Read the New Testament in 24 Weeks
5 Pastaj pashë në dorën e djathtë të atij që rrinte ulur mbi fron, një libër të shkruar përbrenda dhe përjashta, të vulosur me shtatë vula.
2 Dhe pashë një engjëll të fuqishëm, që proklamoi me zë të madh: “Kush është i denjë të hapë librin dhe të zgjidhë vulat e tij?.”
3 Po kurrkush, as në qiell, as mbi dhe, as nën dhe, nuk mund të hapte librin e ta shihte atë.
4 Edhe unë qaja shumë, sepse s’qe gjetur asnjë i denjë të hapë dhe të lexojë librin, dhe as ta shohë.
5 Atëherë një nga pleqtë më tha: “Mos qaj; ja, Luani i fisit të Judës, Rrënja e Davidit, fitoi të hapë librin dhe të zgjidhë të shtatë vulat e tij.”
6 Dhe pashë, në mes të fronit dhe të katër gjenieve të gjalla dhe në mes të pleqve, një Qengj si i therur, i cili kishte shtatë brirë dhe shtatë sy, që janë të shtatë Frymërat e Perëndisë, të dërguar në gjithë dheun.
7 Ai erdhi dhe mori librin nga dora e djathtë e atij që rrinte mbi fron.
8 Dhe, mbasi e mori librin, të katër qeniet e gjalla dhe të njëzet e katër pleqtë ranë përmbys përpara Qengjit, duke pasur secili një qeste dhe disa kupa ari plot me erë të këndshme, të cilat janë lutjet e shenjtorëve.
9 Dhe këndonin një këngë të re duke thënë: “Ti je i denjë ta marrësh librin dhe të hapësh vulat e tij, sepse ti u there, dhe me gjakun tënd na bleve te Perëndia nga çdo fis, gjuhë, popull dhe komb,
10 dhe na bëre mbretër dhe priftër për Perëndinë tonë, dhe do të mbretërojmë mbi dhe.”
11 Pastaj pashë, dhe dëgjova zërin e shumë engjëjve përqark fronit, qenieve të gjalla dhe pleqve; dhe numri i tyre ishte dhjetë mijëra dhjetë mijërash dhe mijëra mijërash,
12 që thoshnin me zë të madh: “I denjë është Qengji që u ther, të marrë fuqinë, dhe pasurinë, dhe diturinë, dhe forcën, dhe nderin, dhe lavdinë, dhe bekimin.”
13 Edhe dëgjova çdo krijesë që është në qiell, mbi dhe, nën dhe dhe ato që janë në det dhe gjitha gjërat sa janë në to, që thoshnin: “Atij që rri ulur mbi fron dhe Qengjit i qofshin bekimi, nderi, lavdia dhe forca në shekuj të shekujve.”
14 Dhe të katër qeniet e gjalla thoshnin: “Amen!.” Dhe të njëzet e katër pleq ranë përmbys dhe adhuruan atë që rron në shekuj të shekujve.
6 Pastaj pashë kur Qengji hapi të parën nga të shtatë vulat, dhe dëgjova një nga të katër qeniet e gjalla që thoshte si me zë bubullime: “Eja e shiko.”
2 Dhe unë pashë, dhe ja, një kalë i bardhë. Dhe ai që e kalëronte kishte një hark; dhe atij iu dha një kurorë, dhe ai doli jashtë si fitimtar dhe për të fituar.
3 Kur ai hapi vulën e dytë, dëgjova qenien e dytë të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.”
4 Atëherë doli jashtë një kalë tjetër i kuq; dhe atij që e kalëronte iu dha të hiqte paqen nga dheu që njerëzit të vrasin njëri-tjetrin, dhe iu dha atij një shpatë e madhe.
5 Dhe kur ai hapi vulën e tretë, dëgjova qenien e tretë e gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.” Dhe pashë dhe ja, një kalë i zi; dhe ai që e kalëronte kishte një peshore në dorën e tij.
6 Dhe dëgjova një zë në mes të katër qenieve të gjalla duke thënë: “Një kenik gruri për një denar, dhe dy kenikë elbi për një denar; dhe mos dëmto vajin, as verën.”
7 Kur ai hapi vulën e katërt, dëgjova zërin e qenies së katërt të gjallë që thoshte: “Eja dhe shiko.”
8 Dhe unë pashë, dhe ja një kalë i zbehtë; dhe ai që e kalëronte emrin e kishte Vdekja, dhe Hadesi vinte pas tij. Dhe iu dha atyre pushtet përmbi një të katërtën e dheut, të vrasin me shpatë dhe me zi buke e me vdekje, dhe nëpërmjet bishave të dheut.
9 Dhe kur hapi vulën e pestë, unë pashë nën altar shpirtrat e atyre që ishin therur për shkak të fjalës së Perëndisë dhe për shkak të dëshmisë që kishin;
10 dhe ata thirrën me zë të madh duke thënë: “Deri kur, o Zot, që je i Shenjtë dhe i Vërtetë, nuk gjykon dhe nuk merr hak për gjakun tonë nga ata që banojnë mbi dhe?.”
11 Dhe secilit prej tyre ju dha një petk i bardhë dhe ju thanë që të preheshin edhe për pak kohë, deri sa të plotësohej numri edhe i bashkësherbëtoreve e tyre dhe i vëllezërve të tyre që duhet të vriteshin posi ata.
12 Dhe pashë, kur ai hapi vulën e gjashtë; dhe ja, u bë një tërmet i madh, dhe dielli u bë i zi si një thes prej leshi, dhe hëna u bë si gjak;
13 dhe yjet e qiellit ranë mbi dheun, ashtu si fiku hedh fiqtë e paarrirë kur e tund një erë e madhe.
14 Pastaj qielli u hoq si një pergamenë që mbështillet, dhe çdo mal dhe ishull luajtën nga vendi i tyre.
15 Dhe mbretërit e dheut, dhe të mëdhenjtë, dhe të pasurit, dhe komandantët, dhe të fuqishmit, dhe çdo skllav e çdo i lirë, u fshehën nëpër shpella dhe nëpër krepat e maleve,
16 dhe u thoshnin maleve dhe shkëmbinjve: “Bini mbi ne dhe na fshihni nga fytyra e atij që rri mbi fron dhe nga zemërimi i Qengjit,
17 sepse erdhi dita e madhe e zemërimit së tij; dhe kush mund të qëndrojë?.”