M’Cheyne Bible Reading Plan
1 Zoti i foli akoma Moisiut në shkretëtirën e Sinait, në çadrën e mbledhjes, ditën e parë të muajit të dytë, gjatë vitit të dytë nga dalja e tyre nga vendi i Egjiptit, dhe i tha:
2 "Bëni regjistrimin e gjithë asamblesë së bijve të Izraelit në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar një për një emrat e çdo mashkulli.
3 Nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që në Izrael mund të shkojnë në luftë; ti dhe Aaroni do t’i regjistroni, grup pas grupi.
4 Dhe me ju do të jetë një burrë për çdo fis, një që të jetë i pari i shtëpisë së atit të tij.
5 Këta janë emrat e burrave që do të jenë me ju. nga Ruben, Elitsur, bir i Shedeurit;
6 nga Simeoni, Shelumieli, bir i Tsurishadait;
7 nga Juda, Nahshoni, bir i Aminadabit;
8 nga Isakari, Nethaneeli, bir i Tsuarit;
9 nga Zabuloni, Eliabi, bir i Helonit;
10 nga bijtë e Jozefit, për Efraimin, Elishama, bir i Amihudit; për Manasën, Gamalieli, bir i Pedahtsurit;
11 nga Beniamini, Abidani, bir i Gideonit;
12 nga Dani, Ahiezeri, bir i Amishadaidit;
13 nga Asheri, Pagieli, bir i Okranit;
14 nga Gadi, Eliasafi, bir i Deuelit;
15 nga Neftali, Ahira, bir i Enanit".
16 Këta janë ata që u zgjodhën nga asambleja, prijësit e fiseve të etërve të tyre, krerët e divizioneve të Izraelit.
17 Moisiu dhe Aaroni morën, pra, këta burra që ishin caktuar me emër,
18 dhe thirrën tërë asamblenë, ditën e parë të muajit të dytë; ata u treguan fisin e tyre, në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar personat me moshë njëzet vjeç e lart, një për një.
19 Ashtu si Zoti pat urdhëruar Moisiun, ai bëri regjistrimin e tyre në shkretëtirën e Sinait.
20 Nga bijtë e Rubenit, i parëlinduri i Izraelit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, tërë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
21 ata që u regjistruan nga fisi i Rubenit ishin dyzet e gjashtë mijë e pesëqind.
22 Nga bijtë e Simeonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, ata që u regjistruan duke numëruar emrat e të gjithë meshkujve, një për një, nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
23 ata që u regjistruan nga fisi i Simeonit ishin pesëdhjetë e nëntë mijë e treqind.
24 Nga bijtë e Gadit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke numëruar emrat e atyre që ishin njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
25 ata që u regjistruan nga fisi i Gadit ishin dyzet e pesë mijë e gjashtëqind e pesëdhjetë.
26 Nga bijtë e Judës, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat e tyre nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
27 ata që u regjistruan nga fisi i Judës ishin shtatëdhjetë e katër mijë e gjashtëqind.
28 Nga bijtë e Isakarit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
29 ata që u regjistruan nga fisi i Isakarit ishin pesëdhjetë e katër mijë e katërqind.
30 Nga bijtë e Zabulonit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre duke i numëruar nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
31 ata që u regjistruan nga fisi i Zabulonit ishin pesëdhjetë e shtatë mijë e katërqind.
32 Ndër bijtë e Jozefit: nga bijtë e Efraimit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë për të shkuar në luftë:
33 ata që u regjistruan nga fisi i Efraimit ishin dyzet mijë e pesëqind.
34 Nga bijtë e Manasit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
35 ata që u regjistruan nga fisi i Manasit ishin tridhjetë e dy mijë e dyqind.
36 Nga bijtë e Beniaminit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
37 ata që u regjistruan nga fisi i Beniaminit ishin tridhjetë e pesë mijë e katërqind.
38 Nga bijtë e Danit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
39 ata që u regjistruan nga fisi i Danit ishin gjashtëdhjetë e dy mijë e shtatëqind.
40 Nga bijtë e Asherit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
41 ata që u regjistruan nga fisi i Asherit ishin dyzet e një mijë e pesëqind.
42 Nga bijtë e Neftalit, trashëgimtarët e tyre në bazë të familjeve të tyre dhe të shtëpive të etërve të tyre, duke i numëruar emrat nga mosha njëzet vjeç e lart, të gjithë ata që ishin të aftë të shkonin në luftë:
43 ata që u regjistruan nga fisi i Neftalit ishin pesëdhjetë e tre mijë e katërqind.
44 Këta ishin të regjistruarit nga Moisiu dhe Aaroni, së bashku me dymbëdhjetë burrat, prijës të Izraelit, secili përfaqësues i shtëpisë së atit të tij.
45 Kështu tërë bijtë e Izraelit që u regjistruan në bazë të shtëpive të etërve të tyre, nga mosha njëzet vjeç e lart, domethënë tërë njerëzit që në Izrael ishin të aftë të shkonin në luftë,
46 të gjithë ata që u regjistruan ishin gjashtëqind e tre mijë e pesëqind e pesëdhjetë.
47 Por Levitët nuk u regjistruan bashkë me të tjerët, simbas fisit të etërve të tyre,
48 sepse Zoti i kishte folur Moisiut, duke i thënë:
49 "Vetëm në fisin e Levit nuk do të bësh regjistrimin dhe nuk do të llogaritësh numrin e tyre me bijtë e Izraelit;
50 por besoju Levitëve kujdesin për tabernakullin e dëshmisë, për të gjitha orenditë e tij dhe për çdo gjë që i përket. Ata do të mbartin tabernakullin dhe tërë orenditë e tij, do të bëjnë shërbimin dhe do të fushojnë rreth tabernakullit.
51 Kur tabernakulli duhet të zhvendoset, Levitët do ta bëjnë pjesë-pjesë; kur tabernakulli duhet të ndalet, ata do ta ngrenë; dhe i huaji që do të afrohet do të dënohet me vdekje.
52 Bijtë e Izraelit do t’i ngrenë çadrat e tyre secili në kampin e vet, secili pranë flamurit të vet, simbas renditjes së tyre.
53 Por Levitët do t’i ngrenë çadrat e tyre rreth tabenakullit të dëshmisë me qëllim që mëria ime të mos bjerë mbi asamblenë e bijve të Izraelit; kështu Levitët do të kujdesen për tabernakullin e dëshmisë".
54 Bijtë e Izraelit iu binden gjithçkaje që Zoti kishte urdhëruar Moisiun, dhe kështu bënë.
35 O Zot, përleshu me ata që përleshen me mua; lufto me ata që luftojnë kundër meje.
2 Merr mburojën dhe parzmoren dhe çohu të më ndihmosh.
3 Nxirre shtizën dhe zëru rrugën atyre që më përndjekin; thuaji shpirtit tim: "Unë jam shpëtimi yt".
4 Mbetshin të shushatur dhe të turpëruar ata që kërkojnë jetën time; kthefshin kurrizin dhe mbetshin të shushatur ata që kurdisin të keqen kundër meje.
5 U shpërndafshin si byku nga era dhe engjëlli i Zotit i dëboftë.
6 Qoftë rruga e tyre e errët dhe me shkarje, dhe Engjëlli i Zotit i përndjektë.
7 Sepse pa pasur arsye më kanë ngritur fshehurazi rrjetën e tyre; pa pasur arsye ma kanë hapur gropën.
8 Një shkatërrim i papritur u rëntë mbi krye, i zëntë rrjeta që kanë fshehur dhe rënçin në gropën që kanë përgatitur për shkatërimin tim.
9 Atëherë shpirti im do të ngazëllejë tek Zoti dhe do të gëzohet për shpëtimin e tij.
10 Të gjitha kockat e mia do të thonë: "O Zot, kush është si ti, që e çliron të mjerin nga ai që është më i fortë se ai, të mjerin dhe nevojtarin nga ai që plaçkit?".
11 Dëshmitarë të pamëshirshëm ngrihen kundër meje dhe më pyesin për gjëra për të cilat unë nuk di asgjë.
12 Të mirën e shpërblejnë me të keqen, duke e lënë kështu të pangushëlluar jetën time.
13 Megjithatë, kur ishin të sëmurë, unë vesha grathoren dhe e mundova shpirtin tim me agjerim, dhe lutesha me kokën e përkulur mbi gjoks.
14 Shkoja rreth e rrotull, sikur të ishte fjala për një shok o për vëllanë tim; shkoja fort i kërrusur nga dhembja, ashtu si një njeri që mban zi për të ëmën.
15 Por kur u pengova, ata u gëzuan dhe u mblodhën bashkë; u mblodhën kundër meje disa shpifës, të cilët nuk i njihja; më kanë shqyer pa pushim.
16 Bashkë me disa palaço zemërkatranë kërcëllijnë dhëmbët kundër meje.
17 O Zot, deri kur do të vazhdosh të shikosh? Shpëto jetën time nga shkatërrimet e kurdisura prej tyre, të vetmen pasuri që kam nga dhëmbët e luanëve.
18 Unë do të të kremtoj në kuvendin e madh, do të lavdëroj në mes të një populli të shumtë.
19 Mos u gëzofshin me mua ata që pa hak më janë bërë armiq, mos e shkelshin syrin ata që më urrejnë pa arsye,
20 sepse nuk flasin kurrë për paqe, por kurdisin mashtrime kundër njerëzve paqësorë të vendit.
21 Po, e hapin gojën e tyre kundër meje dhe thonë: "Ah, ah! E kemi parë me sytë tanë".
22 O Zot, ti i ke parë këto gjëra, mos hesht; o Zot, mos u largo nga unë.
23 Zgjohu dhe çohu, për të më siguruar drejtësi dhe për të mbrojtur çështjen time, o Perëndi dhe Zoti im.
24 Gjykomë sipas drejtësisë sate, o Zot, Perëndia im, dhe bëj ata të mos kënaqen me mua,
25 dhe të mos thonë në zemër të tyre: "Ah, pikërisht ashtu siç e donim"; dhe të mos thonë: "E gëlltitëm".
26 U turpërofshin dhe u pështjellofshin gjihë ata që gezohen nga e keqja ime; u mbulofshin me turp dhe me fyerje ata që ekzaltohen kundër meje.
27 Këndofshin dhe gëzofshin ata që kanë në zemër çështjen time të drejtë dhe thënçin vazhdimisht: "Lëvduar qoftë Zoti, që e do paqen e shërbëtorit të tij".
28 Gjuha ime do të kremojë drejtësinë tënde dhe do të këndojë lëvdimin tënd tërë ditën.
11 Hidh bukën tënde mbi ujërat, sepse pas shumë kohe do ta gjesh përsëri.
2 Jepu pjesë shtatë, madje edhe tetë vetave, sepse ti nuk e di se çfarë fatkeqësie mund të të ndodhë mbi tokë.
3 Në rast se retë janë plot me shi, e derdhin mbi tokë; dhe në rast se një dru bie në jug apo në veri, ai mbetet aty ku bie.
4 Kush e ka mendjen te era nuk ka për të mbjellë dhe kush rri e shikon retë nuk ka për të korrur.
5 Ashtu si ti nuk njeh rrugën e erës dhe mënyrën si formohen kockat në barkun e gruas me barrë, kështu ti nuk e njeh veprën e Perëndisë që bën gjithçka.
6 Mbille farën tënde në mëngjes dhe në mbrëmje mos lër dorën tënde të pushojë, sepse ti nuk e di se cili nga të dy do të dalë më mirë; ky apo ai, apo do të jenë të mirë që të dy.
7 Drita është e ëmbël dhe është diçka e këndshme për sytë që shohin diellin.
8 Edhe kur një njeri të jetojë shumë vjet, le t’i gëzojë të gjitha, por le të mendojë edhe për ditët e territ që do të jenë të shumta; të gjitha ato që do të ndodhin janë kotësi.
9 Gëzohu, pra, o i ri, në rininë tënde, le të gëzohet zemra jote në ditët e rinisë sate; ndiq edhe rrugët e zemrës sate dhe pamjen e syve të tu, por dije që për të gjitha këto gjëra Perëndia do të të thërrasë në gjyq.
10 Elimino nga zemra jote trishtimin, dhe largo nga trupi yt dhembjen, sepse rinia dhe mituria janë kotësi.
3 U kujto atyre që t’u nënshtrohen pushtetarëve dhe autoriteteve, të jenë të bindur, gati për çdo vepër të mirë,
2 të mos flasin keq për asnjeri, të jenë paqësorë dhe të butë, duke treguar mirësjellje të madhe kundrejt të gjithë njerëzve.
3 Sepse edhe ne dikur ishim të pamendë, rebelë, endacakë, robër të lakmive të ndryshme dhe të qejfeve, duke jetuar në ligësi dhe në smirë, të urryer dhe duke e urryer njeri tjetrin.
4 Po kur u shfaq mirësia e Perëndisë, Shpëtimtarit tonë, dhe dashuria e tij për njerëzit,
5 ai na shpëtoi jo me anë të veprave të drejta që ne bëmë, por sipas mëshirës së tij, me anë të larjes së rilindjes dhe të ripërtëritjes së Frymës së Shenjtë,
6 të cilën e derdhi me mbushëlli mbi ne, me anë të Jezu Krishtit, shpëtimtarit tonë,
7 që ne, të shfajësuar me anë të hirit të tij, të bëhemi trashëgimtarë të jetës së përjetshme, sipas shpresës që kemi.
8 Kjo fjalë është e sigurt, dhe dua që ti të pohosh me forcë këto gjëra, që ata që kanë besuar në Perëndinë të kujdesen për të kryer vepra të mira. Këto gjëra janë të mira dhe të dobishme për njerëzit.
9 Por ti shmangu nga diskutimet e ma-rra, nga gjenealogjitë, nga grindjet dhe debatet rreth ligjit, sepse janë të padobishme dhe të kota.
10 Shmangu nga njeriu sektar, mbasi ta kesh qortuar një herë e dy herë,
11 duke ditur se një i tillë është çoroditur dhe mëkaton, duke dënuar vetveten.
12 Kur të dërgoj Arteman ose Tikikun, bëj çmos për të ardhur tek unë në Nikopoli, sepse vendosa ta kaloj dimrin aty.
13 Përcilli me kujdes për udhëtim Zenën, juristin e ligjit, dhe Apolonin, që të mos u mungojë gjë.
14 Edhe le të mësojnë edhe tanët t’u kushtohen veprave të mira për nevojat e ngutshme, që të mos jenë të pafrytshëm.
15 Të gjithë ata që janë me mua të bejnë të fala. Përshëndeti ata që na duan në besim. Hiri qoftë me ju të gjithë. Amen.