Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Semicontinuous)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with sequential stories told across multiple weeks.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 58

58 A flisni pikërisht sipas drejtësisë ju, o të fuqishëm? A gjykoni ju drejt, o bij të njerëzve?

Në zemrën tuaj ju bluani përkundrazi të keqen; duart tuaja përhapin dhunën mbi tokë.

Këta të pabesë janë prishur që në barkun e nënës; këta gënjeshtarë kanë marrë rrugë të keqe që në lindje.

Helmi i tyre i ngjan helmit të gjarprit; janë si gjarpri helmues i shurdhër që i zë veshët e vet,

për të mos dëgjuar zërin e magjistarëve apo të atij që është i aftë të bëjë magji.

O Perëndi, thyej dhëmbët e tyre në gojë; o Zot, thyej dhëmbët e luanëve.

U shkrifshin si uji që rrjedh. Kur gjuan shigjetat e tij, ato u bëfshin si shigjeta pa majë.

U bëfshin si kërmilli që shkrihet ndërsa po shkon; si dështimi i gruas mos pafshin diellin.

Para se tenxheret tuaja të ndjejnë zjarrin e ferrishteve, qofshin këto të blerta apo të ndezura, ai do t’i heqë tutje si një vorbull.

10 I drejti do të gëzohet duke parë hakmarrjen; do të lajë këmbët në gjakun e të pabesit.

11 Dhe njerëzia do të thotë: "Me siguri ka një shpërblim për të drejtin; me siguri ka një Perëndi që gjykon mbi tokë".

Jeremia 2:23-37

23 "Si mund të thuash: "Nuk jam e ndotur, nuk u kam vajtur pas Baalëve"? Shiko rrugën që ke përshkuar në luginë, prano atë që ke bërë, deve e shpejtë, që vrapon pa fre në rrugët e saj.

24 Gomaricën e egër, që është mësuar në shkretëtirë, që merr frymë në afshin e dëshirës së saj; kush mund ta përmbajë në stinën e dashurisë? Të gjithë ata që e kërkojnë nuk duhet të lodhen: do ta gjejnë në muajin e vet.

25 Pengo që këmba jote të mbetet zbathur dhe që të të thahet gryka. Por ti ke thënë: "Eshtë e kotë. Jo! Unë i dua të huajt dhe dëshiroj të shkoj pas tyre".

26 Ashtu si mbetet i hutuar vjedhësi kur kapet në flagrancë, kështu janë të hutuar ata të shtëpisë së Izraelit, ata vetë, mbreti i tyre, princat e tyre, priftërinjtë e tyre dhe profetët e tyre,

27 të cilët i thonë drurit: "Ti je ati im" dhe gurit: "Ti na ke dhënë jetën". Po, ata më kanë kthyer kurrizin dhe jo fytyrën. Por në kohën e fatkeqësisë së tyre thonë: "Çohu dhe na shpëto!".

28 Po ku janë perënditë e tua që ti ke sajuar? Le të ngrihen po qe se mund të të shpëtojnë në kohën e fatkeqësisë sate. Sepse të shumtë si qytetet e tua janë perënditë e tua, o Judë.

29 Pse grindeni me mua? Ju të gjithë keni ngritur krye kundër meje," thotë Zoti.

30 "Më kot i kam goditur bijtë tuaj; nuk e pranuan korrigjimin. Shpata juaj i ka përpirë profetët tuaj si një luan shkatërrimtar.

31 O brezni, ki parasysh fjalën e Zotit! A kam qenë vallë një shkretëtirë për Izraelin ose një vend me errësirë të dendur? Sepse populli im thotë: "Ne endemi lirisht, nuk do të kthehemi më te ti"?

32 A mund t’i harrojë një vajzë stolitë e saj ose një nuse brezin e saj? Megjithatë populli im më ka harruar nga një numër shumë i madh ditësh.

33 Sa bukur di t’i përdorësh mënyrat e tua për të siguruar dashurinë! Kështu ua ke mësuar mënyrat e tua madje edhe grave të këqija.

34 Bile edhe në cepat e rrobës sate gjendet gjaku i të pafajmëve të mjerë, që nuk u kapën duke bërë vjedhje me thyerje. Por me gjithë këto gjëra,

35 ti thua: "Jam e pafaj; me siguri zemërimi i tij është tërhequr nga unë". Ja, unë do të hyj në gjyq me ty sepse ke thënë: "Nuk kam mëkatuar".

36 Pse endesh poshtë e përpjetë, duke ndryshuar rrugën tënde? Do të mbetesh e zhgënjyer edhe nga Egjipti, ashtu siç u zhgënjeve nga Asiria.

37 Edhe prej këtij do të dalësh me duart mbi kokë, sepse Zoti ka hedhur poshtë ata te të cilët ti ke besim, dhe ti nuk do të realizosh me anë të tyre qëllimet e tua.

Hebrenjve 13:7-21

Kujtoni të parët tuaj, që ju shpallën fjalën e Perëndisë dhe, duke çmuar rezultatin e sjelljes së tyre, merrni si shembull besimin e tyre.

Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë.

Mos e lëshoni veten aty e këtu prej doktrinah të ndryshme dhe të huaja, sepse është mirë që zemra juaj të forcohet me anë të hirit dhe jo prej ushqimit, të cilat nuk u dhanë asnjë dobi atyre aq sa ecën.

10 Ne kemi një altar prej të cilit nuk kanë të drejtë të hanë ata që i shërbejnë tabernakullit.

11 Sepse trupat e atyre kafshëve, gjaku i të cilave është sjellë prej kryepriftit në shenjtëroren për mëkatin, digjen jashtë fushës.

12 Prandaj edhe Jezusi, për të shenjtëruar popullin me gjakun e vet, pësoi jashtë derës (së qytetit)

13 Le të dalim, pra, drejt tij jashtë fushës, duke bartur poshtërimin e tij.

14 Sepse nuk kemi këtu qytet të përhershëm, por kërkojmë atë që ka për të ardhur.

15 Me anë të tij, pra, le t’i ofrojmë vazhdimisht Perëndisë një flijim lavdie, domethënë frytin e buzëve që rrëfejnë emrin e tij.

16 Dhe mos harroni bamirësinë dhe t’u jepni ndihmë të tjerëve, sepse Perëndisë i pëlqejnë flijime të tilla.

17 Dëgjoni të parët tuaj dhe nënshtrohuni atyre, sepse ata rrijnë zgjuar për shpirtërat tuaj, si ata që duhet të japin llogari; që ta bëjnë këtë me gëzim dhe jo me psheretima, sepse kjo nuk do t’ju sillte dobi.

18 Lutuni për ne, sepse ne besojmë se kemi ndërgjegje të mirë, duke dashur të sillemi mirë në çdo gjë.

19 Dhe ju bëj thirrje edhe më shumë ta bëni këtë, që unë të kthehem te ju sa më parë.

20 Dhe Perëndia e paqes, që e ngriti nga të vdekurit, me anë të gjakut të Besëlidhjes së amshuar, Bariun e madh të dhënve, Perëndinë tonë Jezu Krisht,

21 ju bëftë të përsosur për çdo vepër të mirë, që të kryeni vullnetin e tij, duke punuar te ju atë që është e pëlqyer përpara tij, me anë të Jezu Krishtit, të cilit i qoftë lavdi në shekuj të shekujve. Amen.