Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Ezekieli 5-7

"Ti, bir njeriu, merr një brisk të mprehur dhe përdore si një brisk berberi, duke bërë të kalojë mbi kokën tënde dhe mbi mjekrën tënde; pastaj do të marrësh një peshore dhe do ti ndash qimet në tri pjesë.

Do të djegësh një të tretën e tyre në zjarr në mes të qytetit në mbarim të ditëve të rrethimit. Pastaj do të marrësh një të tretë të tyre dhe do ta godasësh rreth e qark me shpatë; edhe një të tretë të tyre do ta shpërndash sipas erës; prapa tyre unë do të zhvesh shpatën.

Do të marrësh gjithashtu një numër të vogël qimesh dhe do t’i lidhësh në cepat e rrobave të tua.

Nga këto do të marrësh akoma disa dhe do t’i hedhësh në mes të zjarrit, dhe do t’i djegësh në zjarr; andej do të dalë një zjarr kundër tërë shtëpisë së Izraelit.

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ky është Jeruzalemi. Unë e kisha vendosur në mes të kombeve dhe të vendeve të tjera që kishte përreth.

Ai u rebelua kundër ligjeve të mia për të kryer paudhësi më tepër se kombet që e rrethojnë dhe kundër statuteve të mia më tepër se vendet që e rrethojnë. Po, ata i kanë përçmuar ligjet e mia dhe nuk kanë ecur sipas statuteve të mia".

Prandaj kështu thotë Zoti, Zoti: "Duke qenë se ju keni qenë më të pabindur se kombet që ju rrethojnë, nuk keni ecur sipas statuteve të mia dhe nuk keni zbatuar ligjet e mia dhe as nuk keni vepruar sipas ligjeve të kombeve që ju rrethojnë".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Ja, unë, unë vetë, jam kundër teje, dhe do t’i zbatoj në mes teje vendimet e mia para kombeve;

dhe do të bëj në mes teje atë që nuk kam bërë kurrë dhe që nuk do ta bëj kurrë më, për shkak të të gjitha neverive të tua.

10 Prandaj në mes teje etërit do të hanë bijtë e tyre dhe bijtë do të hanë etërit e tyre; do të zbatoj gjykimet e mia mbi ty dhe do të shpërndaj në të gjitha erërat gjithçka që do të mbetet prej teje.

11 Prandaj ashtu siç është e vërtetë që unë rroj," thotë Zoti, Zoti, "sepse ti ke ndotur shenjtëroren time me të gjitha ndyrësirat e tua dhe neveritë e tua, do të të heq favorin tim, syri im nuk do të ketë asnjë mëshirë dhe nuk do të kem asnjë dhembshuri.

12 Një e treta prej teje do të vdesë nga murtaja dhe do të konsumohet nga uria që mbretëron në mes tënd; një e tretë do të bjerë nga shpata rreth teje dhe unë do ta shpërndaj në të gjitha erërat pjesën e tretë, dhe do të zhvesh shpatën kundër tyre.

13 Kështu unë do të shfryj zemërimin tim dhe do të kënaq mbi ta tërbimin tim dhe do të jem i qetë. Atëherë ata do të mësojnë që unë, Zoti fola në xhelozinë time, kur do të shfryj mbi ta tërbimin tim.

14 Përveç kësaj do të bëj që ti të bëhesh nje shkreti dhe një turp midis kombeve që të rrethojnë, para syve të të gjithë kalimtarëve.

15 Dhe kjo do të jetë një turp, një objekt talljeje, një mësim dhe një objekt habije për kombet që të rrethojnë, kur do të zbatojë mbi ty gjykimet e mia me zemërim, me tërbim dhe me ndëshkime me indinjatë. Unë Zoti, kam folur.

16 Kur do të hedh kundër tyre shigjetat e tmerrshme të urisë, që sjellin shkatërrim dhe që unë do të dërgoj për t’ju shkatërruar, do ta bëj edhe më të rëndë urinë tuaj dhe do t’ju heq bazën e bukës.

17 Kështu do të dërgoj kundër jush urinë dhe kafshë të këqija që do të të lënë pa fëmijë. Murtaja dhe masakra do të kalojnë në mes teje dhe do të bëj që shpata të vijë mbi ty. Unë, Zoti, kam folur"".

Fjala e Zotit m’u drejtua, duke thënë:

"Bir njeriu, kthe fytyrën tënde nga malet e Izraelit dhe profetizo kundër tyre,

dhe thuaj: "O male të Izraelit dëgjoni fjalën e Zotit, Zotit. Kështu thotë Zoti, Zoti, maleve dhe kodrave, përroskave dhe luginave: Ja, unë do të sjell mbi ju shpatën dhe do të shkatërroj vendet tuaja të larta.

Altarët tuaj do të shkretohen dhe altarët për temjan do të thyhen, dhe do të bëj që të vdekurit tuaj të bien përpara idhujve tuaj.

Do t’i shtrij kufomat e bijve të Izraelit përpara idhujve të tyre dhe do t’i shpërndaj kockat tuaja rreth altarëve tuaj.

Në tërë vendet tuaja të banuara qytetet do të shkatërrohen, po kështu edhe vendet e larta, me qëllim që altarët tuaj të shkatërrohen dhe të shkretohen, idhujt tuaj të prishen dhe të zhduken, altarët tuaj të shkatërrohen dhe veprat tuaja të fshihen.

Të vdekurit do të bien në mes jush dhe ju do të pranoni që unë jam Zoti.

Megjithatë do t’ju lë një mbeturinë, sepse disa që do t’i shpëtojnë shpatës do t’i keni midis kombeve, kur do të shpërndaheni në vënde të ndryshme.

Të shpëtuarit tuaj do të më kujtojnë midis kombeve ku do të çohen në robëri, sepse jam kapitur për zemrën e tyre të prishur që është larguar nga unë dhe për sytë e tyre që kurvërohen pas idhujve të tyre. Ata do të ndiejnë neveri për veten e tyre për ligësitë që kanë kryer në të gjitha veprimet e tyre të neveritshme.

10 Atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti dhe që jo më kot kam folur se do t’ju bëj këtë të keqe"".

11 Kështu thotë Zoti, Zoti: "Përplas duart, rrih këmbët dhe thuaj: "Vaj medet, për të gjitha veprimet e këqija të neveritshme të shtëpisë së Izraelit, sepse do të bien nga shpata, nga uria dhe nga murtaja.

12 Kush është larg do të vdesë nga murtaja, kush është afër do të rrëzohet nga shpata dhe kush ka mbetur dhe është i rrethuar do të vdesë nga uria; kështu do të shfryj tërbimin tim mbi ta.

13 Atëherë do të pranoni që unë jam Zoti, kur të vrarët e tyre do të bien në mes të idhujve të tyre, rreth altarëve të tyre, mbi çdo kodër të lartë, mbi çdo majë mali, poshtë çdo druri që gjelbëron, poshtë çdo lisi degëshumë, kudo që u ofronin parfume erëmira tërë idhujve të tyre.

14 Kështu do të shtrij mbi ta dorën time dhe do ta bëj vendin të shkretë, po, më të shkretë se shkretëtira e Diblahut, në të gjitha vendet e tyre të banuara; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti"".

Fjala e Zotit m’u drejtua përsëri, duke thënë:

"Dhe ti, bir njeriu, kështu i thotë Zoti, Zoti, vendit të Izraelit: Fundi! Erdhi fundi në të katër skajet e vendit.

Tani të kërcënon fundi dhe unë do të dërgoj kundër teje zemërimin tim, do të të gjykoj sipas rrugëve të tua dhe do të hedh mbi ty tërë veprimet e tua të neveritshme.

Syri im nuk do të të kursejë dhe nuk do të kem mëshirë për ty, por do të hedh mbi ty rrugët e tua dhe veprimet e tua të neveritshme do të jenë në mes teje; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti".

Kështu thotë Zoti, Zoti: "Një gjëmë, një gjëmë e paparë, ja ku erdhi.

Fundi erdhi, fundi erdhi. U zgjua për ty; ja, erdhi.

Erdhi mbi ty shkatërrimi, o banor i vendit. Koha erdhi; është e afërt dita e halleve dhe jo ajo e britmave të gëzimit ndër male.

Tani, pas pak, do të derdh mbi ty tërbimin tim dhe do ta shfryj mbi ty zemërimin tim, do të të gjykoj sipas rrugëve të tua dhe do të të ngarkoj të gjitha veprimet e tua të neveritshme.

Syri im nuk do të të kursejë dhe nuk do të kem mëshirë, por do të bëj që të të bien mbi ty rrugët e tua dhe veprimet e tua të neveritshme do të jenë në mes teje; atëherë do të pranoni që unë jam Zoti që godet.

10 Ja dita, ja ku arriti. Erdhi shkatërrimi. Thupra lulëzoi, kryelartësia buloi.

11 Dhuna është shtuar si një thupër pabesie. Nuk do të mbetet asnjë prej tyre, asnjë nga moria e tyre, asnjë prej tyre; nuk do të ketë asnjë vajtim për ta.

12 Koha erdhi, dita po afrohet. Kush blen të mos gëzohet, kush shet të mos hidhërohet, sepse një zëmërim i zjarrtë kërcënon gjithë morinë e tyre.

13 Sepse ai që shet nuk do të zotërojë atë që ka shitur, edhe sikur të mbetet i gjallë, sepse vegimi përfshin tërë morinë e tyre dhe nuk do të hiqet, dhe askush nuk do të mund të ruajë jetën e vet, duke jetuar në paudhësi.

14 I kanë rënë borisë, dhe të gjithë janë gati, por asnjë nuk shkon në betejë, sepse afshi i zemërimit tim është kundër tërë morisë së tyre.

15 Nga jashtë shpata, nga brenda murtaja dhe uria. Kush është ndër ara do të vdesë nga shpata, kush është në qytet do të gllabërohet nga murtaja dhe nga uria.

16 Por ikanakët që do të arrijnë të shpëtojnë do të rrinë ndër male si pëllumbat e luginës, të gjithë duke rënkuar për shkak të paudhësisë së vet.

17 Të gjitha duart do të bëhen të dobëta dhe tërë gjunjët do të bëhen të dobët si uji.

18 Do të vishen me thasë dhe frika do t’i mbulojë, turpi do të jetë mbi të gjitha fytyrat dhe shogësia mbi tërë kokat e tyre.

19 Do të hedhin argjendin e tyre nëpër rrugë dhe ari i tyre do të bëhet një ndyrësi. Argjendi i tyre dhe ari i tyre nuk do të mund t’i shpëtojnë ditën e zemërimit të Zotit; nuk do të mund të ngopin shpirtin e tyre as të mbushin barkun e tyre, sepse paudhësia e tyre është bërë shkak pengese.

20 Kanë nxjerrë nga bukuria e stolive të tyre shkas kryelartësie; kanë përftuar figura nga neveritë e tyre dhe nga idhujt e tyre të urrejtshëm. Prandaj do t’i bëj ata një ndyrësi,

21 dhe do t’i lë pra në duart e të huajve dhe plaçkë për të pabesët e dheut që do t’i përdhosin.

22 Do të largoj prej tyre fytyrën time dhe ata do të përdhosin vendin tim sekret; do të hyjnë njerëz që përdorin dhunën dhe do ta përdhosin.

23 Përgatit një zinxhir, sepse vendi është plot me krime gjaku dhe qyteti është plot dhunë.

24 Do të sjell kombe të këqija që do të shtien në dorë shtëpitë e tyre; do ta ul kryelartësinë e të fuqishmëve dhe vendet e tyre të shenjta do të përdhosen.

25 Shkatërrimi po vjen. Ata do të kërkojnë paqe, por nuk do të ketë.

26 Do të ketë fatkeqësi të njëpasnjëshme, lajme të këqija pas lajmesh të këqija. Atëherë do t’i kërkojnë një vegim një profeti, por ligji do t’i mungojë priftit dhe këshillit të pleqve.

27 Mbreti do të jetë në zi, princi do të vishet me rroba dëshpërimi dhe duart e popullit të vendit do t’i pushtojë frika. Unë do t’i trajtoj sipas sjelljes së tyre dhe do t’i gjykoj sipas gjykimeve të tyre; atëherë do të pranojnë që unë jam Zoti".

Hebrenjve 12

12 Prandaj edhe ne, duke qenë të rrethuar nga një re kaq e madhe dëshmimtarësh, duke hedhur tej çdo barrë dhe mëkatin që na qarkon vazhdimisht duke na joshur, le të rendim me durim në udhën që është përpara nesh,

duke i drejtuar sytë te Jezusi, kreu dhe plotësonjësi i besimit, i cili, për gëzimin që ishte përpara tij, duroi kryqin duke e përçmuar fyerjen dhe u ul në të djathtën e fronit të Perëndisë.

Kujtoni, pra, atë që duroi një kundërshtim të tillë nga ana e mëkatarëve kundër tij, që të mos lodheni dhe të ligështoheni në shpirtin tuaj.

Ju akoma nuk keni qëndruar deri në gjak, duke luftuar kundër mëkatit,

dhe keni harruar këshillën që ju drejtohet juve porsi bijve: “Biri im, mos e përçmo qortimin e Perëndisë dhe mos e humb zemrën kur ai të qorton,

sepse Perëndia ndreq atë që do dhe fshikullon çdo bir që i pëlqen.”

Në qoftë se ju do ta duroni qortimin, Perëndia do t’ju trajtojë si bij; sepse cilin bir nuk e korigjon i ati?

Por, po të mbeteni të pandrequr, ku të gjithë u bënë pjestarë, atëherë jeni kopila dhe jo bij.

Pastaj etërit tanë sipas mishit i patëm për të na ndrequr dhe i nderonim ata; a nuk do t’i nënshtrohemi edhe më tepër Atit të shpirtrave, për të jetuar?

10 Sepse ata na ndreqën për pak ditë, ashtu siç u dukej më mirë, kurse ai na ndreq për të mirën tonë që të bëhemi pjestarë të shenjtërisë së tij.

11 Çdo ndreqje, pra, aty për aty, nuk duket se sjell gëzim, po hidhërim; por më pas u jep një fryt drejtësie atyre që janë ushtruar me anë të tij.

12 Prandaj forconi duart e kapitura dhe gjunjët e këputur,

13 dhe bëni shtigje të drejta për këmbët tuaja, që ajo e cila çalon të mos ndrydhet, por më tepër të shërohet.

14 Kërkoni paqe me të gjithë dhe shenjtërim, pa të cilin askush nuk ka për të parë Perëndinë,

15 duke u kujdesur fort që askush të mos mbetet pa hirin e Perëndisë dhe se mos mbijë ndonjë rrënjë e hidhur dhe t’ju turbullojë dhe me anë të saj të ndoten shumë njerëz;

16 se mos ndodhet ndonjë kurvar ose profan, si Esau, i cili për një gjellë shiti të drejtën e tij të parëbirnisë.

17 Sepse e dini se, më pas, kur ai deshi të trashëgojë bekimin, iu refuzua, ndonëse e kërkoi me lot, sepse nuk gjeti vend pendimi.

18 Sepse ju nuk iu afruat malit që mund të kapet me dorë dhe që digjet me zjarr, as errësirës, as territ, as stuhisë,

19 as zërit të borisë, as zërit të fjalëve, të cilin ata që e dëgjuan u lutën që atyre të mos u drejtohej më asnjë fjalë,

20 sepse nuk mund të duronin urdhërin: “Në se edhe një shtazë e prek malin, të vritet me gurë ose me shigjeta”;

21 dhe aq e llahtarshme ishte pamja, sa Moisiu tha: “Unë jam i frikësuar dhe po dridhem i tëri.”

22 Por ju iu afruat malit Sion dhe qytetit të Perëndisë së gjallë, që është Jeruzalemi qiellor, edhe morisë së engjëjve,

23 kuvendit universal dhe kishës të të parëlindurve që janë shkruar në qiej, Perëndisë, gjykatësit të të gjithëve, shpirtërave të të drejtëve që u bënë të përsosur,

24 dhe Jezusit, Ndërmjetësit të Besëlidhjes së re, dhe gjakut të spërkatjes, që flet më mirë se ai i Abelit.

25 Shikoni se mos refuzoni atë që flet, sepse në qoftë se nuk shpëtuan ata që refuzuan të dëgjojnë atë që fliste si orakull mbi dhe, aq më pak do të shpëtojmë ne, po të mos refuzojmë të dëgjojmë atë që flet prej qiellit,

26 zëri i të cilit e drodhi atëherë dheun, por tashti bëri këtë premtim, duke thënë: “Unë edhe një herë do të tund jo vetëm dheun, por edhe qiellin.”

27 Dhe kjo fjalë "edhe një herë" tregon ndryshueshmërinë e gjërave, që tunden, si të bëra me dorë, që të mbeten ato që nuk tunden.

28 Prandaj, duke marrë mbretërinë të patundur, le ta ruajmë këtë hir me anë të të cilit i shërbejmë Perëndisë në një mënyrë të pëlqyeshme, me nderim e me frikë,

29 sepse Perëndia ynë është një zjarr që konsumon.