Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
8 Por tani doli në Egjipt një mbret i ri, që nuk e kishte njohur Jozefin.
9 Ai i tha popullit të tij: "Ja, populli i bijve të Izraelit është më i shumtë dhe më i fortë se ne.
10 Të përdorim, pra, dinakëri ndaj tyre, me qëllim që të mos shumëzohen dhe, në rast lufte të mos bashkohen me armiqtë tanë dhe të luftojnë kundër nesh, dhe pastaj të largohen nga vendi".
11 Vunë, pra, kryeintendentë të punimeve mbi ta, me qëllim që t’i shtypnin me angaritë e tyre. Kështu ata i ndërtuan Faraonit qytetet-depozitë Pitom dhe Raamses.
12 Por sa më tepër i shtypnin, aq më shumë shtoheshin dhe përhapeshin; prandaj Egjiptasit arritën të kenë shumë frikë nga bijtë e Izraelit,
13 dhe Egjiptasit i detyruan bijtë e Izraelit t’u shërbenin me ashpërsi,
14 dhe ua nxinë jetën me një skllavëri të vrazhdë, duke i futur në punimin e argjilës dhe të tullave si dhe në çdo lloj pune në ara. I detyronin t’i bënin tërë këto punë me ashpërsi.
15 Mbreti i Egjiptit u foli edhe mamive hebre, nga të cilat njëra quhej Shifrah dhe tjetra Puah, dhe u tha:
16 "Kur do të ndihmoni gratë hebre lindëse, dhe do t’i shihni të ulura në ndenjësen e lindjes, në rast se fëmija është mashkull, vriteni; po të jetë femër, lëreni të jetojë".
17 Por mamitë patën frikë nga Perëndia dhe nuk bënë ashtu siç i kishte urdhëruar mbreti i Egjiptit, por i lanë gjallë fëmijët meshkuj.
18 Atëherë mbreti i Egjiptit thirri mamitë dhe u tha: "Pse e bëtë këtë dhe i latë gjallë fëmijët meshkuj?".
19 Mamitë iu përgjigjën Faraonit: "Sepse gratë hebre nuk janë si gratë egjiptase, por janë të fuqishme dhe lindin para se t’u vijë mamia pranë".
20 Dhe Perëndia u bëri të mirë këtyre mamive; dhe populli u shtua dhe u bë jashtëzakonisht i fortë.
21 Kështu, duke qenë se ato mami kishin frikë nga Perëndia, ky u dha familje më vete.
22 Atëherë Faraoni i dha këtë urdhër tërë popullit të tij duke thënë: "Çdo mashkull që lind, hidheni në lumë; por lini gjallë tërë femrat".
2 Por një njeri i shtëpisë së Levit shkoi e mori për grua një bijë të Levit.
2 Dhe gruaja u ngjiz dhe lindi një bir; dhe, duke parë që ishte i bukur, e mbajti fshehur tre muaj.
3 Por, kur nuk mundi ta mbante më të fshehur, mori një kanistër prej xunkthi, e leu me bitum dhe katran, vendosi në të fëmijën dhe e la në kallamishtën në bregun e lumit.
4 Motra e fëmijës rrinte në një farë largësie për të mësuar se çfarë do t’i ndodhte.
5 Por vajza e Faraonit zbriti për t’u larë në lumë, ndërsa shërbëtoret e saj shëtisnin buzë lumit. Ajo pa kanistrën në kallamishte dhe dërgoi shërbëtoren e saj ta marrë.
6 E hapi dhe pa fëmijën; dhe ja, i vogli po qante; asaj iu dhimbs dhe tha: Ky është një fëmijë hebree".
7 Atëherë motra e fëmijës i tha bijës së Faraonit: "A duhet të shkoj të thërras një tajë nga gratë hebre që ta mëndë këtë fëmijë për ty?".
8 E bija e Faraonit iu përgjegj: "Shko". Dhe vajza shkoi të thërrasë nënën e fëmijës.
9 Dhe bija e Faraonit i tha: "Merre me vete këtë fëmijë, mënde për mua, dhe unë do të të jap pagën tënde". Kështu gruaja e mori fëmijën dhe e mëndi.
10 Kur fëmija u rrit, ajo ia çoi bijës së Faraonit; ai u bë bir i saj dhe ajo e quajti Moisi, duke thënë: "Sepse unë e nxora nga uji".
124 Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, le të thotë Izraeli:
2 "Në qoftë se Zoti nuk do të kishte mbajtur anën tonë, kur njerëzit u ngritën kundër nesh,
3 ata do të na kishin përpirë të gjallë, aq shumë shpërtheu zëmërimi i tyre kundër nesh;
4 atëherë ujërat do të na kishin mbuluar dhe përroi do të kishte kaluar mbi ne,
5 atëherë ujërat e fryra do të kishin kaluar mbi ne".
6 Bekuar qoftë Zoti, që nuk na la si pre të dhëmbëve të tyre.
7 Shpirti ynë shpëtoi si zogu nga laku i gjuetarit; laku u këput dhe ne shpëtuam.
8 Ndihma jonë është te emri i Zotit, që ka krijuar qiejtë dhe tokën.
12 O vëllezër, po ju bëj thirrje, nëpërmjet dhembshurisë së Perëndisë, ta paraqisni trupin tuaj si fli të gjallë, të shenjtëruar, të pëlqyer te Perëndia, që është shërbesa juaj e mënçur.
2 Dhe mos u konformoni me këtë botë, por transformohuni me anë të ripërtëritjes së mendjes suaj, që të provoni cili është i miri, i pëlqyeri dhe i përsosuri vullnet i Perëndisë.
3 Sepse, për hirin që më është dhënë, unë i them secilit prej jush të mos e vlerësojë veten më shumë se sa duhet ta çmojë, por të ketë një vlerësim të përkorë, sipas masës së besimit që Perëndia i ndau secilit.
4 Sepse, sikurse në një trup kemi shumë gjymtyrë dhe të gjitha gjymtyrët nuk kanë të njëjtën funksion,
5 kështu edhe ne, megjithse jemi shumë, jemi një trup në Krishtin dhe secili jemi gjymtyrë të njeri tjetrit.
6 Dhe tani, duke pasur dhunti të ndryshme sipas hirit që na u dha, nëse kemi profecinë, të profetizojmë sipas masës së besimit;
7 nëse kemi shërbim, le t’i kushtohemi shërbimit; po kështu mësuesi të jepet pas mësimit;
8 dhe ai që nxit, le t’i kushtohet nxitjes; ai që ndan, le ta bëjë me thjeshtësi; ai që kryeson le të kryesojë me zell; ai që bën vepra mëshirë, le t’i bëjë me gëzim.
13 Pastaj Jezusi, mbasi arriti në krahinën e Cezaresë së Filipit, i pyeti dishepujt e vet: “Kush thonë njerëzit se jam unë, i Biri i njeriut?.”
14 Dhe ata thanë: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, të tjerë Jeremia, ose një nga profetët.”
15 Ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam unë?.”
16 Dhe Simon Pjetri duke u përgjigjur tha: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë të gjallë.”
17 Dhe Jezusi duke përgjigjur u tha: “I lumur je ti, o Simon, bir i Jonas, sepse këtë nuk ta zbuloi as mishi as gjaku, por Ati im që është në qiej.
18 Dhe unë po të them gjithashtu se ti je Pjetri, dhe mbi këtë shkëmb unë do të ndërtoj kishën time dhe dyert e ferrit nuk do ta mundin atë.
19 Dhe unë do të të jap çelësat e mbretërisë së qiejve; gjithçka që të kesh lidhur mbi tokë, do të jetë lidhur në qiej, dhe gjithçka që të kesh zgjidhur mbi tokë, do të jetë zgjidhur në qiej.”
20 Atëherë i urdhëroi dishepujt e vet që të mos i thonin askujt se ai ishte Jezusi, Krishti.