Revised Common Lectionary (Semicontinuous)
58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?
2 Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.
3 Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.
4 Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,
5 për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.
6 O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.
7 U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.
8 U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.
9 Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.
10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.
11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".
3 Në rast se një burrë e ndan gruan e tij dhe kjo ikën prej tij dhe bëhet gruaja e një burri tjetër, a do të kthehet vallë ai tek ajo? A nuk do të ishte ai vend shumë i përdhosur? Ti je kurvëruar me shumë dashnorë, por a do të dëshiroje të kthehesh tek unë?," thotë Zoti.
2 "Ço sytë në drejtim të lartësive dhe shiko: ku nuk ke rënë në shtrat me ta? Ti je ulur pranë rrugëve për t’i pritur si një Arab në shkretëtirë, dhe ke ndotur vendin me kurvërimet e tua dhe me ligësitë e tua.
3 Prandaj shirat u përmbajtën dhe shiu i fundit nuk ra. Por ti ke patur një ballë prostitute dhe nuk ke pranuar të kesh turp.
4 A nuk më ke thirrur bash tani: "Ati im, ti je miku i rinisë sime!
5 A do të mbetet i zemëruar për gjithnjë? A do ta ruajë zemërimin deri në fund?". Ja, ti flet kështu, por ndërkohë ti po kryen të gjitha ligësitë që mundesh".
6 Zoti më tha në kohën e mbretit Josia: "E pe atë që Izraeli rebel ka bërë? Ka shkuar mbi çdo mal të lartë dhe nën çdo dru të gjelbër dhe aty është kurvëruar.
7 Unë thoja: "Mbasi t’i ketë bërë tërë këto gjëra do të kthehet tek unë". Por nuk u kthye; dhe motra e vet e pabesë Juda e pa.
8 Dhe megjithëse unë kisha ndarë Izraelin rebel për shkak të të gjitha shkeljeve të tij dhe i kisha dhënë letrën e ndarjes, pashë që motra e vet e pabesë Juda nuk pati fare frikë, por shkoi edhe ajo të kurvërohet.
9 Kështu me zhurmën e kurvërimeve të veta e ndoti vendin dhe shkeli kurorën me gurin dhe me drurin.
10 Ndonëse ndodhën tërë këto, motra e vet e pabesë Juda nuk u kthye tek unë me gjithë zemrën e saj, por me simulime," thotë Zoti.
11 Pastaj Zoti më tha: "Izraeli rebel u tregua më i drejtë se e pabesa Judë.
12 Shko dhe shpalli këto fjalë në drejtim të veriut, duke thënë: "Kthehu, o Izrael rebel,"" thotë Zoti, "nuk do ta hedh zemërimin tim mbi ju, sepse jam i mëshirshëm," thotë Zoti, "dhe nuk mbetem i zemëruar për gjithnjë.
13 Vetëm prano paudhësinë tënde, sepse je rebeluar kundër Zotit, Perëndisë tënd; ua ke shkapërderdhur favoret e tua të huajve poshtë çdo druri të gjelbëruar dhe nuk ke dëgjuar zërin tim," thotë Zoti.
14 "Kthehuni, o bij të përdalë," thotë Zoti, "sepse unë kam pushtet mbi ju. Do t’ju marr një në çdo qytet dhe dy nga çdo familje dhe do t’ju çoj përsëri në Sion.
1 Pali, shërbëtor i Perëndisë dhe apostull i Jezu Krishtit, sipas besimit të të zgjedhurve të Perëndisë dhe njohjes të së vërtetës që është sipas perëndishmërisë,
2 në shpresën e jetës së përjetshme, të cilën Perëndia, që nuk gënjen, e premtoi para të gjitha kohërave,
3 dhe që në kohë të caktuara e shfaqi fjalën e tij me anë të predikimit që m’u besua me urdhër të Perëndisë, Shpëtimtarit tonë,
4 Titit, birit të vërtetë në besimin e përbashkët: hir, mëshirë dhe paqe prej Perëndisë, Atit, dhe prej Zotit Jezu Krisht, Shpëtimtarit tonë.
5 Për këtë arsye të lashë në Kretë, që ti të ndreqësh mirë çështjet që janë për t’u bërë dhe që, në çdo qytet, të caktosh pleq, ashtu siç të porosita;
6 secili prej tyre të jetë i paqortueshëm, bashkëshort i një gruaje të vetme, të ketë fëmijë besimtarë, që të mos përfliten për jetë të shthurur dhe për pandëgjesë.
7 Sepse peshkopi, si administrues i shtëpisë së Perëndisë duhet të jetë i paqortueshëm, jo arrogant, jo zemërak, jo i dhënë pas verës, jo i dhunshëm, jo njeri që lakmon fitim të turpshëm,
8 por mikpritës, mirëdashës, i urtë, i drejtë, i shenjtë, i përmbajtur,
9 që mban fort fjalën besnike siç i është mësuar, që të jetë në gjëndje me doktrinën e shëndoshë të këshillojë dhe bindë ata që kundërshtojnë.