M’Cheyne Bible Reading Plan
34 Por Dina, vajza që Lea i kishte lindur Jakobit, doli për të parë bijat e vendit.
2 Dhe Sikemi, biri i Hamorit Hiveut, princi i vendit, sa e pa e rrëmbeu, ra në shtrat me të dhe e dhunoi.
3 Dhe shpirti i tij u lidh me Dinën, të bijën e Jakobit; ai e dashuroi vajzën dhe i foli zemrës së saj.
4 Pastaj i tha të atit Hamor: "Ma jep këtë vajzë për grua".
5 Por Jakobi dëgjoi që ai e kishte çnderuar bijën e tij Dina; por bijtë e tij ishin nëpër fushat me bagëtinë e tij, dhe Jakobi heshti deri sa u kthyen.
6 Atëherë Hamori, ati i Sikemit, shkoi tek Jakobi për t’i folur.
7 Sapo dëgjuan për atë që kishte ndodhur, bijtë e Jakobit u kthyen nga fushat; ata ishin të hidhëruar dhe shumë të zemëruar, sepse ai kishte kryer një veprim të turpshëm në Izrael, duke rënë në shtrat me të bijën e Jakobit, gjë që nuk duhej bërë.
8 Por Hamori u foli atyre duke thënë: "Shpirti i tim biri Sikem është lidhur me bijën tuaj, prandaj jepjani për grua;
9 të bëjmë krushqi bashkë: na jepni bijat tuaja dhe merrni bijat tona.
10 Kështu ju do të banoni me ne dhe vendi do të jetë në dispozicionin tuaj; banoni në të, bëni tregëti dhe blini prona".
11 Pastaj Sikemi u tha të atit dhe të vëllezërve të Dinës: "Bëni që unë të gjej hir në sytë tuaj dhe do t’ju jap çfarëdo gjë që do të më kërkoni.
12 Më caktoni madje një pajë të madhe dhe një dhuratë, dhe unë do t’ju jap sa të kërkoni, por ma jepni vajzën për grua".
13 Atëherë bijtë e Jakobit iu përgjegjën Sikemit dhe Hamorit, të atit, dhe u folën atyre me dredhi, sepse Sikemi kishte çnderuar motrën e tyre Dina,
14 dhe u thanë atyre: "Nuk mund ta bëjmë këtë gjë, domethënë ta japim motrën tonë një njeriu të parrethprerë, sepse kjo do të ishte një turp për ne.
15 Vetëm me këtë kusht do ta pranojmë kërkesën tuaj, domethënë po të jetë se bëheni si ne, duke rrethprerë çdo mashkull nga ju.
16 Atëherë ne do t’ju japim bijat tona dhe do të marrim bijat tuaja, do të banojmë bashkë me ju dhe do të bëhemi një popull i vetëm.
17 Por në qoftë se nuk doni të na dëgjoni dhe nuk dëshironi të rrethpriteni, ne do të marrim bijën tonë dhe do të ikim".
18 Fjalët e tyre i pëlqyen Hamorit dhe Sikemit, birit të Hamorit.
19 Dhe i riu nuk vonoi ta kryejë atë gjë, sepse e donte të bijën e Jakobit dhe ishte njeriu më i nderuar në tërë shtëpinë e të atit.
20 Hamori dhe Sikemi, bir i tij, erdhën në portat e qytetit të tyre dhe u folën njerëzve të qytetit të tyre, duke thënë:
21 "Këta njerëz dëshirojnë të jetojnë në paqe me ne; le të rrinë në vendin tonë dhe të merren me tregti, sepse vendi është mjaft i madh edhe për ata. Ne do të marrim bijat e tyre për gra dhe do t’ju japim bijat tona.
22 Por këta njerëz do të pranojnë të banojnë me ne për të formuar një popull të vetëm, me të vetmin kusht që çdo mashkull te ne të rrethpritet, ashtu si rrethpriten ata.
23 Bagëtia e tyre, pasuria e tyre dhe kafshët e tyre a nuk do të bëhen ndofta një ditë tonat? Le të pranojmë kërkesën e tyre dhe ata do të banojnë bashkë me ne".
24 Dhe të gjithë ata që dilnin nga portat e qytetit dëgjuan fjalët e Hamorit dhe të birit të tij Sikem; dhe çdo mashkull u rrethpre, tërë ata dilnin nga porta e qytetit.
25 Por ndodhi që ditën e tretë, ndërsa ata vuanin, dy nga bijtë e Jakobit, Simeoni dhe Levi, vëllezër të Dinës, morën secili shpatën e vet, u vërsulën mbi qytetin që rrinte në siguri dhe vranë tërë meshkujt.
26 Vranë me shpatë edhe Hamorin dhe birin e tij Sikem, pastaj muarrën Dinën nga shtëpia e Sikemit dhe ikën.
27 Bijtë e Jakobit u vërsulën mbi të vrarët dhe plaçkitën qytetin; sepse motrën e tyre e kishin çnderuar.
28 Kështu ata morën kopetë me bagëti të imët dhe të trashë, gomarët e tyre, gjithçka që ishte në qytet dhe gjithçka që ishte nëpër fushat,
29 dhe morën me vete si plaçkë tërë pasuritë e tyre, tërë fëmijët e tyre të vegjël, gratë e tyre dhe gjithçka ndodhej në shtëpitë.
30 Atëherë Jakobi i tha Simeonit dhe Levit: "Ju më keni futur në telashe duke më bërë të urryer nga banorët e vendit, Kanaanët dhe Perezejtë. Me qenë se ne jemi pakicë, ata do të grumbullohen kundër meje dhe do të më sulmojnë, dhe unë ashtu si shtëpia ime do të shfarosemi".
31 Por ata u përgjigjën: "A duhet ta trajtonte ai motrën tonë si një prostitutë?".
5 Kështu arritën në bregun tjetër të detit, në krahinën e Gadarenasve.
2 Dhe, sapo Jezusi zbriti nga barka, menjëherë i doli përpara nga varrezat një njeri i pushtuar nga një frymë e ndyrë,
3 i cili banonte në varreza dhe kurrkush s’kishte mundur ta lidhë, qoftë edhe me zinxhirë.
4 Shpesh herë, pra, e kishin lidhur me pranga e zinxhirë; por ai gjithnjë i thyente zinxhirët dhe i këpuste prangat; dhe kurrkush nuk e kishte bërë dot zap.
5 Vazhdimisht, natën dhe ditën, nëpër varre e mbi male, shkonte duke bërtitur dhe duke e rrahur veten me gurë.
6 Tani kur e pa Jezusin prej së largu, ai u turr dhe ra përmbys përpara tij,
7 dhe me një britmë të madhe tha: “Ç’ka ndërmjet mes nesh dhe teje, o Jezus, Bir i Perëndisë të shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo!”;.
8 Sepse ai i kishte thënë: “Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu!.”
9 Atëhere Jezusi e pyeti: “Cili është emri yt?.” Dhe ai u përgjigj duke thënë: “Unë quhëm Legjion, sepse jemi shumë.”
10 Dhe i lutej me të madhe që ai të mos i përzinte nga ajo krahinë.
11 Tani aty ishte, në brinjë të malit, një tufë e madhe derrash që kulloste.
12 Atëhere gjithë demonët e lutën duke thënë: “Na dërgo në derrat, që të hymë në ta.”
13 Dhe Jezusi menjëherë u lejoi atyre; atëherë frymërat e ndyra mbasi dolën, hynë në derrat dhe tufa u hodh poshtë nga gremina në det; ishin afërsisht dymijë krerë, dhe u mbytën në det.
14 Atëherë ata që i kullotnin derrat ikën dhe e përhapën lajmin në qytet e nëpër fshatra; dhe njerëzit erdhën për të parë çfarë kishte ndodhur.
15 Kur erdhën te Jezusi, panë të idemonizuarin ulur, të veshur dhe me mendje në rregull, atë që ishte idemonizuar nga Legjoni, dhe kishin frikë.
16 Dhe ata që e kishin parë ngjarjen u treguan atyre se çfarë i kishte ngjarë të idemonizuarit dhe çështjen e derrave.
17 Atëhere ata filluan t’i luten Jezusit që të largohej nga krahina e tyre.
18 Kur ai po hynte në barkë, ai që kishte qenë i idemonizuar i lutej që të mund të rrinte me të;
19 por Jezusi nuk e lejoj, madje i tha: “Shko në shtëpinë tënde, te të tut dhe u trego atyre çfarë gjërash të medha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.”
20 Dhe ai shkoi dhe nisi të predikojë nëpër Dekapolis për të gjitha ato që i kishte bërë Jezusi; të gjithë u mrrekulluan.
21 Dhe kur Jezusi kaloj përsëri në bregun tjetër me barkë, një turmë e madhe u mblodh rreth tij; dhe ai qëndroj në breg të detit.
22 Atëhere erdhi një nga krerët e sinagogës, me emër Jair, që, kur e pa, i ra ndër këmbë,
23 dhe ju lut me të madhe duke thënë: “Ime bijë është duke dhënë shpirt; eja, vëri duart mbi të që të shërohet dhe të jetojë!.”
24 Dhe ai shkoi me të. Një turmë e madhe e ndiqte dhe shtyhej rreth tij.
25 Tani një grua që kishte një fluks gjaku që prej dymbëdhjetë vjetësh
26 dhe kishte vuajtur shumë nga ana e mjekëve të ndryshëm duke shpenzuar gjithë pasurinë e vet pa kurrfarë dobie, madje duke u bërë më keq,
27 kur dëgjoi të flitej për Jezusin, u fut në turmë dhe pas shpinës preku rrobën e Jezusit,
28 sepse thoshte: “Nëse vetëm ia prek rroben e tij, do të shërohem.”
29 Dhe menjëherë rrjedha e gjakut iu ndal dhe ajo ndjeu në trupin e vet se u shërua nga ajo sëmundje.
30 Por menjëherë Jezusi, duke e ndjerë në vete që një fuqi kishte dalë prej tij, u kthye midis turmës, tha: “Kush m’i preku rrobat?
31 Dhe dishepujt e vet i thanë: “A nuk po e sheh që turma po të shtyhet nga të gjitha anët dhe ti thua: “Kush më preku?.”
32 Por ai vështronte rreth e qark për të parë atë që bëri këtë.
33 Atëhere gruaja, plot frikë e duke u dridhur, duke ditur se ç’i kishte ndodhur, erdhi dhe i ra ndër këmbë dhe i tha gjithë të vërtetën.
34 Dhe ai i tha: “Bijë, besimi yt të shëroi; shko në paqe dhe ji e shëruar nga sëmundja jote!.”
35 Ndërsa Jezusi ende po fliste, erdhën disa nga shtëpia e kryetarit të sinagogës duke thënë: “Jote bijë ka vdekur; pse e bezdis akoma Mësuesin?.”
36 Por Jezusi, sapo dëgjoi ç’u tha, i tha kryetarit të sinagogës: “Mos ki frikë, vetëm ki besim!.”
37 Dhe nuk lejoi që ta ndiqte kurrkush tjetër, përveç Pjetrit, Jakobit, dhe Gjonit, vëllait të Jakobit.
38 Dhe mbasi arriti në shtëpinë e kryetarit të sinagogës, pa një rrëmujë të madhe dhe njerëz që qanin dhe ulërinin me të madhe.
39 Hyri dhe u tha atyre: “Pse bërtitni e qani? Vajza nuk ka vdekur, por fle.”
40 Dhe ata e përqeshën, por ai, mbasi i nxori jashtë të gjithë, mori me vete atin dhe nënën e vajzës dhe ata që qenë me atë, dhe hyri atje ku dergjej vajza.
41 E mori, pra, për dore vajzën dhe i tha: “Talitha kumi,” që e përkthyer do të thotë: “Vajzë, ty po të them: Çohu!.”
42 Dhe menjëherë vajza u ngrit dhe filloi të ecë. Ajo ishte në fakt dymbëdhjetë vjeçe. Dhe ata u habitën me habi të madhe.
43 Por ai urdhëroi rreptësisht që askush të mos e marrë vesh; pastaj urdhëroi që t’i japin vajzës të hajë.
1 Në vendin e Uzit ishte një njeri i quajtur Job. Ky njeri ishte i ndershëm dhe i drejtë, kishte frikë nga Perëndia dhe i largohej së keqes.
2 I kishin lindur shtatë bij dhe tri bija.
3 Veç kësaj zotëronte shtatë mijë dele, tre mijë deve, pesëqind pendë qe, pesëqind gomarë dhe një numër shumë të madh shërbëtorësh. Kështu ky njeri ishte më i madhi ndër të gjithë njerëzit e Lindjes.
4 Bijtë e tij kishin zakon të shkonin për banket në shtëpinë e secilit ditën e cakuar; dhe dërgonin të thërrisnin tri motrat e tyre, që të vinin të hanin dhe të pinin bashkë me ta.
5 Kur mbaronte seria e ditëve të banketit, Jobi i thërriste për t’i pastruar; ngrihej herët në mëngjes dhe ofronte olokauste sipas numrit të gjithë atyre, sepse Jobi mendonte: "Ndofta bijtë e mi kanë mëkatuar dhe e kanë blasfemuar Perëndinë në zemrën e tyre". Kështu bënte Jobi çdo herë.
6 Një ditë ndodhi që bijtë e Perëndisë shkuan të paraqiten para Zotit, dhe ndër ta shkoi edhe Satanai.
7 Zoti i tha Satanait: "Nga vjen?". Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Nga ecejaket mbi dheun duke e përshkruar lart e poshtë".
8 Zoti i tha Satanait: "E ke vënë re shërbëtorin tim Job? Sepse mbi dhe nuk ka asnjë tjetër si ai që të jetë i ndershëm, i drejtë, të ketë frikë nga Perëndia dhe t’i largohet së keqes".
9 Atëherë Satanai iu përgjigj Zotit dhe tha: "Vallë më kot Jobi ka frikë nga Perëndia?
10 A nuk ke vënë ti një mbrojtje rreth tij, rreth shtëpisë së tij dhe të gjitha gjërave që ai zotëron? Ti ke bekuar veprën e duarve të tij dhe bagëtia e tij është shtuar shumë në vend.
11 Por shtri dorën tënde dhe preki të gjitha ato që ai zotëron dhe ke për të parë po nuk të mallkoi ai haptazi".
12 Zoti i tha Satanait: "Ja, të gjitha ato që ai zotëron janë në pushtetin tënd, por mos e shtri dorën mbi personin e tij". Kështu Satanai u largua nga prania e Zotit.
13 Kështu një ditë ndodhi që, ndërsa bijtë e tij dhe bijat e tij hanin e pinin verë në shtëpinë e vëllait të tyre më të madh, erdhi nga Jobi një lajmëtar për t’u thënë:
14 Qetë po lëronin dhe gomarët po kullotnin aty afër,
15 kur Sabejtë u sulën mbi ta, i morën me vete dhe vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".
16 Ai ishte duke folur ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Zjarri i Perëndisë ra nga qielli, zuri delet dhe shërbëtorët dhe i ka përpirë. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".
17 Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Kaldeasit kanë formuar tri banda, u sulën mbi devetë dhe i morën me vete, vranë me shpatë shërbëtorët. Vetëm unë shpëtova për të ardhur të ta them".
18 Ai ishte duke folur, ende, kur arriti një tjetër dhe tha: "Bijtë e tu dhe bijat e tua ishin duke ngrënë dhe duke pirë verë në shtëpinë e vëlliat të tyre më të madh,
19 kur papritur një erë e furishme, që vinte nga shkretëtira, ra në të katër qoshet e shtëpisë e cila u shemb mbi të rinjtë, dhe ata vdiqën. Vetëm unë shpëtova dhe erdha të ta them".
20 Atëherë Jobi u ngrit, grisi mantelin e tij dhe rroi kokën; pastaj ra pëmbys dhe adhuroi,
21 dhe tha: "Lakuriq dolla nga barku i nënës sime dhe lakuriq do të kthehem. Zoti ka dhënë dhe Zoti ka marrë. Qoftë i bekuar emri i Zotit".
22 Në të gjitha këto Jobi nuk mëkatoi dhe nuk paditi Perëndinë për ndonjë padrejtësi.
5 Të shfajësuar, pra, me anë të besimit, kemi paqe me Perëndinë nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë,
2 me anë të të cilit edhe patëm, nëpërmjet besimit, hyrjen në këtë hir në të cilin qëndrojmë të patundur dhe mburremi në shpresën e lavdisë së Perëndisë.
3 Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen,
4 këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën.
5 Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë.
6 Sepse, ndërsa ishin akoma pa forcë, Krishti vdiq në kohën e tij për të paudhët.
7 Vështirë në fakt se vdes dikush për një të drejtë; mbase ndonjë do të guxonte të vdiste për një njeri të mirë.
8 Por Perëndia e tregon dashurinë e tij ndaj nesh në atë që, kur ende ishim mëkatarë, Krishti vdiq për ne.
9 Shumë më tepër, pra, duke qenë tani të shfajësuar në gjakun e tij, do të shpëtojmë nga zemërimi me anë të tij.
10 Në fakt, ndërsa ishim armiq, u pajtuam me Perëndinë nëpërmjet vdekjes së Birit të tij, akoma më shumë tani, që jemi pajtuar, do të shpëtohemi nëpërmjet jetës së tij.
11 E jo vetëm kaq, por edhe mburremi në Perëndinë, nëpërmjet Zotit tonë Jezu Krisht, me anë të të cilit tani kemi marrë pajtimin.
12 Prandaj, ashtu si me anë të një njeriu të vetëm mëkati hyri në botë dhe me anë të mëkatit vdekja, po ashtu vdekja u shtri tek të gjithë njerëzit, sepse të gjithë mëkatuan;
13 sepse, derisa u shpall ligji, mëkati ekzistonte në botë; por mëkati nuk numërohet nëse nuk ka ligj;
14 por vdekja mbretëroi nga Adami deri te Moisiu edhe mbi ata që nuk kishin mëkatuar me një shkelje të ngjashme nga ajo e Adamit, që është figura e atij që duhej të vinte.
15 Mirëpo hiri nuk është si shkelja; nëse në fakt për shkak të shkeljes së një njeriu të vetëm vdiqën shumë, shumë më tepër hiri i Perëndisë dhe dhurata me anë të hirit e një njeriu, Jezu Krishtit, i teproi për shumë të tjerë.
16 Sa për dhuntinë, nuk ndodhi si për atë një që mëkatoi, sepse gjykimi prodhoi dënimin nga një shkelje e vetme, por hiri prodhoi shfajësimin nga shumë shkelje.
17 Në fakt, në qoftë se prej shkeljes së këtij njërit vetëm vdekja mbretëroi për shkak të atij njërit, akoma më shumë ata që marrin bollëkun e hirit dhe të dhuratës se drejtësisë do të mbretërojnë në jetë me anë të atij njërit, që është Jezu Krishtit.
18 Prandaj, ashtu si për një shkelje të vetme dënimi u shtri mbi të gjithë njerëzit, ashtu edhe me një akt të vetëm drejtësie, hiri u shtri mbi gjithë njerëzit për shfajësimin e jetës.
19 Në fakt, ashtu si nga mosbindja e një njeriu të vetëm të shumtët u bënë mëkatarë, ashtu edhe nga bindja e një të vetmi të shumtët do të bëhen të drejtë.
20 Por ligj i ndërhyri me qëllim që shkelja të teprohej; por aty ku mëkati është i tepruar, hiri është akoma më i tepërt,
21 me qëllim që ashtu si mëkati ka mbretëruar te vdekja, ashtu edhe hiri të mbretërojë me anë të drejtësisë në jetën e përjetshme nëpërmjet Jezu Krishtit, Zotit tonë.