Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

M’Cheyne Bible Reading Plan

The classic M'Cheyne plan--read the Old Testament, New Testament, and Psalms or Gospels every day.
Duration: 365 days
Albanian Bible (ALB)
Version
2 i Mbretërve 24

24 Gjatë mbretërimit të tij erdhi Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, dhe Jehojakimi u bë shërbëtor i tij për tre vjet; pastaj ngriti krye kundër tij.

Atëherë Zoti dërgoi kundër tij banda Kaldeasish, Sirësh, Moabitësh dhe Amonitësh; i dërgoi kundër Judës për ta shkatërruar, sipas fjalës që Zoti kishte shqiptuar me anë të shërbëtorëve të tij, profetëve.

Kjo ndodhi në Judë vetëm me urdhër të Zotit, që donte ta largonte nga prania e tij për shkak të mëkateve të Manasit, për të gjitha ato që kishte bërë,

por edhe për shkak të gjakut të pafajshëm të derdhur prej tij, sepse ai e kishte mbushur Jeruzalemin me gjak të pafajshëm. Për këtë arësye Zoti nuk deshi ta falë.

Pjesa tjetër e bëmave të Jehojakimit dhe tërë atë që bëri a nuk janë të shkruara në librin e Kronikave të mbretërve të Judës?

Kështu Jehojakimin e zuri gjumi me etërit e tij dhe në vend të tij mbretëroi i biri, Jehojakini.

Por mbreti i Egjiptit nuk doli më nga vendi i tij, sepse e mbreti i Babilonisë kishte shtënë në dorë tërë ato që ishin pronë e mbretit të Egjiptit, nga përroi i Egjiptit deri në lumin Eufrat.

Jehojakini ishte tetëmbëdhjetë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi tre muaj në Jeruzalem. E ëma quhej Nehushta, ishte bija e Elnathanit nga Jeruzalemi.

Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar ati i tij.

10 Në atë kohë shërbëtorët e Nebukadnetsarit, mbretit të Babilonisë, u vërsulën kundër Jeruzalemit dhe qyteti mbeti i rrethuar.

11 Nebukadnetsari, mbret i Babilonisë, arriti para qytetit ndërsa shërbëtorët e tij po e rrethonin.

12 Atëherë Jehojakini, mbret i Judës, i doli përpara mbretit të Babilonisë bashkë me nënën e tij, me shërbëtorët, me krerët dhe me eunikët e tij. Kështu mbreti i Babilonisë e bëri rob vitin e tetë të mbretrimit të tij.

13 Pastaj, ashtu siç e kishte thënë Zoti, mori që andej tërë thesaret e shtëpisë të Zotit dhe thesaret e pallatit mbretëror, i bëri copë-copë të gjitha veglat prej ari që Salomoni, mbret i Izraelit, kishte bërë për tempullin e Zotit.

14 Internoi pastaj tërë Jeruzalemin, tërë krerët, tërë njerëzit trima, gjithsej dhjetë mijë robër, si dhe të gjithë artizanët dhe farkëtarët; mbetën vetëm njerëzit më të varfër të vendit.

15 Kështu ai internoi Jehojakinin në Babiloni; çoi gjithashtu në robëri nga Jeruzalemi në Babiloni nënën e mbretit, bashkëshortet e tija, eunukët e tij dhe fisnikët e vendit,

16 gjithë njerëzit e aftë që ishin shtatë mijë veta, artizanët dhe farkëtarët, një mijë veta, tërë njerëzit trima dhe të aftë për luftë. Mbreti i Babilonisë i internoi në Babiloni.

17 Në vendin e Jehojakinit, mbreti i Babilonisë, bëri mbret Mataniahun, ungjin e tij, të cilit i ndërroi emrin në Sedekia.

18 Sedekia ishte njëzet e një vjeç kur filloi të mbretërojë dhe e mbajti fronin në Jeruzalem njëmbëdhjetë vjet. E ëma quhej Hamutal, ishte bija e Jeremias nga Libnahu.

19 Ai bëri atë që është e keqe në sytë e Zotit, në të gjitha, ashtu si kishte vepruar Jehojakimi.

20 Kjo ndodhi në Jeruzalem dhe në Judë për shkak të zemërimit të Zotit, i cili në fund i dëboi nga prania e tij. Më vonë Sedekia ngriti krye kundër mbretit të Babilonisë.

Hebrenjve 6

Prandaj, duke e lënë fjalën e fillimit të Krishtit, le të synojmë përkryerjen, pa hedhur përsëri themel pendimi nga vepra të vdekura dhe nga besimi te Perëndia,

nga doktrina për pagëzimet, të vënies së duarve, të ringjalljes të të vdekurve dhe të gjyqit të përjetshëm;

dhe këtë do ta bëjmë, në e lejoftë Perëndia.

Sepse ata që janë ndriçuar një herë, e shijuan dhuntinë qiellore dhe u bënë pjestarë të Frymës së Shenjtë,

dhe shijuan fjalën e mirë të Perëndisë dhe mrrekullitë e jetës së ardhshme,

dhe po u rrëzuan, është e pamundur t’i sjellësh përsëri në pendim, sepse ata, për vete të tyre, e kryqëzojnë përsëri Birin e Perëndisë dhe e poshtërojnë.

Sepse toka, që pi shiun, i cili bie shpesh mbi të dhe prodhon barëra të dobishme për ata që e punojnë, merr bekim nga Perëndia;

kurse, po të prodhojë ferra e murriza, shahet edhe afër mallkimit dhe fundi i vet është për t’u djegur.

Dhe ndonëse flasim kështu, ne, o të dashur, lidhur me ju jemi të bindur për gjëra më të mira dhe që i takojnë shpëtimit;

10 sepse Perëndia nuk është i padrejtë, që të harrojë veprën dhe mundimin tuaj të dashurisë që treguat për emrin e tij me shërbesën që u bëtë dhe po u bëni shenjtorëve.

11 Dhe dëshirojmë që secili nga ju të tregojë deri në fund të njëjtin zell për të arritur në sigurimin e plotë të shpresës,

12 që të mos bëheni përtacë, por t’u përngjani atyre që nëpërmjet besim dhe durim trashëgojnë premtimet.

13 Sepse kur Perëndia i dha premtimin Abrahamit, duke qenë se s’kishte ndonjë më të madh që të përbetohej, bëri be me veten e tij

14 duke thënë: “Sigurisht do të të bekoj dhe do të të shumoj fort.”

15 Dhe kështu Abrahami, duke pritur me durim, fitoi premtimin.

16 Sepse njerëzit bëjnë be për dikë që është më i madh, dhe në këtë mënyrë betimi për ta është garancia që i jep fund çdo mosmarrëveshjeje.

17 Kështu Perëndia, duke dashur t’u tregojë trashëgimtarëve të premtimit në mënyrë më të qartë palëkundshmërinë e vendimit të tij vuri ndërmjetës betimin,

18 që me anë të dy gjërave të pandryshueshme, në të cilat është e pamundur të Perëndia të gënjejë, të kemi trimërim të madh ne, që kemi kërkuar strehë duke u kapur nga shpresa që na u vu përpara.

19 Kjo shpresë që ne kemi është si një spirancë e sigurt dhe e patundur, dhe që hyn deri në brendësinë e velit,

20 ku ka hyrë Krishti, si pararendës për ne, pasi u bë kryeprift në amshim sipas rendit të Melkisedekut.

Joeli 3

"Sepse ja, në ato ditë dhe në atë kohë, kur do të bëj që të kthehen nga robëria ata të Judës dhe të Jeruzalemit,

do të mbledh tërë kombet dhe do t’i bëj të zbresin në luginën e Jozafatit, dhe atje do të zbatoj gjykimin tim mbi ta, për Izraelin, popullin tim dhe trashëgiminë time, që e kanë shpërndarë midis kombeve, duke e ndarë kështu vendin tim.

Kanë hedhur shortin mbi popullin tim, kanë dhënë një djalë në këmbim të një prostitute dhe kanë shitur një vajzë në këmbim të verës, që të mund të pinin.

Përveç kësaj çfarë jeni ju për mua, Tiro dhe Sidoni, dhe ju, gjithë krahinat e Filistisë? Mos doni vallë të hakmerreni me mua për ndonjë gjë që kam bërë? Por në rast se hakmerreni, do të bëj që të bjerë shpejt dhe pa ngurrim mbi kokën tuaj ligësia që keni bërë.

Sepse ju keni marrë argjendin dhe arin tim dhe keni çuar në tempujt tuaj pjesën më të mirë të sendeve të mia të çmuara,

dhe ua keni shitur bijtë e Judës dhe të Jeruzalemit bijve të Javanitëve, për t’i larguar nga vendi i tyre.

Ja, unë do t’i bëj të zgjohen nga vendi ku i keni shitur dhe do të bëj që të bjerë mbi kokën tuaj ajo që keni bërë.

Do t’i shes bijtë tuaj dhe bijat tuaja në duart e bijve të Judës, që do t’ua shesin Sabejve, një komb i largët, sepse Zoti ka folur".

Shpallni këtë midis kombeve: "Pregatitni luftën, zgjoni njerëzit trima, le të afrohen, le të dalin gjithë luftëtarët!

10 Farkëtoni shpata me ploret tuaj dhe ushta me drapërinjtë tuaj. I dobëti le të thotë: "Jam i Fortë!"".

11 Nxitoni dhe ejani, kombe rreth e rrotull, dhe mblidhuni! O Zot, bëj që të zbresin atje njerëzit e tu trima!

12 "Le të ngrihen dhe të dalin kombet në luginën e Jozafatit, sepse atje unë do të ulem për të gjykuar të gjitha kombet që janë përreth.

13 Merrni në dorë draprinjtë, sepse të korrat janë gati. Ejani, zbrisni, sepse trokulli është plot, butet grafullojnë, sepse e madhe është ligësia e tyre".

14 Turma pas turmash në Luginën e vendimit. Sepse dita e Zotit është e afërt, në Luginën e vendimit".

15 Dielli dhe hëna po erren dhe yjet po humbin shkëlqimin e tyre.

16 Zoti do të vrumbullojë nga Sioni dhe do të bëjë që t’i dëgjohet zëri nga Jeruzalemi, aq sa qiejt dhe toka do të dridhen. Por Zoti do të jetë një strehë për popullin e tij dhe një fortesë për bijtë e Izraelit.

17 "Atëherë ju do të pranoni që unë jam Zoti, Perëndia juaj, që banon në Sion, mali im i shenjtë. Kështu Jeruzalemi do të jetë i shenjtë dhe të huajt nuk do të kalojnë më andej".

18 Atë ditë do të ndodhë që malet të pikojnë musht, qumështi do të rrjedhë nga kodrat dhe uji do të rrjedhë në të gjitha rrëketë e Judës. Nga shtëpia e Zotit do të dalë një burim, që do të ujitë luginën e Sitimit.

19 "Egjipti do të bëhet shkreti dhe Edomi një shkretëtirë e mjeruar për shkak të dhunës kundër bijve të Judës, sepse kanë derdhur gjak të pafajshëm në vendin e tyre.

20 Por Juda do të mbetet përjetë, edhe Jeruzalemi brez pas brezi.

21 Do t’i pastroj nga gjaku i tyre i derdhur, nga i cili nuk i kisha pastruar, dhe Zoti do të banojë në Sion".

Psalmet 143

143 Dëgjo lutjen time, o Zot, vëru veshin lutjeve të mia; përgjigjmu me besnikërinë dhe drejtësinë tënde.

Dhe mos hyr në gjyq me shërbëtorin tënd, sepse asnjë i gjallë nuk do të jetë i drejtë para teje.

Sepse armiku më përndjek, ai e ka rrëzuar deri për tokë jetën time; më detyron të banoj në vende të errëta, ashtu si ata që kanë vdekur prej një kohe të gjatë.

Prandaj fryma ime dobësohet brenda meje, dhe zemra ime e ka humbur krejt brenda trupit tim.

Kujtoj ditët e lashta; bie në mendime të thella mbi tërë veprat e tua; reflektoj mbi gjëra që kanë bërë duart e tua.

I zgjas duart e mia drejt teje; shpirti im është i etur për ty, si një tokë e thatë. (Sela)

Nxito të më përgjigjesh, o Zot, fryma ime po dobësohet; mos më fshih fytyrën tënde, që të mos bëhem i ngjashëm me ata që zbresin në gropë.

Më bëj të ndjej mirësinë tënde në mëngjes, sepse unë kam besim te ti; më trego rrugën nëpër të cilën duhet të eci, sepse unë e lartoj shpirtin tim drejt teje.

Më çliro nga airmiqtë e mi, o Zot, te ti unë fshihem.

10 Më mëso so ta plotësoj vullnetin tënd, sepse ti je Perëndia im; Fryma jote e mirë le të më udhëheqë në tokë të shenjtë.

11 Gjallëromë, o Zot, për hir të emrit tënd; me drejtësinë tënde më shpëto nga fatkeqësia.

12 Në mirësinë tënde shkatërro armiqtë e mi dhe zhduki tërë ata që e pikëllojnë shpirtin tim, sepse unë jam shërbëtori yt.