Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
2 Pse ziejnë kombet dhe pse popujt kurdisin gjëra të kota?
2 Mbretërit e dheut mblidhen dhe princat këshillohen bashkë kundër Zotit dhe të vajosurit të tij,
3 duke thënë: "Le t’i këputim prangat e tyre dhe t’i heqim qafe litarët e tyre".
4 Ai që ulet në qiejtë do të qeshë, Zoti do të tallet me ta.
5 Atëherë do t’u flasë në zemërimin e tij dhe do t’i trembë në indinjatën e tij të madhe,
6 dhe do të thotë: "E vendosa mbretin tim mbi Sion, malin tim të shenjtë.
7 Do të shpallë dekretin e Zotit. Ai më ka thënë: "Ti je biri im, sot më linde.
8 Më kërko dhe unë do të jap kombet si trashëgimi për ty dhe mbarë dheun si zotërim tëndin.
9 Ti do t’i copëtosh me një shufër hekuri, do t’i bësh copë-copë si një enë prej argjile"".
10 Tani, pra, o mbretër, tregohuni të urtë; pranoni ndreqjen, o gjyqtarë të dheut.
11 Shërbeni me frikë Zotin dhe gëzohuni me drithma.
12 Nënshtrohuni Birit, që të mos zemërohet dhe të mos vdisni rrugës, sepse zemërimi i tij mund të ndizet në një çast. Lum ata që gjejnë strehë tek ai.
20 Pashhuri, bir i Imerit, prift dhe shef i kryeintendentëve në shtëpinë e Zotit, dëgjoi Jeremian që profetizonte këto gjëra.
2 Atëherë Pashhuri rrahu profetin Jeremia dhe e futi në burgun që ndodhej në portën e sipërme të Beniaminit pranë shtëpisë të Zotit.
3 Të nesërmen Pashhuri e nxori nga burgu Jeremian. Jeremia i tha: "Zoti nuk të quan më Pashhur, por Magor-Misabib.
4 Sepse kështu thotë Zoti: Ja, unë do të të braktis ty dhe tërë shokët e tu në dorë të tmerrit; ata do të bien nga shpata e armiqve të tyre dhe sytë e tu kanë për ta parë. Do ta jap tërë Judën në duart e mbretit të Babilonisë, që do t’i çojë në robëri në Babiloni dhe do t’i godasë me shpatë.
5 Përveç kësaj tërë pasuritë e këtij qyteti, tërë prodhimin e mundit të tij dhe të gjitha sendet e tij të çmuara, po, do t’i jap tërë thesaret e mbretërve të Judës në dorë të armiqve të tyre që do t’i plaçkisin, do t’i marrin dhe do t’i çojnë në Babiloni.
6 Dhe ti, Pashhur, dhe tërë ata që banojnë në shtëpinë tënde, do të shkoni në robëri; do të shkosh në Babiloni, aty ke për të vdekur dhe aty ke për t’u varrosur, ti dhe tërë miqtë e tu të cilëve u ke profetizuar gënjeshtra".
7 Ti më ke bindur, o Zot, dhe unë e lashë veten të bindem; ti je më i fortë se unë dhe fitove. Jam bërë objekt talljesh çdo ditë; kushdo tallet me mua.
8 Sepse sa herë që flas, unë bërtas dhe shpall: "Dhunë dhe plaçkitje!". Po, fjala e Zotit është për mua një shkak turpi dhe talljeje çdo ditë.
9 Atëherë unë thashë: "Nuk do ta përmend më dhe nuk do të flas më në emër të tij". Por fjala e tij ishte në zemrën time si një zjarr flakërues, i mbyllur në kockat e mia; përpiqesha ta përmbaja, por nuk mundesha.
10 Dëgjoja shpifjet e shumë vetave: "Tmerr rreth e qark! Paditeni dhe do ta padisim!". Tërë ata me të cilët jetoja në paqe prisnin që unë të pengohesha dhe thonin: "Ndofta do të bindet, kështu ne do të kemi epërsi mbi të dhe do të hakmerremi kundër tij".
11 Por Zoti është me mua si një hero i fuqishëm; prandaj ndjekësit e mi do të pengohen dhe nuk do të kenë epërsi; do të turpërohen me të madhe, sepse nuk do t’ia dalin mbanë; turpi i tyre do të jetë i përjetshëm dhe nuk do të harrohet.
12 Por ti, o Zot i ushtrive, që provon të drejtin dhe heton mendjen dhe zemrën, tregomë hakmarrjen tënde mbi ta, sepse ty të kam besuar çështjen time.
13 Këndojini Zotit, lëvdoni Zotin, sepse ka çliruar jetën e nevojtarit nga dora e keqbërësve.
14 Mallkuar qoftë dita në të cilën linda! Mos qoftë e bekuar dita në të cilën nëna ime më lindi!
15 Mallkuar qoftë njeriu që i shpuri lajmin atit tim, duke thënë: "Të ka lindur një bir mashkull," gjë që e mbushi me gëzim.
16 Qoftë ai njeri si qytetet që Zoti ka shkatërruar pa kurrfarë keqardhje. Dëgjoftë klithmën në mëngjes dhe zhurmat e luftës në mesditë,
17 sepse nuk më kanë bërë të vdes në bark të nënës; kështu nëna ime do të ishte varri im dhe barku i saj i ngarkuar për gjithnjë.
18 Pse kam dalë nga barku i nënës, për të parë vuajtje, dhembje dhe për t’i mbaruar ditët e mia me turp?
18 Një nga krerët e pyeti duke thënë: “Mësues i mirë, ç’duhet të bëj për të trashëguar jetën e përjetshme?.”
19 Dhe Jezusi i tha: “Përse më quan të mirë? Askush nuk është i mirë, përveç një të vetmi, domethënë Perëndisë.
20 Ti i njeh urdhërimet: "Mos shkel kurorën, mos vrit, mos vidh, mos thuaj dëshmi të rrem, ndero atin tënd dhe nënën tënde".”
21 Dhe ai tha: “Të gjitha këto i kam zbatuar që nga rinia.”
22 Si e dëgjoi, Jezusi i tha: “Të mungon akoma një gjë: shit gjithçka që ke dhe jepua të varfërve dhe do të kesh një thesar në qiell; pastaj eja e më ndiq.”
23 Por ai, kur i dëgjoi këto gjëra, u trishtua shumë, sepse ishte shumë i pasur.
24 Atëherë Jezusi, kur pa se ai ishte trishtuar shumë, tha: “Sa është e vështirë për ata që kanë pasuri të hyjnë në mbretërinë e Perëndisë!
25 Sepse është më lehtë që një deve të kalojë nëpër vrimën e gjilpërës, sesa i pasuri të hyjë në mbretërinë e Perëndisë.”
26 Dhe ata që e dëgjonin thanë: “Po kush, pra, mund të shpëtohet?.”
27 Por ai tha: “Gjëra të pamundshme për njerëzit janë të mundshme për Perëndinë.”
28 Pastaj Pjetri tha: “Ja, ne kemi lënë çdo gjë dhe të kemi ndjekur.”
29 Dhe ai u tha atyre: “Në të vërtetë po ju them se nuk ka asnjë që të ketë lënë shtëpinë ose prindërit, ose vëllezërit, ose gruan ose fëmijët, për mbretërinë e Perëndisë,
30 që të mos marrë shumëfish në këtë kohë, dhe në kohën e ardhshme jetën e përjetshme.”