Revised Common Lectionary (Complementary)
50 Perëndia i plotfuqishëm, Zoti ka folur dhe ka thirrur në mbledhje gjithë dheun, nga lindja në perëndim.
2 Nga Sioni, përsosmëri e bukurisë, Perëndia shkëlqen.
3 Perëndia ynë do të vijë dhe nuk do të rijë në heshtje; do të paraprihet nga një zjarr shkatërrimtar dhe rreth tij do të ketë një furtunë të madhe.
4 Ai do të thërresë qiejtë nga lart dhe tokën për të gjykuar popullin e tij,
5 dhe do të thotë: "Mblidhni shenjtorët e mi, që kanë lidhur një besëlidhje me mua me anë të flijimit".
6 Dhe qiejtë do të shpallin drejtësinë e tij, sepse vetë Perëndia është gjykatësi. (Sela)
7 "Dëgjo, o populli im, dhe unë do të flas; dëgjo, o Izrael, dhe unë do të dëshmoj kundër teje. Unë jam Perëndia, Perëndia yt.
8 Nuk do të të qortoj për flijimet e tua as për olokaustet e tua që më rrijnë gjithnjë përpara.
9 Nuk do të marr asnjë dem nga shtëpia jote dhe asnjë cjap nga vathët e tua.
10 Të mia janë në fakt tërë kafshët e pyllit; imja është bagëtia që ndodhet me mijëra ndër male.
11 I njohim tërë zogjtë e maleve; dhe të gjitha ato që lëvizin në fushat janë të miat.
12 Po të kisha uri, nuk do ta thoja; sepse bota dhe sa ajo përmban janë të miat.
13 A ha unë vallë mish demi ose a pi gjak cjapi?
14 Dhuroji Perëndisë flijime lëvdimi dhe plotëso zotimet e tua që i ke bërë Shumë të Lartit.
15 Kërkomë ditën e fatkeqësisë, unë do të të çliroj dhe ti do të më lëvdosh".
16 Por të pabesit Perëndia i thotë: "Çfarë të drejte ke ti të përmëndësh statutet e mia dhe të kesh mbi buzët e tua besëlidhjen time,
17 ti që e urren korrigjimin dhe i hedh pas kurrizit fjalët e mia?
18 Në rast se sheh një vjedhës, bashkohesh me të me gjithë qejf, dhe bëhesh shok i atyre që shkelin kurorën.
19 Ti gojën ia lë së keqes dhe gjuha jote kurdis mashtrime.
20 Ti ulesh, flet kundër vëllait tënd dhe shpif kundër birit të nënës sate.
21 Ti i ke bërë këto gjëra dhe unë kam heshtur; ti ke menduar që unë jam krejt i ngjashëm me ty. Por unë do të të përgjigjem dhe do të vë çdo gjë para syve të tu.
22 Tani kuptoni këtë gjë ju që harroni Perëndinë, që unë të mos ju bëjë copë-copë dhe askush të mos ju çlirojë dot.
23 Ai që ofron flijime lëvdimi më përlëvdon dhe atij që sillet drejt do t’i tregoj shpëtimin e Perëndisë".
13 po atë ditë u lexua në prani të popullit libri i Moisiut, dhe aty u gjet e shkruar që Amoniti dhe Moabiti nuk duhet të hynin kurrë në asamblenë e Perëndisë,
2 sepse nuk i kishin pritur me bukë e me ujë bijtë e Izraelit dhe kishin rekrutuar kundër tyre me para Balaamin për t’i mallkuar; por Perëndia ynë e ndëroi mallkimin në bekim.
3 Sa e dëgjuan ligjin, ata ndanë nga Izraeli tërë njerëzit e huaj që ishin përzier me ta.
23 Në ato ditë pashë gjithashtu disa Judej që ishin martuar me gra të Ashdodit, të Amonit dhe të Moabit,
24 gjysma e bijve të tyre fliste gjuhën e Ashdodit dhe nuk dinte të fliste gjuhën judaike, por fliste vetëm gjuhën e këtij apo atij populli.
25 Atëherë unë i qortova, i mallkova, rraha disa prej tyre, iu shkula flokët; pastaj i vura që te betohen në emër të Perëndisë se nuk do t’ia jepnin bijat e veta bijve të atyre dhe nuk do të merrnin bijat e tyre për bijtë e vet, as për vete.
26 Dhe thashë: "A nuk mëkatoi, vallë, Salomoni, mbret i Izraelit, për këto gjëra? Megjithatë midis kaq kombeve nuk pati një mbret si ai; e donte Perëndia i tij, dhe Perëndia e kishte vendosur mbret mbi tërë Izraelin; por gratë e huaja e bënë edhe atë të mëkatojë.
27 A duhet, pra, të dëgjojmë për ju se kryeni këtë të keqe të madhe, se mëkatoni kundër Perëndisë tonë, duke u martuar me gra të huaja?".
28 Njeri nga bijtë e Joadas, birit të Elishibit, kryeriftit, ishte dhëndër i Sanballatit, Horonitit; unë e përzura larg vetes.
29 Mbaji mend ata, o Perëndia im, sepse kanë ndotur priftërinë dhe besëlidhjen e priftërisë dhe të Levitëve!
30 Kështu unë i pastrova nga çdo person i huaj dhe caktova detyrat e priftërinjve dhe të Levitëve, secili në detyrën e vet.
31 Dhashë gjithashtu dispozita lidhur me ofertën e druve në kohë të caktuara dhe lidhur me prodhimet e para. Më kujto, o Perëndia im, për të më bërë të mira!
9 Ju kam shkruar në letër, të mos përziheni me kurvarë,
10 dhe aspak me kurvarët e kësaj bote, ose me lakmuesit ose me cubat, ose me idhujtarët, sepse atëherë duhet të dilni nga bota.
11 Por tani ju shkrova të mos përziheni me atë, të ashtuquajturin vëlla, që është kurvar, ose lakmues ose idhujtar, o shpi-fës, o pijanec ose cub; me një të tillë bile as të mos hani bashkë.
12 Sepse a më takon mua të gjykoj edhe ata që janë jashtë? A nuk i gjykoni ju të brendshmit?
13 Por ata të jashtmit Perëndia i gjykon. Prandaj nxirreni të ligun nga vetja juaj.