Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jobi 38-40

38 Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:

"Kush është ai që e errëson planin tim me fjalë që nuk kanë kuptim?

Mirë, pra, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

Ku ishe kur unë hidhja themelet e tokës? Thuaje, në rast se ke aq zgjuarsi.

Kush ka vendosur përmasat e saj, në rast se e di, ose kush ka vënë mbi të litarin për ta matur?

Ku janë vendosur themelet e saj, ose kush ia vuri gurin qoshes,

kur yjet e mëngjesit këndonin të gjithë së bashku dhe tërë bijtë e Perëndisë lëshonin britma gëzimi?

Kush e mbylli me porta detin kur shpërtheu duke dalë nga gjiri i nënës,

kur i dhashë retë për rroba dhe terrin për pelena?

10 Kur i caktova një kufi dhe i vendosa shufra hekuri dhe porta,

11 dhe thashë: "Ti do të arrish deri këtu, por jo më tutje; këtu do të ndalen valët e tua krenare!"?

12 Që kur se ti jeton a ke dhënë urdhra në mëngjes ose i ke treguar vendin agimit,

13 që ai të kapë skajet e tokës dhe të tronditë njerëzit e këqij?

14 Ndërron trajtë si argjila nën vulë dhe shquhet si një veshje.

15 Njerëzve të këqij u mohohet drita dhe krahu i ngritur u copëtohet.

16 A ke arritur vallë deri në burimet e detit ose a ke vajtur vallë në kërkim të thellësirave të humnerës?

17 Të janë treguar portat e vdekjes, apo ke parë vallë portat e hijes së vdekjes?

18 A e ke vënë re gjerësinë e tokës. Thuaje, në rast se i di të gjitha këto!

19 Ku është rruga që të çon në banesën e dritës? Dhe terri, ku është vendi i tij,

20 që ti të mund t’i çosh në vendin e tij, dhe të mund të njohësh shtigjet që të çojnë në shtëpinë e tij?

21 Ti e di, sepse atëherë kishe lindur, dhe numri i ditëve të tua është i madh.

22 Vallë, a ke hyrë ndonjë herë në depozitat e borës ose a ke parë vallë depozitat e breshërit

23 që unë i mbaj në ruajtje për kohërat e fatkeqësive, për ditën e betejës dhe të luftës?

24 Nëpër çfarë rruge përhapet drita ose përhapet era e lindjes mbi tokë?

25 Kush ka hapur një kanal për ujërat që vërshojnë dhe rrugën për bubullimën e rrufeve,

26 që të bjerë shi mbi tokë të pabanuar, mbi një shkretëtirë, ku nuk ka asnjë njeri,

27 për të shuar etjen e shkretëtirave të mjeruara, për të bërë që të mbijë dhe të rritet bari?

28 Shiu, vallë, a ka një baba? Ose kush i prodhon pikat e vesës?

29 Nga gjiri i kujt del akulli dhe kush e krijon brymën e qiellit?

30 Ujërat ngurtësohen si guri dhe sipërfaqja e humnerës ngrin.

31 A mund t’i bashkosh ti lidhjet e Plejadave, apo të zgjidhësh vargjet e Orionit?

32 A i bën ti të duken yllësitë në kohën e tyre, apo e drejton ti Arushën e Madhe me të vegjlit e saj?

33 A i njeh ti ligjet e qiellit, ose a mund të vendosësh ti sundimin e tyre mbi tokë?

34 A mund ta çosh zërin tënd deri në retë me qëllim që të mbulohesh nga shiu i bollshëm?

35 Mos je ti ai që hedh rrufetë atje ku duhet të shkojnë, duke thënë: "Ja ku jam?".

36 Kush e ka vënë diturinë në mendje, ose kush i ka dhënë gjykim zemrës?

37 Kush numëron retë me anë të diturisë, dhe kush derdh shakujt e qiellit

38 kur pluhuri shkrihet në një masë dhe plisat bashkohen midis tyre?

39 A mund ta gjuash ti gjahun për luaneshën apo të ngopësh të vegjlit e uritur të luanit,

40 kur struken në strofkat e tyre apo rrinë në pritë në strukën e tyre?

41 Kush i siguron korbit ushqimin e tij, kur zogjtë e tij i thërrasin Perëndisë dhe enden pa ushqim?

39 A e di ti kohën kur pjellin dhitë e malit apo ke vërejtur vallë pjelljen e drenushave?

A di ti të numërosh muajt kur merr fund barra e tyre, apo njeh ti kohën kur duhet të pjellin?

Mblidhen dhe pjellin të vegjlit e tyre, duke u dhënë fund kështu dhembjeve të tyre.

Të vegjlit e tyre bëhen të fortë, rriten jashtë, shkëputen dhe nuk kthehen më pranë tyre.

Kush lë të lirë gomarin e egër, kush e ka zgjidhur gomarin e egër,

të cilit i kam caktuar të rrijë në shkretëtirë dhe tokën e kripur si banesë?

Ai përçmon zhurmën e qytetit dhe nuk dëgjon britmat e asnjë zotërie.

Hapësirat e gjera të maleve janë kullota e tij, dhe ai shkon dhe kërkon çdo gjë që është e gjelbër.

Bualli vallë a pranon të të shërbejë ose të kalojë natën pranë grazhdit tënd?

10 A mund ta lidhësh vallë buallin me litar që të lërojë tokën në hulli, ose të lesojë luginat pas teje?

11 A do t’i kesh besim atij, sepse forca e tij është e madhe, ose do t’ia lësh atij punën tënde?

12 A do të mbështetesh tek ai për të çuar në shtëpi grurin dhe për ta mbledhur në lëmë?

13 Krahët e strucit rrahin tërë gaz, por ato nuk janë me siguri krahët dhe pendët e lejlekut.

14 Ai në fakt i braktis vezët e tij për tokë dhe i lë të ngrohen në pluhur.

15 duke harruar që një këmbë mund t’i shtypë ose një kafshë e fushave mund t’i shkelë.

16 I trajton ashpër të vegjlit e tij, sikur të mos ishin të vetët; por lodhja e tij pa asnjë interes është e kotë,

17 sepse Perëndia e ka lënë pa dituri dhe nuk i ka dhënë zgjuarsi.

18 Por kur ngrihet më këmbë për të ikur, tallet me kalin dhe me kalorësin e tij.

19 A je ti ai që i ke dhënë forcën kalit dhe ia ke veshur qafën me jele që valëviten?

20 A je ti ai që e bën të kërcejë si një karkalec? Hingëllima e tij krenare të kall tmerr.

21 Çukërmon në luginë duke u kënaqur nga forca e tij; sulet në mes të kacafytjes me armë.

22 Përbuz frikën dhe nuk trembet, as zmbrapset përpara shpatës.

23 Mbi të kërcet këllëfi i shigjetave, shtiza që vetëtin dhe ushta.

24 Me zjarr dhe vrull i zhduk distancat dhe nuk qëndron në vend kur bie buria.

25 Që në dëgjimin e parë të burisë, ai thotë: "Aha"!, dhe e nuhat nga larg betejën, zërin kumbues të kapitenëve dhe britmën e luftës.

26 Mos vallë për shkak të zgjuarsisë sate ngrihet e fluturon krahathati dhe i hap krahët e tij drejt jugut?

27 Éshtë vallë nën komandën tënde që shqiponja ngrihet lart dhe e bën folenë e saj në vende të larta?

28 Banon mbi shkëmbinj dhe qëndron mbi krepa të rrëpirta.

29 Nga lart ajo përgjon gjahun dhe sytë e saj vrojtojnë larg.

30 Të vegjlit e saj thithin gjak dhe, ku ka të vrarë, atje ndodhet ajo".

40 Zoti vazhdoi t’i përgjigjet Jobit dhe tha:

"Ai që kundërshton të Plotfuqishmin, a dëshiron vallë ta korrigjojë? Ai që qorton Perëndinë, t’i përgjigjet kësaj pyetjeje".

Atëherë Jobi iu përgjigj Zotit dhe i tha:

"Ja, jam shpirtvogël, çfarë mund të të përgjigjem? E vë dorën mbi gojën time.

Kam folur një herë, por nuk do të flas më; po, dy herë, por nuk do të shtoj asgjë".

Atëherë Zoti iu përgjigj Jobit në mes të furtunës dhe i tha:

"Çohu, ngjishe brezin si një trim; unë do të të pyes dhe ti do të më përgjigjesh.

A dëshiron pikërisht të anulosh gjykimin tim, të më dënosh mua për të justifikuar vetveten?

A ke ti një krah si ai i Perëndisë dhe a mund të të gjëmojë zëri sa zëri i tij?

10 Stolisu, pra, me madhështi dhe madhëri, vishu me lavdi dhe me shkëlqim.

11 Jepu rrugë tërbimeve të zemërimit tënd; shiko tërë mendjemëdhenjtë dhe uli,

12 shiko tërë kryelartët dhe poshtëroji, dhe shtypi njerëzit e këqij kudo që të ndodhen.

13 Varrosi të tërë në pluhur, mbylli në vende të fshehta.

14 Atëherë edhe unë do të lëvdoj, sepse dora jote e djathtë të ka siguruar fitore.

15 Shiko behemothin që e kam bërë njëlloj si ti; ai ha barin si kau.

16 Ja, forca e tij qëndron në ijet dhe fuqia e tij në muskujt e barkut të tij.

17 E lëkund bishtin e tij si një kedër; nervat e kofshëve të tij janë të thurura mirë.

18 Kockat e tij janë si tuba prej bronzi; kockat e tij janë si shufra hekuri.

19 Ai është e para nga veprat e Perëndisë; vetëm ai që e bëri mund t’i afrohet atij me shpatën e tij.

20 Ndonëse malet prodhojnë ushqim për të, dhe aty tërë kafshët e fushave dëfrehen,

21 ai shtrihet nën bimët e lotusit, në vende të fshehura në kallamishte dhe në moçale.

22 Bimët e lotusit e mbulojnë me hijen e tyre, shelgjet e përroit e rrethojnë.

23 Lumi mund të dalë nga shtrati i tij, por ai nuk ka frikë; është i sigurt nga vetja e tij, edhe sikur Jordani të sulej kundër gojës së tij.

24 Kush, pra, mund ta zërë nga sytë apo t’i shpojë flegrat e hundës me gremça?

Veprat e Apostujve 16:1-21

16 Dhe ai arriti në Derbë dhe në Listra; këtu ishte një dishepull me emër Timote, biri i një gruaje judease besimtare, por me baba grek,

për të cilin jepnin dëshmi të mirë vëllezërit e Listrës dhe të Ikonit.

Pali deshi që të dilte me të; kështu e mori, e rrethpreu për shkak të Judenjve që ishin në ato vende, sepse të gjithë e dinin se babai i tij ishte grek.

Dhe, duke kaluar nëpër qytete, i urdhëronin ata të zbatojnë vendimet që ishin marrë nga apostujt dhe nga pleqtë në Jeruzalem.

Kishat, pra, po forcoheshin në besim dhe rriteshin në numër përditë.

Kur ata po kalonin nëpër Frigji dhe në krahinën e Galatisë, u penguan nga Fryma e Shenjtë që të shpallin fjalën në Azi.

Si arritën në kufijtë e Misisë, ata kërkuan të shkojnë në Bitini, por Fryma nuk i lejoi.

Kështu, pasi e përshkuan Misinë, zbritën në Troas.

Gjatë natës Palit iu shfaq një vegim. I rrinte para një burrë Maqedonas, që i lutej dhe i thoshte: “Kalo në Maqedoni dhe na ndihmo.”

10 Mbasi e pa vegimin, kërkuam menjëherë të shkojmë në Maqedoni, të bindur se Zoti na kishte thirrur që t’ua shpallim atyre ungjillin.

11 Prandaj, duke lundruar nga Troasi, u drejtuam për në Samotrakë, dhe të nesërmen në Neapolis,

12 dhe prej andej në Filipi, që është qyteti i parë i asaj ane të Maqedonisë dhe koloni romake; dhe qëndruam disa ditë në atë qytet.

13 Ditën e së shtunës dolëm jashtë qytetit anës lumit, ku ishte vendi i zakonshëm për lutje; dhe, si u ulëm, u flisnim grave që ishin mbledhur atje.

14 Dhe një grua, me emër Lidia, që ishte tregtare të purpurtash, nga qyteti i Tiatirës dhe që e adhuronte Perëndinë, po dëgjonte. Dhe Zoti ia hapi zemrën për të dëgjuar gjërat që thoshte Pali.

15 Pasi ajo u pagëzua me familjen e saj, na u lut duke thënë: “Në qoftë se më keni gjykuar se jam besnike ndaj Zotit, hyni në shtëpinë time dhe rrini.” Dhe na detyroi të pranojmë.

16 Dhe, kur po shkonim për lutje, na doli para një skllave e re që kishte një frymë falli, e cila, duke u treguar fatin njerëzve, u sillte shumë fitime zotërinjve të saj.

17 Ajo u vu të ndjekë Palin dhe ne, dhe bërtiste duke thënë: “Këta njerëz janë shërbëtorë të Perëndisë Shumë të Lartë dhe ju shpallën udhën e shpëtimit.”

18 Dhe ajo e bëri këtë shumë ditë me radhë, por Pali, i mërzitur, u kthye dhe i tha frymës: “Unë të urdhëroj në emër të Jezu Krishtit të dalësh prej saj.” Dhe fryma doli që në atë çast.

19 Por zotërinjtë e saj, kur panë se u humbi shpresa e fitimit të tyre, i kapën Palin dhe Silën dhe i tërhoqën te sheshi i tregut përpara arkondëve;

20 dhe si ua paraqitën pretorët, thanë: “Këta njerëz, që janë Judenj, e turbullojnë qytetin tonë,

21 dhe predikojnë zakone që për ne, që jemi Romakë, nuk është e ligjshme t’i pranojmë dhe t’i zbatojmë.”