Revised Common Lectionary (Complementary)
89 Unë do të këndoj përjetë mirësitë e Zotit, me gojën time do t’u shpall besnikërinë tënde të gjitha brezave.
2 Sepse kam thënë: "Mirësia jote do të ekzistojë përjetë, ti do të vendosësh besnikërinë tënde në vetë qiejtë".
3 "Unë kam lidhur një besëlidhje me të zgjedhurin tim, i jam betuar Davidit, shërbëtorit tim, duke thënë:
4 "Do t’i vendos pasardhësit e tu përjetë dhe do të ndërtoj fronin tënd për të gjitha brezat"". (Sela)
15 Lum ai popull që njeh britmën e gëzimit, o Zot, sepse ai do të ecë në dritën e fytyrës sate;
16 do të ngazëllojë tërë ditën me emrin tënd dhe do të gëzohet shumë në drejtësinë tënde.
17 Po, ti je mburrja e forcës së tyre, dhe me favorin tënd ti e shton fuqinë tonë.
18 Sepse mburoja jonë i përket Zotit dhe mbreti ynë të Shenjtit të Izraelit.
8 Prandaj kështu thotë Zoti i ushtrive: Duke qenë se nuk keni dëgjuar fjalët e mia;
9 ja, unë do të dërgoj të marr tërë kombet e veriut," thotë Zoti, "dhe Nebukadnetsarin, mbretin e Babilonisë, shërbyesin tim, dhe do t’i sjell kundër këtij vendi dhe kundër banorëve të tij, kundër tërë kombeve rreth e qark dhe do të caktoj shfarosjen e tyre dhe do t’i bëj objekt habie, talljeje dhe pikëllimi të përhershëm.
10 Do të bëj të heshtin në mes tyre britmat e gëzimit dhe të kënaqësisë, zëri i dhëndrit dhe ai i nuses, zhurma e mokrës dhe drita e llambës.
11 Tërë ky vend do të bëhet një shkreti dhe një objekt habie dhe këta kombe do t’i shërbejnë mbretit të Babilonisë shtatëdhjetë vjet me radhë".
12 "Po kur të mbushen shtatëdhjetë vjet, unë do ta dënoj mbretin e Babilonisë dhe atë komb, vendin e Kaldeasve," thotë Zoti, "për shkak të paudhësisë së tyre, dhe do ta katandis në një shkretim të përjetshëm.
13 Kështu do të sjell në këtë vend tërë gjërat që kam shpallur kundër tij, tërë gjërat që janë shkruar në këtë libër dhe që Jeremia ka profetizuar kundër të gjitha kombeve.
14 Në fakt shumë kombe dhe mbretër të fuqishëm do t’i kthejnë në robëri vetë Kaldeasit dhe unë do t’i shpërblej sipas veprimeve të tyre dhe sipas veprës së duarve të tyre".
7 Ju vraponit bukur; kush ju ka penguar që të mos i bindeni së vërtetës?
8 Kjo bindje nuk vjen nga ai që ju thërret.
9 Pak maja e bën të vijë gjithë brumin.
10 Kam besim te Perëndia për ju, se nuk do të mendoni ndryshe; por ai që ju turbullon juve, kushdo qoftë, do të marrë dënimin.
11 Sa për mua, o vëllezër, në qoftë se unë vazhdoj të predikoj rrethprerjen, përse më përndjekin akoma? Atëherë skandali i kryqit ra poshtë.
12 Oh, sikur ata që ju turbullojnë, të gjymtoheshin vetë!