Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 130

130 Nga vënde të thella unë të këllthas ty, o Zot.

O Zot, dëgjo klithmën time; veshët e tu dëgjofshin me vëmendje zërin e lutjeve të mia.

Në rast se ti do të merrje parasysh fajet, o Zot, kush mund të rezistonte, o Zot?

Por te ti ka falje, me qëllim që të kenë frikë prej teje.

Unë pres Zotin, shpirti im e pret; unë kam shpresë në fjalën e tij.

Shpirti im pret Zotin, më tepër se rojet mëngjesin; po, më tepër se rojet mëngjesin.

O Izrael, mbaj shpresa tek Zoti, sepse pranë tij ka dhemshuri dhe shpëtim të plotë.

Ai do ta çlirojë Izraelin nga të gjitha paudhësitë e tij.

Zanafilla 44

44 Jozefi i dha këtë urdhër kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Mbushi trastat e këtyre njerëzve me aq ushqime sa mund të mbajnë dhe vëri paratë e secilit në grykën e çdo traste.

Përveç kësaj vëre kupën time, kupën prej argjëndi, në grykën e trastës të më të riut, bashkë me paratë e grurit të tij". Dhe ai bëri ashtu siç i tha Jozefi.

Në mëngjes, sa u bë ditë, i nisën ata njerëz me gomarët e tyre.

Sapo kishin dalë nga qyteti dhe nuk ishin akoma larg, kur Jozefi i tha kryeshërbëtorit të shtëpisë së tij: "Çohu, ndiqi ata njerëz dhe kur t’i kesh arritur, thuaju atyre: "Pse e shpërblyet të mirën me të keqe?

A nuk është ajo kupa me të cilën pi zotëria im dhe që e përdor për të parathënë të ardhmen? Keni vepruar keq duke u sjellë kështu"".

Ai i arriti ata dhe u tha këto fjalë.

Atëherë ata iu përgjegjën: "Pse zotëria im na drejton fjalë si këto? Shërbyesit e tu duhet t’i shmangen një qëndrimi të tillë!

Ja, pra, ne të kemi rikthyer nga vendi i Kanaanit paratë që kishim gjetur në grykën e trastave tona; si mund të vidhnim argjend ose flori nga shtëpia e zotërisë tënd?

Ai prej shërbëtorëve të tu të cilit do t’i gjendet kupa, të dënohet me vdekje; edhe gjithashtu ne do të bëhemi skllevër të zotërisë tënd".

10 Ai tha: "Mirë, pra, le të bëhet si thoni ju: ai të cilit do t’i gjendet kupa do të bëhet skllavi im dhe ju do të jeni të pafaj".

11 Kështu secili prej tyre nxitoi të ulë për tokë trastën e vet dhe e hapi.

12 Dhe kryeshërbëtori i kontrolloi, duke filluar nga më i moshuari dhe duke mbaruar me më të riun; dhe kupa u gjet në thesin e Beniaminit.

13 Atëherë ata i shqyen rrobat e tyre, ringarkuan secili gomarin e vet dhe u kthyen në qytet.

14 Juda dhe vëllezërit e tij arritën në shtëpinë e Jozefit, që gjendej akoma aty, dhe u shtrinë për tokë para tij.

15 Dhe Jozefi u tha atyre: "Çfarë veprimi është ky që keni bërë? Nuk e dini që një njeri si unë është në gjëndje të parathotë të ardhmen?".

16 Juda u përgjegj: "Ç’do t’i themi zotërisë tim? Çfarë fjalë do të përdorim ose si do të mund të justifikohemi? Perëndia ka rigjetur paudhësinë e shërbëtorëve të tu. Ja, jemi skllevër të zotërisë tim, si ne ashtu edhe ai në dorën e të cilit u gjet kupa".

17 Por Jozefi tha: "Larg meje një veprim i tillë! Njeriu, në dorën e të cilit u gjet kupa, do të jetë skllavi im; sa për ju, kthehuni në paqe tek ati juaj".

18 Atëherë Juda iu afrua Jozefit dhe i tha: "Të lutem, zotëria im, lejoje shërbëtorin tënd që t’i thotë një fjalë zotërisë tim, dhe mos u zemëro me shërbëtorin tënd, sepse ti je si Faraoni.

19 Zotëria im i pyeti shërbëtorët e tij duke thënë: "A keni ju baba apo vëlla?".

20 Dhe ne iu përgjegjëm zotërisë tim: "Kemi një baba që është plak me një bir të ri, që i ka lindur në pleqëri; i vëllai ka vdekur, kështu ai ka mbetur i vetmi bir i nënës së tij dhe i ati e do".

21 Atëherë ti u the shërbëtorëve të tu: "Sillmani këtu që të mund ta shoh me sytë e mi".

22 Dhe ne i thamë zotërisë tim: "Fëmija nuk mund ta lërë atin e tij, sepse po të duhej ta linte, i ati do të vdiste".

23 Por ti u the shërbëtorëve të tu: "Në rast se vëllai juaj më i ri nuk zbret bashkë me ju, ju nuk do ta shihni më fytyrën time".

24 Kështu që kur u ngjitëm përsëri te shërbëtori yt, ati im, i treguam fjalët e zotërisë tim.

25 Atëherë ati ynë tha: "Kthehuni të na blini pak ushqime".

26 Ne u përgjegjëm: "Nuk mund të zbresim atje poshtë; do të zbresim vetëm në rast se vjen me ne vëllai ynë më i vogël; sepse nuk mund ta shohim fytyrën e atij njeriu po të jetë se vëllai ynë më i vogël nuk është me ne".

27 Dhe shërbëtori yt, ati ynë, na u përgjegj: "Ju e dini që gruaja ime më lindi dy bij;

28 njëri prej tyre më la dhe unë i thashë: Me siguri ai është bërë copë e çikë dhe nuk e kam parë më qysh atëherë;

29 dhe po të ma hiqni edhe këtë dhe i ndodh ndonjë fatkeqësi, ju do të kallni në varr pleqërinë time të dhembshme".

30 Kështu, pra, kur të arrij te shërbëtori yt, ati im, në qoftë se fëmija nuk është me ne, sepse jeta e tij është e lidhur me atë të fëmijës,

31 do të ndodhë që, sa të shohë që fëmija nuk është me ne, ai ka për të vdekur; dhe shërbëtorët e tu do ta kenë kallur në varr pleqërinë e shërbëtorit tënd, të atit tonë.

32 Tani, me qenë se shërbëtori yt është bërë dorëzanë për fëmijën pranë atit tim dhe i ka thënë: "Në rast se nuk do ta rikthej do të jem për gjithnjë fajtor ndaj atit tim,"

33 lejo, pra, tani që shërbëtori yt të mbetet skllav i zotërisë tim në vend të fëmijës, dhe që fëmija të kthehet me vëllezërit e tij.

34 Sepse si mund të rikthehem tek ati im në qoftë se fëmija nuk është me mua? Ah, mos e pafsha dhembjen që do të pushtonte atin tim!".

Romakëve 11:13-29

13 Sepse unë po ju flas juve, johebrenjve, duke qenë se jam apostulli i johebrenjve; dhe unë e nderoj shërbesën time,

14 për të provuar se në ndonjë mënyrë mund t’i provokoj se mos i shtie në zili ata që janë mishi im edhe shpëtoj disa prej tyre.

15 Sepse, në qoftë se refuzimi i tyre është pajtim për botën, ç’do të jetë ripranimi i tyre, përveç se kalimi prej vdekjes në jetë?

16 Edhe po të jenë pemët e para të shenjta, edhe e tëra është e shenjtë; dhe po të jetë rrënja e shenjtë, edhe degët janë të shenjta.

17 Edhe sikur të këputen disa degë, ti që ishe ullastër u shartove në vend të tyre dhe u bëre pjestar i rrënjës dhe i majmërisë së drurit të ullirit,

18 mos u mburr kundër degëve: por nëse mburresh kundër tyre, mos harro se nuk e mban ti rrënjën, po rrënja të mban ty.

19 Do të thuash, pra: “Degët u prenë që të shartohem unë.”

20 Mirë, ato u prenë për mosbesimin, por ti qëndron për shkak të besimit; mos u kreno, por druaj.

21 Sepse nëse Perëndia nuk i kurseu degët natyrore, shiko se mos nuk të kursen edhe ty.

22 Shih, pra, mirësinë dhe rreptësinë e Perëndisë: rreptësinë mbi ata që u rrëzuan, dhe mirësinë ndaj teje, në qoftë se ti do të ngulmosh në mirësi, përndryshe edhe ti do të këputesh.

23 Kështu edhe ata, nëse nuk do të qëndrojnë në mosbesim, do të shartohen; sepse Perëndia është i fuqishëm t’i shartojë përsëri.

24 Sepse, në qoftë se ti u këpute nga ulliri i egër prej natyre dhe u shartove kundër natyrës në ulli të butë, aq më tepër këto, që janë degë prej natyre, do të shartohen në ullirin e vet.

25 Sepse nuk dua, o vëllezër, që ju të jeni të paditur këtë të fshehtë që të mos mbaheni me të madh në veten tuaj se i ka ndodhur një ngurtësim një pjese të Izraelit deri sa të ketë hyrë tërësia e johebrenjve,

26 dhe kështu mbarë Izraeli do të shpëtohet, sikurse është shkruar: “Nga Sioni do të vijë Çlirimtari, dhe do të largojë pabesinë nga Jakobi.

27 Dhe kjo do të jetë besëlidhja ime me ta, kur unë t’ju heq mëkatet e tyre.”

28 Për sa i përket ungjillit ata janë armiq për hirin tuaj, por për sa i përket zgjedhjes, janë të dashur për hir të etërve,

29 sepse dhuntitë dhe thirrja e Perëndisë janë të pakthyeshme.