Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Read the New Testament in 24 Weeks

A reading plan that walks through the entire New Testament in 24 weeks of daily readings.
Duration: 168 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Zbulesa 12-13

12 Pastaj një shenjë e madhe u duk në qiell: një grua e veshur me diellin, dhe me hënën poshtë këmbëve të saj, dhe mbi krye të saj një kurorë me dymbëdhjetë yje.

Ishte shtatzënë e bërtiste nga dhembjet dhe mundimet e lindjes.

Dhe u duk një shenjë tjetër në qiell: dhe ja, një dragua i madh i kuq që kishte shtatë kokë dhe dhjetë brirë, dhe mbi kokat e tij kishte shtatë kurora.

Dhe bishti i tij tërhiqte pas vetes të tretën pjesë te yjeve të qiellit dhe i hodhi mbi tokë. Dhe dragoi qëndroi përpara gruas që ishte gati për të lindur, për të gllabëruar birin e saj kur ta kishte lindur.

Dhe ajo lindi një bir mashkull, i cili duhet të qeverisë gjithë kombet me skeptër të hekurt; dhe biri i saj u rrëmbye pranë Perëndisë dhe fronit të tij.

Dhe gruaja iku në shkretëtirë, ku kishte vend të përgatitur nga Perëndia, që të ushqehet atje një mijë e dyqind e gjashtëdhjetë ditë.

Edhe u bë luftë në qiell: Mikaeli dhe engjëjt e tij luftuan kundër dragoit; edhe dragoi dhe engjëjt e tij luftuan,

por nuk fituan, e nuk u gjet më për ta vend në qiell.

Kështu dragoi i madh, gjarpëri i lashtë, që është quajtur djall, edhe Satan, që mashtron gjithë dheun, u hodh mbi tokë; me të u hodhën edhe engjëjt e tij.

10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: “Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë.

11 Dhe ata e fituan atë me anë të gjakut të Qengjit, dhe me anë të fjalës së dëshmisë së tyre; dhe nuk e deshën jetën e tyre deri në vdekje.

12 Prandaj gëzohuni, o qiej, dhe ju që rrini në ta. Mjerë ju banorë të tokës e të detit, sepse zbriti djalli drejt jush duke pasur zemërim të madh, duke ditur se ka pak kohë.”

13 Dhe, kur dragoi pa se u hodh për tokë, përndoqi gruan që lindi birin mashkull.

14 Dhe iu dhanë gruas dy krahët e shqiponjës së madhe, që të fluturojë në shkretëtirë në vendin e saj, ku të ushqehet një kohë, disa kohë dhe gjysmën e një kohe, larg pranisë së gjarprit.

15 Atëherë gjarpri qiti nga goja e tij ujë si një lumë prapa gruas, që atë ta merrte lumi,

16 dhe toka e ndihmoi gruan, dhe toka hapi gojën e vet dhe përpiu lumin që dragoi kishte nxjerrë nga goja e vet.

17 Dhe dragoi u zemërua kundër gruas dhe shkoi të bëjë luftë me të tjerët, pasardhjes së saj, të atyre që i ruajnë urdhërimet e Perëndisë dhe që kanë dëshminë e Jezu Krishtit.

13 Dhe u ndala mbi rërën e detit. Dhe pashë të ngjitej nga deti një bishë, që kishte dhjetë brirë dhe shtatë krerë, dhe mbi brirë dhjetë kurora dhe mbi krerë emra blasfemie.

Dhe bisha që pashë i ngjante një leopardi; këmbët e saj ishin si të ariut dhe goja e saj si ajo e luanit; dhe dragoi i dha asaj fuqinë e vet, fronin e vet dhe autoritet të madh.

Edhe pashë një nga krerët e saj si të plagosur për vdekje; por plaga e saj vdekjeprurëse u shërua; dhe gjithë dheu u mrekullua pas bishës.

Dhe adhuruan dragoin që i dha autoritet bishës dhe adhuruan bishën duke thënë: “Kush i ngjan bishës? Kush mund të luftojë kundër saj?.”

Dhe iu dha një gojë që flet gjëra të mëdha dhe blasfemi; dhe iu dha pushtet të veprojë për dyzet e dy muaj.

Dhe ajo hapi gojën e vet për të blasfemuar kundër Perëndisë, për të blasfemuar emrin e tij, tabernakullin e tij dhe ata që banojnë në qiell.

Dhe iu dha t’u bëjë luftë kundër të shenjtorëve dhe t’i mundë; dhe iu dha pushtet mbi çdo fis, gjuhë dhe komb.

Dhe do ta adhurojnë të gjithë banorët e dheut, emrat e të cilëve nuk janë shkruar në librin e jetës së Qengjit, që ishte vrarë që nga krijimi i botës.

Kush ka veshë, le të dëgjojë.

10 Kush e çon tjetrin në robëri, në robëri do të bjerë; kush vret me shpatë, duhet edhe ai të vritet me shpatë. Këtu është qëndrueshmëria dhe besimi i shenjtorëve.

11 Pastaj pashë një bishë tjetër, që ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, por fliste si një dragua.

12 Ajo ushtronte gjithë pushtetin e bishës së parë përpara saj dhe bënte që dheu dhe banorët e tij të adhurojnë bishën e parë, së cilës iu shërua plaga vdekjeprurëse.

13 Edhe bënte shenja të mëdha, sa që edhe zjarr bënte të zbresë nga qielli mbi dhe në prani të njerëzve,

14 dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës, duke u thënë banorëve të dheut t’i bëjnë një figurë bishës, që kishte plagën e shpatës dhe u kthye në jetë.

15 Dhe iu dha t’i japë një frymë figurës së bishës, aq sa figura e bishës të flasë, edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin.

16 Veç kësaj bëri që të gjithëve, të vegjël e të mëdhenj, dhe të pasur dhe të varfër, dhe të lirë dhe skllevër, t’u vihet një damkë mbi dorën e tyre të djathtë ose mbi ballin e tyre,

17 dhe që askush të mos mund të blinte ose të shiste, po të mos kishte damkën ose emrin e bishës ose numrin e emrit të saj.

18 Këtu është urtia. Ai që ka mend, le të bëjë llogari numrin e bishës, sepse është numër njeriu; dhe numri i tij është gjashtëqind e gjashtëdhjetë e gjashtë.