Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Eksodi 12:1-4

12 Zoti u foli Moisiut dhe Aaronit në vendin e Egjiptit, duke u thënë:

"Ky muaj do të jetë për ju muaji më i rëndësishëm, do të jetë për ju muaji i parë i vitit.

I thoni gjithë asamblesë së Izraelit: "Ditën e dhjetë të këtij muaji, çdo burrë të marrë për vete një qengj, sipas madhësisë së familjes të të atit, një qengj për shtëpi.

Por në qoftë se shtëpia është tepër e vogël për një qengj, le të marrë një së bashku me fqinjin më të afërt, duke llogaritur numrin e personave; ju do të përcaktoni sasinë e qengjit të nevojshëm, në bazë të asaj që çdonjëri mund tëhajë.

Eksodi 12:5-10

Qengji juaj duhet të jetë pa të meta, mashkull, motak; mund të merrni një qengj ose një kec.

Do ta ruani deri në ditën e katërmbëdhjetë të këtij muaji, dhe tërë asambleja e popullit të Izraelit do ta therë atë në të ngrysur.

Pastaj do të marrin nga ai gjak dhe do ta vënë mbi dy shtalkat dhe mbi arkitraun e shtëpive ku do ta hanë.

Do të hanë mishin e pjekur në zjarr, po atë natë, do ta hanë atë me bukë pa maja dhe me barishte të hidhura.

Nuk do të hani fare mish të gjallë apo të zier në ujë, por të pjekur në zjarr me kokën, këmbët dhe të brendshmet.

10 Dhe nuk do të lini asnjë mbetje deri në mëngjes; dhe ç’të mbetet deri në mëngjes, do ta digjni në zjarr.

Eksodi 12:11-14

11 Do ta hani në këtë mënyrë: ijengjeshur, sandalembathur dhe me bastunin tuaj në dorë; do të hani me nxitim: se është Pashka e Zotit.

12 Atë natë unë do të kaloj nëpër vendin e Egjiptit dhe do të godas çdo të parëlindur në vendin e Egjiptit, qoftë njeri apo kafshë, dhe do t’i jap hakun gjithë perëndive të Egjiptit. Unë jam Zoti.

13 Dhe gjaku do të jetë për ju një shenjë mbi shtëpitë ku ndodheni; kur unë të shoh gjakun do të kaloj tutje dhe nuk do të ketë plagë mbi ju për t’ju zhdukur, kur të godas vendin e Egjiptit.

14 Ajo ditë do të jetë për ju një ditë për t’u mbajtur mend dhe ta kremtoni si festë kushtuar Zotit; do ta kremtoni nëpër kohëra si ligj të përjetshëm.

Psalmet 116:1-2

116 Unë e dua Zotin, sepse ai dëgjoi zërin tim dhe lutjet e mia.

Duke qenë se e ka kthyer ndaj meje veshin e tij, unë do ta kërkoj në gjithë ditët e jetës sime.

Psalmet 116:12-19

12 Ç’do t’i jap Zotit në këmbim të të gjitha të mirave që më ka bërë?

13 Unë do të ngre kupën e shpëtimit dhe do të thërres emrin e Zotit.

14 Do të plotësoj zotimet e mia ndaj Zotit në prani të të gjithë popullit të tij.

15 Éshtë e çmueshme në sytë e Zotit vdekja e të shenjtëve të tij.

16 Unë jam me të vërtetë shërbëtori yt, o Zot, jam shërbëtori yt, bir i shërbëtores sate; ti i këpute lidhjet e mia.

17 Unë do të të ofroj një flijim falenderimi dhe do të përmend emrin e Zotit.

18 Do t’i plotësoj zotimet e mia Zotit në prani të të gjithë popullit të tij,

19 në oborret e shtëpisë së Zotit, në mesin tënd, o Jeruzalem. Aleluja.

1 e Korintasve 11:23-26

23 Sepse unë mora nga Zoti atë që ju transmetova edhe juve; se Zoti Jezus, në atë natë që po tradhtohej, mori bukën

24 dhe, si falënderoi, e theu dhe tha: “Merrni, hani; ky është trupi im që është thyer për ju; bëni këtë në përkujtimin tim.”

25 Gjithashtu, pas darkës, mori edhe kupën, duke thënë: “Kjo kupë është besëlidhja e re në gjakun tim; bëni këtë sa herë që të pini, në përkujtimin tim.”

26 Sepse sa herë të hani nga kjo bukë ose të pini nga kjo kupë, ju shpallni vdekjen e Zotit, derisa ai të vijë.

Gjoni 13:1-17

13 Por përpara festës së Pashkës, Jezusi, duke e ditur se kishte ardhur ora e tij të kalojë nga kjo botë tek Ati, duke i dashur të vetët që ishin në botë, i deshi deri në fund.

Dhe, kur mbaroi darka, mbasi djalli i kishte shtënë në zemër Judë Iskariotit, birit të Simonit, ta tradhtonte,

Jezusi, duke ditur se Ati i kishte dhënë gjithçka në duar, dhe se ai kishte dalë nga Perëndia dhe te Perëndia po kthehej,

u ngrit nga darka dhe hoqi rrobat e tij, mori një peshqir dhe u ngjesh.

Mbasi hodhi ujë në një legen, filloi të lante këmbët e dishepujve dhe t’ua fshijnte me peshqirin, me të cilin ishte ngjeshur.

Erdhi, pra, te Simon Pjetri. Dhe ai i tha: “Zot, ti të m’i lash këmbët mua?.”

Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Atë që po bëj unë, ti tani nuk e kupton, por do ta kuptosh mbas kësaj.”

Pjetri i tha: “Ti kurrë nuk do të m’i lash këmbët.” Jezusi iu përgjigi: “Po nuk të lava, ti nuk do të kesh pjesë me mua.”

Simon Pjetri i tha: “Zot, jo vetëm këmbët, por edhe duart dhe kokën.”

10 Jezusi i tha: “Ai që është i larë, s’ka nevojë veçse të lajë këmbët dhe është krejt i pastër; edhe ju jeni të pastër, por jo të gjithë.”

11 Sepse ai e dinte se kush do ta tradhtonte, prandaj tha: “Nuk jeni të gjithë të pastër.”

12 Kështu, mbasi ua lau këmbët, mori përsëri rrobat e tij, zuri vend rishtas në tryezë dhe u tha atyre: “A e kuptoni këtë që ju kam bërë?

13 Ju më quani Mësues dhe Zot, dhe mirë thoni, sepse jam.

14 Në qoftë se unë, Zoti dhe Mësuesi, ju kam larë këmbët, edhe ju duhet t’i lani këmbët njëri-tjetrit.

15 Unë, në fakt, ju kam dhënë shëmbullin që ashtu siç kam bërë unë, bëni edhe ju.

16 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Shërbëtori nuk është më i madh se padroni i tij, as i dërguari më i madh se ai që e ka dërguar.

17 Po t’i dini këto gjëra, të lumur jeni ju nëse do t’i bëni.

Gjoni 13:31-35

31 Kur doli ai, Jezusi tha: “Tani Biri i njeriut është përlëvduar dhe Perëndia është përlëvduar në të.

32 Në qoftë se Perëndia është përlëvduar në të, Perëndia do ta përlëvdojë edhe në vetvete dhe do ta përlëvdojë menjëherë.

33 Djema, edhe për pak kohë jam me ju; ju do të më kërkoni, por ashtu siç u kam thënë Judenjve: "Atje ku po shkoj unë ju nuk mund të vini". Kështu tani po ju them edhe juve.

34 Po ju jap një urdhërim të ri: ta doni njëri-tjetrin; sikurse unë ju kam dashur, ashtu edhe ju ta doni njëri-tjetrin.

35 Prej kësaj do t’ju njohin të gjithë që jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.”