Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"
37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.
38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.
39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.
40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.
41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.
42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;
43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,
44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,
45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.
12 Kështu thotë Zoti: "E keqja jote është e pashërueshme, plaga jote është e rëndë.
13 Askush nuk e mbron çështjen tënde; kështu nuk ka asnjë mjekim për plagën tënde dhe asnjë shërim për ty.
14 Tërë dashnorët e tu të kanë harruar dhe nuk kujdesen më për ty, sepse të kam qëlluar me një goditje prej armiku, me një ndëshkim të një njeriu mizor, për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
15 Pse bërtet për shkak të së keqes sate? Dhembja jote është e pashërueshme. Unë të bëra këto gjëra për madhësinë e paudhësisë sate, për morinë e mëkateve të tua.
16 Por tërë ata që të gllabërojnë do t’i gllabërojnë, tërë armiqtë e tu, të gjithë, do të shkojnë në robëri; ata që të plaçkitin do të plaçkiten dhe grabitësit e tu do t’i lë të grabiten nga të tjerë.
17 Po, unë do të të jap përsëri shëndet dhe do të të shëroj plagët e tua," thotë Zoti, "Sepse të quajnë "e dëbuara," duke thënë: "Ky është Sioni për të cilin askush nuk kujdeset"".
18 Kështu thotë Zoti: "Ja, unë do të kthej nga robëria çadrat e Jakobit dhe do të më vijë keq për banesat e tij; qyteti do të rindërtohet mbi gërmadhat e tij dhe pallati do të rivendoset në vendin e tij të saktë.
19 Prej andej do të dalin këngë falënderimi dhe zëra njerëzish që festojnë; unë do t’i shumoj dhe jo t’i pakësoj; do t’i bëj të nderuar dhe nuk do të poshtërohen më.
20 Bijtë e tij do të jenë si më parë dhe kuvendi i tij do të bëhet i qëndrueshëm para meje, por do të ndëshkoj gjithë shtypësit e tyre.
21 Princi i tij do të jetë një prej tyre, dhe sunduesi i tij do të dalë nga mesi i tyre; unë do të bëj që ai të afrohet dhe ai do të vijë afër meje. Kush, pra, do të porosiste zemrën e tij që të më afrohet?," thotë Zoti.
22 "Ju do të jeni populli im, dhe unë do të jem Perëndia juaj".
36 “Gjersa keni dritë, besoni në dritë, që të bëheni bij të dritës.” Këto gjëra tha Jezusi; pastaj u largua dhe u fsheh prej tyre.
37 Ndonëse kishte bërë shumë shenja para tyre, ata nuk besonin në të,
38 që të përmbushej fjala e profetit Isaia që tha: “Zot, kush i ka besuar predikimit tonë? Dhe kujt iu shfaq krahu i Zotit?.”
39 Prandaj ata nuk mund të besonin, sepse Isaia gjithashtu tha:
40 “Ai i ka verbuar sytë e tyre dhe i ka ngurtësuar zemrat e tyre, që të mos shohin me sy dhe të mos kuptojnë me zemër, të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.”
41 Këto gjëra tha Isaia, kur e pa lavdinë e tij dhe foli për të.
42 Megjithatë, edhe midis krerëve, shumë besuan në të; por, për shkak të farisenjve, nuk e rrëfenin, për të mos qenë të përjashtuar nga sinagoga,
43 sepse donin lavdinë e njerëzve më tepër, se lavdinë e Perëndisë.