Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu tek unë në mal dhe qëndro aty; dhe unë do të jap disa pllaka prej guri, ligjin dhe urdhërimet që kam shkruar, me qëllim që ti t’ua mësosh atyre".
13 Pas kësaj Moisiu u ngrit bashkë me Jozueun zbatuesin e tij; dhe Moisiu u ngjit në malin e Perëndisë.
14 Por pleqve u tha: "Na prisni këtu, deri sa të kthehemi tek ju. Ja, Aaroni dhe Huri janë me ju; kushdo që ka probleme le t’u drejtohet atyre".
15 Moisiu, pra, u ngjit në mal dhe reja e mbuloi përsëri malin.
16 Tani lavdia e Zotit mbeti në malin e Sinait dhe reja e mbuloi atë gjashtë ditë; ditën e shtatë Zoti thirri Moisiun nga mesi i resë.
17 Dhe pamja e lavdisë së Zotit dukej në sytë e bijve të Izraelit si një zjarr që digjej në majën e malit.
18 Kështu Moisiu hyri në mes të resë dhe u ngjit në mal; dhe Moisiu mbeti në mal dyzet ditë dhe dyzet net.
2 Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?
2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,
3 duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".
4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.
5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,
6 dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.
99 Zoti mbretëron, popujt le të dridhen. Ai është ulur mbi Kerubinët, toka le të dridhet.
2 Zoti është i madh në Sion dhe i shkëlqyeshëm mbi të gjithë popujt.
3 Ata do të kremtojnë emrin tënd të madh dhe të tmerrshëm. Ai është i shenjtë.
4 Mbreti është i fuqishëm dhe e do drejtësinë. Ti e ke vendosur të drejtën dhe e ushtrove Jakobin në gjykim dhe drejtësi.
5 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe bini përmbys përpara stolit të këmbëve të tij. Ai është i shenjtë.
6 Moisiu dhe Aaroni qenë ndër priftërinjtë e tij, dhe Samueli ndër ata që përmendën emrin e tij; ata iu drejtuan Zotit dhe ai iu përgjigj atyre.
7 Ai u foli atyre nga kolona e resë, dhe ata respektuan dëshmitë e tij dhe statutet që u dhe atyre.
8 Ti plotësove dëshirën e tyre, o Zot, Perëndia ynë. Ti ishe për ata një Perëndi që fal, dhe kur dënon prapësitë e tyre.
9 Përlëvdoni Zotin, Perëndinë tonë, dhe adhurojeni në malin e tij të shenjtë, sepse Zoti, Perëndia ynë, është i shenjtë.
16 Sepse nuk jua bëmë të njohur fuqinë dhe ardhjen e Zotit tonë Jezu Krisht, duke shkuar pas përralla të sajuara me mjeshtri, por sepse jemi dëshmitarë okular e madhështisë së tij.
17 Sepse ai mori nder dhe lavdi nga Perëndia Atë, kur i erdhi ky zë nga lavdia e madhërishme: “Ky është Biri im i dashur, në të cilin jam kënaqur.”
18 Dhe ne e dëgjuam këtë zë që vinte nga qielli, kur qemë bashkë me të në malin e shenjtë.
19 Ne e kemi edhe më të vërtetuar fjalën profetike, të cilën bëni mirë ti kushtoni kujdes, si një kandil që ndriçon në një vend të errët, derisa të zbardhë dita dhe ylli i dritës të lindë në zemrat tuaja,
20 duke ditur së pari këtë: që asnjë profeci e Shkrimit nuk është objekt i interpretimeve të veçanta.
21 Sepse asnjë profeci nuk ka ardhur nga vullneti i njeriut, por njerëzit e shenjtë të Perëndisë kanë folur, të shtyrë nga Fryma e Shenjtë.
17 Mbas gjashtë ditësh Jezusi mori me vete Pjetrin, Jakobin dhe Gjonin, vëllanë e tij, dhe i çoi mbi një mal të lartë, në vetmi;
2 dhe u shpërfytyrua përpara tyre: fytyra e tij shkëlqeu si dielli dhe rrobat e tij u bënë të bardha si drita.
3 Dhe ja, iu shfaqën atyre Moisiu dhe Elia, të cilët bisedonin me të.
4 Atëherë Pjetri, duke marrë fjalën, i tha Jezusit: “Zot, është mirë që ne jemi këtu; po të duash, do të ngremë këtu tri çadra: një për ty, një për Moisiun dhe një për Elian.”
5 Ndërsa ai fliste akoma, ja një re plot dritë i mbuloi; dhe nga reja u dëgjua një zë që thoshte: “Ky është Biri im i dashur, në të jam kënaqur: dëgjojeni!.”
6 Dhe dishepujt, sapo e dëgjuan këtë, ranë me fytyrë për tokë dhe i zuri një frikë e madhe.
7 Por Jezusi u afrua, i preku dhe tha: “Çohuni dhe mos kini frikë!.”
8 Dhe ata, kur i çuan sytë, nuk panë njeri, përveç Jezusit vetëm.
9 Pastaj, kur po zbrisnin nga mali, Jezusi u dha atyre këtë urdhër duke thënë: “Mos i flisni askujt për këtë vegim, derisa i Biri i njeriut të jetë ringjallur prej së vdekuri.”