Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Revised Common Lectionary (Complementary)

Daily Bible readings that follow the church liturgical year, with thematically matched Old and New Testament readings.
Duration: 1245 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Eksodi 19:2-8

Të nisur nga Refidimi, ata arritën në shkretëtirën e Sinait dhe fushuan aty; Izraeli e ngriti kampin e tij përballë malit.

Pastaj Moisiu u ngjit drejt Perëndisë; dhe Zoti i thirri nga mali, duke i thënë: "Kështu do t’i thuash shtëpisë së Jakobit dhe këtë do t’u njoftosh bijve të Izraelit:

"Ju e patë atë që u bëra Egjiptasve, dhe si ju solla mbi krahë shqiponje pranë meje.

Prandaj, në qoftë se do ta dëgjoni me vëmendje zërin tim dhe zbatoni besëlidhjen time, do të jeni thesari im i veçantë ndërmjet tërë popujve, sepse gjithë toka është imja.

Dhe do të jeni për mua një mbretëri priftërinjsh dhe një komb i shenjtë. Këto janë fjalët që do t’u thuash bijve të Izraelit"".

Atëherë Moisiu dërgoi e thirri pleqtë e popullit, dhe u tha tërë këto fjalë që Zoti kishte urdhëruar të thoshte.

Dhe tërë populli u përgjigj bashkë dhe tha: "Ne do të bëjmë gjithçka që ka thënë Zoti". Kështu Moisiu i raportoi Zotit fjalët e popullit.

Psalmet 100

100 Dërgojini klithma gëzimi Zotit, o banorë të të gjithë tokës!

I shërbeni Zotit me gaz, ejani para tij me këngë gëzimi.

Pranoni që Zoti është Perëndia; na ka bërë ai dhe jo ne vetë; ne jemi populli i tij dhe kopeja e kullotës së tij.

Hyni në portat e tij me falenderim dhe në oborret e tij me lavde; kremtojeni, bekoni emrin e tij.

Sepse Zoti është i mirë; mirësia e tij është e përjetshme dhe besnikëria e tij vlen për të gjitha brezat.

Romakëve 5:1-8

Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,

me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.

Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,

këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.

Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.

Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.

Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.

Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.

Mateu 9:35-10:8

35 Dhe Jezusi kalonte nëpër të gjitha qytetet dhe fshatrat, duke i mësuar në sinagogat e tyre, duke predikuar ungjillin e mbretërisë dhe duke shëruar çdo sëmundje e çdo lëngatë në popull.

36 Duke parë turmat, kishte dhembshuri për to, sepse ishin të lodhur dhe të shpërndarë si delet pa bari.

37 Atëherë ai u tha dishepujve të vet: “E korra është me të vërtetë e madhe, por punëtorët janë pak.

38 Lutjuni, pra, Zotit të të korrave, të dërgojë punëtorë në të korrat e tij.”

10 Pastaj Jezusi i thirri të dymbëdhjetë dishepujt e tij rreth vetes dhe u dha autoritet t’i dëbojnë frymërat e ndyra, dhe të shërojnë çdo sëmundje e çdo lëngatë.

Dhe emrat e dymbëdhjetë apostujve janë këta: i pari Simoni, i quajtur Pjetër dhe Andrea, vëllai i tij; Jakobi i Zebedeut dhe Gjoni, vëllai i tij;

Filipi dhe Bartolomeu; Thomai dhe Mateu tagrambledhësi, Jakobi i Alfeut dhe Lebeu, i mbiquajtur Tade;

Simon Kananeasi dhe Judë Iskarioti, ai që më pas e tradhtoi.

Këta janë të dymbëdhjetët që Jezusi i dërgoi mbasi u dha këto urdhëra: “Mos shkoni ndër paganë dhe mos hyni në asnjë qytet të Samaritanëve,

por shkoni më mirë te delet e humbura të shtëpisë së Izraelit.

Shkoni dhe predikoni duke thënë: "Mbretëria e qiejve u afrua".

Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët; falas morët, falas jepni.

Mateu 10:9-23

Mos grumbulloni ar, as argjend as bakër në qesen tuaj,

10 as trasta për udhë, as dy palë tunika, as sandale, as shkop, sepse punëtori është i denjë për ushqimin e vet.

11 Në çfarëdo qytet ose fshat që të hyni, pyetni në se ka aty ndonjë njeri të denjë dhe banoni tek ai deri sa të niseni.

12 Dhe kur hyni në shtëpi, e përshëndetni.

13 Dhe në se ajo shtëpi është e denjë, le të vijë paqja juaj mbi të; por, në se nuk është e denjë, paqja juaj le të kthehet përsëri tek ju.

14 Dhe në se dikush nuk ju pret dhe nuk i dëgjon fjalët tuaja, duke dalë nga ajo shtëpi ose nga ai qytet, shkundni pluhurin nga këmbët tuaja.

15 Dhe në të vërtetë po ju them se ditën e gjyqit, vendi i Sodomës dhe i Gomorës do të trajtohet me më shumë tolerancë se ai qytet.

16 Ja, unë po ju dërgoj si dele në mes të ujqërve; jini, pra, të mënçur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat.

17 Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre.

18 Dhe do t’ju çojnë përpara guvernatorëve dhe përpara mbretërve për shkakun tim, për të dëshmuar para tyre dhe para johebrenjve.

19 Dhe, kur t’ju dorëzojnë në duart e tyre, mos u shqetësoni se çfarë dhe si do të flisni; sepse në atë çast do t’ju jepet se çfarë duhet të thoni;

20 sepse nuk do të jeni ju që do të flisni, por Fryma e Atit tuaj që do të flasë në ju.

21 Tani vëllai do të dorëzojë vëllanë në vdekje dhe ati të birin; dhe bijtë do të çohen kundër prindërve dhe do t’i vrasin.

22 Dhe të gjithë do t’ju urrejnë për shkak të emrit tim; por ai që do të qëndrojë deri në fund, do të shpëtojë.

23 Por kur do t’ju përndjekin në një qytet, ikni në një tjetër, sepse në të vërtetë ju them se nuk do të përfundoni së përshkuari qytetet e Izraelit, para se të vijë Biri i njeriut.