Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
25 Te ti, o Zot, e lartoj shpirtin tim.
2 O Perëndia im, kam besim te ti; bëj që të mos mbetem i zhgënjyer dhe që armiqtë e mi të mos triumfojnë mbi mua.
3 Po, bëj që asnjë nga ata që kanë besim te ti të mos zhgënjehet; u turpërofshin ata që sillen pabesisht pa shkak.
4 O Zot, më trego rrugët e tua, më mëso shtigjet e tua.
5 Më udhëhiq në të vërtetën tënde dhe më mëso, sepse ti je Perëndia i shpëtimit tim; unë shpresoj shumë te ti gjatë gjithë ditës.
6 Kujto, o Zot, mëshirën tënde dhe miresinë tënde, sepse janë të përhershme.
7 Mos i kujto mëkatet e rinisë sime, as shkeljet e mia; por në dashamirësinë tënde më kujto, o Zot, për hir të mirësisë sate.
8 Zoti është i mirë dhe i drejtë, prandaj ai do t’u mësojë rrugën mëkatarëve.
9 Ai do të udhëheqë njerëzit zemërbutë në drejtësi dhe do t’u mësojë të përulurve rrugën e tij.
10 Të gjitha rrugët e Zotit janë mirësi dhe vërtetësi për ata që respektojnë besëlidhjen e tij dhe porositë e tij.
9 Në vitin e parë të Darit, birit të Asueros, nga fisi i Mediasve, i cili u bë mbret i Kaldeasve,
2 në vitin e parë të mbretërimit të tij, unë, Danieli, kuptova nga librat numrin e viteve në të cilët, sipas fjalës të Zotit që i ishte drejtuar Jeremias duhet të kryheshin shkretimet e Jeruzalemit, domethënë shtatëdhjetë vjet.
3 E ktheva, pra, fytyrën time drejt Zotit Perëndi, duke e kërkuar me lutje e stërlutje, me agjërim, me thesin dhe me hirin.
4 Kështu bëra lutjen time dhe rrëfimin tim Zotit, Perëndisë tim, duke thënë: "O Zot, Perëndi i madh dhe i tmerrshëm, që e ruan besëlidhjen tënde dhe dhembshurinë tënde me ata që të duan dhe respektojnë urdhërimet e tua,
5 ne kemi mëkatuar dhe kemi vepruar në mënyrë të çoroditur, kemi qenë të këqij dhe u rebeluam, duke u larguar nga urdhërimet e tua dhe nga dekretet e tua.
6 Nuk kemi dëgjuar profetët, shërbëtorët e tu, që u kanë folur në emrin tënd mbretërve tanë, krerëve tanë, etërve tanë dhe tërë popullit të vendit.
7 O Zot, ty të përket drejtësia, por neve turpi i fytyrës ashtu si po ndodh pikërisht sot me burrat e Judës, me banorët e Jeruzalemit dhe me gjithë Izraelin, me ata që janë afër dhe me ata që janë larg, në të tëra vendet ku i ke shpërndarë, për shkak të pabesisë që kanë kryer kundër teje.
8 O Zot, turpi i fytyrës është për ne, për mbretërit tanë, për krerët tanë dhe për etërit tanë, sepse kemi mëkatuar kundër teje.
9 Zotit, Perëndisë tonë, i përkasin mëshira dhe ndjesa, sepse jemi rebeluar kundër tij,
10 dhe nuk kemi dëgjuar zërin e Zotit, Perëndisë tonë, për të ecur sipas ligjeve të tij, që na kishte vënë përpara me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.
11 Po, tërë Izraeli ka shkelur ligjin tënd, ka marrë rrugë të keqe për të mos iu bindur zërit tënd; prandaj ra mbi ne mallkimi dhe nëma e shkruar në ligjin e Moisiut, shërbëtorit të Perëndisë, sepse kemi mëkatuar kundër tij.
12 Kështu ai i bëri realitet fjalët e tij që kishte shqiptuar kundër nesh dhe kundër gjyqtarëve tanë që na kanë qeverisur, duke prurë mbi ne një mjerim të madh, sepse nën tërë qiellin nuk është bërë kurrë diçka që të ngjajë me atë që ka ndodhur në Jeruzalem.
13 Siç është shkruar në ligjin e Moisiut, tërë kjo fatkeqësi na ra mbi kurriz; megjithatë nuk i jemi drejtuar Zotit, Perëndisë tonë, të na kthejë nga paudhësia jonë dhe të kujdesemi për të vërtetën tënde.
14 Prandaj Zoti ka ruajtur rezervë këtë fatkeqësi dhe bëri që të bjerë mbi ne, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i drejtë në të gjitha gjërat që bën, ndërsa ne nuk i jemi bindur zërit të tij.
3 Atë që pamë dhe dëgjuam, ne po jua shpallim, që edhe ju të keni bashkësi me ne; dhe bashkësia jonë është me Atin dhe me Birin e tij, Jezu Krishtin.
4 Dhe po ju shkruajmë këto gjëra që gëzimi juaj të jetë i plotë.
5 Dhe ky është mesazhi që dëgjuam nga ai dhe po jua shpallim juve: Perëndia është dritë dhe në Të nuk ka kurrfarë errësirë
6 Po të themi se kemi bashkësi me Të, dhe ecim në errësirë, ne gënjejmë dhe nuk e vëmë në praktik të vërtetën;
7 por, po të ecim në dritë, sikurse ai është në dritë, kemi bashkësi njeri me tjetrin, dhe gjaku i Jezu Krishtit, Birit të tij, na pastron nga çdo mëkat.
8 Po të themi se jemi pa mëkat, gënjej-më vetveten dhe e vërteta nuk është në ne.
9 Po t’i rrëfejmë mëkatet tona, ai është besnik dhe i drejtë që të na falë mëkatet dhe të na pastrojë nga çdo paudhësi.
10 Po të themi se s’kemi mëkatuar, e bëjmë atë gënjeshtar dhe fjala e tij nuk është në ne.