Read the Gospels in 40 Days
13 Pikërisht në atë kohë ishin aty disa që i treguan për ata Galileasve, gjakun e të cilëve Pilati e kishte përzier me flijimet e tyre.
2 Dhe Jezusi, duke u përgjigjur, tha: “A mendoni ju se ata Galileas ishin më shumë mëkatarë nga gjithë Galileasit e tjerë, sepse vuajtën të tilla gjëra?
3 Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.
4 Ose, a mendoni ju që ata të tetëmbëdhjetë, mbi të cilët ra kulla në Siloe dhe i vrau, ishin më shumë fajtorë se gjithë banorët e Jeruzalemit?
5 Unë po ju them: Jo! Por nëse ju nuk pendoheni, do të vdisni të gjithë me të njëjtën mënyrë.”
6 Atëherë ai tha këtë shëmbëlltyrë: “Një njeri kishte një fik të mbjellë në vreshtin e tij; ai erdhi e kërkoj fryte, por nuk gjeti.
7 Atëherë i tha vreshtarit: "Ja, u bënë tre vjet tashmë që unë vij e kërkoi frytin e këtij fiku dhe s’po gjej; preje; pse të zërë kot tokën?".
8 Por ai u përgjigj dhe tha: "Zot, lëre edhe këtë vit, që ta punoj përreth dhe t’i hedh pleh
9 dhe, po dha fryt, mirë; përndryshe, pastaj do ta presësh".” Shërimi i një gruaje të paralizuar
10 Një të shtunë Jezusi po mësonte në një sinagogë.
11 Dhe ja, ishte një grua, e cila prej tetëmbëdhjetë vjetësh kishte një frymë lëngate, dhe ajo ishte krejt e kërrusur dhe në asnjë mënyrë nuk drejtohej dot.
12 Dhe kur Jezusi e pa, e thirri pranë vetes dhe i tha: “O grua, ti je e liruar nga lëngata jote.”
13 Dhe i vuri duart mbi të dhe ajo u drejtua menjëherë, dhe përlëvdonte Perëndinë.
14 Por kryetari i sinagogës, i indinjuar sepse Jezusi kishte shëruar ditën e shtunë, iu drejtua turmës dhe i tha: “Gjashtë janë ditët kur duhet të punohet; ejani, pra, të shëroheni në ato ditë dhe jo ditën e shtunë.”
15 Atëherë Zoti u përgjigj dhe tha: “Hipokritë! A nuk e zgjidh secili nga ju të shtunave nga grazhdi kaun e vet, ose gomarin e ta çojë për të pirë?
16 A nuk duhej, pra, të zgjidhej nga këto pranga, ditën e shtunë, kjo që është bijë e Abrahamit dhe që Satani e mbajti lidhur prej tetëmbëdhjetë vjetësh?.”
17 Dhe, kur ai thoshte këto gjëra, të gjithë kundërshtarët e tij mbetën të turpëruar, ndërsa mbarë turma gëzohej për të gjitha veprat madhështore që ai kishte kryer.
18 Atëherë ai tha: “Kujt i përngjan mbretëria e Perëndisë, me se ta krahasoj?
19 I ngjan kokrrës së sinapit, që një njeri e mori dhe e hodhi në kopshtin e vet; pastaj u rrit dhe u bë një pemë e madhe, dhe zogjtë e qiellit erdhën e kërkuan strehë në degët e saj.”
20 Pastaj tha përsëri: “Me se ta krahasoj mbretërinë e Perëndisë?
21 Ajo i ngjan majasë që e merr një grua dhe e përzien me tri masa mielli deri sa të mbruhet i gjithë.”
22 Dhe ai kalonte nëpër qytete dhe fshatra duke mësuar, e kështu po i afrohej Jeruzalemit.
23 Dhe një njeri e pyeti: “Zot, a janë pak ata që do të shpëtohen?.” Ai u tha atyre:
24 “Përpiquni të hyni nëpër derë të ngushtë, sepse unë po ju them se shumë do të kërkojnë të hyjnë dhe nuk do të munden.
25 Kur i zoti i shtëpisë është çuar dhe ka mbyllur derën, ju atëherë, që keni mbetur jashtë, do të filloni të trokitni në derë duke thënë: "Zot, Zot, na e hap". Por ai, duke u përgjigjur, do të thotë: "Nuk e di nga vini".
26 Atëherë do të filloni të thoni: "Po ne hëngrëm dhe pimë me ty dhe ti mësove ndër rrugët tona".
27 Por ai do thotë: "Unë po ju them se nuk di nga vini; largohuni nga unë, të gjithë ju që bëni paudhësi".
28 Atje do të jetë qarje dhe kërcëllim dhëmbësh, kur të shihni Abrahamin, Isakun, Jakobin dhe gjithë profetët në mbretërinë e Perëndisë, ndërsa ju do të dëboheni përjashta.
29 Dhe do të vijnë nga lindja e nga perëndimi, nga veriu dhe nga jugu, dhe do të ulen në tryezë në mbretërinë e Perëndisë.
30 Dhe ja, disa ndër të fundit do të jenë të parët, dhe disa nga të parët do të jenë të fundit.”
31 Po në atë ditë disa farisenj erdhën dhe i thanë: “Nisu dhe largohu prej këtej, sepse Herodi do të të vrasë.”
32 Dhe ai u përgjigj atyre: “Shkoni e i thoni asaj dhelpre: "Ja, sot dhe nesër po dëboj demonë dhe kryej shërime, dhe të tretën ditë po i jap fund punës sime".
33 Por sot, nesër e pasnesër më duhet të ec, sepse nuk mundet që një profet të vdesë jashtë Jeruzalemit.
34 Jeruzalem, Jeruzalem, që i vret profetet dhe i vret me gurë ata që të janë dërguar! Sa herë desha t’i mbledh bijtë e tu sikurse klloçka i mbledh nën krahë zogjtë e vet, por ju nuk deshët!
35 Ja, shtëpia juaj ju lihet e shkretë. Dhe unë po ju them se nuk do të më shihni më deri sa të vijë koha të thoni: "Bekuar qoftë ai që vjen në emër të Zotit".”
14 Dhe ndodhi që një ditë të shtunë, kur ai hyri në shtëpinë e një kryetari të farisenjve për të ngrënë bukë, ata po e përgjonin;
2 dhe ja, para tij ishte një njeri hidropik.
3 Dhe Jezusi, duke iu përgjigjur mësuesve të ligjit dhe farisenjve, tha: “A është e lejueshme të shërosh ditën e shtunë?.”
4 Por ata heshtën. Atëherë ai e mori për dore atë, e shëroi dhe e nisi të shkojë.
5 Pastaj, duke iu përgjigjur atyre, tha: “Cili nga ju, po t’i bjerë gomari i vet ose kau në një pus, nuk e nxjerr menjëherë jashtë ditën e shtunë?.”
6 Por ata nuk mund të përgjigjeshin asgje për këto gjëra.
7 Dhe, duke vënë re se ata zgjidhnin vendet e para në tryezë, Jezusi u thoshte atyre këtë shëmbëlltyrë duke thënë:
8 “Kur je ftuar në dasmë, mos u ul në krye të vendit, sepse ai njeri mund të ketë ftuar një tjetër që është më i rëndësishëm se ti,
9 dhe ai që të ftoi ty dhe atë të të mos vijë e të thotë: "Lëshoja vendin këtij". Dhe atëherë ti, plot turp, do të shkosh të zësh vendin e fundit.
10 Por, kur je ftuar, shko e rri në vendin e fundit që, kur të vijë ai që të ka ftuar, të thotë: "O mik, ngjitu më lart". Atëherë do të jesh i nderuar përpara atyre që janë në tryezë bashkë me ty.
11 Sepse kushdo që e larton veten do të poshterohet, dhe kush e poshtëron veten do të lartohet.”
12 Ai i tha edhe atij që e kishte ftuar: “Kur shtron drekë a darkë, mos i thirr miqtë e tu, as vëllezërit e tu, as farefisin tënd, as fqinjët e pasur, se mos ata një herë të të ftojnë ty, dhe kështu ta kthejnë shpërblimin.
13 Por, kur të bësh një gosti, thirr lypësit, sakatët, të çalët, të verbërit;
14 dhe do të jesh i lum, sepse ata nuk kanë se si të ta kthejnë shpërblimin; por shpërblimi do të të jepet në ringjallje të të drejtëve.”
15 Dhe një nga të ftuarit, si i dëgjoi këto gjëra, i tha: “Lum kush do të hajë bukë në mbretërinë e Perëndisë.”
16 Atëherë Jezusi i tha: “Një njeri përgatiti një darkë të madhe dhe ftoi shumë veta;
17 dhe, në kohë të darkës, dërgoi shërbëtorin e vet t’u thotë të ftuarve: Ejani, sepse gjithçka tashmë është gatii".
18 Por të gjithë, pa përjashtim, filluan të kërkojnë ndjesë. I pari i tha: Bleva një arë dhe më duhet të shkoj ta shoh; të lutem, të më falëshh".
19 Dhe një tjetër tha: "Bleva pesë pendë qe dhe po shkoj t’i provoj; të lutem, të më falësh".
20 Dhe një tjetër akoma tha: "Mora grua e prandaj nuk mund të vij".
21 Kështu shërbëtori u kthye dhe ia dëftoi të gjitha zotit të vet. Atëherë i zoti i shtëpisë, plot zemërim, i tha shërbëtorit të vet: "Shpejt, shko nëpër sheshet dhe nëpër rrugët e qytetit e sill këtu lypës, sakatë, të çalë dhe të verbër".
22 Pastaj shërbëtori i tha: "Zot, u bë ashtu siç urdhërove ti, por ka vend edhe më".
23 Atëherë zoti i tha shërbëtorit: "Dil nëpër udhë dhe përgjatë gardheve dhe detyroji të hyjnë që të mbushet shtëpia ime.
24 Sepse unë po ju them se asnjë nga ata njerëz që ishin të ftuar, nuk do ta shijojë darkën time".”
25 Dhe turma të mëdha shkonin me të. Ai u kthye nga ata dhe tha:
26 “Nëse ndokush vjen tek unë dhe nuk urren babanë e vet dhe nënën e vet, gruan dhe fëmijët, vëllezërit dhe motrat, madje edhe jetën e vet, nuk mund të jetë dishepulli im.
27 Dhe kush nuk e mbart kryqin e vet dhe nuk më ndjek, nuk mund të jetë dishepulli im.
28 Kush nga ju, pra, kur do të ndërtojë një kullë, nuk ulet më parë të llogaritë shpenzimet, për të parë nëse ka mjaftueshëm për ta mbaruar?
29 Që atëherë, kur t’i ketë hedhur themelet e të mos mundë ta përfundojë, të gjithë ata që e shohin, të mos fillojnë e të tallen,
30 duke thënë: "Ky njeri filloi të ndërtojë e nuk mundi ta përfundojë".
31 Ose cili mbret, kur niset të luftojë kundër një mbreti tjetër, nuk ulet më parë të gjykojë në se mund ta përballojë me dhjetë mijë atë që po i vjen kundër me njëzet mijë?
32 Në mos, ndërsa ai është ende larg, i dërgon një delegacion për të biseduar për paqe.
33 Kështu, pra, secili nga ju që nuk heq dorë nga të gjitha ato që ka, nuk mund të jetë dishepulli im.
34 Kripa është e mirë, por nëse kripa bëhët e amësht, me se do të mund t’i kthehet shija?
35 Ajo nuk vlen as për tokë, as për pleh, por hidhet tutje. Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë.”