Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.
2 Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.
3 Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.
4 Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.
5 Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.
6 Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.
19 Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar Filistejtë".
20 Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t’u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.
21 Izraelitët dhe Filistejtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës.
22 Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin.
23 Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e Filistejve ai kampion, Filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi.
24 Tërë njerëzit e Izraelit, me ta parë atë njeri, ikën para tij dhe u hyri një frikë e madhe.
25 Njerëzit e Izraelit thonin: "E keni parë këtë njeri që shkon përpara? Ai shkon përpara për të vënë në provë sedrën e Izraelit. Ai që do ta vrasë, kushdo qoftë, do të shpërblehet me pasuri të mëdha nga mbreti, ky do t’i japë për grua të bijën dhe do të përjashtojë nga çdo haraç shtëpinë e atit të tij në Izrael".
26 Atëherë Davidi, duke iu drejtuar njerëzve që ishin pranë tij, tha: Çfarë do t’i bëjnë atij burri që do të vrasë këtë Filiste dhe do ta largojëë turpin nga Izraeli? Po kush është ky Filiste, i parrethprerë, që guxon të poshtërojë ushtrinë e Perëndisë të gjallë?".
27 Njerëzit iu përgjegjën me po ato fjalë, duke thënë: "Kështu do të bëhet me atë që do ta vrasë".
28 Eliabi, vëllai i tij më i madh, e dëgjoi ndërsa fliste me ata njerëz; kështu Eliabi u zemërua me Davidin dhe tha: "Pse erdhe këtu? Kujt ia le ato pak dele në shkretëtirë? Unë e njoh krenarinë tënde dhe ligësinë e zemrës sate, ke zbritur këtu për të parë betejën?".
29 Davidi u përgjegj: "Ç’kam bërë unë tani?. Nuk ishte veçse një pyetje e thjeshtë!".
30 Duke u larguar prej tij, iu drejtua një tjetri dhe i bëri po atë pyetje; dhe njerëzit i dhanë po atë përgjigje të mëparshme.
31 Sa dëgjuan fjalët që Davidi kishte thënë, ia treguan Saulit dhe ky dërgoi njerëz që ta thërresin.
32 Davidi i tha Saulit: "Asnjeri të mos ligështohet për shkak të tij! Shërbëtori yt do të shkojë të luftojë me këtë Filiste".
17 Atëherë u ngritën kryeprifti dhe të gjithë ata që ishin me të, domethënë sekti i saducenjve, plot smirë,
18 dhe vunë dorë mbi apostujt dhe i futën në burgun publik.
19 Por një engjëll i Zotit, natën, i hapi dyert e burgut dhe, si i nxori jashtë, tha:
20 “Shkoni, paraqituni në tempull dhe i shpallni popullit të gjitha fjalët e kësaj jete.”
21 Dhe ata, si i dëgjuan këto, hynë në tempull kur zbardhte dita dhe mësonin. Por kryeprifti dhe ata që ishin me të, erdhën dhe thirrën bashkë sinedrin dhe të gjithë pleqtë e bijve të Izraelit; pastaj dërguan rojet në burg për t’i sjellë apostujt.
22 Por rojet, kur arritën në burg, nuk i gjetën; dhe kur u kthyen bënë raportimin e tyre,
23 duke thënë: “Ne e gjetëm burgun të mbyllur me kujdes dhe rojet në këmbë përpara dyerve; por kur i hapëm, nuk gjetëm asnjeri brenda.”
24 Por kryeprifti, komandanti i rojeve të tempullit dhe krerët e priftërinjve, kur i dëgjuan këto gjëra, mbetën të habitur lidhur me këtë, sepse nuk dinin ç’donte të thoshte gjithë kjo punë.
25 Por erdhi dikush që u raportoi atyre duke thënë: “Ja, këta njerëz që ju i futët në burg janë në tempull dhe po mësojnë popullin.”
26 Atëherë komandanti shkoi me rojet dhe i solli, pa dhunë, nga frika se mos populli i vriste me gurë.