M’Cheyne Bible Reading Plan
9 Ndodhi në ditën e tetë që Moisiu thirri Aaronin, bijtë e tij dhe pleqtë e Izraelit,
2 dhe i tha Aaronit: "Merr një viç për flijimin për mëkatin dhe një dash për një olokaust, që të dy pa të meta, dhe ofroji para Zotit.
3 Pastaj do t’u flasësh bijve të Izraelit, duke u thënë: Merrni një cjap për flijimin për mëkatin, një viç dhe një qengj, që të dy motakë, pa të meta, për një olokaust,
4 një dem të vogël dhe një dash për flijimin e falënderimit, për t’i flijuar përpara Zotit, dhe një ofertë ushqimesh, të përziera me vaj, sepse sot Zoti do t’ju shfaqet".
5 Dhe kështu ata sollën përpara çadrës së mbledhjes atë që Moisiu kishte urdhëruar; dhe tërë asamblea u afrua dhe qëndroi në këmbë përpara Zotit.
6 Atëherë Moisiu tha: "Kjo është ajo që Zoti ju ka urdhëruar; bëjeni dhe lavdia e Zotit do t’ju shfaqet".
7 Pastaj Moisiu i tha Aaronit: "Afroju altarit; paraqit flijimin tënd për mëkatin dhe olokaustin tënd, dhe bëj shlyerjen për vete dhe për popullin; paraqit gjithashtu ofertën e popullit dhe bëj shlyerjen për ata, siç ka urdhëruar Zoti".
8 Kështu Aaroni iu afrua altarit dhe theri viçin e flijimit për mëkatin, që e kishte për vete.
9 Pastaj bijtë e tij i paraqitën gjakun dhe ai ngjeu gishtin e tij në gjak dhe e vuri atë mbi brirët e altarit, dhe derdhi mbetjen e gjakut në bazën e altarit;
10 por dhjamin, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë të flijimit për mëkatin, i tymosi mbi altar ashtu si e kishte urdhëruar Zoti Moisiun.
11 Mishin dhe lëkurën përkundrazi i dogji jashtë kampit.
12 Pastaj theri olokaustin; bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin.
13 Pastaj i dhanë olokaustin e bërë copë-copë dhe kokën; dhe ai i tymosi mbi altar.
14 Lau zorrët dhe këmbët dhe i tymosi bashkë me olokaustin mbi altar.
15 Pastaj paraqiti ofertën e popullit. Mori cjapin, që ishte flia për mëkatin e popullit, e theri dhe e ofroi për mëkatin, si ofertë të parë.
16 Pastaj paraqiti olokaustin dhe e ofroi sipas rregullit të caktuar.
17 Paraqiti pas kësaj blatimin e ushqimit; mori një grusht prej tij dhe e tymosi mbi altar, përveç olokaustit të mëngjesit.
18 Theri edhe demin e vogël dhe dashin, si flijim falënderimi për popullin. Bijtë e Aaronit i dhanë gjakun dhe ai e spërkati rreth e qark mbi altarin.
19 I paraqitën dhjamin e kaut, të dashit, bishtin e majmë, dhjamin që mbulon zorrët, veshkat dhe bulën e majme të mëlçisë;
20 vunë dhjamin mbi gjokset, dhe ai tymosi dhjamin mbi altar;
21 por gjokset dhe kofshën e djathtë Aaroni i tundi përpara Zotit si ofertë e tundur, sipas mënyrës që kishte urdhëruar Moisiu.
22 Pastaj Aaroni ngriti duart e tij drejt popullit dhe e bekoi; mbasi bëri flijimin për mëkatin, olokaustin dhe flijimin e falënderimit, zbriti nga altari.
23 Pastaj Moisiu dhe Aaroni hynë në çadrën e mbledhjes; pastaj dolën dhe bekuan popullin. Atëherë lavdia e Zotit iu shfaq tërë popullit.
24 Pastaj një zjarr doli nga prania e Zotit dhe konsumoi mbi altar olokaustin dhe dhjamin; tërë populli e pa, shpërtheu në britma gëzimi dhe u përul me fytyrë për tokë.
10 O Zot, pse qëndron larg? Pse fshihesh në kohë fatkeqësish?
2 I pabesi me kryelartësinë e tij ndjek me dhunë të mjerin; ata do të kapen nga vetë kurthet që ata kanë kurdisur,
3 sepse i pabesi mburret me dëshirat e shpirtit të tij, bekon grabitqarin dhe përbuz Zotin.
4 I pabesi, me arrogancën e fytyrës së tij, nuk e kërkon Zotin; tërë mendimet e tij janë: "Perëndia nuk ekziston".
5 Rrugët e tij lulëzojnë në çdo kohë; gjykimet e tua për të janë shumë të larta, larg kuptimit të tyre nga ana e tij; ai përqesh gjithë armiqtë e tij.
6 Ai thotë në zemër të tij: "Mua askush nuk më tund dot kurrë; nuk do të më ndodhë kurrë ndonjë e keqe".
7 Goja e tij është plot mallkime, hile dhe mashtrime; nën gjuhën e tij ka ligësi dhe paudhësi.
8 Ai rri në pritë në fshatra, vret të pafajshmin në vende të fshehta; sytë e tij përgjojnë fatkeqin.
9 Ai rri në pritë në vende të fshehta si luani në strofkën e tij; rri në pritë për të kapur të mjerin; ai e rrëmben të mjerin duke e tërhequr në rrjetën e tij.
10 Ai rri i strukur dhe i mbledhur, dhe fatzinjtë mposhten para forcës së tij.
11 Ai thotë në zemër të tij: "Perëndia harron, fsheh fytyrën e tij, nuk do ta shohë kurrë".
12 Çohu, o Zot; o Perëndi, ngre dorën tënde; mos i harro të mjerët.
13 Pse i pabesi përçmon Perëndinë? Ai thotë në zemër të tij: "Ti nuk do t’i kërkosh llogari".
14 Por ti e ke parë, sepse ti vëren me kujdes ligësinë dhe pikëllimin, për ta larë më pas me dorën tënde; fatkeqi i ka shpresat te ti; ti je ai që ndihmon jetimin.
15 Thyeja krahun të pabesit dhe të ligut; në rast se ti do të kërkosh ligësinë e tij, nuk do ta gjesh më.
16 Zoti është mbret përjetë; kombet janë zhdukur nga toka e tij.
17 O Zot, ti dëgjon dëshirën e njerëzve të përulur; ti e fortëson zemrën e tyre, veshët e tu janë të vëmendshëm,
18 për t’i dhënë të drejtë jetimit dhe të pikëlluarit, me qëllim që njeriu i krijuar nga dheu të mos kallë më tmerr.
24 Mos i ki zili njerëzit e këqij dhe mos dëshiro të rrish me ta,
2 sepse zemra e tyre mendon për grabitje dhe buzët e tyre thonë se do të bëjnë të keqen.
3 Shtëpia ndërtohet me dituri dhe bëhet e qëndrueshme me maturi.
4 Me dijen mbushen dhomat me lloj-lloj të mirash të çmueshme dhe të pëlqyeshme.
5 Njeriu i urtë është plot forcë, dhe njeriu që ka dituri e rrit fuqinë e tij.
6 Sepse me këshilla të urta do të mund të bësh luftën tënde, dhe në numrin e madh të këshilltarëve është fitorja.
7 Dituria është shumë e lartë për budallanë; ai nuk e hap kurrë gojën te porta e qytetit.
8 Kush mendon të bëjë keq do të quhet mjeshtër intrigash.
9 Synimi i pamend është mëkat dhe tallësi është një neveri për njerëzit.
10 Po të mos kesh guxim ditën e fatkeqësisë, forca jote është shumë e pakët.
11 Çliro ata që i tërheqin drejt vdekjes dhe mbaji ata që po i çojnë në thertore.
12 Po të thuash: "Ja, ne nuk e dinim," ai që peshon zemrat a nuk e shikon? Ai që ruan shpirtin tënd nuk e di vallë? Ai do t’i japë secilit simbas veprave të tij.
13 Biri im, ha mjaltin sepse është i mirë; një huall mjalti do të jetë i ëmbël për shijen tënde.
14 Kështu do të jetë njohja e diturisë për shpirtin tënd. Në rast se e gjen, do të ketë një të ardhme dhe shpresa jote nuk do të shkatërrohet.
15 O i pabesë, mos ngre kurthe kundër banesës së njeriut të drejtë, mos shkatërro vendin ku ai pushon,
16 sepse i drejti bie shtatë herë dhe ngrihet, kurse të pabesët përmbysen në fatkeqësi.
17 Kur armiku yt bie, mos u gëzo; kur është shtrirë për tokë, zemra jote të mos gëzohet,
18 me qëllim që Zoti të mos shikojë dhe të mos i vijë keq, dhe të mos largojë prej tij zemërimin e vet.
19 Mos u zemëro për shkak të atyre që bëjnë të keqen dhe mos i ki smirë të pabesët,
20 sepse nuk do të ketë të ardhme për të keqin; llamba e të pabesëve do të fiket.
21 Biri im, ki frikë nga Zoti dhe nga mbreti; mos u bashko me ata që duan të ndryshojnë;
22 mjerimi i tyre do të vijë papritmas, dhe shkatërrimin e të dy palëve kush e njeh?
23 Edhe këto gjëra janë për të urtit. Nuk është mirë të kesh preferenca personale në gjykim.
24 Ai që i thotë të pabesit: "Ti je i drejtë," do të mallkohet nga popujt dhe kombet do ta nëmin.
25 Por ata që e qortojnë të pabesin do të gjejnë kënaqësi dhe mbi ta do të zbresin bekimet më të mira.
26 Ai që jep një përgjigje të drejtë jep një të puthur mbi buzët.
27 Vër në vijë punët e tua të jashtme, vër në rregull arat e tua dhe pastaj ndërto shtëpinë tënde.
28 Mos dëshmo pa arsye kundër të afërmit tënd dhe mos gënje me buzët e tua.
29 Mos thuaj: "Ashtu si ma bëri mua, kështu do t’ia bëj edhe unë; do t’ia kthej simbas sjelljes së tij".
30 Kalova pranë arës së përtacit dhe pranë vreshtit të njeriut që s’ka mend;
31 dhe ja, kudo rriteshin ferrat, ferrishtet e zinin tokën dhe muri prej gurësh ishte shembur.
32 Duke parë këtë, u mendova me kujdes; nga sa pashë nxora një mësim:
33 të flesh pak, të dremitësh pak, të rrish pak me duar në ije për të pushuar;
34 kështu varfëria jote do të vijë si një vjedhës dhe skamja jote si një njeri i armatosur.
3 Prandaj, mbasi nuk mundëm më të rezistonim, na u duk e pëlqyeshme të të qëndrojmë, të vetëm, në Athinë,
2 dhe dërguam Timoteun, vëllanë tonë dhe shërbenjës të Perëndisë, dhe bashkëpunëtorin tonë në predikimin e ungjillit të Krishtit, që t’ju fuqizojë dhe t’ju japë zemër në besimin tuaj,
3 që të mos lëkundet askush në këto pikëllime, sepse ju e dini vetë se për këtë jemi caktuar.
4 Sepse, edhe kur ishim midis jush, ju parashikuam se do të heqim vështirësi, pikërisht sikurse ndodhi, dhe ju këtë e dini.
5 Për këtë arsye edhe unë, mbasi nuk rezistoja më, dërgova të marr vesh për besimin tuaj, se mos ju kishte tunduar tunduesi, dhe mundimi ynë të kishte shkuar kot.
6 Por tani që u kthye Timoteu prej jush dhe na solli lajme të mira për besimin dhe dashurinë tuaj, dhe se ju ruani gjithnjë një kujtim të mirë për ne dhe keni mall të madh që të na shihni, sikurse edhe ne t’ju shohim juve,
7 prandaj, o vëllezër, ne u ngushëlluam për ju, me gjithë pikëllimin dhe vuajtjet tona, për hir të besimit tuaj,
8 sepse tani rrojmë me të vërtetë, në qoftë se ju qëndroni të patundur në Zotin.
9 Sepse çfarë falënderimi mund t’i drejtojmë Perëndisë për ju, për gjithë gëzimin që ndiejmë për shkakun tuaj përpara Perëndisë sonë,
10 duke u lutur shumë, natë e ditë, që të shohim fytyrën tuaj dhe të plotësojmë gjërat që ende i mungojnë besimit tuaj?
11 Po vetë Perëndia, Ati ynë, dhe Zoti ynë Jezu Krishti e sheshoftë rrugën tonë për te ju.
12 Dhe Zoti shtoftë dhe teproftë në dashurinë për njeri tjetrin dhe për të gjithë, ashtu si edhe ne ndaj jush,
13 për të bërë të pa tundura zemrat tuaja, pa të meta në shenjtëri përpara Perëndisë dhe Atit tonë, në ardhjen e Perëndisë sonë Jezu Krisht bashkë me gjithë shenjtorët e tij. Amen.