Revised Common Lectionary (Complementary)
17 O Zot, dëgjo një çështje të drejtë, dëgjo me vëmendej britmën time, dëgjo lutjen time, që nuk vjen nga buzë mashtruese.
2 Ardhtë mbrojtja ime nga prania jote; sytë e tu pafshin atë që është e drejtë.
3 Ti e ke hetuar zemrën time, e ke vizituar natën; më ke vënë në provë dhe nuk ke gjetur asgjë; kam vendosur të mos mëkatoj me gojën time.
4 Përsa u përket veprave të njerëzve, për fjalën e buzëve të tua, jam ruajtur nga rrugët e njerëzve të furishëm.
5 Hapat e mia kanë qëndruar të sigurt në shtigjet e tua dhe këmbët e mia nuk janë lëkundur.
6 Unë të drejtohem ty, o Perëndi, sepse ti m’i plotëson, zgjat veshët e tu ndaj meje, dëgjo fjalët e mia.
7 Tregomë mirësinë tënde të mrekullueshme, ti, që me të djathtën tënde i shpëton nga kundërshtarët e tyre ata që gjejnë strehë pranë teje.
8 Më ruaj si beben e syrit; më mbulo, nën hijen e krahëve të tu,
9 nga të pabesët që më shtypin dhe nga armiqtë për vdekje që më rrethojnë.
13 Atëherë Moisiu i tha Perëndisë: "Ja, kur të shkoj te bijtë e Izraelit dhe t’u them: "Perëndia i etërve tuaj më ka dërguar te ju," po të jetë se ata më thonë: "Cili është emri i tij?," ç’përgjigje duhet t’u jap?".
14 Perëndia i tha Moisiut: "UNÉ JAM AI QÉ JAM". Pastaj tha: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: "UNÉ JAM-i më ka dërguar tek ju"".
15 Perëndia i tha akoma Moisiut: "Do t’u thuash kështu bijve të Izraelit: Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, Perëndia i Isakut dhee Perëndia i Jakobit më ka dërguar tek ju. Ky është emri im përjetë. Ky ka për të qenë gjithnjë emri im me të cilin do të kujtohem nga të gjitha breznitë".
16 Shko dhe mblidh pleqtë e Izraelit dhe u thuaj atyre: "Zoti, Perëndia i etërve tuaj, Perëndia i Abrahamit, i Isakut dhe i Jakobit m’u shfaq, duke thënë: Unë patjetër ju kam vizituar dhe kam parë atë që ju bëjnë në Egjipt;
17 dhe kam thënë: Nga shtypja e Egjiptit do t’ju çoj në vendin e Kananejve, të Hitejve, të Amorejve, të Perezejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, në një vend ku rrjedh qumësht dhe mjaltë".
18 Dhe ata do t’i binden zërit tënd; dhe ti dhe pleqtë e Izraelit do të shkoni te mbreti i Egjiptit dhe do t’i thoni: "Zoti, Perëndia i Hebrenjve na doli përpara; dhe tani na lër të shkojmë dhe të bëjmë tri ditë rrugë në shkretëtirë, që t’i bëjmë fli Zotit, Perëndisë tonë".
19 Por unë e di që mbreti i Egjiptit nuk do t’ju lejojë të shkoni, veç po të jetë i shtrënguar nga një dorë e fuqishme.
20 Atëherë unë do të shtrij dorën time dhe do të godas Egjiptin me të gjitha mrekullitë që unë do të bëj në mes tyre; pas kësaj ai do t’ju lërë të ikni.
20 Dhe në një nga ato ditë ndodhi që, ndërsa ai po mësonte popullin në tempull dhe predikonte ungjillin, erdhën krerët e priftërinjve dhe skribët bashkë me pleqtë,
2 dhe i thanë: “Na trego me ç’autoritet i bën këto gjëra; ose kush është ai që ta dha ty këtë pushtet?.”
3 Dhe ai duke u përgjigjur, u tha atyre: “Edhe unë do t’ju pyes një gjë dhe ju m’u përgjigjni:
4 Pagëzimi i Gjonit vinte nga qielli apo nga njerëzit?.”
5 Dhe ata arsyetonin në mes tyre duke thënë: “Po të themi prej qiellit, ai do të na thotë: "Atëherë përse nuk i besuat?".
6 Kurse po t’i themi prej njerëzve, gjithë populli do të na vrasë me gurë, sepse ai është i bindur se Gjoni ishte një profet.”
7 Prandaj u përgjigjen se nuk dinin nga vinte.
8 Atëherë Jezusi u tha atyre: “As unë nuk po ju them me ç’pushtet i bëj këto gjëra.”