M’Cheyne Bible Reading Plan
25 Zoti i foli Moisiut duke thënë:
2 "U thuaj bijve të Izraelit që të më bëjnë një ofertë; do ta pranoni ofertën nga çdo njeri që e bën i shtyrë nga zemra e tij.
3 Dhe kjo është oferta që do të pranoni prej tyre: ar, argjend dhe bronz;
4 stofa me ngjyrë vjollce, të purpurt, të kuqe flakë; li të hollë dhe lesh dhie;
5 lëkura dashi të ngjyrosura në të kuq, lëkurë baldose dhe dru akacie;
6 vaj për dritën e shandanit, aroma për vajin e vajosjes dhe për temianin erëmirë;
7 gurë oniksi dhe gurë për të ngallmuar në petkun e priftërinjve dhe në gjoksore.
8 Le të më bëjnë një shenjtërore, që unë të banoj në mes tyre.
9 Ju do ta bëni atë sipas tërë asaj që unë do t’iu tregoj, si për modelin e tabernakullit ashtu edhe për modelin e të gjitha orendive.
10 Do të bëjnë, pra, një arkë prej druri të akacies, i gjatë dy kubitë e gjysmë, i gjërë një kubit e gjysmë dhe i lartë një kubit e gjysmë.
11 Do ta veshësh nga brenda dhe nga jashtë; me ar safi dhe sipër do t’i bësh një kurorë ari, që të sillet përqark.
12 Do të shkrish për të katër unaza ari dhe do t’i vësh në katër këmbët e saj: dy unaza nga një anë dhe dy unaza nga ana tjetër.
13 Do të bësh edhe disa shtiza prej druri të akacies dhe do t’i veshësh me ar.
14 Pastaj do t’i kalosh shtizat nëpër unazat e arkës, për ta mbajtur.
15 Shtizat do të qëndrojnë në unazat e arkës; nuk do të hiqen prej asaj.
16 Dhe në arkë do të vësh Dëshminë që do të të jap.
17 Do të bësh edhe një pajtues prej ari safi; gjatësia e tij do të jetë dy kubitë e gjysmë, dhe gjerësia e tij një kubit e gjysmë.
18 Do të bësh pastaj dy kerubinë prej ari; këta do të punohen me çekiç në të dy skajet e pajtuesit;
19 bëje një kerubin në një nga skajet dhe një kerubin në skajin tjetër; kerubinët do t’i bëni prej një cope të vetme me pajtuesin në skajet e tij.
20 Dhe kerubinët do t’i kenë krahët e hapura me drejtim lart, në mënyrë që të mbulojnë pajtuesin me krahët e tyre; do të kenë drejtim nga njëri tjetri, ndërsa fytyrat e kerubinëve do të jenë të kthyera në drejtim të pajtuesit.
21 Do ta vësh pastaj pajtuesin lart, mbi arkën; dhe në arkë do të futësh Dëshminë që do të të jap.
22 Aty unë do të të takoj, nga lart, mbi pajtuesin, midis dy kerubinëve që janë mbi arkën e dëshmisë, do të të njoftoj tërë urdhërat që do të të jap për bijtë e Izraelit.
23 Do të bësh edhe një tryezë prej druri të akacies, e gjatë dy kubitë, e gjërë një kubit dhe e lartë një kubit e gjysmë.
24 Do ta veshësh me ar safi dhe do t’i bësh rreth e qark një kurorë prej ari.
25 Do t’i bësh rreth e përqark një buzë të lartë një pëllëmbë dore dhe rreth kësaj buze një kurorë prej ari.
26 Do t’i bësh gjithashtu katër unaza ari dhe do t’i vësh unazat në katër qoshet, që ndodhen në katër këmbët e tryezës.
27 Unazat do të jenë pranë buzës për të kaluar shufrat e caktuara që do ta mbajnë tryezën.
28 Shufrat do t’i bësh me dru të akacies dhe do t’i veshësh me ar; ato do të shërbejnë për të mbajtur tryezën.
29 Do të përgatisësh edhe pjatat e tij, gotat e tij, kupat e tij dhe filxhanët e tij me të cilët bëhen libacionet; dhe do t’i bësh me ar safi.
30 Dhe do të vësh mbi tryezë bukën e paraqitjes, që do të rrijë vazhdimisht para meje.
31 Do të përgatisësh një shandan prej ari safi; shandani, këmba dhe trungu i tij do të punohen me çekiç; kupat, mollët dhe lulet e tij do të jenë një copë.
32 Nga anët e tij do të dalin gjashtë krahë: tre krahë nga njëra anë e shandanit dhe tre krahë nga ana tjetër e tij;
33 mbi njerin krah do të modelohen tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule, dhe mbi krahun tjetër tri kupa në formë të bajames, me një mollë dhe një lule. Kështu do të veprohet për gjashtë krahët që dalin nga shandani.
34 Në trungun e shandanit do të ketë katër kupa në formë të bajames, me mollët dhe lulet e tyre.
35 Do të ketë një mollë poshtë dy krahëve të parë që dalin prej tij, një mollë poshtë dy krahëve të tjerë që dalin jashtë tij, dhe një mollë poshtë dy krahëve të fundit që dalin prej shandanit: kështu do të bëhet për të gjashtë krahët që dalin nga shandani.
36 Këto mollë dhe këta krahë, do të përbëjnë tërësinë, shandani do të jetë prej ari safi dhe i punuar me çekiç.
37 Do të bësh edhe shtatë llambat e tij, të cilat duhet të vendosen në mënyrë që të ndriçojnë pjesën e përparme të shandanit.
38 Dhe tërë veglat për të lëvizur qiririn dhe mbajtësin e tij do të jenë prej ari safi.
39 Shandani dhe veglat e tij do të bëhen me një talent prej ari të papërzier.
40 Dhe shiko të bësh çdo gjë simbas modelit që t’u tregua në mal".
4 Pra, kur Zoti mori vesh se farisenjtë kishin dëgjuar se Jezusi po bënte më shumë dishepuj dhe po pagëzonte më shumë se Gjoni
2 (ndonëse nuk pagëzonte Jezusi vetë, por dishepujt e tij),
3 e la Judenë dhe shkoi përsëri në Galile.
4 Por duhej të kalonte nëpër Samari.
5 Arriti, pra, në një qytet të Samarisë që quhej Sihar, afër tokës që Jakobi i kishte dhënë Jozefit, birit të vet.
6 Por aty ishte pusi i Jakobit. Dhe Jezusi, i lodhur nga udhëtimi, u ul pranë pusit; ishte rreth orës së gjashtë.
7 Një grua nga Samaria erdhi të nxjerrë ujë. Dhe Jezusi i tha: “Më jep të pi,”
8 sepse dishepujt e vet kishin shkuar në qytet për të blerë ushqime.
9 Por gruaja samaritane i tha: “Po qysh, ti që je Jude kërkon të pish prej meje, që jam një grua samaritane?” (Sepse Judenjtë nuk shoqërohen me Samaritanët).
10 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Po ta njihje ti dhuratën e Perëndisë dhe kush është ai që të thotë: "Më jep të pi!," ti vetë do të kërkoje nga ai dhe ai do të të jepte ujë të gjallë.”
11 Gruaja i tha: “Zot, ti nuk ke as kovë për të nxjerrë dhe pusi është i thellë; nga e ke, pra, atë ujë të gjallë?
12 Vallë je më i madh se Jakobi, ati ynë, qe na dha këtë pus dhe piu prej tij ai vetë, bijtë e tij dhe bagëtitë e tij?.”
13 Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Kushdo që pi nga ky ujë, do të ketë përsëri etje,
14 por kush pi nga uji që do t’i jap unë nuk do të ketë më kurrë etje përjetë; por uji që unë do t’i jap do të bëhet në të një burim uji që gufon në jetë të përjetshme.”
15 Gruaja i tha: “Zot, më jep këtë ujë, që unë të mos kem më etje dhe të mos vij këtu të nxjerr ujë!.”
16 Jezusi i tha: “Shko thirre burrin tënd dhe eja këtu.”
17 Gruaja u përgjigj dhe i tha: “Unë nuk kam burrë.” Jezusi i tha: “Mirë the: "Nuk kam burrë,"
18 sepse ti kishe pesë burra dhe ky që ke tani nuk është burri yt; për këtë ke thënë të vërtetën!.”
19 Gruaja i tha: “Zot, po shoh se ti je një profet.
20 Etërit tanë adhuronin mbi këtë mal, dhe ju thoni se në Jeruzalem është vendi ku duhet të adhurojmë.”
21 Jezusi i tha: “O grua, më beso: vjen ora që as mbi këtë mal as në Jeruzalem nuk do të adhuroni Atin.
22 Ju adhuroni atë që s’e njihni; ne adhurojmë atë që njohim; sepse shpëtimi vjen nga Judenjtë.
23 Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetën, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati.
24 Perëndia është Frymë, dhe ata që e adhurojnë duhet t’a adhurojnë në frymë dhe në të vërtetën.”
25 Gruaja i tha: “Unë e di se do të vijë Mesia, që e quajnë Krisht; kur të ketë ardhur, ai do të na kumtojë çdo gjë.”
26 Jezusi i tha: “Unë jam, ai që po të flet!.”
27 Në këtë moment erdhën dishepujt e tij dhe u mrekulluan që po fliste me një grua; por asnjë nuk i tha: “Çfarë do?” ose: “Pse po flet me të?.”
28 Atëherë gruaja e la kovën e saj dhe u kthye në qytet dhe u tha njerëzve:
29 “Ejani të shikoni një njeri që më ka thënë gjithçka kam bërë; vallë mos është ky Krishti?.”
30 Dolën, pra, nga qyteti dhe erdhën tek ai.
31 Ndërkaq dishepujt e vet po i luteshin duke thënë: “Mësues, ha.”
32 Por ai u tha atyre: “Unë kam një ushqim për të ngrënë të cilin ju s’e njihni.”
33 Prandaj dishepujt i thonin njëri-tjetrit: “Mos i solli vallë dikush për të ngrënë?.”
34 Jezusi u tha atyre: “Ushqimi im është të bëj vullnetin e atij që më dërgoi dhe të kryej veprën e tij.
35 A nuk thoni ju se ka edhe katër muaj dhe vjen korrja? Ja, unë po ju them: Ngrini sytë tuaj dhe shikoni fushat që tashmë zbardhojnë për korrjen.
36 Korrësi e merr shpërblimin dhe mbledh frytin për jetën e përjetshme, që mbjellësi dhe korrësi të gëzohen sëbashku.
37 Sepse në këtë vërtetohet e thëna: "Një mbjell e tjetri korr".
38 Unë ju dërgova të korrni atë për të cilin ju nuk u munduat; të tjerët u munduan dhe ju hytë në mundimin e tyre.”
39 Dhe shumë Samaritanë nga ai qytet besuan në të, për shkak të fjalës së gruas që dëshmoi: “Ai më tregoi gjithçka kam bërë.”
40 Por kur Samaritanët erdhën tek ai, e lutën të qëndrojë me ta; dhe ai ndenji aty dy ditë.
41 Dhe shumë më tepër njerëz besuan për shkak të fjalës së tij.
42 Dhe ata i thoshnin gruas: “S’është më vetëm për shkak të fjalëve të tua që besojmë, por sepse ne vetë e kemi dëgjuar dhe dimë se ai është me të vërtetë Krishti, Shpëtimtari i botës.”
43 Pra, si kaluan ato dy ditë, ai u nis prej andej dhe shkoi në Galile,
44 sepse vetë Jezusi dëshmoi se një profet nuk nderohet në vendlindjen e vet.
45 Pra, kur arriti në Galile, Galileasit e pritën, sepse kishin parë të gjitha ato që kishte bërë në Jeruzalem gjatë festës, sepse edhe ata kishin shkuar për festë.
46 Jezusi erdhi, pra, përsëri në Kanë të Galilesë, ku e kishte bërë ujin verë. Dhe aty ishte një nëpunës i mbretit, djali i të cilit ishte i sëmurë në Kapernaum.
47 Ky, kur dëgjoi se Jezusi kishte ardhur nga Judeja në Galile, shkoi tek ai dhe iu lut që të zbriste e ta shëronte birin e tij, që ishte gati për vdekje.
48 Atëherë Jezusi i tha: “Po të mos shikoni shenja dhe mrekulli, ju nuk besoni.”
49 Nëpunësi i mbretit i tha: “Zot, zbrit para se djali im të vdesë.”
50 Jezusi i tha: “Shko, djali yt jeton!.” Dhe ai njeri i besoi fjalës që i tha Jezusi dhe shkoi.
51 Pikërisht kur ai po zbriste, i dolën përpara shërbëtorët e vet dhe e informuan duke thënë: “Djali yt jeton!.”
52 Dhe ai i pyeti ata në cilën orë u bë më mirë; ata i thanë: “Dje në orën e shtatë e lanë ethet.”
53 Atëherë i ati e kuptoi se ishte pikërisht në atë orë në të cilën Jezusi i kishte thënë: “Djali yt jeton”; dhe besoi ai dhe gjithë shtëpia e tij.
54 Jezusi bëri edhe këtë shenjë të dytë, kur u kthye nga Judeja në Galile.
1 Fjalët e urta të Salomonit, birit të Davidit, mbret i Izraelit,
2 për të njohur diturinë dhe për të mësuar gjykimet e mënçura;
3 për të ditur si të veprosh me urti, me drejtësi, me gjykim dhe ndershmëri,
4 për t’u dhënë shkathtësi njerëzve të thjeshtë, njohje dhe reflektim të riut.
5 I urti do të dëgjojë dhe do të rritë diturinë e tij; njeriu i zgjuar do të përfitojë këshilla të urta,
6 për të kuptuar një sentencë dhe një enigmë, fjalët e të urtëve dhe thëniet e tyre të errëta.
7 Frika e Zotit është fillimi i njohjes; por njerëzit e pamend përçmojnë diturinë dhe arsimin.
8 Dëgjo, o biri im, mësimet e atit tënd dhe mos i lër pas dore mësimet e nënes sate,
9 sepse janë një nur që zbukuron kokën tënde dhe një stoli në qafën tënde.
10 Biri im, në qoftë se mëkatarët duan të të mashtrojnë, mos prano,
11 në qoftë se thonë: "Eja me ne; kemi ngritur një pritë për të derdhur gjak; i ngritëm gracka të pafajmit pa ndonjë shkak;
12 le t’i kapërdimë të gjallë, ashtu si Sheoli, tërësisht si ata që zbresin në gropë;
13 ne do të gjejmë lloj-lloj pasurish të çmueshme, do t’i mbushim shtëpitë tona me plaçka;
14 ti do ta hedhësh në short pjesën tënde me ne, dhe të gjithë ne do të kemi një qese të vetme";
15 biri im, mos shko me ta në po atë rrugë, ndale hapin nga shtegu i tyre,
16 sepse këmbët e tyre turren drejt së keqes dhe ata nxitojnë të derdhin gjak.
17 Shtrihet më kot rrjeta përpara çdo lloji zogjsh;
18 por këta kurdisin prita kundër gjakut të vet dhe ngrenë kurthe kundër vetë jetës së tyre.
19 Të tilla janë rrugët e çdo njeriu të etur për pasuri; ajo ia heq jetën atyre që e kanë.
20 Dituria bërtet nëpër rrugë, zëri i saj dëgjohet nëpër sheshe;
21 ajo thërret në vendet ku ka turma dhe ligjëron në hyrje të portave të qytetit;
22 "Deri kur, o njerëz të thjeshtë, do t’ju pëlqejë thjeshtësia dhe tallësit do të kënaqen duke u tallur dhe budallenjtë do të urrejnë dijen?
23 Ejani në vete nga qortimi im; ja, unë do të derdh mbi ju Frymën time dhe do t’ju bëj të njohura fjalët e mia.
24 Sepse unë thirra dhe ju nuk keni dashur, shtriva dorën time dhe askush prej jush nuk i kushtoi vëmendje,
25 përkundrazi hodhët poshtë të gjitha këshillat e mia dhe nuk pranuat ndreqjen time,
26 edhe unë do të qesh me fatkeqësinë tuaj, do të tallem kur të vijë ajo që ju druani,
27 kur ajo që druani të vijë si një furtunë, dhe fatkeqësia juaj të vijë si një stuhi, kur t’ju mbulojnë fatkeqësia dhe ankthi.
28 Atëherë ata do të më thërrasin mua, por unë nuk do të përgjigjem; do të më kërkojnë me kujdes, por nuk do të më gjejnë.
29 Sepse kanë urryer dijen dhe nuk kanë zgjedhur frikën e Zotit,
30 nuk kanë dashur të pranojnë këshillën time dhe kanë përbuzur të gjitha qortimet e mia.
31 Prandaj do të hanë frytin e sjelljes së tyre dhe do të ngopen me këshillat e tyre.
32 Sepse përdalja e njerëzve të thjeshtë i vret dhe qetësia e rreme e budallenjve i zhduk;
33 por ai që më dëgjon do të banojë një vend të sigurt, do të jetë me të vërtetë i qetë, pa frikë nga çfarëdo e keqe".
13 Ja, kjo është e treta herë që po vij te ju. “Çdo gjë do të qëndrojë me gojën e dy a tre dëshmitarëve.”
2 E thashë edhe më parë, kur isha i pranishëm te ju për të dytën herë, dhe po e them tani që jam larg jush. Po u shkruaj atyre që kanë mëkatuar më përpara dhe të gjithë të tjerëve se, po të vij përsëri, nuk do të kursej njeri.
3 Sepse ju kërkoni provën e Krishtit që flet në mua; dhe ai s’është i dobët ndaj jush, por është i fuqishëm në ju.
4 Sepse, megjithëse ai u kryqëzua në dobësinë e tij, ai po rron nëpërmjet fuqisë së Perëndisë, sepse edhe ne jemi të dobët në të, por do të rrojmë me të nëpërmjet fuqisë së Perëndisë ndaj nesh.
5 Analizoni veten tuaj a jeni në besim; provoni veten tuaj! A thua nuk e njihni vetveten se Jezu Krishti është në ju? Veç në qofshi të përjashtuar.
6 Por unë shpresoj se ju do ta njihni se ne nuk jemi të përjashtuar.
7 Edhe i lutem Perëndisë që të mos bëni ndonjë të keqe, jo që të dukemi të miratuar, por që ju të bëni atë që është e mirë edhe sikur ne të ishim të përjashtuar.
8 Ne në fakt nuk kemi asnjë forcë kundër së vërtetës, por vetëm pro së vërtetës.
9 Sepse ne gëzohemi kur jemi të dobët dhe ju jeni të fortë; dhe ne lutemi edhe për këtë: për përsosjen tuaj.
10 Prandaj i shkruaj këto gjëra, kur jam larg jush, që, kur të jem i pranishëm, të mos sillem me ashpërsi, sipas autoritetit që më ka dhënë Zoti për të ndërtuar e jo për të prishur.
11 Më në fund, o vëllezër, gëzohuni, përsosuni, ngushëllohuni, jini të një mendje, jetoni në paqe; dhe Perëndia i dashurisë dhe i paqes do të jetë me ju.
12 Përshëndetni njeri tjetrin me një puthje të shenjtë,
13 të gjithë shenjtorët ju përshëndesin.
14 Hiri i Zotit Jezu Krisht, dashuria e Perëndisë dhe bashkësia e Frymës së Shenjtë qofshin me ju të gjithë. Amen.