Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
65 Ty, o Perëndi, të përket lëvdimi në Sion; dhe do të kryhen zotimet para teje.
2 Te ti, që plotëson lutjen, do të vijë çdo krijesë.
3 Mëkatet më kishin mundur, por ti siguron faljen për shkeljet tona.
4 Lum ai njeri që ti e zgjedh dhe e afron pranë vetes, që të banojë në oborret e tua; ne do të ngopemi me të mirat e shtëpisë sate, me gjërat e shenjta të tempullit tënd.
5 Në drejtësinë tënde, ti na përgjigjesh me vepra të tmerrshme, o Perëndia i shpëtimit tonë, ti që je shpresa e skajeve të tokës dhe e deteve të largëta.
6 Me fuqinë tënde i ke bërë malet të patundshëm dhe i ke ngjeshur me forcë.
7 Ti qetëson zhurmën e deteve, zhurmën e valëve të tyre dhe trazirën e popujve.
8 Dhe ata që banojnë në skajet e tokës kanë frikë nga mrekullitë e tua; ti bën që të shpërthejnë britma gëzimi nga lindja dhe nga perëndimi.
9 Ti e viziton tokën dhe bën që ajo të prodhojë më tepër, e pasuron në një masë të madhe; lumi i Perëndisë është plot ujë; ti u siguron njerëzve grurin e tyre, mbasi e ke përgatitur tokën.
10 Ti i mbush me ujë brazdat e saj, sheshon plisat, e zbut me shirat dhe bekon filizat.
11 Ti e kurorëzon motin me bujarinë tënde të madhe dhe gjurmët e tua dallohen me bollëkun e të mirave.
12 Kullotat e shkretëtirës janë plot me ujë, dhe kodrinat janë mbuluar me gëzim.
13 Kullotat mbulohen me kope dhe luginat mbulohen me grurë; ato lëshojnë britma gëzimi dhe këndojnë.
1 Fjala e Zotit që iu drejtua Joelit, birit të Pethuelit.
2 Dëgjoni këtë, o pleq, dëgjoni, ju të gjithë banorë të vendit. A ka ndodhur vallë një gjë e tillë në ditët tuaja apo në ditët e etërve tuaj?
3 Tregouani bijve tuaj, dhe bijtë tuaj bijve të tyre, dhe bijtë e tyre brezit tjetër.
4 Atë që la krimbi e hëngri karkaleci, atë që la karkaleci e hëngri larva e karkalecit, atë që la larva e hëngri bulkthi.
5 Zgjohuni, o të dehur, dhe qani; vajtoni ju të gjithë, që pini verë, për mushtin që ju hoqën nga goja.
6 Sepse një komb i fortë dhe i panumërt ka dalë kundër vendit tim. Dhëmbët e tij janë dhëmbë luani, dhe ka stërdhëmbë luaneshe.
7 Ka shkatërruar hardhinë time, e ka bërë copë-copë fikun tim, ia ka hequr lëvoren krejt dhe e ka hedhur tutje; degët e tij kanë mbetur të bardha.
8 Vajto si një virgjëreshë e veshur me thes për dhëndrrin e rinisë së saj.
9 Nga shtëpia e Zotit janë zhdukur ofertat e ushqimit dhe libacionet; priftërinjtë, ministrat e Zotit, pikëllohen.
10 Fusha është shkretuar, vendi është në zi, sepse gruri u prish, mushti u tha dhe vaji humbi.
11 Pikëllohuni, o bujq, vajtoni, o vreshtarë, për grurin dhe për elbin, sepse të korrat e arave humbën.
12 Hardhia u tha, fiku u tha, shega, hurma, molla dhe tërë drurët e fushës u thanë; nuk ka gëzim midis bijve të njerëzve.
13 Ngjeshuni me thes dhe mbani zi, o priftërinj, vajtoni, ministra të altarit. Ejani, rrini tërë natën të veshur me thasë, o ministra të Perëndisë tim, sepse oferta e ushqimit dhe libacioni u zhduk nga shtëpia e Perëndisë tuaj.
14 Shpallni agjërim, thërrisni një kuvend solemn. Mblidhni pleqtë dhe tërë banorët e vendit në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tuaj, dhe i klithni Zotit.
15 Mjerë ajo ditë! Sepse dita e Zotit është e afërt; po, do të vijë si një shkatërrim nga i Plotfuqishmi.
16 A nuk u hoq vallë ushqimi para syve tona, dhe gëzimi dhe hareja nga shtëpia e Perëndisë tonë?
17 Farërat po thahen nën plisa, depot janë katandisur të shkreta, hambaret e grurit po rrënohen, sepse gruri u tha.
18 Sa vuajnë kafshët! Kopetë e gjedhëve sillen më kot, sepse nuk ka kullotë për ta; lëngojnë edhe kopetë e deleve.
19 Te ty, o Zot, unë këlthas, sepse një zjarr ka gllabëruar të gjitha tokat për kullotë dhe një flakë ka djegur të gjithë drurët e fushës.
20 Edhe kafshët e fushave i ngrenë sytë drejt teje, sepse rrjedhjat e ujit janë tharë dhe zjarri ka gllabëruar tokat për kullotë.
3 Dhe dije këtë: në ditët e fundit do të vijnë kohë të vështira,
2 sepse njerëzit do të jenë egoistë, lakmues parash, mburravecë, krenarë, blasfemues, të pabindur ndaj prindërve, mosmirënjohës, të paudhë,
3 të padhembshur, të papajtueshëm, shpifës, të papërmbajtur, mizorë, që s’e duan të mirën,
4 tradhtarë, kokëshkretë, fodullë, dëfrimdashës më fort se perëndidashës,
5 të perëndishëm në dukje, por mohues të fuqisë së saj; edhe nga këta largohu.
6 Sepse prej këtyre janë ata që futen nëpër shtëpi dhe i bëjnë për vete femrat e ngarkuara me mëkate, të sunduara nga pasione të ndryshme,
7 të cilat mësojnë gjithnjë dhe kurrë nuk mund të arrijnë në njohjen e plotë të së vërtetës.
8 Dhe sikurse Janesi dhe Jambresi i kundërshtuan Moisiut, po kështu edhe këta i kundërvihen së vërtetës; janë njerëz mendjeprishur, të neveritshëm në çështjen e besimit.
9 Por këta nuk do të shkojnë shumë përpara, sepse marrëzia e tyre do të dalë në shesh për të gjithë, ashtu sikurse u ngjau edhe atyre.