Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Isaia 49:1-7

49 Ishuj, dëgjomëni, dhe kushtojini kujdes, o popuj të largët. Zoti më ka thirrur që kur isha në bark të nënës, ka përmendur emrin tim që kur isha në të përbrëndëshmet e nënës sime.

Ma bëri gojën si një shpatë të mprehtë, më ka fshehur në hijen e dorës së tij, më ka dhënë një shigjetë me majë, më ka futur në kukurën e tij.

Më ka thënë: "Ti je shërbëtori im, Izrael, në të cilin do të përlëvdohem".

Por unë thoja: "Më kot jam lodhur; për hiç gjë dhe pa dobi kam harxhuar forcën time; por me siguri e drejta ime është pranë Zotit dhe shpërblimi im pranë Perëndisë tim".

Dhe tani thotë Zoti që më ka formuar që në bark të nënës që të jem shërbëtori i tij, që t’i sjell atij përsëri Jakobin dhe që të mbledh rreth tij Izraelin (unë jam i nderuar në sytë e Zotit dhe Perëndia im është forca ime).

Ai thotë: "Éshtë tepër pak që ti të jesh shërbëtori im për të lartuar përsëri fiset e Jakobit dhe për të kthyer ata që kanë shpëtuar nga Izraeli. Të kam vendosur si dritën e kombeve, me qëllim që të jesh Shpëtimi im deri në skajet e tokës".

Kështu i thotë Zoti, Çliruesi i Izraelit, i Shenjti i tij, atij që përbuzet nga njerëzit, që urrehet nga kombi, shërbëtorit të sundimtarëve: Mbretërit do të shohin dhe do të ngrihen, princat do të bien përmbys, përr shkak të Zotit që është besnik, i Shenjti i Izraelit, që të ka zgjedhur".

Psalmet 71:1-14

71 Unë po gjej strehë te ti, o Zot, bëj që të mos hutohem kurrë.

Në emër të drejtësisë sate, më çliro dhe më shpëto; zgjate veshin tënd ndaj meje dhe më shpëto.

Ti je për mua një kështjellë shpëtimi, ku unë mund të shkoj gjithnjë; ti ke urdhëruar shpëtimin tim, sepse je shkëmbi dhe kështjella ime.

Perëndia im, më çliro nga dora e të pabesit, nga dora e të çoroditurit dhe të atij që përdor dhunën.

Sepse ti je shpresa ime, o Zot, o Zot, besimi im që kurse isha fëmijë.

Ti ke qenë përkrahja ime qysh në bark të nënes sime; ti më nxore nga barku i nënës sime; ty do të drejtohet gjithnjë lëvdimi im.

Jam bërë për shumë njerëz si një mrekulli, por ti je streha e fortë.

Goja ime është plot me lëvdimet e tua dhe shpall lavdinë tënde tërë ditën.

Mos më hidh poshtë në kohën e pleqërisë; mos më braktis kur forca ime po pakësohet.

10 Sepse armiqtë e mi flasin kundër meje, dhe ata që kanë ngritur pusi kundër jetës sime thurrin komplote bashkë,

11 duke thënë: "Perëndia e ka braktisur; ndiqeni dhe kapeni, sepse nuk ka njeri që ta çlirojë".

12 O Perëndi, mos u largo nga unë; Perëndia im, nxito të më ndihmosh.

13 U ngatërrofshin dhe u asgjesofshin kundërshtarët e jetës sime; u mbulofshin me poshtërsi dhe me turp ata që dëshërojnë të më bëjnë të keqen.

14 Por unë do të kem shpresa gjithnjë dhe do të të lëvdoj gjithnjë e më tepër.

1 e Korintasve 1:18-31

18 Sepse mesazhi i kryqit është marrëzi për ata që humbin, por për ne që shpëtohemi është fuqia e Perëndisë.

19 Sepse është shkruar: “Do të bëj të humbasë dituria e të diturve, dhe do ta asgjësoj zgjuarësinë e të zgjuarve.”

20 Ku është i dituri? Ku është skribi? Ku është debatuesi i kësaj epoke? A nuk e bëri të marrë Perëndia diturinë e kësaj bote?

21 Sepse, duke qenë se nëpërmjet diturisë së Perëndisë bota nuk e njohu Perëndinë me urtinë e vet, Perëndisë i pëlqeu të shpëtojë ata që besojnë nëpërmjet marrëzisë së predikimit,

22 sepse Judenjtë kërkojnë një shenjë dhe Grekët kërkojnë dituri,

23 por ne predikojmë Krishtin të kryqëzuar, skandal për Judenjtë dhe marrëzi për Grekët,

24 kurse për ata që janë të thirrur, qofshin Judenj ose Grekë, predikojmë Krishtin, fuqia e Perëndisë dhe diturinë e Perëndisë;

25 sepse marrëzia e Perëndisë është më e ditur se njerëzit dhe dobësia e Perëndisë më e fortë se njerëzit.

26 Shikoni në fakt thirrjen tuaj, vëllezër, sepse ndër ju ka jo shumë të ditur sipas mishit, jo shumë të fuqishëm, jo shumë fisnikë,

27 por Perëndia ka zgjedhur gjërat e marra të botës për të turpëruar të urtët; dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat e dobëta të botës për të turpëruar të fortët;

28 dhe Perëndia ka zgjedhur gjërat jo fisnike të botës dhe gjërat e përçmuara, edhe gjërat që nuk janë, për të asgjësuar ato që janë,

29 që asnjë mish të mos mburret përpara tij.

30 Por prej tij ju jeni në Krishtin Jezus, i cili nga Perëndia u bë për ne dituri, drejtësi, shenjtërim dhe shpengim,

31 që, sikurse është shkruar: “Ai që mburret, le të mburret në Zotin.”

Gjoni 12:20-36

20 Dhe midis atyre që ishin ngjitur për të adhuruar gjatë festës ishin edhe disa Grekë.

21 Ata, pra, iu afruan Filipit, që ishte nga Betsaida e Galilesë, dhe iu lutën duke thënë: “Zot, duam të shohim Jezusin.”

22 Filipi shkoi e ia tha Andreas; dhe përsëri Andrea dhe Filipi ia thanë Jezusit.

23 Por Jezusi u përgjigj atyre duke thënë: “Ora ka ardhur, në të cilën Biri i njeriut duhet të përlëvdohet,

24 Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Nëse kokrra e grurit e rënë në dhe nuk vdes, ajo mbetet e vetme; por, po të vdesë, jep shumë fryt!

25 Kush e do jetën e vet do ta humbasë; dhe kush e urren jetën e vet në këtë botë, do ta ruajë për jetën e përjetshme.

26 Në qoftë se dikush më shërben, të më ndjekë; dhe ku jam unë, atje do të jetë dhe shërbëtori im; në qoftë se dikush më shërben, Ati im do ta nderojë.

27 Tani shpirti im është i tronditur dhe çfarë të them: O Atë, më shpëto nga kjo orë? Por për këtë unë kam ardhur në këtë orë.

28 O Atë, përlëvdo emrin tënd!” Atëherë një zë erdhi nga qielli: “E kam përlëvduar dhe do ta përlëvdoj akoma!.”

29 Turma, pra, që ishte e pranishme dhe e dëgjoi zërin, thoshte se qe një bubullimë. Të tjerë thoshnin: “Një engjëll i ka folur!.”

30 Dhe Jezusi u përgjigj dhe tha: “Ky zë nuk ka ardhur për mua, por për ju.

31 Tani është gjykimi i kësaj bote; tani do të hidhet jashtë princi i kësaj bote!

32 Dhe unë, kur të jem ngritur lart nga toka, do t’i tërheq të gjithë tek unë.”

33 Por ai i thoshte këto për të treguar nga ç’lloj vdekje duhet të vdiste.

34 Turma iu përgjigj: “Ne kemi dëgjuar nga ligji se Krishti mbetet përjetë; tani si mund të thuash ti se Biri i njeriut duhet të ngrihet lart? Kush është ky Bir i njeriut?.”

35 Atëherë Jezusi u tha atyre: “Drita është me ju edhe për pak kohë; ecni gjersa keni dritë, që të mos ju zërë errësira; kush ecën në errësirë nuk di se ku shkon.”

36 “Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës.” Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.