Old/New Testament
46 Perëndia është për ne një streh dhe një forcë, një ndihmë gjithnjë e gatshme në fatkeqësi.
2 Prandaj ne nuk do të kemi frikë edhe sikur toka të luajë dhe malet të hidhen në mes të detit,
3 dhe ujërat e tij të tërbohen dhe të shkumojnë, dhe malet të dridhen në fryerjen e tij. (Sela)
4 Éshtë një lumë brigjet e të cilit mbushin me gëzim qytetin e Perëndisë, vendin e shenjtë ku banon shumë i Larti.
5 Perëndia është në mes të tij, ai nuk do të luajë nga vendi; Perëndia do ta ndihmojë në dritat e para të mëngjesit.
6 Kombet do të ziejnë, mbretëritë do të tronditen; ai dërgoi jashtë zërin e tij, toka u shkri.
7 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
8 Ejani dhe admironi veprat e Zotit, që ka bërë mrekulli mbi tokë.
9 Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës; ai prish harqet dhe thyen shtizat, dhe djeg qerret me zjarr.
10 Ndaluni dhe pranoni që jam Perëndi; do të ngrihem lart midis kombeve, do të ngrihem lart mbi tokë.
11 Zoti i ushtrive është me ne; Perëndia i Jakobit është streha jonë. (Sela)
47 Duartrokisni, o popuj; kremtojeni Perëndinë me britma triumfi.
2 Sepse Zoti, Shumë i Larti, është i tmerrshëm, një mbret i madh mbi gjithë dheun.
3 Ai do të na nënshtrojë popujt dhe kombet do t’i vërë nën këmbët tona.
4 Ai do të zgjedhë për ne trashëgiminë tonë, lavdinë e Jakobit që ai e do. (Sela)
5 Perëndia është ngritur në mes brohoritjesh gëzimi, Zoti me tingujt e borive.
6 Këndojini lavde Perëndisë tonë, këndojini lavde! Këndojini lavde mbretit tonë, këndojini lavde!
7 Sepse Perëndia është mbreti i gjithë dheut, këndojini lavde me zotësi.
8 Perëndia mbretëron mbi kombet; Perëndia ulet mbi fronin e tij të shenjtë.
9 Princat e popujve, populli i Perëndisë të Abrahamit, janë mbledhur bashkë; sepse Perëndisë i përkasin mburojat e tokës; atë e lëvdojnë me të madhe.
48 I madh është Zoti dhe meriton të lëvdohet në kulm në qytetin e Perëndisë tonë, në malin e tij të shenjtë.
2 I bukur për nga lartësia e tij, gëzimi i gjithë dheut është mali i Sionit, nga ana e veriut, qyteti i Mbretit të madh.
3 Në pallatet e tij Perëndia u bë i njohur si një kala e papushtueshme.
4 Ja, mbretërit ishin mbledhur dhe shikonin përpara bashkarisht,
5 por sa e panë, mbetën të shushatur dhe ikën të tmerruar.
6 Atje i zunë drithmat dhe si të prerat e lindjes,
7 në të njëjtën mënyrë si era e lindjes që i bën copë-copë anijet e Tarshishit.
8 Siç e kishim dëgjuar, ashtu pamë në qytetin e Zotit disa ushtri, në qytetin e Perëndisë tonë; Perëndia do ta bëjë të qëndrueshëm përjetë.
9 Në tempullin tënd, o Perëndi, ne kemi rënë në mendime mbi mirësinë tënde.
10 Ashtu si emri yt, o Perëndi, kështu lëvdimi yt arrin deri në skajet e tokës; dora jote e djathtë është tërë drejtësi.
11 Le të gëzohet mali Sion, le të ngazëllojnë vajzat e Judës për gjykimet e tua.
12 I bini rrotull Sionit, vizitojeni, numëroni kullat e tij,
13 këqyrni fortesat e tij, admironi pallatet e tij, me qëllim që të mund t’ia tregoni brezave që do të vijnë.
14 Sepse ky Perëndi është Perëndia ynë në përjetësi, përjetë, gjithnjë; ai do të jetë udhëheqësi ynë deri në vdekje.
28 Dhe si shpëtuan, morën vesh atëherë se ishulli quhej Maltë.
2 Barbarët treguan ndaj nesh një mirësjellje të pazakontë, sepse ndezën një zjarr të madh dhe na morën të gjithëve brenda, sepse binte shi dhe bënte ftohtë.
3 Dhe, ndërsa Pali mblidhte ca shkarpa dhe i vinte mbi zjarr, nga të nxehtit doli një nepërkë dhe iu ngjit te dora.
4 Barbarët, kur panë gjarprin që i varej nga dora, i thanë njëri-tjetrit: “Me siguri ky njeri është një vrasës, sepse, edhe pse shpëtoi nga deti, drejtësia hyjnore nuk e lë të rrojë.”
5 Por Pali, si e shkundi gjarprin në zjarr, nuk pësoi ndonjë të keqe.
6 Dhe ata po prisnin që ai të fryhej ose të binte i vdekur në çast; por, mbasi pritën gjatë dhe panë se nuk po i ndodhte asgjë e pazakontë, ndryshuan mendim dhe thanë se ishte një perëndi.
7 Edhe rreth atij vendi i kishte arat i pari i ishullit me emër Publius; ai na priti dhe na mbajti në shtëpi tri ditë miqësisht.
8 Dhe ndodhi që i ati i Publit dergjej në shtrat, i sëmurë me ethe dhe me dizenteri; Pali i shkoi dhe, mbasi ishte lutur, vuri duart mbi të dhe e shëroi.
9 Mbas kësaj edhe banorë të tjerë të ishullit që kishin sëmundje vinin tek ai dhe u shëruan;
10 dhe këta na nderuan me shumë ndere dhe, kur u nisëm për të lundruar, na furnizuan gjërat e nevojshme.
11 Pas tre muajsh u nisëm me një anije të Aleksandrisë, që kishte dimëruar në ishull dhe që kishte si shenjë Dioskurët.
12 Dhe, si arritëm në Sirakuzë, qëndruam atje tri ditë.
13 Dhe, prej andej, duke lundruar afër bregut, arritëm në Rexho. Të nesërmen fryu juga dhe për dy ditë arritëm në Pocuoli.
14 Kur gjetëm atje vëllezër, na lutën të rrimë tek ata shtatë ditë. Dhe kështu mbërritëm në Romë.
15 Dhe vëllezërit e atjeshëm, kur dëgjuan për ne, na dolën para deri te Fori Apian dhe te Tri Tavernat; dhe Pali, kur i pa, e falënderoi Perëndinë dhe mori zemër.
16 Kur arritëm në Romë, centurioni ia dorëzoi robërit komandantit të kampit; por Palit iu dha leja të rrijë më vete me një ushtar si roje.
17 Pas tri ditësh, Pali thirri krerët e Judenjve. Kur ata u mblodhën, u tha atyre: “Vëllezër, ndonëse nuk bëra asgjë kundër popullit dhe kundër zakoneve të etërve, jam arrestuar në Jeruzalem dhe më kanë dorëzuar në duart e Romakëve.
18 Ata, si më pyetën, donin të më lëshonin, sepse tek unë nuk kishte asnjë faj që të meritonte vdekjen.
19 Por, duke qenë se Judenjtë kundërshtonin, u detyrova t’i apelohem Cezarit, jo se kam ndonjë akuzë kundër kombit tim.
20 Për këtë arsye, pra, ju kam thirrur, ë t’ju shoh dhe t’ju flas, sepse për shpresën e Izraelit jam lidhur me këta hekura.”
21 Edhe ata i thanë: “Ne nuk kemi marrë asnjë letër për ty nga Judeja, as nuk erdhi ndonjë nga vëllezërit të na tregojë ose të thotë ndonjë të keqe për ty.
22 Por ne dëshirojmë të dëgjojmë prej teje ç’mendon, sepse për këtë sekt ne dimë se kudo flitet kundra.”
23 Dhe, mbasi i caktuan një ditë, erdhën shumë veta tek ai në banesën e tij; dhe ai shtjellonte dhe u dëshmonte atyre për mbretërinë e Perëndisë dhe, me anë të ligjit të Moisiut dhe të profetëve kërkonte t’i bindte për gjërat që i përkasin Jezusit, që nga mëngjesi e deri në mbrëmje.
24 Disa bindeshin nga ato që u thoshte, por të tjerë nuk besonin.
25 Dhe, duke qenë në mospajtim njëri me tjetrin, u larguan, pasi Pali u tha pikërisht këto fjalë: “Mirë u foli Fryma e Shenjtë me anë të profetit Isaia etërve tanë,
26 duke thënë: "Shko tek ai popull dhe i thuaj: "Do të dëgjoni, por nuk do të merrni vesh, do të vështroni, por nuk do të shikoni;
27 në fakt zemra e këtij populli u bë e ngurtë, dhe i janë rënduar veshët dhe kanë mbyllur sytë, që të mos shohin me sy dhe të mos dëgjojnë me veshë dhe të mos kuptojnë me zemër dhe të mos kthehen dhe unë të mos i shëroj.
28 Ta dini, pra, se ky shpëtim i Perëndisë iu dërgua johebrenjve, dhe ata do ta dëgjojnë!.”
29 Dhe si i tha këto fjalë, Judenjve ikën duke u ngrënë me shumë fjalë njëri me tjetrin.
30 Dhe Pali ndenji plot dy vjet në shtëpinë që kishte marrë me qira dhe priste të gjithë ata që vinin tek ai,
31 duke predikuar mbretërinë e Perëndisë dhe duke mësuar gjërat e Zotit Jezu Krisht me shumë liri dhe pa ndalim.