Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
138 Unë do të të kremtoj me gjithë zemër, përpara perëndive do të këndoj lavdet e tua.
2 Do të adhuroj i kthyer nga tempulli yt i shenjtë dhe do të kremtoj emrin tënd për mirësinë tënde dhe vërtetësinë tënde, sepse ti ke përlëvduar fjalën tënde dhe emrin tënd përmbi çdo gjë tjetër.
3 Ditën në të cilën të kërkova, ti m’u përgjigje dhe e rrite fuqinë e shpirtit tim.
4 Tërë mbretërit e tokës do të të kremtojnë, o Zot, kur të dëgjojnë fjalët e gojës sate,
5 dhe do të këndojnë rrugët e Zotit, sepse e madhe është lavdia e Zotit.
6 Ndonëse Zoti është i shkëlqyeshëm, ai tregon kujdes për njerëzit e thjeshtë, por mëndjemadhin e njeh nga larg.
7 Edhe sikur unë të eci në mes të fatkeqësisë, ti do të më ruash të gjallë; ti do të zgjatësh dorën kundër zemërimit të armiqve të mi, dhe dora jote e djathtë do të më shpëtojë.
8 Zoti do të kryejë veprën e tij tek unë; o Zot, mirësia jote vazhdon përjetë; mos i braktis veprat e duarve të tua.
12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.
13 Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,
14 sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).
15 Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:
16 "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri
17 që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t’i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".
18 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të;
19 pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t’i japësh disa urdhra në prani të tyre,
20 dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t’i bindet.
21 Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja".
22 Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë;
23 pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.
26 Si arriti në Jeruzalem, Sauli u përpoq të bashkohej me dishepujt, por të gjithë kishin frikë nga ai, sepse nuk mund të besonin se ai ishte dishepull.
27 Atëherë Barnaba e mori dhe e çoi tek apostujt, dhe u tregoi se si ai, gjatë udhëtimit, e kishte parë Zotin që i kishte folur, dhe si kishte folur në Damask lirshëm në emër të Jezusit.
28 Kështu ai qëndroi me ta në Jeruzalem, dhe shkonte e vinte, dhe fliste lirshëm në emër të Zotit Jezus.
29 Ai u fliste dhe diskutonte me helenistët, por ata kërkonin ta vrisnin.
30 Por vëllezërit, kur e morën vesh, e çuan në Cezare dhe që andej e nisën për në Tars.
31 Kështu në mbarë Judenë, në Galile dhe në Samari kishat kishin paqe dhe ndërtoheshin. Dhe duke ecur në druajtjen e Zotit dhe në ngushëllimin e Frymës së Shenjtë, shumoheshin.