Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Old/New Testament

Each day includes a passage from both the Old Testament and New Testament.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Jeremia 40-42

40 Fjala që iu drejtua nga Zoti Jeremias mbasi Nebuzaradani, komandanti i rojeve, e kishte lënë të lirë nga Ramahu, duke e kapur ndërsa ishte i lidhur me zinxhirë në mes të të gjithë të internuarve të Jeruzalemit dhe të Judës, që po i çonin në robëri në Babiloni.

Komandanti i rojeve zuri Jeremian dhe i tha: "Zoti, Perëndia yt, e ka shqiptuar këtë të keqe kundër këtij vendi.

Tani Zoti e realizoi atë dhe bëri ashtu si kishte thënë, sepse ju keni mëkatuar kundër Zotit dhe nuk keni dëgjuar zërin e tij. Prandaj ju ndodhi një gjë e tillë.

Ja sot po të zgjidh nga prangat që ke në duar; në rast se të pëlqen të vish me mua në Babiloni, eja, dhe unë do të kujdesem për ty; por në rast se nuk të pëlqen të vish me mua në Babiloni, qëndro. Ja, tërë vëndi është para teje; shko atje ku të pëlqen më tepër dhe ku ke më tepër rehati".

Duke qënë se Jeremia nuk vendoste të kthehej, Nebuzaradani tha: "Kthehu te Gedaliahu, bir i Ahikamit, bir i Shafanit, që mbreti i Babilonisë ka vendosur mbi qytetet e Judës; bano me të në mes të popullit ose shko atje ku e ndjen veten më rehat". Pastaj komandanti i rojeve i dha ushqime si dhe një dhuratë dhe e la të ikte.

Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah, dhe banoi aty në mes të popullit që kishte mbetur në vend.

Kur tërë krerët e forcave që ishin në krahinë mësuan nga njerëzit e tyre që mbreti i Babilonisë e kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit, si qeveritar të vendit dhe i kishte besuar atij burrat, gratë, fëmijët dhe më të varfërit e vendit që nuk ishin çuar në robëri në Babiloni,

shkuan te Gedaliahu në Mitspah: Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani dhe Jonathani, bijtë e Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit, bijtë e Efait nga Netofa dhe Jezaniahu, bir i Maakathitit së bashku me njerëzit e tyre.

Gedaliahu, bir i Ahikamit, bir i Shafanit, iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë t’u shërbeni Kaldeasve, qëndroni në vend dhe i shërbeni mbretit të Babilonisë, dhe çdo gjë do t’ju shkojë mbarë.

10 Sa për mua, ja, unë do të qëndroj në Mitspah për të qënë në dispozicion të Kaldeasve, që do të vijnë te ne; por ju grumbulloni verën, frutat verore dhe vajin, vendosini në enët tuaja dhe qëndroni në qytetet tuaja që keni zënë".

11 Edhe tërë Judejtë që ishin në Moab, midis Amonitëve, në Edom dhe në të gjitha vendet, kur mësuan që mbreti i Babilonisë kishte lënë një pjesë të popullsisë në Judë dhe që kishte vendosur mbi ta Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit,

12 po, tërë Judejtë u kthyen nga të gjitha vendet ku ishin shpërndarë dhe erdhën në vendin e Judës te Gedaliahu në Mitspah dhe mblodhën verë dhe fruta verore me bollëk të madh.

13 Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin në krahinë erdhën te Gedaliahu në Mitspah,

14 dhe i thanë: "A e di ti që Baalis, mbreti i Amonitëve, ka dërguar Ishmaelin, birin e Nethaniahut, që të të vrasë?". Por Gedaliahu, bir i Ahikamit, nuk u besoi atyre.

15 Atëherë Johanani, bir i Kareahut, i tha në mënyrë të fshehtë Gedaliahut në Mitspah: "Oh, më lër të shkoj ta vras Ishmaelin, birin e Nethanjahut; askush nuk do ta mësojë. Pse duhet të të marr jetën, dhe kështu tërë Judejtë që janë mbledhur rreth teje të shpërndaheshin dhe pjesa që mbetet e Judës të vdesë?".

16 Por Gedaliahu, bir i Ahikamit, i tha Johananit, birit të Kareahut: "Mos bëj një gjë të tillë, sepse ajo që thua për Ishmaelin është e rreme".

41 Në muajin e shtatë ndodhi që Ishmaeli, biri i Nethaniahut, bir i Elishamas, nga fisi mbretëror dhe një ndër funksionarët e mbretit, erdhi me dhjetë njerëz te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah dhe hëngrën bashkë.

Pastaj Ishameli, bir i Nethaniahut, u ngrit me dhjetë burra që ishin me të dhe goditën me shpatë Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit. Kështu ata vranë atë që ishte caktuar nga mbreti i Babilonisë si qeveritar i vendit.

Ishmaeli vrau gjithashtu tërë Judejtë që ishin me Gedaliahun në Mitspah dhe Kaldeasit, luftëtarë që ndodheshin atje.

Të nesërmen e ditës që kishte vrarë Gedaliahun, kur akoma askush nuk e dinte këtë gjë,

ndodhi që erdhën disa nga Sikemi, nga Shilohu dhe nga Samaria, tetëdhjetë burra me mjekër të rruar, me rroba të grisura dhe me prerje në trup; ata mbanin në duart e tyre ofertat dhe temjanin që do të paraqitnin në shtëpinë e Zotit.

Ishmaeli, bir i Nethaniahut u doli përballë në Mitspah duke vajtuar ndërsa po ecte. Kur i takoi u tha: "Ejani te Gedaljahu, bir i Ahikamit".

Por kur arritën në mes të qytetit, Ishmaeli, bir i Nethaniahut, tok me njerëzit që kishte me vete, i vrau dhe i hodhi në mes të një sterne.

Por ndër ta kishte dhjetë burra që i thanë Ishmaelit: "Mos na vrit, sepse në fushat kemi rezerva të fshehura gruri, elbi, vaji dhe mjalti". Atëherë ai u përmbajt dhe nuk i vrau me vëllezërit e tyre.

Çisterna në të cilën Ishmaeli hodhi tërë kufomat e njerëzve që kishte vrarë bashkë me Gedaliahun është ajo që mbreti Asa kishte ndërtuar nga frika e Baashas, mbretit të Izraelit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, e mbushi me të vrarë.

10 Pastaj Ishmaeli i çoi si robër tërë ata që kishin mbetur nga populli që gjendej në Mitspah: vajzat e mbretit dhe tërë popullin që kishte mbetur në Mitspah dhe mbi të cilin Nebuzaradani, komandanti i rojeve, kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit. Ishmaeli, bir i Nethaniahut, i çoi si robër dhe u nis për të shkuar tek Amonitët.

11 Por kur Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të mësuan tërë të keqen që kishte bërë Ishmaeli, bir i Nethaniahut,

12 morën gjithë njerëzit e tyre dhe shkuan të luftojnë kundër Ishmaelit, birit të Nethaniahut, dhe e gjetën pranë hauzit të madh që është në Gabaon.

13 Kur tërë populli që ishte me Ishmaelin pa Johananin, birin e Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin me të u gëzua.

14 Kështu tërë populli që Ishmaeli e kishte sjellë si rob nga Mitspahu u kthye dhe shkoi e u bashkua me Johanianin, birin e Kareahut.

15 Por Ishmaeli, biri i Nethaniahut, mundi t’i shpëtojë Johanianit bashkë me tetë burra dhe shkoi tek Amonitët.

16 Atëherë Johanani, biri i Kareahut, dhe gjithë komandantët e forcave që ishin me të, morën nga Mitspahu tërë pjesën e popullit, që ishte rimarrë nga Ishameli, biri i Nethaniahut, mbas vrasjes nga ana e tij të Gedaliahut, birit të Ahikamit: luftëtarë trima, gra, fëmijë dhe eunukë që ai kishte sjellë nga Gabaoni.

17 Ata u nisën dhe u ndalën në Geruth-Kimhan, që ndodhet në afërsitë e Betlemit, për të vazhduar më pas udhën dhe për të shkuar në Egjipt,

18 për shkak të Kaldeasve, sepse ata kishin frikë prej tyre, me qënë se Ishmaeli, bir i Nethaniahut, kishte vrarë Gedaliahun, birin e Ahikamit, që mbreti i Babilonisë kishte emëruar si qeveritar të vendit.

42 Tërë krerët e forcave, Johanani, bir i Kareahut, Jezaniahu, bir i Hoshajahut, dhe tërë populli, nga më i vogli deri te më i madhi, u afruan

dhe i thanë profetit Jeremia: "Oh, arriftë lutja jonë para teje dhe lutju Zotit, Perëndisë tënd, për ne, për tërë këtë mbeturinë (sepse nga shumë që ishim kemi mbetur pak, si po e vë re me sytë e tu),

me qëllim që Zoti, Perëndia yt, të na tregojë udhën nëpër të cilën duhet të ecim dhe atë që duhet të bëjmë".

Profeti Jeremia u tha atyre: "E mora vesh! Ja, do t’i lutem Zotit, Perëndisë tuaj, sipas fjalëve tuaja dhe do t’ju bëj të ditur tërë ato që Zoti do t’ju thotë; nuk do t’ju fsheh asgjë".

Atëherë ata i thanë Jeremias: "Zoti le të jetë dëshmitar i vërtetë dhe besnik kundër nesh, po qe se ne nuk do të veprojmë sipas çdo fjale që Zoti, Perëndia yt, do të dërgojë të na thotë nëpërmjet teje.

Qoftë përgjigjja e tij e pëlqyer ose e papëlqyer, ne do t’i bindemi zërit të Zotit, Perëndisë tonë, tek i cili po të dërgojmë me qëllim që të na vinë të mira duke iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tonë".

Pas dhjetë ditësh ndodhi që fjala e Zotit iu drejtua Jeremias.

Atëherë ai thirri Johananin, birin e Kareahut, tërë krerët e forcave që ishin bashkë me të dhe tërë popullin, nga më i vogli deri te më i madhi,

dhe u tha atyre: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit, tek i cili më dërguat me qëllim që t’i paraqitja lutjen tuaj:

10 "Në rast se vazhdoni të rrini në këtë vend, unë do t’ju vendos dhe nuk do t’ju shkatërroj, do t’ju mbjell dhe nuk do t’ju çrrënjos, sepse po pendohem për mjerimin që kam sjellë mbi ju.

11 Mos kini frikë nga mbreti i Babilonisë, prej të cilit trembeni; mos kini frikë prej tij," thotë Zoti, "sepse unë jam me ju, për t’ju shpëtuar dhe për t’ju çliruar nga dora e tij.

12 Unë do të jem i mëshirshëm me ju me qëllim që edhe ai të jetë i mëshirshëm me ju dhe t’ju bëjë të ktheheni në vendin tuaj".

13 Por në qoftë se, duke mos iu bindur zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, ju thoni: "Nuk duam të qëndrojmë në këtë vend,"

14 dhe thoni: "Jo, duam të shkojmë në vendin e Egjiptit, ku nuk do të shikojmë luftë as nuk do të dëgjojmë zërin e burisë dhe as nuk do të vuajmë më nga uria për bukë, dhe aty do të banojmë,"

15 e mirë, pra, dëgjoje atëherë fjalën e Zotit, o mbetje e Judës! Kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Në rast se me të vërtetë keni vendosur të shkoni në Egjipt dhe shkoni aty për t’u ngulitur,

16 shpata nga e cila keni frikë do t’ju arrijë aty, në vendin e Egjiptit, dhe uria prej së cilës kishit kaq frikë do t’ju ngjitet në trup atje në Egjipt dhe aty do të vdisni.

17 Do të ndodhë, pra, që tërë ata që kanë vendosur të shkojnë në Egjipt për të banuar atje, do të vdesin nga shpata, nga uria apo nga murtaja. Asnjë prej tyre nuk do të mbetet gjallë dhe nuk do t’i shpëtojë kësaj fatkeqësie që unë do të sjell mbi ta".

18 Sepse kështu thotë Zoti i ushtrive, Perëndia i Izraelit: "Ashtu si zemërimi im dhe tërbimi im janë derdhur mbi banorët e Jeruzalemit, kështu tërbimi im do të derdhet mbi ju, kur të hyni në Egjipt, dhe do të bëheni objekt nëme, habije, mallkimi, turpi dhe nuk do ta shihni më këtë vend".

19 O mbetje e Judës, Zoti ju thotë: "Mos shkoni në Egjipt!". Dijeni mirë që sot ju kam paralajmëruar në mënyrë solemne.

20 Ju keni përdorur mashtrimin kundër vetes suaj, kur më dërguat tek Zoti, Perëndia juaj, duke thënë: "Lutju për ne Zotit, Perëndisë tonë, dhe tërë ato që ka për të thënë Zoti, Perëndia ynë, na i trego me besnikëri, dhe ne do t’i bëjmë".

21 Unë ua bëra të ditur sot; por ju nuk i bindeni zërit të Zotit, Perëndisë tuaj, dhe asgjëje nga ato që ka dërguar t’ju thotë nëpërmjet meje.

22 Por dijeni mirë, pra, që ju do të vdisni nga shpata nga uria dhe nga murtaja në vendin ku dëshironi të shkoni për të banuar".

Hebrenjve 4

Prandaj, përderisa mbetet akoma një premtim për të hyrë në prehjen e tij, le të kemi frikë se mos ndonjë nga ju të mbetet jashtë.

Në fakt neve si edhe atyre u ishte shpallur lajmi i mirë, por fjala e predikimit nuk u dha dobi fare, sepse nuk qe e bashkuar me besimin tek ata që e dëgjuan.

Sepse ne që besuam hyjmë në prehje, siç tha ai: “Kështu u përbetova në mërinë time: nuk do të hyjnë në prehjen time,” ndonëse veprat e tij u mbaruan që kur se u krijua bota.

Sepse diku ai ka thënë kështu për të shtatën ditë: “Dhe Perëndia u preh të shtatën ditë nga të gjitha veprat e tij”;

dhe po aty: “Nuk do të hyjnë në prehjen time.”

Mbasi, pra, mbetet që disa të hyjnë në të, ndërsa ata që u ungjillzuan më përpara nuk hyjnë për shkak të mosbesimit të tyre,

ai cakton përsëri një ditë: "Sot," duke thënë, mbas kaq kohe, me gojën e Davidit: “Sot, në qoftë se e dëgjoni zërin e tij, mos u bëni zemërgur.”

Sepse, në qoftë se Jozueu do t’u kishte dhënë prehje, Perëndia nuk do të kishte folur për një ditë tjetër.

Mbetet, pra, një pushim i së shtunës për popullin e Perëndisë.

10 Sepse kush ka hyrë në prehjen e tij, ka bërë pushim edhe ai nga veprat e veta, ashtu si Perëndia nga të tijat.

11 Le të përpiqemi, pra, të hyjmë në atë prehje, që askush të mos bjerë në atë shëmbull të mosbindjes.

12 Sepse fjala e Perëndisë është e gjallë dhe vepruese, më e mprehtë se çdo shpatë me dy tehe dhe depërton deri në ndarjen e shpirtit dhe të frymës, të nyjeve dhe të palcave, dhe është në gjendje të gjykojë mendimet dhe dëshirat e zemrës.

13 Dhe nuk ka asnjë krijesë që të jetë e fshehur para tij, por të gjitha janë lakuriq dhe të zbuluara para syve të Atij, të cilit ne do t’i japim llogari.

14 Duke pasur, pra, një kryeprift të madh që ka përshkuar qiejt, Jezusin, Birin e Perëndisë, le të mbajmë fort rrëfimin tonë të besimit.

15 Sepse ne nuk kemi kryeprift që nuk mund t’i vijë keq për dobësitë tona, po një që u tundua në të gjitha ashtu si ne, por pa mëkatuar.

16 Le t’i afrohemi, pra, me guxim fronit të hirit, që të marrim mëshirë e të gjejmë hir, për të pasur ndihmë në kohë nevoje.