Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 149

149 Aleluja. Këndojini Zotit një këngë të re, këndoni lavdinë e tij në kuvendin e shenjtorëve.

Le të ngazëllohet Izraeli tek ai që e ka bërë, le të ngazëllohen bijtë e Sionit te Mbreti i tyre.

Le të lëvdojnë emrin e tij me valle, të këndojnë lavdet e tij me dajre dhe me qeste,

sepse Zoti kënaqet me popullin e tij; ai i kurorëzon me shpëtim njerëzit e përulur.

Le të ngazëllohen shenjtorët në lavdi, le të këndojnë nga gëzimi mbi shtretërit e tyre.

Le të kenë në gojën e tyre lavdet e Perëndisë dhe në dorën e tyre një shpatë që pret nga të dy anët;

për t’u hakmarrë me kombet dhe për t’u dhënë ndëshkime popujve,

për t’i lidhur mbretërit e tyre me zinxhirë dhe fisnikët e tyre me pranga hekuri,

për të zbatuar mbi ta gjykimin e shkruar. Ky është nderi që u rezervohet mbarë shenjtorëve të tij. Aleluja.

Eksodi 9:1-7

Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Shko te Faraoni dhe i thuaj: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Hebrenjve: Lëre popullin tim të shkojë, që të mund të më shërbejë.

Por në rast se nuk pranon ta lësh të shkojë dhe e mban akoma,

ja, dora e Zotit do të jetë mbi bagëtinë tënde, që është nëpër fusha, mbi kuajt, mbi gomarët, mbi devetë, mbi bagëtinë e trashë dhe të imët, dhe do të ketë gjëmë të madhe.

Por Zoti do të bëjë dallim midis bagëtisë së Izraelit dhe asaj të Egjiptit; kështu asnjë ngordhje nuk do të ketë në gjithçka që u përket bijve të Izraelit"".

Pastaj Zoti caktoi një afat, duke thënë: "Nesër Zoti do ta bëjë këtë në vend".

Dhe Zoti e bëri atë të nesërmen, dhe tërë bagëtia e Egjiptit ngordhi; por nga bagëtia e bijve të Izraelit nuk ngordhi as edhe një kokë.

Faraoni dërgoi njerëz për të parë, dhe ja asnjë kokë bagëtie e Izraelitëve s’kishte ngordhur. Por zemra e Faraonit u fortësua dhe ai nuk e la popullin të shkojë.

2 e Korintasve 12:11-21

11 U bëra i marrë duke u mburrur; ju më shtrënguat, sepse u desh që ju të më rekomandoni, sepse nuk qeshë aspak më poshtë se apostujt e lartë, edhe pse unë nuk jam asgjë.

12 Shenjat e apostullit u vërtetuan ndër ju me durim të madh, me shenja e mrekulli dhe çudira.

13 Vallë nëse ju mbetët prapa, pra, nga kishat e tjera, rveç se në faktin se unë nuk u bëra barrë për ju? Falmani këtë gabim.

14 Ja, kjo është e treta herë që jam gati të vij te ju, dhe nuk dua t’ju bëhem barrë, sepse s’kërkoj pasuritë tuaja, por juve; sepse bijtë nuk e kanë për detyrë të mbledhin për prindërit, por prindërit për bijtë.

15 Sa për veten time, unë do të shpenzoj me gëzim dhe do të shpenzohem për shpirtrat tuaja, megjithse ju dua më fort dhe më doni më pak.

16 Ashtu qoftë! Unë nuk u bëra barrë për ju; megjithatë, duke qenë dinak ju zura me dredhi.

17 Mos përfitova vallë ndonjë gjë nga ju me anë të ndonjë që dërgova te ju?

18 Unë iu luta Titit dhe me të dërgova edhe këtë vëlla. Mos përfitoi gjë Titi nga ju? A nuk kemi ecur me të njëjtin frymë dhe në të njëjtat gjurmë?

19 A mendoni përsëri se ne kërkojmë të justifikohemi para jush? Ne flasim përpara Perëndisë, në Krishtin, dhe të gjitha këto, o fort të dashur, janë për ndërtimin tuaj.

20 Sepse kam frikë se mos kur të vij nuk ju gjej sikundër kam dashur dhe se mos ju më gjeni sikundër nuk keni dashur juve se mos ka grindje, xhelozi, zemërime, shpërthime, përgojime, insinuata, kryelartësi, ose trazira midis jush;

21 se mos kur të vijë sërish, Perëndia im do të më përulë në mes tuaj dhe unë do të vajtoj për shumë nga ata që kanë mëkatuar më parë dhe nuk u penduan për fëlliqësinë, kurvërinë dhe shthurjen që praktikuan.