringarkuan secili gomarin e vet dhe u kthyen në qytet.

14 Juda dhe vëllezërit e tij arritën në shtëpinë e Jozefit, që gjendej akoma aty, dhe u shtrinë për tokë para tij.

15 Dhe Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjëndje të parathotë të ardhmen?".

16 Juda u përgjegj: "Ç’do t’i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka rigjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".

17 Por Jozefi tha: "Larg meje një veprim i tillë! Njeriu, në dorën e të cilit u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek ati juaj".

Romakëve 8:1-10

Tani, pra, nuk ka asnjë dënim për ata që janë në Krishtin Jezu, që nuk ecin sipas mishit, por sipas Frymës,

sepse ligji i Frymës i jetës në Jezu Krishtin më çliroi nga ligji i mëkatit dhe i vdekjes.

Sepse atë që ishte e pamundur për ligjin, sepse ishte pa forcë për shkak të mishit, Perëndia, duke dërguar birin e vet në shëmbëllim mishi mëkatar, edhe për mëkat, e dënoi mëkatin në mish,

që të përmbushet drejtësia e ligjit në ne, që nuk ecim sipas mishit, por sipas Frymës.

Sepse ata që rrojnë sipas mishit e çojnë mendjen në gjërat e mishit, por ata që rrojnë sipas Frymës në gjërat e Frymës.

Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi prodhon vdekje, por mendja e kontro-lluar nga Fryma prodhon jetë dhe paqe.

Në fakt mendja e kontrolluar nga mishi është armiqësi kundër Perëndisë, sepse nuk i nënshtrohet ligjit të Perëndisë dhe as nuk mundet.

Prandaj ata që janë në mish nuk mund t’i pëlqejnë Perëndisë.

Nëse Fryma e Perëndisë banon në ju, ju nuk jeni më në mish, por në Frymë. Por në qoftë se ndokush nuk ka Frymën e Krishtit, ai nuk i përket atij.

10 Nëse Krishti është në ju, trupi pa tjetër është i vdekur për shkak të mëkatit, por Fryma është jetë për shkak të drejtësisë.

Gjoni 5:25-29

25 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Po vjen ora, madje ka ardhur, kur të vdekurit do të dëgjojnë zërin e Birit të Perëndisë, dhe ata që e kanë dëgjuar do të jetojnë.

26 Sepse, sikurse Ati ka jetë në vetvete, kështu ia ka dhënë dhe Birit të ketë jetë në vetvete;

27 dhe i ka dhënë gjithashtu autoritet të gjykojë, sepse është Bir i njeriut.

28 Mos u mrrekulloni për këtë, sepse po vjen ora kur të gjithë ata që janë në varre do ta dëgjojnë zërin e tij

29 dhe do të dalin prej tyre; ata që kanë bërë të mira, në ringjallje të jetës, dhe ata që kanë bërë të liga, në ringjalljen e dënimit.