Revised Common Lectionary (Complementary)
68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2 Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
29 Atëherë Fryma e Zotit erdhi mbi Jefteun dhe ai kaloi nëpër Galaadin dhe Manasin, arriti në Mitspah të Galaadit dhe që këtej lëvizi kundër bijve të Amonit.
30 Jefteu lidhi një kusht me Zotin dhe tha: "Në rast se ti më jep në duart e mia bijtë e Amonit,
31 çfarë të dalë nga dyert e shtëpisë sime për të më pritur kur të kthehem fitimtar nga bijtë e Amonit, do t’i përkasë Zotit dhe unë do t’ia ofroj si olokaust".
32 Këshu Jefteu marshoi kundër bijve të Amonit për t’u bërë luftë, dhe Zoti ia dha në dorë.
33 Ai i mundi duke bërë një masakër të madhe, nga Aroeri deri në drejtim të Minithit (duke u marrë njëzet qytete) dhe deri në Abel-Keramim. Kështu bijtë e Amonit u poshtëruan përpara bijve të Izraelit.
34 Pastaj Jefteu u kthye në shtëpinë e tij, në Mitspah; dhe ja që i doli për ta pritur e bija me dajre dhe valle. Ajo ishte bija e vetme e tij, sepse ai nuk kishte djem ose vajza të tjera.
35 Sa e pa, grisi rrobat e tij dhe tha: "Oh, bija ime, ti po më bën shumë fatkeq, ti po më sjell mjerim! Unë i kam dhënë fjalën Zotit dhe nuk mund të tërhiqem".
36 Ajo i tha: "O atë, në rast se i ke dhënë fjalën Zotit, vepro me mua simbas fjalëve që kanë dalë nga goja jote, sepse Zoti ta mori hakun me armiqtë e tu, bijtë e Amonit".
37 Pastaj i tha të atit: "Të më lejohet kjo e drejtë: lermë të lirë dy muaj, në mënyrë që të sillem nëpër male duke qarë virgjërinë time me shoqet e mia".
38 Ai iu përgjegj: "Shko!". Dhe e la të shkonte për dy muaj. Kështu ajo shkoi me shoqet e saj dhe qau ndër male virgjërinë e saj.
39 Mbas dy muajsh ajo u kthye tek i ati; dhe ai veproi me të simbas kushtit që kishte lidhur. Ajo nuk kishte njohur burrë. Kështu u bë zakon në Izrael
40 që bijat e Izraelit të shkojnë çdo vit e të qajnë bijën e Jefteut, Galaaditit, katër ditë me radhë.
11 Por kur erdhi Pjetri në Antioki, unë e kundërshtova në sy, sepse ishte për t’u qortuar.
12 Në fakt, para se të vinin disa njerëz nga ana e Jakobit, ai hante me johebrenjtë; po, kur erdhën ata, ai u tërhoq dhe u nda, duke druajtur ata të rrethprerjes.
13 Edhe Judenj të tjerë shtireshin bashkë me të, aq sa edhe Barnaba u tërhoq nga hipokrizia e tyre.
14 Po kur unë pashë se ata nuk ecnin drejt sipas së vërtetës së ungjillit, i thashë Pjetrit përpara të gjithëve: “Në qoftë se ti, që je Jude, rron porsi johebrenjtë dhe jo si Judenjtë, pse i detyron johebrenjtë të rrojnë si Judenj?.”