M’Cheyne Bible Reading Plan
1 Në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, vendin e pllakosi zia, dhe një njeri nga Betlemi i Judës shkoi të banojë në vendin e Moabit me gjithë gruan dhe dy bijtë e tij.
2 Emri i burrit ishte Elimelek, emri i gruas së tij Naomi dhe emri i dy bijve të tij Mahlon dhe Kilion, Efratej nga Betlemi i Judës. Ata shkuan në vendin e Moabit dhe u vendosën aty.
3 Pastaj Elimeku, burri i Naomit, vdiq dhe ajo mbeti me dy bijtë e saj.
4 Këta u martuan me gra moabite, nga të cilat njëra quhej Orpah dhe tjetra Ruth; dhe banuan aty rreth dhjetë vjet.
5 Pastaj edhe Mahloni dhe Kilioni vdiqën që të dy, dhe kështu ajo grua mbeti pa dy djemtë e saj dhe pa burrin.
6 Atëherë u ngrit me gjithë nuset e saj për t’u kthyer nga vendi Moabit, sepse kishte dëgjuar të thuhej që Zoti e kishte vizituar popullin e vet dhe i kishte dhënë bukë.
7 Ajo u nis, pra, me të dy nuset e saj nga vendi në të cilin rrinte, dhe filloi të ecë për t’u kthyer në vendin e Judës.
8 Por Naomi u tha dy nuseve të saj: "Shkoni, kthehuni çdo njëra në shtëpinë e nënes së saj; Zoti qoftë i mirë me ju, ashtu si ju keni qenë të mira me ata që kanë vdekur dhe me mua!
9 Zoti ju bëftë të gjeni qetësi çdo njëra në shtëpinë e burrit të sajë!". Pastaj ajo i puthi dhe ato filluan të qajnë me zë të lartë,
10 dhe i thanë: "Jo, ne do të kthehemi me ty pranë popullit tënd".
11 Por Naomi u përgjegj: "Kthehuni bijat e mija! Pse të vini me mua? Mos kam në barkun tim fëmijë që mund të bëhen bashkëshortët tuaj?
12 Kthehuni mbrapa, bijat e mija, shkoni, sepse unë jam shumë e vjetër për t’u martuar prapë; edhe sikur të thoja: "Kam akoma shpresë"; edhe sikur të martohesha sonte dhe të lindja djem,
13 a do të prisnit ju sa të rriteshin? A do të hiqnit dorë nga martesa për këtë shkak? Jo, bijat e mija, sepse kushtet në të cilat ndodhem janë më të hidhura nga tuajat, sepse dora e Zotit është shtrirë kundër meje".
14 Atëherë ato e ngritën zërin dhe qanë përsëri; pastaj Orpahu puthi vjehrrën, por Ruthi nuk i ndahej asaj.
15 Atëherë Naomi i tha Ruthit: "Ja, kunata jote u kthye te populli i vet dhe te perënditë e saj; ktheu mbrapa edhe ti, ashtu si kunata jote!".
16 Por Ruthi u përgjegj: "Mos ngul këmbë me mua që unë të të braktis dhe të mos të të ndjek më, sepse kudo që të shkosh ti do të shkoj edhe unë, dhe kudo që të rrish ti do të rri edhe unë; populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im;
17 aty ku të vdesësh ti do të vdes edhe unë, dhe atje do të më varrosin. Kështu të veprojë me mua Zoti, bile edhe më keq, në rast se veç vdekjes ndonjë gjë tjetër do të më ndajë prej teje!".
18 Kur Naomi e kuptoi që Ruthi ishte e vendosur ta ndiqte, nuk i foli më.
19 Kështu e bënë rrugën bashkë deri sa arritën në Betlem. Kur arritën në Betlem, tërë qyteti ziente për shkak të tyre. Gratë thonin: "Kjo është Naomi?".
20 Ajo iu përgjegj atyre: "Mos më quani Naomi; thirrmëni Mara, sepse i Plotfuqishmi më ka mbushur me hidhërim.
21 Unë u nisa në bollëk dhe Zoti më ktheu në shtëpi të zhveshur nga çdo gjë. Pse të më quani Naomi, kur Zoti ka dëshmuar kundër meje dhe i Plotfuqishmi më ka bërë fatkeqe?".
22 Kështu Naomi u kthye bashkë me Ruthin, nusen e saj, që kishte ardhur nga vendi i Moabit. Ato arritën në Betlem kur kishte filluar korrja e elbit.
26 Atëherë Agripa i tha Palit: “Ke leje të flasësh për të mbrojtur veten!.” Dhe Pali, si e shtriu dorën, nisi të bëjë mbrojtjen e tij:
2 “O mbret Agripa, e quaj veten të lumtur që kam mundësi sot të shfajësohem para teje nga të gjitha ato që më kanë akuzuar Judenjtë,
3 veçanërisht sepse ti i njeh të gjitha zakonet dhe çështjet që janë midis Judenjve; prandaj të lutem të më dëgjosh me durim.
4 Se cila ka qenë mënyra ime e të jetuarit që nga rinia, të cilën e kalova tërësisht në Jeruzalem në mes të popullit tim, të gjithë Judenjtë e dinë.
5 Ata më njohin qysh atëherë dhe mund të dëshmojnë, po deshën, se kam jetuar si farise, sipas sektit më të drejtë të fesë sonë.
6 Dhe tani ndodhem para qjyqit për shpresën e premtimit që u ka bërë Perëndia etërve tanë,
7 premtim të cilin dymbëdhjetë fiset tona, që i shërbejnë me zell ditë e natë Perëndisë, shpresojnë ta fitojnë; për këtë shpresë, o mbret Agripa, unë jam akuzuar nga Judenjtë.
8 Përse vallë mendoni se është e pabesueshme që Perëndia t’i ringjallë të vdekurit?
9 Unë vetë mendova se ishte detyra ime të bëj shumë gjëra kundër emrit të Jezusit Nazarenas.
10 Dhe këtë kam bërë në Jeruzalem; mbasi kam marrë pushtet nga krerët e priftërinjve, futa në burg shumë shenjtorë dhe, kur i vrisnin, jepja miratimin tim.
11 Dhe shpesh, duke shkuar nga një sinagogë te tjetra, i kam detyruar të blasfemojnë dhe, me zemërim të madh kundër tyre, i kam përndjekur deri në qytetet e huaja.
12 Në kohën kur unë po merresha me këtë punë dhe po shkoja në Damask me autorizim dhe me fuqi të plota nga krerët e priftërinjve,
13 në mesditë, o mbret, në rrugë unë pashë një dritë nga qielli që shkëlqente më shumë se dielli, e cila vetëtiu rreth meje dhe rreth atyre që udhëtonin me mua.
14 Mbasi të gjithë ne ramë përtokë, dëgjova një zë që po më fliste dhe më tha në gjuhën hebraike: "Saul, Saul, pse më përndjek? Éshtë e rëndë për ty të godasësh me shkelm kundër gjembave".
15 Unë thashë: "Kush je ti, Zot?". Ai tha: "Unë jam Jezusi, të cilin ti e përndjek.
16 Por çohu dhe rri në këmbë, sepse prandaj të jam shfaqur: që të të vë shërbyes dhe dëshmues për gjërat që ke parë dhe për ato për të cilat unë do të shfaqem,
17 duke të zgjedhur ty nga populli dhe nga johebrenjtë, tek të cilët po të dërgoj tani,
18 që t’u çelësh sytë atyre dhe t’i kthesh nga errësira në dritë dhe nga pushteti i Satanit te Perëndia, që të marrin me anë të besimit në mua faljen e mëkateve dhe një trashëgim midis të shenjtëruarve".
19 Prandaj, o mbret Agripa, unë nuk kam qenë i pabindur ndaj vegimit qiellor.
20 Por në fillim atyre në Damask, pastaj në Jeruzalem, në mbarë krahinën e Judesë dhe johebrenjve, u kam shpallur të pendohen dhe të kthehen te Perëndia, duke bërë vepra të denja pendimi.
21 Për këto gjëra Judenjtë, mbasi më kapën në tempull, u orvatën të më vrasin.
22 Por, për shkak të ndihmës që pata nga Perëndia deri në këtë ditë, vazhdova t’u dëshmoj të vegjëlve dhe të mëdhenjve, duke mos thënë tjetër përveç atyre që profetët dhe Moisiu thanë se duhet të ndodhnin,
23 domethënë: që Krishti duhej të vuante dhe që, duke qenë i pari i ringjallur prej së vdekuris, duhej t’i shpallte dritën popullit dhe johebrenjve.”
24 Dhe, ndërsa Pali i thoshte këto gjëra në mbrojtje të tij, Festi tha me zë të lartë: “Pal, ti je tërbuar; studimet e shumta të bënë të shkallosh".
25 Por ai tha: “Unë nuk jam tërbuar, shumë i shkëlqyeri Fest, por them fjalë të së vërtetës dhe të mendjes së shëndoshë.
26 Sepse mbreti, të cilit unë po i flas lirisht, është i mirinformuar për këto gjëra, sepse unë jam i bindur se asnjë nga këto gjëra nuk është e panjohur për të, sepse e gjithë kjo nuk është bërë në fshehtësi.
27 O mbret Agripa, a u beson profetëve? Unë e di se ti beson.”
28 Atëherë Agripa i tha Palit: “Për pak dhe po ma mbush mendjen të bëhem i krishterë.”
29 Pali i tha: “Dhëntë Perëndia që në pak ose në shumë kohë jo vetëm ti, por edhe të gjithë ata që sot po më dëgjojnë, të bëhen të tillë, sikurse jam unë, përveç këtyre zinxhirëve.”
30 Mbasi tha këto gjëra, mbreti u ngrit dhe me të qeveritari, Berenike dhe ata që ishin ulur me ta.
31 Mbasi u hoqën mënjanë, folën me njëri-tjetrin dhe thanë: “Ky njeri nuk ka bërë asgjë që të meritojë vdekjen ose burgun.”
32 Atëherë Agripa i tha Festit: “Ky njeri mund të ishte liruar, po të mos i ishte apeluar Cezarit.”
36 Ndodhi në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, që kjo fjalë ju drejtua nga Zoti duke thënë:
2 "Merr një rrotull shkrimi dhe shkruaj mbi të tërë fjalët që të kam thënë kundër Izraelit, kundër Judës dhe kundër të gjitha kombeve, nga dita që të kam folur, nga ditët e Josias e deri më sot.
3 Ndofta shtëpia e Judës do të dëgjojë gjithë të keqen që unë mendoj t’u bëj atyre, dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, dhe kështu unë do të fal paudhësinë e tyre dhe mëkatin e tyre".
4 Atëherë Jeremia thirri Barukun, birin e Neriahut, dhe Baruku shkroi mbi një rrotull shkrimi, nën diktimin e Jeremias, tërë fjalët që Zoti i kishte thënë.
5 Pastaj Jeremia i dha këtë urdhër Barukut: "Unë jam i penguar dhe nuk mund të hyj në shtëpinë e Zotit.
6 Prandaj do të shkosh ti të lexosh, nga rrotulla që ke shkruar nën diktimin tim fjalët e Zotit në veshët e popullit në shtëpinë e Zotit, ditën e agjërimit, do t’i lexosh dhe në veshët e tërë atyre të Judës që vijnë nga qytetet e tyre.
7 Ndofta do t’i paraqesin lutjet e tyre për falje Zotit dhe secili do të tërhiqet nga rruga e tij e keqe, sepse i madh është zemërimi dhe tërbimi që Zoti ka shqiptuar kundër këtij populli".
8 Baruku, biri i Neriahut, bëri, pra, tërë ato që i kishte urdhëruar profeti Jeremia dhe lexoi nga libri fjalët e Zotit.
9 Në vitin e pestë të Jehojakimit, birit të Josias, mbret i Judës, në muajin e nëntë u shpall një agjërim para Zotit për të gjithë popullin e Jeruzalemit dhe për gjithë popullin e ardhur nga qytetet e Judës në Jeruzalem.
10 Atëherë Baruku lexoi nga libri fjalët e Jeremias në veshët e tërë popullit, në shtëpinë e Zotit, në dhomën e Gemariahut, birit të Shafanit, shkruesit, në oborrin e sipërm, në hyrjen e Portës së Re të shtëpisë së Zotit.
11 Mikajahu, biri i Gemariahut, që ishte bir i Shafanit, dëgjoi tërë fjalët e Zotit që u lexuan nga libri.
12 Zbriti pastaj në shtëpinë e mbretit, në dhomën e shkruesit, dhe ja, aty rrinin ulur tërë princat: Elishama shkruesi, Delahaju, biri i Shemajahut, Elnathani biri i Akborit, Gemariahu biri i Shafanit, Sedekia biri i Hananiahut, dhe tërë princat e tjerë.
13 Mikajahu u tregoi tërë fjalët që kishte dëgjuar, ndërsa Baruku lexonte librin në veshët e popullit.
14 Atëherë tërë princat i dërguan Barukut Jehudin, birin e Nethaniahut, bir i Shelemiahut, bir i Kushit, për t’i thënë: "Merr në dorë rrotullën që lexove në veshët e popullit dhe eja". Kështu Baruku, bir i Neriahut, mori në dorë rrotullën dhe erdhi tek ata.
15 Ata i thanë: "Ulu dhe lexoje para nesh". Dhe Baruku e lexoi në veshët e tyre.
16 Kur dëgjuan tërë ato fjalë, patën frikë dhe duke shikuar njëri tjetrin i thanë Barukut: "Duhet t’ia tregojmë pa tjetër mbretit tërë këto fjalë".
17 Pastaj pyetën Barukun duke i thënë: "Na thuaj tani si i shkrove tërë këto fjalë: nën diktimin e tij?".
18 Baruku u përgjigj: "Ai më tha tërë këto fjalë me gojën e tij, dhe unë i kam shkruar me bojë në libër".
19 Atëherë princat i thanë Barukut: "Shko dhe fshihu bashkë me Jeremian, dhe askush të mos dijë se ku jeni".
20 Pastaj shkuan te mbreti, në oborr, mbasi e kishin lënë rrotullën në dhomën e shkruesit Elishama, dhe ia njoftuan mbretit tërë ato fjalë.
21 Atëherë mbreti dërgoi Jehudin të marrë rrotullën; dhe ky e mori në dhomën e shkruesit Elishama. Pastaj Jehudi e lexoi në veshët e mbretit dhe të gjithë princave që ishin pranë mbretit.
22 Mbreti rrinte ulur në pallatin e tij të dimrit, (ishte muaji i nëntë), me një mangall para tij që digjej mirë.
23 Kur Jehudi lexoi tri o katër shtylla, mbreti e preu rrotullën me thikën e shkruesit dhe e hodhi në zjarrin që ishte në mangall, deri sa ajo u dogj krejt nga zjarri që ishte në mangall.
24 As mbreti dhe askush nga shërbëtorët e tij që i dëgjuan tërë këto fjalë nuk u trembën ose t’i grisnin rrobat e tyre.
25 Dhe megjithëse Elnathani, Delajahu dhe Gemariahu e lutën shumë mbretin që të mos e digjte rrotullën, ai nuk deshi t’i dëgjonte.
26 Madje mbreti urdhëroi Jerahmeelin, birin e mbretit, Serajahun, birin e Azrielit dhe Shelemiahun, birin e Abdelit, të kapnin shkruesin Baruk dhe profetin Jeremia. Por Zoti i fshehu.
27 Mbasi mbreti dogji rrotullën dhe fjalët që Baruku kishte shkruar nën diktimin e Jeremias, fjala e Zotit iu drejtua Jeremias, duke thënë:
28 "Merr përsëri një rrotull tjetër dhe shkruaj mbi të tërë fjalët e mëparshme, që ishin në rrotullën e parë të djegur nga Jehojakimi, mbreti i Judës.
29 Dhe Jehojakimit, mbretit të Judës, do t’i thuash: Kështu thotë Zoti: Ti ke djegur këtë rrotull, duke thënë: "Pse ke shkruar në të që mbreti i Babilonisë do të vijë me siguri dhe do ta shkatërrojë këtë vend, duke bërë të zhduken prej tij njerëz dhe kafshë?".
30 Prandaj kështu thotë Zoti për Jehojakimin, mbretin e Judës: Ai nuk do të ketë njeri që të ulet mbi fronin e Davidit dhe kufoma e tij do të hidhet jashtë dhe do të ekspozohet në vapën e ditës dhe në ngricën e natës.
31 Unë do ta dënoj atë, pasardhësit e tij dhe shërbëtorët e tij për paudhësinë e tyre dhe do të sjell mbi ta, mbi banorët e Jeruzalemit dhe mbi njerëzit e Judës tërë të keqen që kam shqiptuar kundër tyre, sepse nuk më dëgjuan".
32 Jeremia pra mori një rrotull tjetër dhe ia dha Barukut, birit të Neriahut, shkruesit, i cili shkroi mbi të, nën diktimin e Jeremias, të gjitha fjalët e librit që Jehojakimi, mbreti i Judës, kishte djegur në zjarr; u shtuan gjithashtu shumë fjalë të tjera të ngjashme me to.
45 Fjala që profeti Jeremia i drejtoi Barukut, birit të Neriahut, kur ky shkroi këto fjalë në një libër nën diktimin e Jeremias, në vitin e katërt të Jehojakimit, birit të Josias, mbreti i Judës, duke i thënë:
2 "Kështu të thotë ty Zoti, Perëndia i Izraelit, o Baruk:
3 Ti thuaj: "Mjerë unë, sepse Zoti i shton hidhërimin dhembjes sime; unë jam lodhur së rënkuari dhe nuk gjej prehje".
4 Kështu do t’i thuash atij: Kështu thotë Zoti: Ja unë do ta shëmb atë që kam ndërtuar dhe do ta shkul atë që kam mbjellë, dhe këtë në tërë vendin.
5 Dhe ti kërkon gjëra të mëdha për vete? Mos i kërko sepse, ja, unë do të sjell fatkeqësi mbi çdo mish" thotë Zoti, "por ty do të të jap jetën tënde si pre në tërë vendet ku do të shkosh".
9 Unë do të të kremtoj, o Zot, me gjithë zemër, do të tregoj tërë mrekullitë e tua.
2 Unë do të gëzohem dhe do të kënaqem me ty; do t’i këndoj lëvdime në emrin tënd, o Shumë i Larti.
3 Sepse armiqtë e mi tërhiqen, bien dhe vdesin para teje.
4 Ti në fakt ke përkrahur ndershmërinë time dhe çështjen time; je ulur mbi fronin si një gjyqtar i drejtë.
5 Ke qortuar kombet, ke shkatërruar të pabesin, ke fshirë emrat e tyre për gjithnjë.
6 Armiku është zhdukur, i kapur nga një pikëllim i përjetshëm! Dhe qyteteve që ti ke shkatërruar i është zhdukur edhe kujtimi.
7 Por Zoti mbetet përjetë; ai ka vendosur fronin e tij për të gjykuar.
8 Ai do ta gjykojë botën me drejtësi, do t’i gjykojë popujt me paanësi.
9 Zoti do të jetë strehim i papushtueshëm për të shtypurin, një strehim i papushtueshëm në kohë ngushtice.
10 Dhe ata që e njohin emrin tënd do të kenë besim te ti, sepse ti, o Zot, nuk i braktis ata që të kërkojnë.
11 Këndojini lavde Zotit që banon në Sion; u njoftoni popujve veprat e tij.
12 Sepse ai që kërkon arësyen e gjakut i mban mënd ata; ai nuk e harron britmën e të pikëlluarve.
13 Ki mëshirë për mua, o Zot, ti që më ke rilartuar nga portat e vdekjes, shiko pikëllimin që më shkaktojnë ata që më urrejnë,
14 me qëllim që unë të kem mundësi të tregoj të gjitha lavdet e tua dhe në portat e bijës së Sionit të mund të kremtoj për çlirimin tënd.
15 Kombet janë zhytur në gropën që kishin hapur; këmba e tyre është kapur në rrjetën që kishin fshehur.
16 Zoti u bë i njohur me anë të gjykimit që ka dhënë; i pabesi u kap në lakun e veprës së duarve të tij. (Interlud. Sela)
17 Të pabesët do të zbresin në Sheol; po, të gjitha kombet që harrojnë Perëndinë.
18 Sepse nevojtari nuk do të harrohet përjetë; shpresa e të shtypurve nuk do të zhduket përjetë.
19 Çohu, o Zot, mos lejo që vdekatari të ketë epërsi; kombet të gjykohen para teje.
20 O Zot, kallu frikën; bëj që kombet të pranojnë se janë vetëm vdekatarë. (Sela)