Read the Gospels in 40 Days
4 Dhe Jezusi, plot me Frymën e Shenjtë, u kthye nga Jordani dhe Fryma e çoi në shkretëtirë,
2 ku për dyzet ditë e tundoi djalli; gjatë atyre ditëve ai nuk hëngri asgjë, por kur ato kaluan, e mori uria.
3 Dhe djalli i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, i thuaj këtij guri të bëhet bukë.”
4 Por Jezusi u përgjigj duke thënë: “Éshtë shkruar: "Njeriu nuk do të rrojë vetëm me bukë, por me çdo fjalë të Perëndisë".”
5 Pastaj djalli e çoi në një mal të lartë dhe, për një çast, i tregoi të gjitha mbretëritë e botës.
6 Dhe djalli i tha: “Unë do të të jap gjithë pushtetin e këtyre mbretërive dhe lavdinë e tyre, sepse m’u dha mua në dorë dhe unë ia jap kujt të dua.
7 Në qoftë se ti, pra, duke rënë përmbys, më adhuron, do të jetë krejt jotja.”
8 Por Jezusi, duke u përgjigjur, i tha: “Largohu prej meje, Satana. Éshtë shkruar: "Adhuro Zotin, Përëndinë tënd dhe shërbeji vetëm atij".”
9 Pastaj e çoi në Jeruzalem, e vuri në majë të tempullit, në cep, dhe i tha: “Nëse je Biri i Perëndisë, hidhu poshtë që këtej;
10 sepse është shkruar: "Ai do t’u urdhërojë engjëjve të vet rreth teje të të ruajnë.
11 Dhe ata do të të mbajnë mbi duart e tyre që këmba jote të mos ndeshë me asnjë gur".”
12 Dhe Jezusi u përgjigj dhe i tha: “Éshtë thënë: "Mos e tundo Zotin, Perëndinë tënd".”
13 Dhe kur djalli i mbaroi të gjitha tundimet, u largua prej tij, për një farë kohe.
14 Dhe Jezusi, në fuqinë e Frymës, u kthye në Galile dhe fama e tij u përhap në mbarë krahinën përreth.
15 Dhe ai mësonte në sinagogat e tyre, i nderuar nga të gjithë.
16 Pastaj erdhi në Nazaret, ku ishte rritur, dhe si e kishte zakon ditën e shtunë, hyri në sinagogë dhe u ngrit për të lexuar.
17 I dhanë në dorë librin e profetit Isaia; e hapi dhe gjeti vendin ku ishte shkruar:
18 “Fryma e Zotit është mbi mua, sepse ai më vajosi për të ungjillizuar të varfërit; ai më dërgoi për të shëruar ata që e kanë zemrën të thyer, për të shpallur çlirimin e të burgosurve dhe kthimin e të parit të verbërve, për të çliruar përsëri të shtypurit,
19 dhe për të predikuar vitin e pranueshëm të Zotit.”
20 Pastaj, si e mbylli librin dhe ia dha shërbyesit, u ul; dhe sytë e të gjithëve në sinagogë u drejtuan mbi të.
21 Atëherë ai nisi të thotë: “Sot ky Shkrim u përmbush në veshët tuaja.”
22 Dhe të gjithë jepnin dëshmi dhe mrekulloheshin për fjalët e hirit që dilnin nga goja e tij, dhe thoshnin: “Po ky, a nuk është biri i Jozefit?.”
23 Dhe ai u tha atyre: “Me siguri ju do të më përmendni fjalën e urtë: Mjek, shëro veten tëndee"; të gjitha ato që dëgjuam se u bënë në Kapernaum, bëji edhe këtu në atdheun tënd.”
24 Por ai tha: “Në të vërtetë po ju them se asnjë profet nuk mirëpritet në atdheun e vet.
25 Në të vërtetë po ju them se në kohën e Elias, kur qielli u mbyll për tre vjet e gjashtë muaj dhe u bë një uri e madhe në gjithë vendin, ishin shumë të veja në Izrael;
26 e megjithatë tek asnjëra nga ato nuk u dërgua Elia, përveç se te një grua e ve në Sareptë të Sidonit.
27 Dhe në kohën e profetit Elize kishte shumë lebrozë në Izrael; megjithatë asnjë prej tyre nuk u pastrua, përveç Naamanit Sirian.”
28 Kur i dëgjuan këto fjalë, të gjithë ata që ishin në sinagogë u zemëruan shumë.
29 Dhe u ngritën, e dëbuan nga qyteti dhe e çuan deri në buzë të majës së malit, mbi të cilin ishte ndërtuar qyteti i tyre, për ta hedhur poshtë.
30 Por ai, duke kaluar përmes tyre, u largua.
31 Pastaj zbriti në Kapernaum, qytet i Galilesë, dhe i mësonte njerëzit ditët e shtuna.
32 Dhe ata habiteshin nga mësimi i tij, sepse fjala e tij ishte me autoritet.
33 Në sinagogë ishte një njeri që ishte pushtuar me frymën e një demoni të ndyrë. Ai bërtiti me zë të lartë duke thënë:
34 “Ah, ç’ka mes nesh dhe teje, o Jezus Nazareas? A erdhe të na shkatërrosh? Unë e di se kush je ti: i Shenjti i Perëndisë!.”
35 Por Jezusi e qortoi duke thënë: “Hesht dhe dil prej tij!.” Dhe demoni, pasi e përplasi përpara tyre, doli prej tij pa i bërë asgjë të keqe.
36 Atëherë të gjithë i pushtoi habia dhe i thoshin njëri-tjetrit: “Ç’fjalë është kjo, vallë? Ai urdhëron me autoritet dhe pushtet frymërat e ndyra dhe ata dalin!.”
37 Dhe fama e tij përhapej në çdo vend të krahinës përreth.
38 Mbasi doli nga sinagoga, Jezusi hyri në shtëpinë e Simonit. Vjehrrën e Simonit e kishin zënë ethe të forta; dhe ata e lutën për të.
39 Ai u përkul mbi të, qortoi ethet dhe ato e lëshuan; dhe ajo u ngrit menjëherë dhe filloi t’u shërbejë.
40 Kur perëndoi dielli, të gjithë ata që kishin të sëmurë me sëmundje të ndryshme i prunë tek ai; dhe ai i shëroi duke vënë duart mbi secilin prej tyre.
41 Prej shumë vetëve dilnin demonë që bërtitnin dhe thoshnin: “Ti je Krishti, Biri i Perëndisë.” Por ai i qortonte dhe nuk i lejonte të flisnin, sepse ata e dinin se ai ishte Krishti.
42 Kur zbardhi drita ai doli dhe shkoi në një vend të pabanuar. Por turmat e kërkonin dhe e arritën; dhe e mbanin që të mos largohej prej tyre.
43 Por ai u tha atyre: “Më duhet ta shpall lajmin e mirë të mbretërisë së Perëndisë edhe në qytete të tjera, sepse për këtë jam dërguar.”
44 Dhe ai predikonte nëpër sinagoga të Galilesë.
5 Dhe ndodhi që Jezusi, kur po ndodhej në bregun e liqenit të Gjenezaretit e ndërsa turma po shtyhej rreth tij për të dëgjuar fjalën e Perëndisë,
2 pa dy barka të lidhura në breg të liqenit, nga të cilat kishin dalë peshkatarët dhe po lanin rrjetat.
3 Atëherë hyri në një nga ato barka, në atë që ishte e Simonit, dhe iu lut që të largohej pak nga bregu. U ul dhe mësonte turmat nga barka.
4 Dhe kur mbaroi së foluri i tha Simonit: “Shko në të thella, dhe hidhni rrjetat tuaja për të zënë peshk.”
5 Dhe Simoni, duke u përgjigjur, i tha: “Mësues, u munduam gjithë natën dhe nuk zumë asgjë; por, për fjalën tënde, do ta hedh rrjetën.
6 Dhe, si bënë kështu, zunë një sasi aq të madhe peshku, sa po shqyhej rrjeta.
7 Atëherë u bënë shenjë shokëve të tyre që ishin në barkën tjetër, që të vinin e t’i ndihmonin. Dhe ata erdhën dhe i mbushën të dy barkat aq sa gati po fundoseshin.
8 Simon Pjetri, kur pa këtë, i ra ndër këmbë Jezusit dhe i tha: “Zot, largohu prej meje, sepse jam njeri mëkatar.”
9 Në të vërtetë Pjetri dhe të gjithë ata që ishin me të, habiteshin për shkak të sasisë së peshkut që kishin zënë.
10 E njëjta gjë u ngjau edhe Jakobit dhe Gjonit, bijve të Zebedeut, që ishin shokë të Simonit. Atëherë Jezusi i tha Simonit: “Mos ki frikë; tash e tutje ti do të jesh peshkatar njerëzish të gjallë.”
11 Pastaj ata, si i nxorën në breg barkat, lanë çdo gjë dhe ndiqnin.
12 Ndodhi që, ndërsa Jezusi ndodhej në një nga ato qytete, erdhi një njeri i mbushur plot me lebër, i cili, kur e pa Jezusin, ra me fytyrë për dhe dhe iu lut duke thënë: “Zot, po të duash, ti mund të më pastrosh.”
13 Atëherë ai e zgjati dorën, e preku duke thënë: “Po, e dua, qofsh i pastruar.” Dhe menjëherë lebra iu zhduk.
14 Dhe Jezusi e urdhëroi: “Mos ia trego kurrkujt; por shko, paraqitu te prifti dhe bëj një ofertë për pastrimin tënd, sikurse e ka përshkruar Moisiu, që kjo t’u shërbejë si dëshmi.”
15 Dhe fama e tij po përhapej gjithnjë e më shumë; dhe turma të mëdha mblidheshin për ta dëgjuar dhe për t’u shëruar prej tij nga sëmundjet e veta.
16 Por ai tërhiqej në vende të vetmuara dhe lutej.
17 Një ditë ndodhi që, ndërsa Jezusi po mësonte, ishin të pranishëm, ulur, disa farisenj dhe mësues të ligjit, që kishin ardhur nga të gjitha fshatrat e Galilesë, të Judesë dhe nga Jeruzalemi; dhe fuqia e Zotit ishte me të, që të kryente shërime.
18 Dhe ja, disa njerëz po sillnin mbi një vig një njeri të paralizuar dhe kërkonin ta fusnin brenda dhe ta vinin përpara tij.
19 Por, duke mos gjetur se si ta fusnin brenda për shkak të turmës, hipën mbi çatinë e shtëpisë dhe e lëshuan përmjet tjegullave me gjithë vig midis njerëzve, përpara Jezusit.
20 Dhe ai, duke parë besimin e tyre, i tha atij: “Njeri, mëkatet e tua të janë falur.”
21 Atëherë skribët dhe farisenjtë filluan të arsyetojnë duke thënë: “Kush është ky që thotë blasfemi? Kush mund t’i falë mëkatet, përveç vetëm Perëndi?.”
22 Por Jezusi, duke i njohur mendimet e tyre, e mori fjalën dhe tha: “Ç’po arsyetoni në zemrat tuaja?
23 Çfarë është më e lehtë, të thuhet: "Mëkatet e tua të janë falur," apo të thuhet: "Çohu dhe ec"?
24 Tani, pra, me qëllim që ju ta dini se Biri i njeriut ka pushtet mbi tokë të falë mëkatet, unë të them (i tha të paralizuarit), çohu, merre vigun tënd dhe shko në shtëpinë tënde!.”
25 Dhe menjëherë ai njeri u ngrit përpara tyre, mori vigun mbi të cilin qe shtrirë dhe shkoi në shtëpinë e vet, duke përlëvduar Perëndinë.
26 Dhe të gjithë u habitën dhe përlëvdonin Perëndinë, dhe, plot frikë, thoshnin: “Sot pamë gjëra të mahnitshme.”
27 Dhe, mbas këtyre gjërave, ai doli dhe pa një tagrambledhës, që quhej Levi, dhe rrinte në vendin e tatimeve, dhe i tha: “Ndiqmë.”
28 Dhe ai i la të gjitha, u ngrit dhe e ndoqi.
29 Pastaj Levi i përgatiti në shtëpinë e tij një gosti të madhe, dhe një numër i madh tagrambledhësish e të tjerë rrinin në tryezë bashkë me ta.
30 Por skribët dhe farisenjtë e atij vendi murmurisnin kundër dishepujve të Jezusit duke thënë: “Përse hani dhe pini bashkë me tagrambledhës dhe mëkatarë?.”
31 Dhe Jezusi, duke u përgjegjur, u tha: “Nuk janë të shëndoshët ata që kanë nevojë për mjek, por të sëmurët.
32 Unë nuk erdha t’i thërres të pendohen të drejtit, por mëkatarët.”
33 Atëherë ata i thanë: “Përse dishepujt e Gjonit si dhe ata të farisenjve agjërojnë shpesh dhe luten, kurse të tutë hanë dhe pinë?.”
34 Ai u përgjigj atyre: “A mund t’i bëni dasmorët të agjërojnë, derisa dhëndri është me ta?
35 Por do të vijnë ditët kur do t’ua heqin dhëndrin dhe atëherë, në ato ditë, ata do të agjërojnë.”
36 Përveç kësaj ai u tregoi një shëmbëlltyrë: “Askush nuk qep një copë të një rrobë të re mbi një rrobe të vjetër; përndryshe gjendet me rrobën e re të shqyer, dhe pjesa që u hoq nga rroba e re nuk i përshtatet së vjetrës.
37 Dhe askush nuk shtie verë të re në kacekë të vjetër; përndryshe vera e re i pëlcet kacekët, dhe ajo derdhet e kacekët shkojnë dëm.
38 Por duhet shtënë vera e re në kacekë të rinj dhe kështu që të dyja ruhen.
39 Askush që ka pirë verë të vjetër, nuk do menjëherë verë të re, sepse ai thotë: "E vjetra është më e mirë".”
6 Ndodhi që një të shtunë, pas së shtunës së madhe, ai po ecte nëpër arat me grurë, dhe dishepujt e vet këputnin kallinj, i shkoqnin me dorë dhe i hanin.
2 Dhe disa nga farisenjtë u thanë atyre: “Përse bëni atë që nuk është e lejueshme të bëhet të shtunën?.”
3 Por Jezusi, duke u përgjigjur, u tha atyre: “A nuk keni lexuar çfarë bëri Davidi dhe ata që ishin bashkë me të kur i mori uria?
4 Si hyri në shtëpinë e Perëndisë, ai mori bukët e paraqitjes, hëngri vetë dhe u dha të hanë edhe atyre që ishin bashkë me të, ndonëse nuk ishte e lejueshme për asnjërin t’i hante, përveç priftërinjve?.”
5 Pastaj u tha atyre: “Biri i njeriut është zot edhe i së shtunës".
6 Një të shtunë tjetër ndodhi që ai hyri në sinagogë dhe po mësonte; atje ishte një njeri që e kishte dorën e djathtë të tharë.
7 Dhe farisenjtë dhe skribët rrinin dhe e ruanin nëse ai do ta shëronte të shtunën, që pastaj ta paditnin.
8 Por ai ua njihte mendimet e tyre dhe i tha njeriut me dorë të tharë: “Çohu dhe dil këtu në mes.” Dhe ai u ngrit në këmbë.
9 Pastaj Jezusi u tha atyre: “Unë po ju pyes: A është e lejueshme, të shtunave, të bësh mirë apo keq, të shpëtosh një njeri apo ta vrasësh?.”
10 Dhe si i vështroi të gjithë rreth e rrotull, i tha atij njeriu: “Shtrije dorën tënde!.” Dhe ai veproi kështu dhe dora e tij iu shëndosh si tjetra.
11 Ata u tërbuan dhe diskutonin me njëri-tjetrin se ç’mund t’i bënin Jezusit.
12 Në ato ditë ndodhi që ai shkoi në mal për t’u lutur, dhe e kaloi natën duke iu lutur Perëndisë.
13 Dhe kur zbardhi dita, thirri pranë vetes dishepujt e vet dhe zgjodhi prej tyre dymbëdhjetë, të cilëve u dha edhe emrin apostuj:
14 Simonin, të cilit i vuri emrin Pjetër, dhe Andrean, vëllanë e tij, Jakobin e Gjonin, Filipin dhe Bartolomeun,
15 Mateun dhe Thomain, Jakobin e Alfeut dhe Simonin, që e quanin Zelota,
16 Judën, vëllanë e Jakobit dhe Judën Iskariot, i cili u bë tradhtar.
17 Pastaj, pasi zbriti bashkë me ta, ndaloi në një vend të sheshtë, me turmën e dishepujve të vet dhe me një numër të madh njerëzish nga gjithë Judea, nga Jeruzalemi dhe nga bregdeti i Tiros dhe i Sidonit, të cilët kishin ardhur për ta dëgjuar atë dhe për t’u shëruar nga sëmundjet e veta;
18 Por edhe ata që i mundonin frymërat e ndyrë shëroheshin.
19 E gjithë turma kërkonte ta prekte, sepse prej tij dilte një fuqi që i shëronte të gjithë.
20 Ai, si i drejtoi sytë nga dishepujt e vet, thoshte: “Lum ju, të varfër, sepse juaja është mbretëria e Perëndisë.”
21 Lum ju, që tani keni uri, sepse do të ngopeni. Lum ju, që tani qani, sepse do të qeshni.
22 Lum ju, kur njerëzit do t’ju urrejnë, do t’ju mallkojnë dhe do t’ju fyejnë, do ta shpallin emrin tuaj si të keq, për shkak të Birit të njeriut.
23 Gëzohuni atë ditë dhe hidhuni nga gëzimi, sepse ja, shpërblimi juaj është i madh në qiell; në të njëjtën mënyrë, pra, etërit e tyre i trajtonin profetët.
24 Por mjerë ju, o të pasur, sepse e keni ngushëllimin tuaj!
25 Mjerë ju, që jeni të ngopur, sepse do të keni uri. Mjerë ju, që tani qeshni, sepse do të hidhëroheni e do të qani!
26 Mjerë ju, kur të gjithë njerëzit do të flasin mirë për ju, sepse në të njëjtën mënyrë vepruan etërit e tyre me profetët e rremë.
27 Por unë po ju them juve që më dëgjoni: “T’i doni armiqtë tuaj; u bëni të mirë atyre që ju urrejnë.
28 Bekoni ata që ju mallkojnë dhe lutuni për ata që ju keqtrajtojnë.
29 Nëse dikush të bie në njërën faqe, ktheja edhe tjetrën; dhe atij që të merr mantelin, mos e pengo të të marrë edhe tunikën.
30 Jepi kujtdo që kërkon prej teje; dhe në se dikush merr gjënë tënde, mos kërko të ta kthejë.
31 Por, ashtu siç dëshironi që t’ju bëjnë juve njerëzit, po ashtu bëni me ta.
32 Por po t’i doni ata që ju duan, ç’meritë do të keni nga kjo? Sepse edhe mëkatarët i duan ata që i duan.
33 Dhe në se u bëni të mirë atyre që ju bëjnë të mirë, çfarë merite do të keni nga kjo? Të njëjtën gjë bëjnë edhe mëkatarët.
34 Dhe nëse u jepni hua atyre që shpresoni t’jua kthejnë, çfarë merite do të keni nga kjo? Edhe mëkatarët u japin hua mëkatarëve, që t’u kthehet aq sa dhanë.
35 Por ju t’i doni armiqtë tuaj, bëni të mirë dhe jepni hua pa pasur shpresë për asgjë, dhe shpërblimi juaj do të jetë i madh dhe ju do të jeni bijtë e Shumë të Lartit, sepse ai është mirëdashës me mos-mirënjohësit dhe të mbrapshtët.
36 Jini të mëshirshëm, pra, sikurse edhe Ati juaj është i mëshirshëm.
37 Mos gjykoni dhe nuk do të gjykoheni; mos dënoni dhe nuk do të dënoheni; falni dhe do të jeni të falur.
38 Jepni dhe do t’ju jepet: një masë e mirë, e ngjeshur, e tundur, gufuese do t’ju derdhet në gji, sepse me atë masë që do të matni, do t’ju matet edhe juve gjithashtu.”
39 Pastaj ai u tha një shëmbëlltyrë: “Një i verbër a mund t’i prijë një të verbri tjetër? Vallë nuk do të bien të dy në gropë?
40 Dishepulli nuk ia kalon mësuesit të vet, madje çdo dishepull që ka mësuar do të jetë si mësuesi i vet.
41 Po pse ti e shikon lëmishtën në sy të vëllait tënd dhe nuk e sheh traun në syrin tënd?
42 Ose, si mund t’i thuash vëllait tënd: "Vëlla, më lër të të heq lëmishtën që ke në syrin tënd," kur ti vetë nuk e sheh traun në syrin tënd? O hipokrit, nxirre më parë traun nga syri yt dhe atëherë do të mund të shohësh mirë për të nxjerrë lëmishtën nga syri i vëllait tënd.
43 Sepse nuk ka pemë të mirë që të japë fryt të keq, as pemë të keqe që të japë fryt të mirë.
44 Çdo pemë, pra, njihet nga fryti i vet, sepse nuk mblidhen fiq nga gjembat dhe nuk vilet rrush nga ferra.
45 Njeriu i mirë e nxjerr të mirën nga thesari i mirë i zemrës së vet; dhe njeriu i mbrapshtë e nxjerr të mbrapshta nga thesari i keq i zemrës së vet, sepse goja e njërit flet nga mbushullia e zemrës.
46 Përse më thirrni, "Zot, Zot" dhe nuk bëni atë që ju them?
47 Çdo njëri që vjen tek unë dhe dëgjon fjalët e mia dhe t’i vë në praktikë, unë do t’ju tregoj kujt i ngjan.
48 Ai i ngjan njeriut që, kur ndërtoi shtëpinë e vet, gërmoi shumë thellë dhe e vendosi themelin mbi shkëmb. Erdhi një vërshim, përroi u sul mbi atë shtëpi, por s’e tundi dot, sepse e kishte themelin mbi shkëmb.
49 Përkundrazi, ai që e dëgjoi dhe nuk i vuri në praktikë, i ngjan njeriut që e ndërtoi shtëpinë mbi tokë, por pa themel; kur iu sul përroi, ajo u shemb menjëherë dhe rrënimi i saj qe i madh.”