Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 38

38 O Zot, mos më shaj në indinjatën tënde dhe mos më dëno në zemërimin tënd.

Sepse shigjtat e tua më kanë shpuar dhe dora jote më shtyp.

Nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim për shkak të zemërimit tënd; nuk ka qetësi në kockat e mia për shkak të mëkatit tim.

Paudhësitë e mia e kalojnë në fakt kohën time, janë si një barrë e madhe, shumë e rëndë për mua.

Plagët e mia janë të fëlliqura dhe të qelbëzuara nga marrëzia ime.

Jam krejt i kërrusur dhe i dëshpëruar; sillem tërë ditën rreth e qark duke mbajtur zi,

sepse ijet e mia janë të pezmatuara dhe nuk ka asgjë të shëndoshë në mishin tim.

Jam i sfilitur dhe i vrarë; vrumbulloj nga drithma e zemrës sime.

O Zot, çdo dëshirë që kam është para teje dhe psherëtimat e mia nuk të janë fshehur.

10 Zemra ime rreh, fuqia po më lë; vetë drita e syve të mi ka ikur.

11 Miqtë e mi dhe shokët e mi rrinë larg plagës sime, dhe fqinjët e mi ndalojnë larg meje.

12 Ata që kërkojnë jetën time më ngrejnë kurthe dhe ata që duan të më bëjnë të keqen flasin për shkatërrimin dhe mendojnë mashtrime tërë ditën.

13 Por unë jam si një i shurdhër që nuk dëgjon dhe një memec që nuk e hap gojën.

14 Po, jam si një njeri që nuk dëgjon dhe që nuk mund të përgjigjet me gojën e tij.

15 Sepse shpresoj te ti, o Zot, ti do të përgjigjesh, o Zot, Perëndia im.

16 Sepse kam thënë: "U gëzofshin me mua, dhe kur këmba ime pengohet, mos u çofshin kundër meje".

17 Ndërsa jam duke rënë dhe dhembja ime është vazhdimisht para meje,

18 ndërsa rrëfej mëkatin tim dhe jam tepër i shqetësuar për mëkatin,

19 armiqtë e mi janë tërë gjallëri dhe janë të fortë, dhe ata që më urrejnë pa shkak shumohen.

20 Edhe ata që ma shpërblejnë të mirën me të keqen më përndjekin, sepse unë ndjek rrugën e së mirës.

21 O Zot, mos më braktis; Perëndia im, mos u largo nga unë.

22 Nxito të më ndihmosh, o Zot, o shpëtimi im.

Zanafilla 33:1-17

33 Jakobi ngriti sytë, vështroi dhe pa që po vinte Esau, që kishte me vete katërqind burra. Atëherë i ndau bijtë e tij midis Leas, Rakelës dhe dy shërbyeseve të tij.

Në krye vuri shërbyeset dhe bijtë e tyre, pastaj Lean dhe bijtë e saj dhe së fundi Rakelën dhe Jozefin.

Ai vetë kaloi para tyre dhe u përkul deri në tokë shtatë herë deri sa arriti pranë vëllait të vet.

Atëherë Esau vrapoi drejt tij, e përqafoi, iu hodh në qafë dhe e puthi; dhe që të dy qanë.

Pastaj Esau ngriti sytë, pa gratë e fëmijët dhe tha: "Kush janë këta me ty?". Jakobi iu përgjigj: "Janë bijtë që Perëndia pati mirësinë t’i japë shërbyesit tënd".

Atëherë u afruan shërbyeset, ato dhe bijtë e tyre, dhe u përkulën.

U afruan edhe Lea dhe bijtë e saj, dhe u përkulën. Pastaj u afruan Jozefi dhe Rakela, dhe u përkulën edhe ata.

Esau tha: "Çfarë ke ndërmend të bësh me tërë atë grup që takova?". Jakobi u përgjigj: "Éshtë për të gjetur hir në sytë e zotërisë tim".

Atëherë Esau tha: "Kam mjaft për vete, o vëllai im; mbaj për vete atë që është jotja".

10 Por Jakobi tha: "Jo, të lutem; në qoftë se kam gjetur hir në sytë e tu, prano dhuratën time nga dora ime, sepse kur pashë fytyrën tënde, për mua ishte njëlloj sikur të shikoja fytyrën e Perëndisë, dhe ti më ke pritur mirë.

11 Pranoje, pra, dhuratën që të është sjellë, sepse Perëndia është treguar shumë i mirë me mua dhe unë kam gjithçka". Dhe nguli këmbë aq shumë, sa që Esau pranoi.

12 Pastaj Esau tha: "Le të nisemi, të fillojmë të ecim dhe unë do të shkoj para teje".

13 Por Jakobi u përgjigj: "Zotëria im e di që fëmijët janë në moshë të vogël dhe që kam me vete dele dhe lopë qumështore; po t’i mbajmë keq qoftë edhe një ditë të vetme, tërë kafshët kanë për të vdekur.

14 Le të kalojë zotëria im para shërbëtorit të tij, dhe unë do ta ndjek ngadalë me hapin e kafshëve që më paraprijnë dhe me hapin e fëmijëve, deri sa të arrijë te zotëria im në Seir".

15 Atëherë Esau tha: "Më lejo të paktën të lë me ty disa nga njerëzit që janë me mua". Por Jakobi u përgjigj: "Pse ta bëjmë këtë? Mjafton që unë të gjej hir në sytë e zotërisë tim".

16 Kështu po atë ditë Esau u rikthye në rrugën e tij drejt Seirit.

17 Jakobi u nis në drejtim të Sukothit, ndërtoi atje një shtëpi për vete dhe kasolle për bagëtinë; prandaj ai vend u quajt Sukoth.

1 e Korintasve 11:2-16

Dhe unë po ju lavdëroj, vëllezër, që më kujtoni në të gjitha gjërat dhe i zbatoni porositë ashtu siç ua kam transmetuar.

Por dua që të dini se kreu i çdo njeriu është Krishti, edhe kreu i gruas është burri; edhe kreu i Krishtit është Perëndia.

Çdo burrë, kur lutet ose profetizon kokëmbuluar, turpëron kryet e tij.

Edhe çdo grua, që lutet ose profetizon kokëzbuluar, turpëron kryet e saj, sepse është njëlloj sikur të ishte e rruar.

Sepse në qoftë se gruaja nuk mbulohet, le t’ia presin flokët; por në qoftë se për gruan është turp të qethet a të rruhet, le të mbulojë kryet.

Sepse burri nuk duhet të mbulojë kryet, sepse është shëmbëllimi dhe lavdia e Perëndisë, kurse gruaja është lavdia e burrit,

sepse burri nuk është nga gruaja, por gruaja nga burri,

edhe sepse burri nuk u krijua për gruan, por gruaja për burrin.

10 Prandaj gruaja, për shkak të engjëjve, duhet të ketë një shenjë pushteti mbi kryet.

11 Gjithsesi në Zotin as burri s’është pa gruan, as gruaja pa burrin,

12 sepse sikurse gruaja vjen nga burri, ashtu edhe burri lind nëpërmjet gruas, dhe çdo gjë vjen nga Perëndia.

13 Gjykoni ndër veten tuaj. A i ka hije gruas t’i lutet Perëndisë pa u mbuluar?

14 Po vetë natyra, a nuk ju mëson se, në qoftë se një burrë i mban flokët të gjata, kjo është çnderim për të?

15 Por në qoftë se gruaja i ka flokët të gjata, kjo është lavdi për të, sepse flokët i janë dhënë asaj për mbulesë.

16 Por në qoftë se ndokush mendon të kundërshtojë, ne s’kemi zakon të tillë, as kishat e Perëndisë.