Revised Common Lectionary (Complementary)
106 Aleluja. Kremtoni Zotin, sepse ai është i mirë, sepse mirësia e tij vazhdon përjetë.
2 Kush mund të përshkruajë bëmat e Zotit ose të shpallë tërë lavdinë e tij?
3 Lum ata që respektojnë drejtësinë, që bëjnë atë që është e drejtë në çdo kohë.
4 Mos më harro mua, o Zot, sipas mirësisë sate që tregon ndaj popullit tënd, dhe më vizito me shpëtimin tënd,
5 me qëllim që të shoh mirëqënien e të zgjedhurve të tu, të kënaqem në gëzimin e kombit tënd dhe të mbushem me lavdi për trashëgiminë tënde.
6 Ne dhe etërit tanë kemi mëkatuar, kemi bërë paudhësi dhe të këqija.
7 Etërit tanë në Egjipt nuk i kuptuan mrekullitë e tua, nuk kujtuan numrin e madh të mirësive të tua dhe ngritën krye pranë detit, Deti i Kuq.
8 Megjithatë Zoti i shpëtoi për hir të emrit të tij, për të bërë të njohur fuqinë e tij.
9 I bërtiti Detit të Kuq dhe ai u tha, dhe i udhëhoqi nëpër humnerat si nëpër një shkretëtirë.
10 I shpëtoi nga dora e atij që i urrente dhe i shpengoi nga dora e armikut.
11 Dhe ujërat i mbuluan armiqtë e tyre, dhe nuk shpëtoi as edhe një prej tyre.
12 Atëherë u besuan fjalëve të tij dhe kënduan lavdinë e tij.
41 Ishuj, mbani heshtje! Le të marrin forca të reja popujt; le të afrohen dhe pastaj të flasin. Të mblidhemi bashkë për të gjykuar!
2 "Kush e ka nxitur një nga lindja, duke e thirrur në këmbët e tij në drejtësi? Kush i dorëzoi kombet dhe i nënshtroi mbretërit? Ai ia jep si pluhur shpatës së tij dhe si kashtë e shpërndarë harkut të tij.
3 Ai i përndjek dhe ecën i sigurtë nëpër një rrugë mbi të cilën këmbët e tij nuk kanë shkelur kurrë.
4 Kush ka vepruar dhe ka kryer këtë, duke thirrur brezat që nga fillimi? Unë Zoti, jam i pari dhe, me ata të fundit, do të jem po ai".
5 Ishujt e shohin dhe i ka zënë frika, skajet e tokës dridhen; po afrohen, po arrijnë.
6 Secili ndihmon shokun e tij dhe i thotë vëllait të tij: "Kurajo".
7 Farkëtari i jep zemër argjendarit dhe ai që i jep dorën e fundit punës me çekiç i jep zemër atij që i bie kudhrës dhe thotë për saldaturën: "Mirë është" dhe e përforcon me gozhda që të mos lëvizë.
8 "Por ti, Izrael, shërbëtori im, Jakob që kam zgjedhur, pasardhës i Abrahamit, mikut tim,
9 ty që të mora nga skajet e tokës, që kam thirrur nga cepat më të largëta të saj dhe të kam thënë: "Ti je shërbëtori im, të kam zgjedhur dhe nuk të kam hedhur poshtë".
10 Mos ki frikë, sepse unë jam me ty, mos e humb, sepse unë jam Perëndia yt. Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj dhe të mbaj me dorën e djathtë të drejtësisë sime.
11 Ja, tërë ata që janë zemëruar kundër teje do të turpërohen dhe do të shushaten; ata që luftojnë kundër teje do të katandisen në hiç dhe do të zhduken.
12 Ti do t’i kërkosh, por nuk do t’i gjesh më ata që të kundërshtonin; ata që të bënin luftë do të jenë asgjë, si një gjë që nuk ekziston më.
13 Sepse unë, Zoti, Perëndia yt, të zë nga dora e djathtë dhe të them: Mos u frikëso, unë të ndihmojj".
18 Në atë orë dishepujt iu afruan Jezusit dhe e pyetën: “Kush është, pra, më i madhi në mbretërinë e qiejve?.”
2 Dhe Jezusi, pasi thirri një fëmijë të vogël pranë vetes, e vuri në mes tyre
3 dhe tha: “Në të vërtetë po ju them: në qoftë se nuk ktheheni dhe nuk bëheni si fëmijët e vegjël, ju nuk do të hyni fare në mbretërinë e qiejve.
4 Kush, pra, do të përulet si ky fëmijë i vogël, do të jetë më i madhi në mbretërinë e qiejve.
5 Dhe kushdo që e pranon një fëmijë të vogël si ky në emrin tim, më pranon mua.