Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
14 I pamendi ka thënë në zemër të tij: "Nuk ka Perëndi". Janë të korruptuar, bëjnë gjëra të neveritshme; nuk ka asnjë që të bëjë të mirën.
2 Zoti shikon nga qielli bijtë e njerëzve për të parë në se ndonjeri prej tyre ka arsye dhe kërkon Perëndinë.
3 Të gjithë kanë devijuar, janë korruptuar; asnjeri nuk bën të mirën, as edhe një.
4 Nuk kanë fare arsye të gjithë ata që kryejnë paudhësi, që hanë popullin tim si të hanin bukë dhe nuk kërkojnë ndihmën e Zotit?
5 Atje do t’i zërë një frikë e madhe, sepse Perëndia është me njerëzit e drejtë.
6 Ju kërkoni të prishni planet e të mjerit, sepse Zoti është streha e tij.
7 Oh! Le të vijë, pra, nga Sioni shpëtimi i Izraelit! Kur Zoti do ta kthejë popullin e tij nga robëria, Jakobi do të ngazëllojë, Izraeli do të gëzohet.
20 Ngrini sytë tuaj dhe shikoni ata që vijnë nga veriu; ku është kopeja që të ishte besuar, delet e tua të bukura?
21 Çfarë do të thuash kur të të ndëshkojë? Por ti vetë u ke mësuar atyre të jenë të parët dhe sunduesit e tu. A nuk do të të zënë dhembjet si një grua që është duke lindur?
22 Dhe në rast se do të thuash në zemrën tënde: "Përse më ndodhin këto gjëra?". Për shkak të përmasës së paudhësisë sate cepat e rrobës sate do të zbulohen dhe thembrat e tua do të duken lakuriq.
23 A mundet një Etiopias të ndryshojë lëkurën e tij o një tigër të këmbejë lëkurën me vijëza? Në të njëjtën mënyrë ju, që jeni mësuar të bëni të keqen, a do të mund të bënit të mirën?
24 "Prandaj do t’i shpërndaj si byku që e merr era e shkretëtirës.
25 Ky është fati yt, pjesa që mata për ty," thotë Zoti, "sepse më ke harruar dhe i ke besuar gënjeshtrës.
26 Prandaj do të ngre edhe unë cepat e rrobës sime mbi fytyrë, në mënyrë që të duket turpi yt.
27 Kam parë shkeljet e tua të kurorës, hingëllimat e tua, shthurjen e kurvërisë sate, gjërat e neveritshme të kryera në kodra dhe në fusha. Mjerë ti, o Jeruzalem! Për sa kohë akoma do të mbetesh i pëgërë?".
1 Pali, apostulli i Jezu Krishtit, me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe të Zotit Jezu Krisht, shpresës sonë,
2 Timoteut, birit të vërtetë në besim: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë Atit tonë dhe prej Krishtit Jezus, Zotit tonë.
3 Ashtu si të nxita kur u nisa për në Maqedoni, qëndro në Efes për t’u urdhëruar disave të mos mësojnë doktrina të tjera,
4 dhe të mos merren me përralla dhe me gjenealogji që s’kanë të sosur, të cilat shkaktojnë përçarje më tepër sesa vepra e Perëndisë, që mbështetet në besim.
5 Qëllimi i këtij urdhërimi është dashuria, prej një zemre të pastër, prej një ndërgjegjeje të pastër dhe prej një besimi jo të shtirur.
6 Disa, duke u shmangur nga këto gjëra, u kthyen në biseda të kota dhe,
7 duke dashur të jenë mësues të ligjit, nuk kuptojnë as ato që thonë, as ato që pohojnë.
8 Dhe ne e dimë se ligji është i mirë, në qoftë se njeriu e përdor si duhet;
9 duke ditur këtë, që ligji nuk është vënë për të drejtin, po për të pabesët dhe të rebelët, për të ligët dhe mëkatarët, për të pamëshirshmit dhe të ndyrët, për ata që vrasin babë e nënë, për vrasësit,
10 për kurvarët, për homoseksualët, për grabitësit, për rremët, për ata që shkelin betimin, për çdo gjë tjetër që bie në kundërshtim me doktrinën e shëndoshë,
11 sipas ungjillit të lavdisë të të lumit Perëndi, që më është besuar.