Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 119:97-104

97 Oh, sa shumë e dua ligjin tënd! Ai është përsiatja ime gjithë ditën.

98 Urdhërimet e tua më bëjnë më të urtë se armiqtë e mi, sepse janë gjithnjë me mua.

99 Kuptoj më shumë se të gjithë mësuesit e mi, sepse urdhërimet e tua janë përsiatja ime.

100 Kam më tepër zgjuarësi se pleqtë, sepse respektoj urdhërimet e tua.

101 Kam përmbajtur hapat e mia nga çdo shteg i keq, për të respektuar fjalën tënde.

102 Nuk jam larguar nga dekretet e tua, sepse ti vetë më ke mësuar.

103 Sa të ëmbla janë fjalët e tua në gojën time! Janë më të ëmbla se mjalti në gojën time.

104 Me anë të urdhërimeve të tua unë përfitoj zgjuarësinë; prandaj urrej çdo shteg falsiteti.

Jeremia 26:16-24

16 Atëherë princat dhe tërë populli u thanë priftërinjve dhe profetëve: Ky njeri nuk meriton vdekjen, sepse na ka folur në emër të Zotit, Perëndisëë tonë".

17 Pastaj u ngritën disa nga pleqtë e vendit dhe i folën tërë kuvendit të popullit, duke thënë:

18 "Mikea, Morashtiti, profetizoi në ditët e Ezekias, mbretit të Judës, dhe i foli tërë popullit të Judës, duke thënë: "Kështu thotë Zoti i ushtrive: Sioni do të lërohet si një fushë, Jeruzalemi do të bëhet një grumbull gërmadhash dhe mali i tempullit një lartësi e pyllëzuar".

19 A e dënuan vallë me vdekje Ezekian, mbretin e Judës, dhe tërë Judën? A nuk pati frikë nga Zoti dhe a nuk iu lut vallë fytyrës së Zotit, dhe kështu Zoti u pendua për të keqen që kishte shqiptuar kundër tyre? Ne jemi duke bërë përkundrazi një të keqe të madhe kundër vetes sonë".

20 Pati edhe një njeri tjetër që profetizoi në emër të Zotit. Uria, biri i Shemajahut, nga Kiriath-Jearimi; ai profetizoi kundër këtij qyteti dhe kundër këtij vendi me fjalë krejt të ngjashme me ato të Jeremias.

21 Kur mbreti Jehojakim, tërë njerëzit e tij trima dhe tërë princat e tij dëgjuan fjalët e tij, mbreti kërkoi ta dënojë me vdekje, por Uria e mori vesh dhe u frikësua; prandaj ua mbathi këmbëve dhe shkoi në Egjipt.

22 Atëherë mbreti Jehojakim dërgoi njerëz në Egjipt, Elnathanin, biri i Akborit, dhe njerëz të tjerë me të në Egjipt.

23 Këta e nxorën Urian nga Egjipti dhe e çuan te mbreti Jehojakim, që e goditi me shpatë dhe e hodhi kufomën e tij midis varreve të bijve të popullit.

24 Por dora e Ahikamit, birit të Shafanit, ishte me Jeremian, me qëllim që të mos e dorëzonin në duart e popullit dhe të mos dënohej me vdekje.

2 Timoteut 2:14-26

14 Ua kujto atyre këto gjëra, duke u përbetuar përpara Zotit të mos hahen kot me fjalë pa asnjë dobi, në dëm të atyre që dëgjojnë.

15 Mundohu të dalësh përpara Perëndisë si i sprovuar, si punëtor që nuk ka pse të turpërohet, që thotë drejt fjalën e së vërtetës.

16 Shmangu nga fjalët e kota dhe profane, sepse do të çojnë në pabesi,

17 dhe fjala e tyre do të brejë si një gangrenë; ndër këta janë Himeneu dhe Fileti,

18 të cilët dolën jashtë rrugës së të vërtetës, duke thënë se ringjallja ka ngjarë dhe përmbysin besimin e disave.

19 Megjithatë themeli i fortë i Perëndisë qëndron i patundur, dhe ka këtë vulë: "Zoti i njeh të vetët," dhe: "Le t’i largohet paudhësisë kushdo që përmend emrin e Krishtit".

20 Në një shtëpi të madhe nuk ka vetëm enë prej ari dhe argjendi, por edhe prej druri dhe balte; disa për të nderuar; të tjerat për të mos nderuar.

21 Pra, në qoftë se dikush pastrohet nga këto gjëra, do të jetë një enë nderi, e shenjtëruar dhe e dobishme për të zotin, e përgatitur për çdo vepër të mirë.

22 Largohu nga pasionet rinore dhe bjeru pas drejtësisë, besimit, dashurisë dhe paqes bashkë me ata që e thërresin në ndihmë Zotin me zemër të pastër.

23 Shmang gjithashtu diskutimet e marra dhe pa mend, duke ditur se shkaktojnë grindje.

24 Sepse shërbëtori i Zotit nuk duhet të zihet, por të jetë i butë me të gjithë, i aftë për të mësuar njerëzit dhe i durueshëm,

25 duke i mësuar me butësi kundërshtarët, me shpresë se Perëndia ua jep atyre të pendohen, që arrijnë të njohin të vërtetën,

26 dhe të vijnë në vete, duke shpëtuar nga laku i djallit, që i ka zënë robër të vullnetit të tij.