Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
148 Aleluja. Lëvdoni Zotin nga qiejtë, lëvdojeni në vendet shumë të larta.
2 Lëvdojeni, ju të gjithë engjëjt e tij, lëvdojeni ju mbarë ushtritë e tij.
3 Lëvdojeni, o diell dhe hënë, lëvdojeni, ju mbarë yje të ndritshme.
4 Lëvdojeni, ju qiej të qiejve, dhe ju ujëra përmbi qiejtë.
5 Tërë këto gjëra le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse ai dha urdhër dhe ato u krijuan.
6 Ai i ka vendosur përjetë, në përjetësi; por ka bërë një statut që nuk do të kalojë kurrë.
7 Lëvdojeni Zotin nga toka, ju përbindësh të detit dhe mbarë oqeane,
8 zjarr dhe breshër, borë dhe re, ajër i shtrëngatës që zbaton urdhërat e tij,
9 mbarë male dhe kodra, mbarë dru frutorë dhe kedra;
10 ju mbarë kafshë të egra dhe shtëpiake, rrëshqanorë dhe zogj me krahë;
11 ju mbretër të dheut dhe mbarë popuj, princa dhe gjyqtarë të tokës;
12 të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë.
13 Le të lëvdojnë emrin e Zotit, sepse vetëm emri i tij përlëvdohet. Lavdia e tij qëndron përmbi tokën dhe qiejtë.
14 Ai e ka rritur forcën e popullit të tij, një arsye kjo lëvdimi për të gjithë shenjtorët e tij, për bijtë e Izraelit, një popull i afërt për të. Aleluja.
27 Pastaj mbretëria, sundimi dhe madhështia e mbretërive nën të gjithë qiejt do t’i jepen popullit të shenjtorëve të Më të Lartit; mbretëria e tij është një mbretëri e përjetshme, dhe të gjitha zotërimet do t’i shërbejnë dhe do t’i binden atij".
16 Atëherë të njëzet e katër pleqtë që rrinin përpara Perëndisë mbi fronet e tyre, ranë përmbys mbi fytyrat e veta dhe adhuruan Perëndinë,
17 duke thënë: “Ne të falënderojmë, o Zot, Perëndi i Plotfuqishmi, që je, që ishe dhe që do të vish, sepse more në dorë pushtetin tënd të madh, dhe mbretëron.
18 Kombet ishin zemëruar, por erdhi mëria jote, dhe erdhi koha që të gjykohen të vdekurit dhe t’u jepet paga shërbëtorëve të tu, profetëve, dhe shenjtorëve, dhe atyre që druajnë emrin tënd, të vegjëlve dhe të mëdhenjve, dhe të shkatërrosh ata që shkatërrojnë dheun.”
19 Atëherë u hap tempulli i Perëndisë në qiell dhe u duk arka e besëlidhjes së tij, dhe ndodhnin vetëtima, dhe zëra, dhe bubullima, dhe tërmet, dhe një rebesh i fortë breshëri.