Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Veprat e Apostujve 9:1-6

Ndërkaq Sauli, duke shfryrë akoma kërcënime dhe kërdi kundër dishepujve të Zotit, shkoi te kryeprifti,

dhe kërkoi nga ai letra për sinagogat e Damaskut, me qëllim që, po të gjente ndonjë ithtar të Udhës, burra o gra, të mund t’i sillte të lidhur në Jeruzalem.

Por ndodhi që, ndërsa po udhëtonte dhe po i afrohej Damaskut, befas rreth tij vetëtiu një dritë nga qielli.

Dhe, si u rrëzua përtokë, dëgjoi një zë që i thoshte: “Saul, Saul, përse më përndjek?.”

Dhe ai tha: “Kush je, Zot?.” Dhe Zoti tha: “Unë jam Jezusi, që ti e përndjek; është e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave.”

Atëherë ai, duke u dridhur i tëri dhe i trembur, tha: “Zot, ç’don ti të bëj unë?.” Dhe Zoti: “Çohu dhe hyr në qytet, dhe do të të thuhet ç’duhet të bësh.”

Veprat e Apostujve 9:7-20

Dhe njerëzit që udhëtonin me të ndaluan të habitur, sepse dëgjonin tingullin e zërit, por nuk shikonin njeri.

Pastaj Sauli u çua nga toka, por, kur i çeli sytë, nuk shihte asnjeri; atëherë e morën për dore dhe e çuan në Damask.

Dhe mbeti tri ditë pa të parit, as hëngri as piu.

10 Në Damask ishte një dishepull me emër Anania, të cilit Zoti i tha në vegim: “Anania!.” Dhe ai u përgjigj: “Ja ku jam, Zot!.”

11 Dhe Zoti i tha: “Çohu dhe shko në rrugën e quajtur E drejtë, dhe kërko në shtëpinë e Judës një njeri nga Tarsi me emër Saul, i cili po lutet;

12 ai ka parë në vegim një njeri, me emër Anania, duke hyrë dhe duke i vënë duart për t’ia kthyer dritën e syve.”

13 Atëherë Anania u përgjigj: “O Zot, nga shumë veta kam dëgjuar për këtë njeri se sa të këqija u ka bërë shenjtorëve të tu në Jeruzalem.

14 Dhe ai ka këtu një autorizim nga krerët e priftërinjve për të burgosur të gjithë ata që thërrasin emrin tënd.”

15 Por Zoti i tha: “Shko, sepse ai është vegla që unë kam zgjedhur për ta sjellë emrin tim përpara johebrenjve, mbretërve dhe bijve të Izraelit.

16 Sepse unë do t’i tregoj atij sa shumë i duhet të vuajë për emrin tim.”

17 Atëherë Anania shkoi dhe hyri në atë shtëpi; dhe, duke i vënë duart, tha: “Vëlla Saul, Zoti Jezus, që të është shfaqur në rrugën nëpër të cilën ti po vije, më ka dërguar që të kesh përsëri dritën e syve dhe të mbushesh me Frymën e Shenjtë.”

18 Në këtë çast i ranë nga sytë disa si luspa, dhe ai fitoi përsëri të parit; pastaj u ngrit dhe u pagëzua.

19 Dhe, mbasi mori ushqim, ai u ripërtëri në forcë. Pastaj Sauli qëndroi disa ditë me dishepujt që ishin në Damask.

20 Dhe filloi menjëherë të predikojë Krishtin në sinagoga se ai është Biri i Perëndisë.

Psalmet 30

30 Do të të lëvdoj, o Zot, sepse ti më ngrite lart, dhe nuk i lejove armiqtë e mi të tallen me mua.

O Zot, Perëndia im, unë të kam klithur ty, dhe ti më ke shëruar.

O Zot, ti e ke nxjerrë shpirtin tim jashtë Sheolit, më ke mbajtur gjallë që të mos zbrisja në gropë.

I këndoni lavde Zotit, ju, shenjtorë të tij, dhe kremtoni shenjtërinë e tij,

sepse zemërimi im mban vetëm një çast, por mirësia e tij mban një jetë të tërë. Të qarat mund të vazhdojnë një natë, por në mëngjes shpërthen një britmë gëzimi.

Kur kisha bollëk thoja: "Unë nuk do të prekem kurrë".

O Zot, për hirin tënd e kishe fortësuar malin tim, ti e fshehe fytyrën tënde, dhe unë mbeta i trembur.

Unë të klitha ty, o Zot, iu luta fort Zotit,

duke thënë: "Çfarë dobie do të kesh nga gjaku im po të jetë se zbres në gropë? A mundet pluhuri të të kremtojë? A mundet ai të shpallë të vërtetën tënde?

10 Dëgjo, o Zot, dhe ki mëshirë për mua, o Zot, bëhu ti ndihma ime".

11 Ti e ke kthyer vajtimin tim në valle; ma ke hequr grethoren dhe më ke mbushur me gëzim,

12 me qëllim që shpirti im të mund të të këndojë lavdi pa pushim. O Zot, Perëndia im, unë do të të kremtoj përjetë.

Zbulesa 5:11-14

11 Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,

12 që thoshnin me zë të madh: “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin.”

13 Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.”

14 Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: “Amen!.” Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.

Gjoni 21:1-19

21 Pas këtyre gjërave, Jezusi iu shfaq përsëri dishepujve pranë Detit të Tiberiadës; dhe u shfaq në këtë mënyrë:

Simon Pjetri, Thomai i quajtur Binjaku, Natanaeli nga Kana e Galilesë, të bijtë e Zebedeut dhe dy të tjerë nga dishepujt e tij ishin bashkë.

Simon Pjetri u tha atyre: “Po shkoj të peshkoj.” Ata i thanë: “Po vijmë edhe ne me ty.” Dolën dhe hipën menjëherë në barkë; por atë natë nuk zunë asgjë.

Në mëngjes herët, Jezusi ndenji te bregu; megjithatë dishepujt nuk e kuptuan se ishte Jezusi.

Dhe Jezusi u tha atyre: “O djema, a keni ndonjë gjë për të ngrënë?.” Ata iu përgjigjën: “Jo!.”

Dhe ai u tha atyre: “Hidhni rrjetën në anën e djathtë të barkës dhe do të gjeni.” E hodhën, pra, dhe s’mundën më ta tërhiqnin nga shumica e peshqve.

Atëherë dishepulli, të cilin Jezusi e donte, i tha Pjetrit: “Éshtë Zoti.” Simon Pjetri, kur dëgjoi se ishte Zoti, u mbështoll me rrobë (sepse ishte i zhveshur) dhe u hodh në det.

Dishepujt e tjerë përkundrazi shkuan me barkë (sepse nuk ishin shumë larg nga toka, vetëm dyqind kubitë), duke tërhequr rrjetën plot me peshq.

Mbasi dolën në tokë, panë një zjarr me prush dhe mbi të peshk dhe bukë.

10 Jezusi u tha atyre: “Sillni këtu disa nga peshqit që zutë tani!.”

11 Simon Pjetri hipi përsëri në barkë dhe nxori në tokë rrjetën, plot me peshq të mëdhenj, njëqind e pesëdhjetë e tre; dhe, megjithse ishin aq shumë, rrjeta nuk u shqye.

12 Jezusi u tha atyre: “Ejani të hani mëngjes.” Por asnjë nga dishepujt nuk guxonte ta pyeste: “Kush je?,” duke ditur se ishte Zoti.

13 Atëherë Jezusi erdhi, mori bukë dhe ua dha atyre; po kështu edhe peshkun.

14 Kjo ishte e treta herë që Jezusi iu shfaq dishepujve të vet, mbasi ishte ringjallur së vdekuri.

15 Mbasi kishin ngrënë, Jezusi i tha Simon Pjetrit: “Simon nga Jona, a më do ti mua më shumë se këta?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti qengjat e mi!.”

16 Përsëri e pyeti për të dytën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Iu përgjigj: “Po, Zot, ti e di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Ki kujdes për delet e mia.”

17 E pyeti për të tretën herë: “Simon nga Jona, a më do ti mua?.” Pjetri u trishtua pse e pyeti për të tretën herë: “A më do ti mua?,” dhe iu përgjigj: “Zot, ti di çdo gjë, ti di se unë të dua.” Jezusi i tha: “Kulloti delet e mia.

18 Në të vërtetë, në të vërtetë po të them se, kur ti ishe i ri, e ngjeshje vetveten dhe shkoje ku të doje; po kur të jesh plak, do t’i shtrish duart dhe dikush tjetër do të të ngjeshë e do të të çojë atje ku ti nuk do të doje.”

19 I tha këto fjalë për të bërë të ditur se me ç’vdekje ai do ta përlëvdonte Perëndinë. Dhe, si i tha këto, i tha: “Ndiqmë.”