Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
150 Aleluja, lëvdoni Perëndinë në shenjtoren e tij, lëvdojeni në kupën qiellore të pushtetit të tij.
2 Lëvdojeni për mrekullitë e tij, lëvdojeni sipas madhështisë e tij.
3 Lëvdojeni me tingullin e burive, lëvdojeni me tingullin e harpës dhe me qeste.
4 Lëvdojeni me dajre dhe me valle, lëvdojeni me vegla me tela dhe me frymë.
5 Lëvdojeni me cembale tingëlluese, lëvdojeni me cembale kumbuese.
6 Çdo gjë që merr frymë le të lëvdojë Zotin. Aleluja.
17 Filistejtë i mblodhën trupat e tyre për luftë; u mblodhën në Sokoh, që është pronë e Judës, dhe e ngritën kampin e tyre në Efes-Damim midis Sokohut dhe Azekahut.
2 Edhe Sauli dhe njerëzit e Izraelit u mblodhën dhe e ngritën kampin e tyre në luginën e Terebintos, dhe u rreshtuan për betejë kundër Filistejve.
3 Filistejtë ndodheshin në mal nga një anë dhe Izraeli ishte në mal nga ana tjetër, dhe midis tyre ndodhej lugina.
4 Nga kampi i Filistejve doli një kampion i quajtur Goliath, nga Gathi, i lartë gjashtë kubitë dhe një pëllëmbë.
5 Kishte në kokë një helmetë prej bronzi, ishte veshur me një parzmore, pesha e të cilit ishte pesë mijë sikla bronzi;
6 në këmbë kishte këmbore prej bronzi dhe mbi sup mbante një ushtë prej hekuri.
7 Maja e ushtës së tij ishte si shuli i një endësi dhe peshonte gjashtë qind sikla argjendi: para tij ecte shqytari i tij.
8 Ai u ndal dhe u thirri grupeve të ushtarëve të Izraelit: "Pse keni dalë për t’u radhitur në formacion beteje? A nuk jam unë një Filiste dhe ju shërbëtorë të Saulit? Zgjidhni një burrë që të dalë kundër meje.
9 Në rast se do të jetë në gjendje të luftojë me mua dhe të më vrasë, ne do të jemi shërbëtorët tuaj; por në rast se dal unë fitues dhe e vras, atëherë ju do të jeni shërbëtorët tanë dhe do të na shërbeni".
10 Pastaj Filisteu shtoi: "Unë sot po sfidoj trupat e Izraelit: "Më jepni një burrë dhe do të luftojmë!".
11 Kur Sauli dhe tërë Izraeli dëgjuan këto fjalë të Filisteut, mbetën të shtangur dhe u hyri një frikë e madhe.
12 Davidi ishte biri i atij Efrateut të Betlemit të Judës, që mbante emrin Isai dhe kishte tetë bij. Në kohën e Saulit, ky njeri ishte i plakur dhe i shtyrë në moshë.
13 Tre bijtë më të mëdhenj të Isait kishin shkuar në luftë me Saulin: emrat e tre bijve të tij që kishin shkuar në luftë ishin: Eliabi, i parëlinduri, Abinadabi i dyti dhe Shamahu i treti.
14 Davidi ishte më i riu dhe tre më të mëdhenjtë kishin shkuar pas Saulit.
15 Davidi përkundrazi shkonte dhe vinte nga Sauli për të kullotur kopenë e atit të tij në Betlem.
16 Filisteu u dilte përpara në mëngjes dhe në mbrëmje, dhe vazhdoi të dalë dyzet ditë me radhë.
17 Isai i tha Davidit, birit të tij: "Merr për vëllezërit e tu një efë nga ky grurë i pjekur dhe dhjetë bukë dhe çoji shpejt vëllezërve të tu në kamp.
18 Dërgo edhe këto dhjetë forma djathi komandantit të mijëshes së tyre; shiko si janë vëllezërit e tu dhe më sill një peng nga ana e tyre.
19 Sauli me gjithë vëllezërit e tu dhe gjithë burrat e Izraelit janë në luginën e Terebintit për të luftuar Filistejtë".
20 Kështu Davidi u ngrit herët në mëngjes, ia la delet e tij një rojtari, mori ngarkesën e tij dhe u nis ashtu siç e kishte urdhëruar Isai. Arriti në kampin e qerreve, kur ushtria po dilte për t’u radhitur në formacion beteje dhe lëshonte britma lufte.
21 Izraelitët dhe Filistejtë ishin radhitur për betejë, një ushtri kundër tjetrës.
22 Davidi, pasi la ngarkesën e tij në duart e rojtarit të bagazheve, vrapoi në drejtim të grupimeve të betejës; me të arritur në vend, pyeti vëllezërit e tij si ishin.
23 Ndërsa po fliste me ata, ja ku doli nga radhët e Filistejve ai kampion, Filisteu i Gathit, që mbante emrin Goliath dhe përsëriti po ato fjalë; dhe Davidi i dëgjoi.
12 Dhe shumë shenja dhe mrekulli bëheshin në mes të popullit nëpërmjet duarve të apostujve. Të gjithë me një mendje të vetme mblidheshin nën portikun e Salomonit.
13 Dhe asnjeri nga të tjerët nuk guxonte të bashkohej me ta; por populli i lartësonte.
14 Kështu Zotit i shtohej një numër gjithnjë e më i madh besimtarësh, turma burrash dhe grash,
15 aq sa i binin të sëmurët në sheshe, i vinin në shtretër e në shtroja, që kur kalonte Pjetri, të paktën hija e tij të mbulonte ndonjë nga ata.
16 Edhe një turmë nga qytetet përreth turrej në Jeruzalem, duke sjellë të sëmurët dhe ata që mundoheshin nga frymëra të ndyra dhe të gjithë shëroheshin.