Old/New Testament
26 Pas fatkeqësisë, ndodhi që Zoti u foli Moisiut dhe Eleazarit, birit të priftit Aaron, duke u thënë:
2 "Bëni regjistrimin e tërë popullsisë së bijve të Izraelit, nga mosha njëzet e një vjeç e lart, në bazë të shtëpive të etërve të tyre, të të gjithë atyre që në Izrael mund të shkojnë në luftë".
3 Kështu Moisiu dhe prifti Eleazar u folën atyre në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun e kundërt të Jerikos, duke u thënë:
4 "Të bëhet regjistrimi i njerëzve nga mosha njëzet e një vjeç e lart ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun dhe bijtë e Izraelit, kur dolën nga vendi i Egjiptit".
5 Rubeni ishte i parëlinduri i Izraelit. Bijtë e tij qenë: Hanoku, prej të cilit rrjedh familja e Hanokitëve; Palu, prej të cilit rrjedh familja e Paluitëve;
6 Hetsroni, prej të cilit rrjedh familja e Hetsronitëve; Karmi, prej të cilit rrjedh familja e Karmitëve.
7 Këto janë familjet e Rubenitëve; ata që u regjistruan në radhët e tyre qenë dyzet e tre mijë e shtatëqind e tridhjetë veta.
8 I biri i Palus ishte Eliabi.
9 Djemtë e Eliabit qenë Nemueli, Dathani dhe Abirami. Këta janë po ai Datham dhe ai Abiram, anëtarë të këshillit, që ngritën krye kundër Moisiut dhe Aaronit së bashku me njerëzit e Koreut, kur ngritën krye kundër Zotit;
10 dhe toka hapi gojën e saj dhe i gëlltiti bashkë me Koreun, kur këta njerëz vdiqën dhe zjarri përpiu dyqind e pesëdhjetë njerëz në shenjë qortimi.
11 Por bijtë e Koreut nuk vdiqën.
12 Bijtë e Simeonit simbas familjeve të tyre qenë: nga Nemueli, familja e Nemuelitëve; nga Jamini, familja e Jaminitëve; nga Jakini, familja e Jakinitëve;
13 nga Zerahu, familja e Zerahitëve; nga Sauli, familja e Saulitëve.
14 Këto janë familjet e Simeonitëve: njëzet e dy mijë e dyqind veta.
15 Bijtë e Gadit simbas familjeve të tyre qenë: nga Tsefoni, familja e Tsefonitëve; nga Hagi, familja e Hagitëve; nga Shuni, familja e Shunitëve;
16 nga Ozni, familja e Oznitëve; nga Eri, familja e Eritëve;
17 nga Arodi, familja e Aroditëve; nga Areli, familja e Arelitëve.
18 Këto janë familjet e bijve të Gadit, në bazë të regjistrimit: dyzet mijë e pesëqind veta.
19 Bijtë e Judës ishin: Eri dhe Onani; por Eri dhe Onani vdiqën në vendin e Kanaanit.
20 Bijtë e Judës simbas familjeve të tyre qenë: nga Shelahu, familja e Shelanitëve; nga Peretsi, familja e Peretsitëve; nga Zerahu, familja e Zerahitëve.
21 Bijtë e Peretsit qenë: nga Hetsroni, familja e Hetsronitëve; nga Hamuli, familja e Hamulitëve.
22 Këto janë familjet e Judës në bazë të regjistrimit: shtatëdhjetë e gjashtë mijë e pesëqind veta.
23 Bijtë e Isakarit simbas familjeve të tyre ishin: nga Tola, familja e Tolaitëve; nga Puvahu, familja e Puvitëve;
24 nga Jashubi, familja e Jashubitëve; nga Shimroni, familja e Shimronitëve.
25 Këto janë familjet e Isakarit në bazë të regjistrimit: gjithsej gjashtëdhjetë e katër mijë e treqind.
26 Bijtë e Zabulonit simbas familjeve të tyre qenë: nga Seredi, familja e Sarditëve; nga Eloni, familja e Elonitëve; nga Jahleeli, familja e Jahleelitëve.
27 Këto janë familjet e Zabulonitëve në bazë të regjistrimit: gjithsej gjashtëdhjetë mijë e pesëqind.
28 Bijtë e Jozefit simbas familjeve të tyre qenë: Manasi dhe Efraimi.
29 Bijtë e Manasit qenë: nga Makiri, familja e Makiritëve. Makirit i lindi Galaadi; nga Galaadi rrodhi familja e Galaaditëve.
30 Këta janë bijtë e Galaadit: nga Jezeri, familja e Jezeritëve; nga Heleku, familja e Helekitëve;
31 nga Asrieli, familja e Asrielitëve; nga Shekemi, familja e Shekemitëve;
32 nga Shemida, familja e Shemidaitëve; nga Heferi, familja e Heferitëve.
33 Por Tselofehadi, bir i Heferit, nuk pati meshkuj, por vetëm vajza; dhe emrat e vajzave të Tselihadit qenë: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah.
34 Këto janë familjet e Manasit; ata që u regjistruan qenë pesëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.
35 Këto janë bijtë e Efraimit simbas familjeve të tyre; nga Shuthelahu, familja e Shuthelahitëve; nga Bekeri, familja e Bekeritëve; nga Tahani, familja e Tahanitëve.
36 Këto janë bijtë e Shuthelahut: nga Efrani, familja e Efranitëve.
37 Këto janë familjet e bijve të Efraimit në bazë të regjistrimit: gjithsej tridhjetë e dy mijë e pesëqind. Këta janë bijtë e Jozefit simbas familjeve të tyre.
38 Bijtë e Beniaminit simbas familjeve të tyre qenë: nga Bela, familja e Belaitëve; nga Ashbeli, familja e Ashbelitëve; nga Ahirami, familja e Ahiramitëve;
39 nga Shufami, familja e Shufamitëve; nga Hufami, familja e Hufamitëve.
40 Bijtë e Belas qenë: Ardi dhe Naamani; nga Ardi rrjedh familja e Arditëve; nga Naamani, familja e Naamitëve.
41 Këta janë bijtë e Beniaminit simbas familjeve të tyre. Ata që u regjistruan ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind.
42 Këta janë bijtë e Danit simbas familjeve të tyre: nga Shuhami, familja e Shuhamitëve. Këta janë bijtë e Danit simbas familjeve të tyre.
43 Shuma e familjeve të Shuhamitëve në bazë të regjistrimit ishte gjashtëdhjetë e katër mijë e katërqind.
44 Bijtë e Asherit simbas familjeve të tyre qenë: nga Jimna, familja e Jimnitëve; nga Jishvi, familja e Jishvitëve; nga Beriahu, familja e Beriahitëve.
45 Nga bijtë e Beriahut: nga Heberi, familja e Heberitëve; nga Malkieli, familja e Malkialitëve.
46 Bija e Asherit quhej Serah.
47 Këto janë familjet e bijve të Asherit në bazë të regjistrimit: pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.
48 Bijtë e Neftalit simbas familjeve të tyre qenë: nga Jahtseeli, familja e Jahtseelitëve; nga Guni, familja e Gunitëve;
49 nga Jetseri, familja e Jetseritëve; nga Shilemi, familja e Shilemitëve.
50 Këto janë familjet e Neftalit simbas familjeve të tyre. Ata që u regjistruan qenë dyzet e pesë mijë e katërqind.
51 Ata që u regjistruan nga bijtë e Izraelit qenë: gjashtëqind e një mijë e shtatëqind e tridhjetë veta.
52 Atëherë Zoti i foli Moisiut, duke i thënë:
53 "Vendi do të ndahet midis tyre si trashëgimi, simbas numrit të personave.
54 Atyre që janë më të shumtë do t’u japësh në trashëgimi një pjesë më të madhe; atyre që janë në numër më të vogël do t’u japësh një pjesë më të vogël; secili do të marrë pjesën e tij në bazë të regjistrimit.
55 Por ndarja e vendit do të bëhet me short; ata do të marrin trashëgiminë e tyre në bazë të emrave të fiseve atërore.
56 Ndarja e trashëgimisë do të bëhet me short midis të gjitha fiseve të mëdha ose të vogla.
57 Dhe këta qenë ata që u regjistruan nga Levitët, simbas familjeve të tyre: nga Gershoni, familja e Gershonitëve; nga Kohathi, familja e Kohathitëve; nga Merari, familja e Meraritëve.
58 Këto janë familjet e Levit: familja e Libnitëve, familja e Hebronitëve, familja e Mahlitëve, familja e Mushitëve, familja e Korahitëve. Dhe Kohathit i lindi Amrami.
59 Gruaja e Amramit quhej Jokebed; ishte bijë e Levit dhe i kishte lindur Levit në Egjipt; në Amram ajo lindi Aaronin, Moisiun dhe Miriamin, motrën e tyre.
60 Aaronit i lindën Nadabi dhe Abihuri, Eleazari dhe Ithamari.
61 Por Nadabi dhe Abihu vdiqën kur i paraqitën Zotit një zjarr të palejueshëm.
62 Ata që u regjistruan në radhët e tyre qenë njëzet e tre mijë veta; të gjithë ishin meshkuj me moshë një muajsh e lart. Ata nuk u regjistruan bashkë me bijtë e tjerë të Izraelit, sepse atyre nuk iu dha asnjë trashëgimi midis bijve të Izraelit.
63 Këta janë ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Eleazar, që regjistruan bijtë e Izraelit në fushat e Moabit, pranë Jordanit, në bregun përballë Jerikos.
64 Midis tyre nuk kishte asnjë nga ata që u regjistruan nga Moisiu dhe nga prifti Aaron, kur ata regjistruan bijtë e Izaelit në shkretëtirën e Sinait,
65 sepse Zoti pat thënë për ata: "Ata do të vdesin, do të vdesin në shkretëtirë". Dhe prej tyre nuk mbeti as edhe një, me përjashtim të Kalebit, birit të Jenufehut, dhe të Jozueut, birit të Nunit.
27 Pastaj u afruan bijat e Tselofehadit, birit të Heferit, bir i Galaadit, bir i Makirit, bir i Manasit, i familjeve të Manasit, birit të Jozefit; dhe këto janë emrat e bijave: Mahlah, Noah, Hoglah, Milkah dhe Thirtsah,
2 dhe ato u paraqitën para Moisiut, para priftit Eleazar, prijësve dhe tërë asamblesë në hyrje të çadrës së mbledhjes dhe thanë:
3 "Ati ynë vdiq në shkretëtirë, por nuk bënte pjesë në grupin e atyre që u mblodhën kundër Zotit, në grupin e Koreut, por vdiq për shkak të mëkatit të tij pa patur bij.
4 Pse duhet të humbasë emri i atit tonë në mes të familjes së tij nga që nuk pati bij? Na jep, pra, një pronë në mes të vëllezërve të atit tonë".
5 Atëherë Moisiu e shtroi rastin e tyre para Zotit.
6 Dhe Zoti i foli Moisiut duke i thënë:
7 "Bijat e Tselofehadit kanë hak. Po, do t’u japësh atyre si trashëgimi një pronë midis vëllezërve të atit të tyre dhe do t’u kalosh atyre trashëgiminë e atit të tyre.
8 Do t’u flasësh gjithashtu bijve të Izraelit dhe do t’u thuash: "Kur një njeri vdes pa lënë ndonjë bir, trashëgiminë e tij do t’ia kaloni bijës së tij.
9 Në qoftë se nuk ka asnjë bijë, trashëgiminë e tij do t’ua jepni vëllezërve të tij.
10 Në rast se nuk ka vëllezër, trashëgiminë e tij do t’ua jepni vëllezërve të atit të tij.
11 Dhe në rast se ai nuk ka asnjë vëlla, trashëgiminë e tij do t’ia jepni fisit më të afërt të familjes së tij; dhe ai do ta zotërojë". Kjo do të jetë për bijtë e Izraelit një formë e së drejtës, ashtu si e ka urdhëruar Zoti Moisiun.
12 Pastaj Zoti i tha Moisiut: "Ngjitu mbi malin e Abarimit dhe sodit vendin që unë po ju jap bijve të Izraelit.
13 Mbasi ta kesh parë, edhe ti do të bashkohesh me popullin tënd, ashtu siç u bashkua Aaroni, vëllai yt,
14 sepse ngritët krye kundër urdhrit tim në shkretëtirën e Tsinit kur asambleja kundërshtoi, dhe nuk më shenjtëruat në ujërat para syve të tyre". (Këto janë ujërat e Meribës në Kadesh, në shkretëtirën e Sinit).
15 Pastaj Moisiu i foli Zotit, duke i thënë:
16 "Zoti, Perëndia i frymëve të çdo mishi, le të caktojë mbi këtë asamble një njeri
17 që të hyjë dhe të dalë para tyre, dhe t’i bëjë të hyjnë e të dalin, në mënyrë që asambleja e Zotit të mos jetë si një kope pa bari".
18 Atëherë Zoti i tha Moisiut: "Merr Jozueun, djalin e Nunit, njeriun brenda të cilit është Fryma, dhe vërë dorën tënde mbi të;
19 pastaj do ta paraqitësh para priftit Eleazar dhe para tërë asamblesë dhe do t’i japësh disa urdhra në prani të tyre,
20 dhe do ta bësh pjesëmarrës të autoritetit tënd me qëllim që tërë asambleja e bijve të Izraelit t’i bindet.
21 Ai do të paraqitet përpara priftit Eleazar, i cili do të kërkojë për të mendimin e shprehur nga Urimi përpara Zotit; me urdhër të tij do të hyjnë dhe do të dalin, ai dhe tërë bijtë e Izraelit, tërë asambleja".
22 Moisiu, pra, bëri ashtu si e kishte urdhëruar Zoti; mori Jozueun dhe e paraqiti përpara priftit Eleazar dhe tërë asamblesë;
23 pastaj vuri duart e tij mbi të dhe i dha urdhra ashtu si kishte urdhëruar Zoti me anë të Moisiut.
28 Zoti i foli akoma Moisiut, duke i thënë:
2 "Jepu këtë urdhër bijve të Izraelit dhe u thuaj atyre: Do të kujdeseni të më paraqisni në kohën e caktuar ofertën time, me ushqimin e flijimeve të mia të përgatitura me zjarr, me erë të këndshme për mua.
3 Dhe do t’u thuash atyre: Ky është flijimi i bërë me zjarr, që do t’i ofroni Zotit: dy qengja motakë pa të meta, si olokaust i përjetshëm.
4 Një qengj do ta ofrosh në mëngjes, ndërsa qengjin tjetër në të ngrysur;
5 dhe, si blatim i ushqimit, një të dhjetë efe majë mielli të përzier me një çerek hini vaji të papërzier.
6 Éshtë një olokaust i përjetshëm, i vendosur në malin Sinai, një flijim i bërë me zjarr dhe me erë të këndshme për Zotin.
7 Libacioni i tij do të jetë një çerek hini për çdo qengj; do t’ia derdhësh libacionin e pijeve dehëse Zotit në vendin e shenjtë.
8 Qengjin tjetër do ta ofrosh në të ngrysur; do ta ofrosh si blatimin e ushqimit të mëngjesit dhe libacionin; është një flijim i bërë me zjarr, me erë të këndshme për Zotin.
9 Ditën e shtunë do të ofroni dy qengja motakë, pa të meta dhe, si blatim i ushqimit, dy të dhjeta majë mielli të përziera me vaj bashkë me libacionin.
10 Éshtë olokausti i së shtunës, për çdo të shtunë, përveç olokaustit të përjetshëm dhe libacionit.
11 Në fillim të muajve tuaj do t’i ofroni si olokaust Zotit dy dema të vegjël, një dash, shtatë qengja motakë pa të meta
12 dhe tre të dhjeta majë mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit për çdo dem të vogël, dy të dhjeta lule mielli të përzier me vaj, si blatim i ushqimit për dashin,
13 dhe një të dhjetë majë mielli të përzier me vaj si blatim i ushqimit për çdo qengj. Éshtë një olokaust me erë të këndshme, një flijim i bërë me zjarr për Zotin.
14 Libacionet do të jenë gjysmë hin vere për çdo dem të vogël, një e treta e hinit për çdo dash dhe një e katërta e hinit për çdo qengj. Ky është olokausti i çdo muaji, për të gjithë muajt e vitit.
15 Dhe do t’i ofrohet Zotit një kec si flijim për mëkatin, përveç olokaustit të përjetshëm dhe libacionit.
16 Ditën e katërmbëdhjetë të muajit të parë do të jetë Pashka për nder të Zotit.
17 Dhe ditën e pesëmbëdhjetë të atij muaji do të jetë festë. Shtatë ditë me radhë do të hahet bukë e ndorme.
18 Ditën e parë do të mbahet një mbledhje e shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë;
19 por do t’i ofroni si flijim të bërë me zjarr një olokaust Zotit: dy dema të vegjël, një dash dhe shtatë qengja motakë, të cilët nuk duhet të kenë të meta,
20 së bashku me blatimin e ushqimit me majë mielli të përzier me vaj; do të ofroni tre të dhjeta për çdo dem të vogël dhe dy të dhjeta për një dash;
21 Do të ofroni një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat,
22 dhe do të ofroni një cjap si flijim për mëkatin, për të bërë shlyerjen për ju.
23 Do të ofroni këto flijime përveç olokaustit të mëngjesit, që është një olokaust i përjetshëm.
24 Kështu do të ofroni çdo ditë, për shtatë ditë me radhë, ushqimin e flijimit të përgatitur me zjarr, me një erë të këndshme për Zotin. Do të ofrohet, përveç olokaustit të përjetshëm, bashkë me blatimin e tij.
25 Ditën e shtatë do të keni një mbledhje të shenjtë; nuk do të bëni asnjë punë të rëndë.
26 Ditën e marrjes së prodhimit të parë, kur do t’i paraqisni Zotit një blatim të ri ushqimor, në festën tuaj të javëve, do bëni një mbledhje të shenjtë; nuk do të kryeni asnjë punë të rëndë.
27 Atëherë do të ofroni si olokaust me erë të këndshme për Zotin dy dema të vegjël, një dash dhe shtatë qengja motakë,
28 me blatimin e tyre ushqimor të përbërë nga majë mielli të përzier me vaj; tre të dhjeta për çdo dem të vogël, dy të dhjeta për dashin,
29 dhe një të dhjetë për secilin nga shtatë qengjat;
30 do të ofroni edhe një kec për të kryer shlyerjen për ju.
31 Do të ofroni këto flijime, veç olokaustit të përjetshëm me blatimin e tyre të ushqimit dhe libacionet e tyre. Duhet të jenë kafshë pa të meta.
8 Në ato ditë, duke qenë se u mblodh një turmë shumë e madhe dhe s’kishin ç’të hanin, Jezusi i thirri dishepujt e vet dhe u tha atyre:
2 “Kam mëshirë për këtë turmë, sepse u bënë tri ditë që po rri me mua, dhe nuk ka ç’të hajë.
3 Dhe po t’i nis të pa ngrënë në shtëpitë e tyre, do të mbeten udhës; disa prej tyre kanë ardhur që nga larg.”
4 Dhe dishepujt e tij iu përgjigjën: “Si do të mund t’i ngopte me bukë këta dikush, këtu në shkretëtirë?.”
5 Dhe ai i pyeti: “Sa bukë keni?.” Ata i thanë: “Shtatë.”
6 Atëherë ai e urdhëroi turmën të ulet për tokë; dhe mori të shtatë bukët, falënderoi, i theu dhe ua dha dishepujve të vet që t’ia shpërndajnë turmës; dhe ata ia shpërndanë.
7 Kishin edhe disa peshq të vegjël; mbasi i bekoi, urdhëroi që edhe ata t’i shpërndahen turmës.
8 Kështu ata hëngrën dhe u ngopën; dhe dishepujt çuan shtatë kosha me copat që tepruan.
9 Ata që hëngrën ishin rreth katër mijë veta; pastaj i lejoi.
10 Dhe menjëherë hypi në barkë me dishepujt e vet dhe shkoi në rrethinën e Dalmanutës.
11 Atëherë erdhën farisenjtë dhe nisën të diskutojnë me të, duke i kërkuar një shenjë nga qielli për ta vënë në provë.
12 Por ai, duke psherëtirë në frymë, tha: “Përse ky brez kërkon një shenjë? Në të vërtetë po ju them se këtij brezi nuk do t’i jepet asnjë shenjë.”
13 Atëherë i la, hipi përsëri në barkë dhe kaloi në bregun tjetër.
14 Tani dishepujt kishin harruar të marrin bukë me vete, dhe në barkë s’kishin asgjë përveç një buke.
15 Dhe Jezusi i qortoi duke thënë: “Kini kujdes, ruhuni nga majaja e farisenjve dhe nga majaja e Herodit!.”
16 Por ata diskutonin midis tyre duke thënë: “Nuk kemi bukë.”
17 Jezusi e vuri re dhe u tha: “Përse dis-kutoni që s’keni bukë? Ende nuk po e kuptoni e nuk e merrni vesh? Ende e keni zemrën të ngurtë?
18 Keni sy dhe nuk shihni, keni veshë dhe nuk dëgjoni? Dhe nuk po mbani mend?
19 Kur ndava të pesë bukët për të pesë mijtë, sa kosha plot me copa mblodhët?.” Ata thanë: “Dymbëdhjetë.”
20 “Po kur theva të shtatë bukët për të katër mijtët, sa shporta plot me bukë mblodhët?.” Dhe ata thanë: “Shtatë.”
21 Dhe ai u tha atyre: “Po si, ende nuk po kuptoni?.”
22 Pastaj arriti në Betsaida; dhe i prunë një të verbër e iu lutën ta prekte.
23 Atëherë e mori për dore të verbërin, e nxori jashtë fshatit dhe, pasi i pështyu në sy dhe vuri duart mbi të, e pyeti nëse shihte gjë.
24 Dhe ai, duke hapur sytë, tha: “Po shoh njerëz si pemë që ecin.”
25 Atëherë Jezusi i vuri përsëri duart mbi sytë dhe e bëri të shikojë lart; dhe atij iu kthye të parit dhe shikonte qartë gjithçka.
26 Dhe Jezusi e nisi të shkojë në shtëpinë e tij duke i thënë: “Mos hyr në fshat dhe mos ia trego askujt në fshat.”
27 Pastaj Jezusi shkoi bashkë me dishepujt e vet ndër fshatrat e Cesaresë së Filipit; dhe gjatë rrugës i pyeti dishepujt e vet duke u thënë atyre: “Kush thonë njerëzit se jam unë?.”
28 Ata u përgjigjën: “Disa Gjon Pagëzori, të tjerë Elia, dhe të tjerë një nga profetët.”
29 Dhe ai u tha atyre: “Po ju, kush thoni se jam?.” Dhe Pjetri, duke iu përgjigjur i tha: “Ti je Krishti.”
30 Atëherë ai i urdhëroi rreptësisht që të mos i tregojnë askujt për të.
31 Pastaj nisi t’u mësojë atyre se Birit të njeriut i duhet të vuajë shumë gjëra, do të hidhet poshtë nga pleqtë, nga krerët e priftërinjve dhe nga skribët; se do të vritet dhe pas tri ditësh do të ringjallet.
32 Dhe ai i tha këto gjëra haptas. Atëherë Pjetri e mori mënjanë dhe filloi ta qortojë.
33 Por ai u kthye, shikoi dishepujt e vet dhe e qortoi Pjetrin, duke thënë: “Largohu nga unë, Satana, se ti nuk ke shqisën për gjërat e Perëndisë, por për gjërat e njerëzve!.”
34 Pastaj e thirri pranë vetes turmën me dishepujt e vet dhe iu tha: “Kushdo që don të vijë pas meje, të mohojë vetveten, të marrë kryqin e vet dhe të më ndjekë,
35 sepse ai që don të shpëtojë jetën e vet, do ta humbasë; por ai që do të humbasë jetën e vet për hirin tim e për ungjillin, do të shpëtojë.
36 Ç’dobi do të ketë njeriu të fitojë gjithë botën, nëse më pas do të humbë shpirtin e vet?
37 Ose çfarë mund të japë njeriu në shkëmbim të shpirtit të vet?
38 Sepse kujtdo që do t’i vijë turp për mua dhe për fjalët e mia në mes të këtij brezi kurorëshkelës dhe mëkatar, për atë do t’i vijë turp edhe Birit të njeriut, kur të arrijë në lavdinë e Atit të vet, me engjëjt e shenjtë.”