Revised Common Lectionary (Complementary)
33 Më mëso, o Zot, rrugën e statuteve të tu dhe unë do ta ndjek deri në fund.
34 Më jep mënçuri dhe unë do ta ruaj ligjin tënd; po, do ta respektoj me gjithë zemër.
35 Më bëj të ec në rrugën e urdhërimeve të tua, sepse në to gjej kënaqësinë time.
36 Përkule zemrën time parimeve të tua dhe jo lakmisë.
37 Largoji sytë e mi nga gjërat e kota dhe gjallëromë në rrugët e tua.
38 Mbaje fjalën tënde shërbëtorit tënd, që ka frikë nga ty.
39 Largo nga unë fyerjet e rënda, që më trëmbin, sepse dekretet e tua janë të mira.
40 Ja, unë dëshiroj me zjarr urdhërimet e tua; gjallëromë në drejtësinë tënde.
15 Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
16 "Bir njeriu, ja, unë do të të heq me një goditje të vetme kënaqësinë e syve të tu; por ti mos u trishto, mos vajto dhe mos derdh asnjë lot.
17 Vajto në heshtje, mos mbaj zi për të vdekurit, lidhe kokën me çallmë, mbath sandalet, mos e mbulo mjekrën dhe mos ha bukën e njerëzve që mbajnë zi".
18 Në mëngjes i fola popullit dhe në mbrëmje më vdiq gruaja; të nesërmen në mëngjes veprova ashtu si më kishin urdhëruar.
19 Populli atëherë më pyeti: "A do të na shpjegosh ç’kuptim ka për ne ajo që ti bën?".
20 Unë u përgjigja: "Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:
21 I thuaj shtëpisë së Izraelit: Kështu thotë Zoti, Zoti: Ja, unë do të përdhos shenjtëroren time, krenarinë e forcës suaj, kënaqësinë e syve tuaj, kënaqësinë e shpirtit tuaj; dhe bijtë tuaj dhe bijat tuaja që keni lënë do të rrëzohen nga shpata.
22 Dhe ju do të bëni ashtu si bëra unë: nuk do ta mbuloni mjekrën dhe nuk do të hani bukën e njerëzve që mbajnë zi.
23 Do të keni mbi kokë çallmat tuaja, sandalet tuaja te këmbët; nuk do të trishtoheni dhe nuk do të qani, por do ta hani veten për paudhësitë tuaja dhe do të vajtoni njeri me tjetrin.
24 Kështu Ezekieli do të jetë për ju një shenjë; ju do të veproni për çdo gjë ashtu si veproi ai. Kur do të ndodhin këto gjëra, do të pranoni se unë jam Zoti, Zoti.
25 Dhe ti, bir njeriu, ditën që atyre do t’u marr fortesën e tyre, gëzimin e lavdisë së tyre, kënaqësinë e syve të tyre, lakminë e shpirtit të tyre, bijtë e tyre dhe bijat e tyre,
26 atë ditë një ikanak do të vijë te ti që të të sjellë lajmin.
27 Atë ditë ti do të hapësh gojën me ikanakun; atëherë ti do të flasësh dhe nuk do të jesh më memec, dhe do të jesh një shenjë për ta. Atëherë do të pranojnë se unë jam Zoti".
15 Dhe si do të predikojnë pa qenë dërguar? Siç është shkruar: “Sa të bukura janë këmbët e atyre që shpallin paqen, që shpallin lajme të mira!.”
16 Por jo të gjithë iu bindën ungjillit, sepse Isaia thotë: “O Perëndi, kush i besoi predikimit tonë?.”
17 Besimi, pra, vjen nga dëgjimi, dhe dëgjimi vjen nga fjala e Perëndisë.
18 Por unë them: Mos nuk dëgjuan? Madje, “Zëri i tyre mori mbarë dheun dhe fjalët e tyre shkuan deri në skajet më të largëta të tokës.”
19 Por unë them: “Mos nuk e kuptoi Izraeli? Moisiu tha i pari: “Unë do t’ju shtie në xhelozi me një komb që s’është fare komb; do t’ju bëj të zemëroheni me anë të një kombi të marrë.”
20 Dhe Isaia me guxim thotë: “Unë u gjeta nga ata që nuk më kërkonin, unë iu shfaqa atyre që nuk pyesnin për mua.”
21 Por lidhur me Izraelin ai thotë: “Gjithë ditën i shtriva duart e mia drejt një populli të pabindur dhe kundërthënës.”