Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ligji i Përtërirë 13-15

13 "Në rasat se midis jush del një profet apo një ëndërrimtar dhe ju propozon një shenjë apo një mrekulli,

dhe shenja apo mrekullia për të cilën ju foli realizohet dhe ai thotë: Le të shkojmë pas perëndive të tjera që ti nuk i ke njohur kurrë dhe le t’uu shërbejmë,"

ti nuk do të dëgjosh fjalët e këtij profeti apo të këtij ëndërrimtari, sepse Zoti, Perëndia juaj, ju vë në provë për të ditur në se e doni Zotin, Perëndinë tuaj, me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt.

Do të shkoni pas Zotit, Perëndisë tuaj, do të keni frikë nga ai, do të respektoni urdhërimet e tij, do t’i bindeni zërit të tij, do t’i shërbeni dhe do të jeni të lidhur ngushtë me të.

Por ai profet ose ai ëndërrimtar do të vritet, sepse ka folur në mënyrë që t’ju largojë nga Zoti, Perëndia juaj, që ju nxori nga vendi i Egjiptit dhe ju çliroi nga shtëpia e skllavërisë, për t’ju çuar jashtë rrugës në të cilën Zoti, Perëndia yt, të ka urdhëruar të ecësh. Në këtë mënyrë do të shkulësh të keqen nga gjiri yt.

Në rast se vëllai yt, bir i nënës sate, biri yt ose bija jote, gruaja që prehet mbi gjirin tënd apo shoku që ti e do si shpirtin tënd të nxit fshehtazi, duke thënë: "Shkojmë t’u shërbejmë perëndive të tjera," që as ti, as etrit e tu nuk i keni njohur kurrë,

hyjnive të popujve që ju rrethojnë, që janë pranë apo larg teje, nga një skaj i tokës deri në skajin tjetër të tokës,

mos iu nënshtro atij dhe mos e dëgjo; syri yt nuk duhet të ketë mëshirë për të; mos e kurse, mos e fsheh.

Por ti duhet ta vrasësh; dora jote të jetë e para që të ngrihet kundër tij, për ta vrarë; pastaj le të vijë dora e gjithë popullit.

10 Ti do ta vrasësh me gurë dhe ai do të vdesë, sepse ka kërkuar të të largojë nga Zoti, Perëndia yt, që të nxori nga Egjipti, nga shtëpia e skllavërisë.

11 Kështu tërë Izraeli do ta dëgjojë këtë ngjarje dhe do të ketë frikë, e nuk ka për të kryer më asnjë veprim të keq si ky në gjirin tënd.

12 Në qoftë se një ndër qytetet e tua që Zoti, Perëndia yt, të jep për të banuar, dëgjon të thuhet

13 që njerëz të çoroditur kanë dalë nga gjiri juaj dhe kanë mashtruar banorët e qytetit të tyre duke thënë: "Shkojmë t’u shërbejmë perëndive të tjera," që ju nuk i keni njohur kurrë,

14 ti do të bësh hetime, kërkime dhe do të marrësh me kujdes në pyetje; dhe në qoftë se është e vërtetë dhe e sigurt që ky veprim i neveritshëm është kryer me të vërtetë në gjirin tënd,

15 atëherë do të vrasësh me shpatën tënde banorët e atij qyteti, duke vendosur shfarosjen e tij dhe gjithçka që ndodhet në të; do të vrasësh edhe bagëtinë e tij.

16 Pastaj do të mbledhësh tërë plaçkën e tij në mes të sheshit dhe do ta djegësh me zjarr qytetin dhe tërë plaçkën e tij përpara Zotit, Perëndisë tuaj; ajo do të mbetet një grumbull gërmadhash për gjithnjë dhe nuk do të rindërtohet më kurrë.

17 Prandaj asgjë nga ato që janë caktuar të shkatërrohen të mos ju ngjitet në dorë, me qëllim që Zoti të heqë dorë nga zjarri i zemërimit të tij dhe të tregohet i dhimshur t’i vijë keq për ty dhe të të shumëzojë, ashtu siç u është betuar etërve tuaj,

18 sepse ti e dëgjove zërin e Zotit, Perëndisë tënd, duke respektuar të gjitha urdhërimet e tij që po të përcakton sot duke bërë atë që është e drejtë në sytë e Zotit, Perëndisë tuaj".

14 "Ju jeni bijtë e Zotit, Perëndisë tuaj; nuk do të bëni asnjë prerje dhe nuk do të rruheni midis syve për një të vdekur;

sepse ti je një popull i shenjtë për Zotin, Perëndinë tënd, dhe Zoti të ka zgjedhur për të qenë një popull i tij, një thesar i veçantë ndër të gjithë popujt që janë mbi faqen e dheut.

Nuk do të hash asgjë të neveritshme.

Këto janë kafshët që mund të hani: lopa, delja, dhia,

dreri, gazela, dhia e egër, stambeku, antilopa dhe kaprolli.

Mund të hani çdo kafshë që e ka thundrën të ndarë, dhe që përtypet midis kafshëve.

Por nga ato që vetëm përtypen dhe që kanë vetëm thundrën të ndarë nuk do të hani devenë, lepurin dhe baldosën, që përtypen por nuk e kanë thundrën të ndarë; për ju janë të papastra;

edhe derri, që e ka thundrën të ndarë por nuk përtypet, është i papastër për ju. Nuk do të hani mishin e tyre dhe nuk do të prekni trupat e tyre të vdekur.

Ndër të gjitha kafshët që rrojnë në ujë, mund të hani të gjitha ato që kanë pendë dhe luspa;

10 por nuk do të hani asnjë nga ato që nuk kanë pendë dhe luspa; janë të papastra për ju.

11 Mund të hani çdo zog të pastër;

12 por nuk do të hani këto: shqiponjën, shqiponjën e detit dhe fajkuan e detit,

13 qiftin, fajkuan dhe çdo lloj zhgabe,

14 çdo lloj korbi,

15 strucin, kukuvajkën mjekroshe, pulëbardhën dhe çdo lloj krahathatë,

16 bufin, ibisin, mjellmën,

17 pelikanin, martin peshkatarin, kormoranin,

18 lejlekun, çdo lloj gate, pupëzën dhe lakuriqin e natës.

19 Çdo insekt që fluturon është i papastër për ju; nuk do ta hani.

20 Por mund të hani çdo zog që është i pastër.

21 Nuk do të hani asnjë kafshë që ka ngordhur në mënyrë të natyrshme; mund t’ua jepni të huajve që janë brenda portave tuaja që t’i hanë ose mund t’ua shisni një të huaji, sepse ti je një popull që i je shenjtëruar Zotit, Perëndisë tënd. Nuk do ta gatuash kecin bashkë në qumështin e nënes së tij.

22 Do të zotohesh të japësh të dhjetën e asaj që mbjell dhe që të prodhon ara çdo vit.

23 Do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që ai ka zgjedhur si vendbanim për emrin e tij, të dhjetën e grurit tënd, të mushtit tënd, të vajit tënd, dhe pjelljen e parë të tufave të bagëtive të trasha dhe të imta, në mënyrë që ti të mësosh të kesh gjithnjë frikë nga Zoti, Perëndia yt.

24 Por në rast se rruga është shumë e gjatë për ty dhe nuk mund t’i çosh deri atje të dhjetat, sepse vendi që Zoti, Perëndia yt, ka caktuar për të vendosur emrin e tij është shumë larg nga ty, kur Zoti, Perëndia yt, do të të ketë bekuar,

25 atëherë do t’i këmbesh ato me para dhe me paratë në dorë do të shkosh në vendin që ka zgjedhur Zoti, Perëndia yt;

26 dhe do t’i përdorësh këto para për të blerë të gjitha ato që dëshiron zemra jote: lopë, dele, verë, pije dehëse, ose çfarëdo gjë që dëshiron zemra jote; dhe aty do të hash përpara Zotit, Perëndisë tënd, dhe do të gëzohesh ti bashkë me familjen tënde.

27 Përveç kësaj nuk do të lesh pas dore Levitin, që banon brenda portave të tua, sepse ai nuk ka pjesë as trashëgimi me ty.

28 Në fund të çdo tre viteve, do të vësh mënjanë të gjitha të dhjetat e prodhimeve të tua të vitit të tretë, dhe do t’i vendosësh brenda portave të tua;

29 dhe Leviti, që nuk ka pjesë as trashëgimi me ty, dhe i huaji, jetimi dhe e veja që gjenden brenda portave të tua, do të vinë, do të hanë dhe do të ngopen, me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të të bekojë në çdo punë që do të të zërë dora".

15 "Në mbarim të çdo shtatë viteve do të bësh faljen e borxheve.

Dhe kjo do të jetë forma e faljes: Çdo huadhënës do të falë atë që i ka dhënë hua të afërmit të tij; nuk do të kërkojë kthimin e saj nga i afërmi dhe nga vëllai i tij, sepse është shpallur falja e borxheve nga Zoti.

Mund ta kërkosh borxhin nga i huaji; por do t’i falësh vëllait tënd atë që ai të ka marrë hua.

Nuk do të ketë asnjë nevojtar midis jush, sepse Zoti do të të bekojë me të madhe në vendin që Zoti, Perëndia yt, po të jep si trashgimi, që ti ta zotërosh,

por vetëm me kusht që ti t’i bindesh me zell zërit të Zotit, Perëndisë tënd, duke pasur kujdes të zbatosh në praktikë të gjitha këta urdhërimet, që sot të cakton.

Sepse Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë siç të ka premtuar; atëherë do t’u japësh hua shumë kombeve, por ti nuk do të kërkosh hua; do të sundosh mbi shumë kombe, por ato nuk do të sundojnë mbi ty.

Në rast se ke ndonjë vëlla nevojtar midis jush, midis ndonjë prej qyteteve që Zoti, Perëndia yt, po të jep, nuk do të fortësosh zemrën dhe nuk do të mbyllësh dorën para vëllait tënd nevojtar;

por do t’i hapësh me zemërgjerësi dorën tënde dhe do t’i japësh hua aq sa i nevojitet për të përballuar nevojat që ka.

Ki kujdes që të mos ketë asnjë mendim të keq në zemrën tënde, i cili të të bëjë të thuash: "Viti i shtatë, viti i familjes, është afër," dhe ta shikosh me sy të keq vëllanë tënd nevojtar dhe të mos i japësh asgjë; ai do të bërtiste kundër teje para Zotit dhe ti do të mëkatoje.

10 Jepi me bujari dhe zemra jote të mos trishtohet kur i jep, sepse pikërisht për këtë Zoti, Perëndia yt, do të të bekojë në çdo punë tënden dhe në çdo gjë që do të të zërë dora.

11 Sepse nevojtarët nuk do të mungojnë kurrë në vend, prandaj unë po të jap këtë urdhërim tënd dhe të them: "Hapja me bujari dorën tënde vëllait tënd, të varfërit tënd dhe nevojtarit në vendin tuaj".

12 Në rast se një vëlla apo një motër hebre shitet te ti, do të të shërbejë gjashtë vjet; por vitin e shtatë do ta lësh të ikë i lirë.

13 Dhe kur do ta lësh të ikë i lirë, nuk do ta lësh të shkojë duarbosh;

14 do t’i japësh bujarisht dhurata nga kopeja jote, nga lëmi dhe nga hambari yt; do ta bësh pjestar të bekimeve me të cilat Zoti, Perëndia yt, të ka mbushur;

15 dhe nuk do të harrosh se ke qenë skllav në vendin e Egjiptit dhe se Zoti, Perëndia yt, të ka liruar; prandaj sot të urdhëroj këtë.

16 Por në rast se ai të thotë: "Nuk dua të largohem prej teje," sepse të do ty dhe shtëpinë tënde, sepse ka mbarësi bashkë me ty,

17 atëherë do të marrësh një fëndyell, do t’i shposh veshin kundër portës dhe ai do të jetë skllavi yt për gjithnjë. Po ashtu do të veprosh me skllaven tënde.

18 Nuk duhet të të duket e vështirë ta nisësh të lirë, sepse të ka shërbyer gjashtë vjet me gjysmën e pagës së një argati; dhe Zoti, Perëndia yt, do të bekojë të gjitha veprimet e tua.

19 Do t’i shenjtërosh Zotit, Perëndisë tënd, tërë pjelljet e para meshkuj të bagëtive të tua të trasha dhe të imta. Nuk do të bësh asnjë punë me pjelljen e parë të lopës sate dhe nuk do të qethësh pjelljen e parë të deles sate.

20 Do t’i hash çdo vit, ti dhe familja jote, përpara Zotit, Perëndisë tënd, në vendin që Zoti ka zgjedhur.

21 Por në qoftë se kafsha ka ndonjë të metë, në rast se është e çalë, e verbër, apo ka ndonjë të metë tjetër të rëndë, nuk do t’ia flijosh Zotit, Perëndisë tënd;

22 do ta hash brenda portave të tua; të papastrin dhe të pastrin mund ta hanë njëlloj sikur të ishte një gazelë apo një dre.

23 Por nuk do të hash gjakun e tyre; do ta derdhësh në tokë si uji".

Marku 12:28-44

28 Atëherë një nga skribët që e kishte dëgjuar diskutimin e tyre, duke kuptuar se ai u ishte përgjigjur mirë, iu afrua dhe e pyeti: “Cili është i pari i të gjithë urdhërimeve?.”

29 Dhe Jezusi u përgjigj: “Urdhërimi i parë i të gjithëve është: "Dëgjo, o Izrael: Zoti, Perëndia ynë, është i vetmi Zot,"

30 dhe: "Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde!". Ky është i pari urdhërim.

31 Dhe i dyti i ngjan këtij: "Duaje të afërmin tënd porsi vetveten". Nuk ka urdhërim tjetër më të madh se këta.”

32 Atëherë skribi i tha: “Mirë, Mësues. The, sipas së vërtetës, se ka vetëm një Perëndi dhe s’ka asnjë tjetër përveç tij;

33 dhe ta duash me gjithë zemër, me gjithë mendje, me gjithë shpirt dhe me gjithë forcë, dhe ta duash të afërmin porsi vetvetja vlen më tepër se sa gjithë olokaustet dhe flijimet.”

34 Dhe Jezusi, duke parë se ai ishte përgjigjur me mend, i tha: “Ti nuk je larg nga mbretëria e Perëndisë.” Dhe kurrkush nuk guxoi më ta pyesë.

35 Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit?

36 Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

37 Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?.” Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.

38 Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: “Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t’i përshëndetin në sheshe,

39 dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti,

40 që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t’u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!.”

41 Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

42 Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.

43 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

44 Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.”