M’Cheyne Bible Reading Plan
48 Mbas këtyre gjërave, ndodhi që i thanë Jozefit: "Ja, ati yt është i sëmurë". Kështu ai mori me vete dy bijtë e tij, Manasin dhe Efraimin.
2 Kur i thanë Jakobit: "Ja, biri yt Jozefi po vjen te ti," Izraeli mblodhi tërë forcat dhe u ul mbi shtratin e tij.
3 Atëherë Jakobi i tha Jozefit: "Perëndia i plotfuqishëm m’u shfaq në Luc, në vendin e Kanaanit, më bekoi
4 dhe më tha: "Ja, unë do të të bëj frytdhënës, do të të shumoj, do të bëj prej teje një shumicë popujsh dhe do t’u jap këtë vend pasardhësve të tu pas teje, si pronë përjetë".
5 Tani dy bijtë e tu, që të kanë lindur në vendin e Egjiptit para se unë të vija tek ti në Egjipt, janë të mitë. Efraimi dhe Manasi janë të mitë, ashtu si Rubeni dhe Simeoni.
6 Por bijtë që ke lindur mbas tyre do të jenë të tutë; në territorin e trashëgimisë së tyre do të thirren me emrin e vëllezërve të tyre.
7 Sa për mua, ndërsa po kthehesha nga Padani, Rakela vdiq pranë meje gjatë udhëtimit, në vendin e Kanaanit, aty afër Efratës; dhe e varrosa atje, në rrugën e Efratës, që është Betlemi".
8 Kur Izraeli pa bijtë e Jozefit, tha: "Kush janë këta?".
9 Jozefi iu përgjegj të atit: "Janë fëmijët e mi që Perëndia më ka dhënë këtu". Atëherë ai tha: "M’i afro dhe unë do t’i bekoj".
10 Tani sytë e Izraelit ishin venitur për shkak të moshës dhe nuk shihte fare. Jozefi i afroi ata dhe ai i puthi dhe i përqafoi.
11 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Unë nuk mendoja të shikoja përsëri fytyrën tënde, por tani Perëndia më dha mundësinë të shikoj edhe pasardhësit e tu".
12 Jozefi i tërhoqi nga gjunjët e të atit dhe u përul me fytyrën në tokë.
13 Pastaj Jozefi i mori që të dy: Efraimin në të djathtë të tij dhe në të majtë të Izraelit, Manasin në të majtë të tij dhe në të djathtë të Izraelit, dhe i afroi pranë atij.
14 Atëherë Izraeli zgjati dorën e tij të djathtë dhe e vuri mbi kryet e Efraimit që ishte më i riu, dhe vuri dorën e tij të majtë mbi kryet e Manasit duke kryqëzuar duart, ndonëse Manasi ishte i parëlinduri.
15 Kështu bekoi Jozefi dhe tha: "Perëndia, para të cilit ecën etërit e mi Abrahami dhe Isaku, Perëndia që më ka ushqyer qysh prej lindjes sime deri më sot,
16 Engjëlli që më ka çliruar nga çdo e keqe, le t’i bekojë këta fëmijë! Le të quhen me emrin tim dhe me emrin e etërve të mi Abraham dhe Isak, dhe të shumohen fort mbi tokë!".
17 Kur Jozefi pa që i ati kishte vënë dorën e djathtë mbi kokën e Efraimit, kjo nuk i pëlqeu; prandaj ai kapi dorën e atit të tij për ta hequr nga kryet e Efraimit dhe për ta vënë mbi kryet e Manasit.
18 Pastaj Jozefi i tha atit të tij: "Jo kështu, ati im, sepse i parëlinduri është ky këtu; vëre dorën tënde të djathtë mbi kryet e tij".
19 Por i ati refuzoi dhe tha: "E di, biri im, e di; edhe ai do të bëhet një popull, edhe ai do të jetë i madh; megjithatë, vëllai yt më i vogël do të bëhet më i madh se ai, dhe pasardhësit e tij do të bëhen një mori kombesh".
20 Dhe atë ditë i bekoi duke thënë: "Për ty Izraeli ka për të bekuar, duke thënë: "Perëndia të të bëj si Efraimi dhe si Manasi!"". Kështu ai e vuri Efraimin para Manasit.
21 Pastaj Izraeli i tha Jozefit: "Ja, unë kam për të vdekur pas pak, por Perëndia do të jetë me ju dhe do t’ju çojë përsëri në vendin e etërve tuaj.
22 Veç kësaj, ty po të jap një pjesë më të madhe në krahasim me vëllezërit e tu, atë që fitova nga Amorejtë me shpatën dhe harkun tim".
39 Dhe në ato ditë Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim në krahinën malore, në një qytet të Judesë,
40 dhe hyri në shtëpinë e Zakarias e përshëndeti Elizabetën.
41 Dhe ndodhi që, sapo Elizabeta dëgjoi përshëndetjen e Maries, fëmija i kërceu në bark, dhe Elizabeta u mbush me Frymën e Shenjtë,
42 dhe thërriti me zë të lartë, duke thënë: “Ti je e bekuar ndër gratë dhe i bekuar është fryti i barkut tënd.
43 Dhe përse po më ndodh kjo, që nëna e Zotit tim të vijë tek unë?
44 Sepse, ja, sapo arriti në veshët e mi zëri i përshëndetjes sate, fëmija nga gëzimi kërceu në barkun tim.
45 Tani, e lumur është ajo që besoi, sepse gjërat që i janë thënë nga ana e Zotit do të realizohen!.”
46 Dhe Maria tha: “Shpirti im e madhëron Zotin,
47 dhe fryma im ngazëllon në Perëndinë, Shpëtimtarin tim,
48 sepse ai e shikoi me pëlqim ultësinë e shërbëtores së tij; sepse ja, tani e tutje të gjitha brezat do të më shpallin të lume,
49 sepse i Pushtetshmi më bëri gjëra të mëdha, dhe i Shenjtë është emri i tij!
50 Dhe mëshira e tij shtrihet nga brezi në brez për ata që e druajnë.
51 Ai veproi pushtetshëm me krahun e vet; i shpërndau krenarët me mendimet e zemrave të tyre;
52 i përmbysi pushtetarët nga fronat e tyre dhe i ngriti të përulurit;
53 i mbushi me të mira të uriturit dhe i ktheu duarbosh të pasurit.
54 Ai e ndihmoi Izraelin, shërbëtorin e vet, duke i kujtuar për mëshirën e tij,
55 ashtu si ua pati deklaruar etërve tanë, Abrahamit dhe pasardhësve të tij, për gjithmonë.”
56 Dhe Maria ndenji me Elizabetën gati tre muaj, pastaj u kthye në shtëpinë e vet.
57 Dhe Elizabetës i erdhi koha që të lindë dhe të nxjerrë në dritë një djalë.
58 Fqinjët e saj dhe të afërmit, kur dëgjuan se Zoti kishte treguar mëshirë të madhe ndaj saj, u gëzuan me të.
59 Dhe ndodhi që të tetën ditë erdhën për ta rrethprerë djalin, dhe donin t’ia quanin Zakaria, me emrin e atit të tij;
60 por e ëma ndërhyri dhe tha: “Jo, por përkundrazi do të quhet Gjon.”
61 Dhe ata i thanë: “S’ka njeri në fisin tënd që të quhet me këtë emër.”
62 Kështu me shenja e pyetën të atin, si donte që t’i quhej.
63 Ai atëherë kërkoi një tabelë shkrimi dhe shkroi mbi të: “Emri i tij është Gjon.” Dhe të gjithë u mrrekulluan.
64 Në atë çast goja e tij u hap dhe gjuha e tij u zgjidh, dhe fliste duke bekuar Perëndinë.
65 Dhe të gjithë fqinjëve të tyre u hyri druajtja, dhe të gjitha këto gjëra u përhapën nëpër krejt krahinën malore të Judesë.
66 Të gjitha ata që i dëgjuan, i vunë në zemrën e tyre duke thënë: “Vallë kush do të jetë ky fëmijë?.” Dhe dora e Zotit ishte me të.
67 Dhe Zakaria, ati i tij, u mbush me Frymën e Shenjtë dhe profetizoi, duke thënë:
68 Bekuar qoftë Zoti, Perëndia i Izraelit, sepse e ka vizituar dhe e kreu çlirimin e popullit të vet;
69 dhe na ngriti një shpëtim të pushtetshëm në shtëpinë e Davidit, shërbëtorit të vet,
70 ashtu si ai e kishte deklaruar nëpërmjet gojës së profetëve të tij të shenjtë që nga kohët e lashta, që ne të shpëtojmë
71 prej armiqve tanë dhe prej dorës së gjithë atyre që na urrejnë,
72 për të treguar mëshirë tek etërit tanë e për t’u kujtuar për besëlidhjen e tij të shenjtë,
73 betimin që i bëri Abrahamit, atit tonë,
74 për të na lejuar që, pasi të çlirohemi nga duart e armiqve tanë, të mund t’i shërbejmë pa frikë,
75 në shenjtëri e në drejtësi përpara atij, të gjitha ditët e jetës sonë.
76 Dhe ti, o fëmijë i vogël, do të quhesh profet nga Shumë i Larti, sepse ti do të shkosh përpara fytyrës së Zotit për të përgatitur udhët e tij,
77 për t’i dhënë popullit të tij njohjen e shpëtimit, në faljen e mëkateve të tyre;
78 për hir të thellësisë së mëshirës së Perëndisë sonë, për të cilën agimi nga lart na ka vizituar,
79 për të ndriçuar ata që dergjeshin në errësirë dhe në hijen e vdekjes, për të udhëhequr hapat tona në udhën e paqes.”
80 Ndërkaq fëmija rritej dhe forcohej në frymë: dhe qëndroi në shkretëtirë deri në atë ditë, kur ai duhej t’i zbulohej Izraelit.
14 "Njeriu i lindur nga një grua jeton pak ditë dhe është plot shqetësime.
2 Mbin si një lule, pastaj pritet; ikën me vrap si një hije dhe nuk e ka të gjatë.
3 Mbi një qenie të tillë ti i mban sytë të hapur, dhe më bën që të dal në gjyq bashkë me ty.
4 Kush mund të nxjerrë një gjë të pastër nga një gjë e papastër? Askush.
5 Sepse ditët e saj janë të caktuara, numri i muajve të saj varet nga ti, dhe ti i ke vendosur kufij që nuk mund t’i kapërcejë.
6 Hiqe shikimin nga ai dhe lëre të qetë, deri sa të mbarojë ditën e tij si një argat.
7 Të paktën për drurin ka shpresë; në rast se pritet, rritet përsëri dhe vazhdon të mugullojë.
8 Edhe sikur rrënjët e tij të plaken nën tokë dhe trungu i tij të vdesë nën dhe,
9 me të ndjerë ujin, mugullon përsëri dhe lëshon degë si një bimë.
10 Njeriu përkundrazi vdes dhe mbetet i shtrirë për dhe; kur është duke nxjerrë frymën e fundit, ku është, pra?
11 Mund të mungojnë ujërat në det dhe një lumë të meket dhe të thahet,
12 por njeriu që dergjet nuk ngrihet më; sa të mos ketë më qiej, nuk do të zgjohet dhe nuk do të çohet më nga gjumi i tij.
13 Ah sikur të doje të më fshihje në Sheol, të më mbaje të fshehur sa të kalonte zemërimi yt, të më caktoje një afat dhe të më kujtoje!
14 Në qoftë se njeriu vdes, a mund të kthehet përsëri në jetë? Do të prisja çdo ditë të shërbimit tim të rëndë, deri sa të arrinte ora e ndryshimit tim.
15 Do të më thërrisje dhe unë do të të përgjigjesha; ti do të kishe një dëshirë të madhe për veprën e duarve të tua.
16 Atëherë ti do të më numëroje hapat, por nuk do të vije re mëkatet e mia;
17 do ta vulosje në një thes mëkatin tim dhe do ta mbuloje fajin tim.
18 Por ashtu si një mal rrëzohet dhe thërrmohet, ashtu si një shkëmb luan nga vendi i tij,
19 ashtu si ujërat gërryejnë gurët dhe vërshimet marrin me vete dheun, kështu ti shkatërron shpresën e njeriut.
20 Ti e vë përfund për gjithnjë, dhe ai shkon; ti ia prish fytyrën dhe e dëbon.
21 Në rast se bijtë e tij janë të nderuar, ai nuk e di; po të jenë të përbuzur, ai nuk e vë re.
22 Ai ndjen vetëm dhembjen e madhe të mishit të tij dhe pikëllohet për veten e tij.
2 Edhe unë, o vëllezër, kur erdha te ju, nuk erdha me shkëlqim fjalësh a diturie, që t’ju shpall dëshminë e Perëndisë,
2 sepse e vendosa që të mos di tjetër gjë ndër ju, veç Jezu Krishtit edhe atë të kryqëzuar.
3 Edhe unë kam qenë te ju me dobësi, me frikë dhe drithërimë të madhe.
4 Dhe fjala ime dhe predikimi im nuk u bënë me fjalë mbushamendëse nga dituria njerëzore, por në dëftim të Frymës dhe të fuqisë,
5 që besimi juaj të mos qëndrojë mbi diturinë e njerëzve, po mbi fuqinë e Perëndisë.
6 Dhe ne flasim dituri në mes njerëzish të pjekur, por jo diturinë e kësaj kohe dhe as të pushtetarëve të kësaj kohe, që nuk arrin asgjë,
7 por flasim diturinë e Perëndisë të fshehur në mister, që Perëndia e kishte paracaktuar përpara kohërash për lavdinë tonë,
8 të cilën asnjë nga pushtetarët e kësaj kohe nuk e ka njohur; sepse, po ta kishin njohur, nuk do të kishin kryqëzuar Zotin e lavdisë.
9 Por, sikurse është shkruar: “Ato gjëra që syri nuk i ka parë dhe veshi nuk i ka dëgjuar dhe nuk kanë hyrë në zemër të njeriut, janë ato që Perëndia ka përgatitur për ata që e duan atë.”
10 Po Perëndia na i ka zbuluar me anë të Frymës së tij, sepse Fryma heton çdo gjë, edhe të thellat e Perëndisë.
11 Sepse cili nga njerëzit, pra, njeh gjërat e njeriut, përveç se fryma e njeriut që është në të? Po kështu asnjëri s’i njeh gjërat e Perëndisë, përveç Fryma e Perëndisë.
12 Dhe ne nuk kemi marrë frymën e botës, por Frymën që vjen nga Perëndia, që të njohim gjërat që na janë dhuruar falas nga Perëndia.
13 Për këto edhe flasim, por jo me fjalë të mësuara nga dituria njerëzore, por të mësuara nga Fryma e Shenjtë, duke i krahasuar gjëra frymërore me fjalë frymërore.
14 Dhe njeriu natyror nuk i rrok gjërat që janë të Frymës së Shenjtë; sepse për të janë marrëzi dhe nuk mund t’i njohë; sepse ato gjykohen frymërisht.
15 Por njeriu që është frymëror gjykon çdo gjë dhe vetë nuk është i gjykuar nga asnjeri.
16 Sepse kush e ka njohur mendjen e Zotit që mund të mësojë atë? Por ne kemi mendjen e Krishtit.