Revised Common Lectionary (Complementary)
68 Perëndia u çoftë dhe u shpërndafshin armiqtë e tij, dhe ata që e urrejnë ikshin para tij.
2 Ti do t’i shpërndash ashtu si zhdavaritet tymi, ashtu si shkrihet dylli para zjarrit; kështu do të vdesin të pabesët përpara Perëndisë.
3 Por të drejtët do të gëzohen, do të ngazëllohen përpara Perëndisë dhe do të galdojnë me këngë gëzimi.
4 Këndojini Perëndisë, këndojini lavde emrit të tij; pregatitini rrugën atij që kalon me kalë në shkretëtirë; emri i tij është Zoti; ngazëlloni para tij.
5 Perëndia në banesën e tij të shenjtë është babai i jetimëve dhe mbrojtësi i të vejave.
6 Perëndia bën që i vetmuari të banojë në një familje, çliron të burgosurit dhe siguron begatinë; por rebelët mbeten në tokë të djegur.
7 O Perëndi, kur dole përpara popullit tënd, kur marshove nëpër shkretëtirë. (Sela)
8 toka u drodh; edhe qiejtë lëshuan ujë në prani të Perëndisë, vetë Sinai u drodh në prani të Perëndisë, Perëndisë të Izraelit.
9 Ti ke derdhur një shi të bollshëm, o Perëndi, dhe i ke dhënë përsëri fuqi trashëgimisë sate.
10 Kopeja jote gjeti një banesë dhe në mirësinë tënde, o Perëndi, je kujdesur për të varfërit.
19 I bekuar qoftë Zoti, që për ditë mbart barrat tona; ai është Perëndia i shpëtimit tonë. (Sela)
20 Perëndia është për ne Perëndia që çliron, dhe Zotit, Zotit, i përket çlirimi nga vdekja.
22 Mbas këtyre gjërave Perëndia e vuri në provë Abrahamin dhe i tha: Abraham!!" Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
2 Dhe Perëndia tha: "Merr tani birin tënd, birin tënd të vetëm, atë që ti do, Isakun, shko në vendin e Moriahve dhe sakrifikoje në një nga malet që do të të tregoj".
3 Kështu Abrahami u ngrit herët në mëngjes, i vuri samarin gomarit, mori me vete dy shërbyes dhe të birin Isak dhe çau dru për sakrificën; pastaj u nis drejt vendit ku i kishte thënë Perëndia të shkonte.
4 Ditën e tretë Abrahami ngriti sytë dhe pa së largu vendin.
5 Atëherë Abrahami u tha shërbyesve të tij: "Rrini këtu bashkë me gomarin; unë dhe djali do të shkojmë deri atje dhe do të adhurojmë; pastaj do të kthehemi pranë jush".
6 Kështu Abrahami mori drutë e sakrificës dhe i ngarkoi mbi Isakun, birin e tij; pastaj mori në dorë të vet zjarrin dhe u nisën rrugës që të dy.
7 Dhe Isaku i foli atit të tij Abraham dhe i tha: "Ati im!". Abrahami iu përgjegj: "Ja ku jam, biri im". Dhe Isaku tha: "Ja zjarri dhe druri, po ku është qengji për sakrificën?".
8 Abrahami u përgjegj: "Djali im, Perëndia do ta sigurojë vetë qengjin për sakrificën". Dhe vazhduan rrugën të dy bashkë.
9 Kështu arritën në vendin që Perëndia i kishte treguar dhe atje Abrahami ndërtoi altarin dhe sistemoi drutë; pastaj e lidhi Isakun, birin e tij, dhe e vendosi mbi altar sipër druve.
10 Pastaj Abrahami shtriu dorën dhe mori thikën për të vrarë të birin.
11 Por Engjëlli i Zotit thirri nga qielli dhe i tha: "Abraham, Abraham!". Ai u përgjegj: "Ja ku jam".
12 Engjëlli i tha: "Mos e zgjat dorën kundër djalit dhe mos i bëj asnjë të keqe. Tani e di mirë që ti i trembesh Perëndisë, se nuk më ke refuzuar birin tënd, të vetmin bir që ke".
13 Atëherë Abrahami ngriti sytë dhe shikoi; dhe ja prapa tij një dash i zënë për brirësh në një kaçube. Kështu Abrahami shkoi, mori dashin e tij dhe e ofroi si sakrificë në vend të të birit.
14 Dhe Abrahami e quajti këtë vend Jehovah Jireh. Prandaj edhe sot e kësaj dite thuhet: "Do të furnizohet mali i Zotit".
2 Pastaj, pas katërmbëdhjetë vjetësh, u ngjita përsëri në Jeruzalem me Barnabën; dhe mora me vete edhe Titin.
2 Dhe u ngjita sipas një zbulese dhe u shtjellova atyre ungjillin që unë po predikoj ndër johebrenjtë, por në mënyrë të veçantë, atyre që kishin më shumë emër, që të mos bridhja ose vrapoja më kot.
3 Por as Titi që ishte me mua, ndonëse ishte Grek, nuk qe shtrënguar që të rrethpritej;
4 edhe kjo për shkak të vëllezërve të rremë, që kishin hyrë tinëz, që kishin depërtuar për të përgjuar lirinë tonë që kemi në Krishtin Jezu, që të na robërojnë.
5 Këtyre ne nuk iu nënshtruam as edhe për një moment, që e vërteta e ungjillit të mbetej e pacënuar te ju.
6 Por nga ana e atyre që gëzonin një farë kredie (nuk ka rëndësi se kush ishin, Perëndia nuk shikon dukjen e njeriut), pra, ata që gëzonin kredinë më të madhe nuk shtuan gjë tek unë.
7 Madje, duke parë se mua m’u besua ungjilli për të parrethprerët, sikurse Pjetrit ai për të rrethprerët,
8 (sepse ai që kishte vepruar në mënyrë të fuqishme në Pjetrin për apostullim tek të rrethprerëve, kishte vepruar në mënyrë të fuqishme edhe në mua për johebrenjtë),
9 duke njohur hirin që m’u dha, Jakobi, Kefa dhe Gjoni, të cilët i konsideronin shtylla, më dhanë mua dhe Barnabës të djathtat e tyre si shenjë shoqërie, që të shkonim ne ndër johebrenjtë dhe ata ndër të rrethprerë.
10 Vetëm na porositën që të kujtoheshim për të varfrit, pikërisht atë që edhe unë e kisha ndërmend ta bëja.