Book of Common Prayer
105 Kremtoni Zotin, lutjuni për ndihmë emrit të tij, bëni të njohura veprat e tij midis popujve.
2 Këndojini atij, këndojini lavde atij, mendoni thellë tërë mrekullitë e tij.
3 Mburruni me emrin e tij të shenjtë; le të kënaqet zemra e tërë atyre që kërkojnë Zotin.
4 Kërkoni Zotin dhe forcën e tij; kërkoni vazhdimisht fytyrën e tij.
5 Mbani mend çuditë që ai ka bërë, mrekullitë dhe gjykimet e gojës së tij,
6 ju, o pasardhës së Abrahamit, shërbëtorit të tij, o bij të Jakobit, të zgjedhur të tij.
7 Ai është Zoti, Perëndia ynë; gjykimet e tij janë mbi gjithë tokën.
8 Ai mban mend përjetë besëlidhjen e tij dhe për një mijë breza fjalën e komanduar prej tij,
9 besëlidhjen që lidhi me Abrahamin dhe betimin që i bëri Isakut,
10 që i konfirmoi Jakobit si statut të tij dhe Izraelit si një besëlidhje të përjetshme,
11 duke thënë: "Unë do të të jap vendin e Kanaanit si pjesë e trashëgimisë suaj,"
12 kur nuk ishin veçse një numër i vogël, shumë të pakët dhe të huaj në vend,
13 dhe shkonin nga një komb te tjetri, nga një mbretëri te një popull tjetër.
14 Ai nuk lejoi që t’i shtypte njeri; përkundrazi ndëshkoi disa mbretër për hir të tyre,
15 dhe tha: "Mos prekni të vajosurit e mi dhe mos bëni asnjë të keqe profetëve të mi".
16 Pastaj solli zinë e bukës në vend dhe shkatërroi çdo burim ushqimesh.
17 Dërgoi para tyre një njeri, Jozefin, që u shit si skllav.
18 I shtrënguan këmbët me pranga dhe u rëndua me zinxhirë hekuri.
19 Fjala e Zotit e vuri në provë, deri sa u plotësua ajo që kishte thënë.
20 Atëherë mbreti dërgoi ta zgjidhnin, sunduesi i popujve dërgoi ta çlironin,
21 dhe e bëri zot të shtëpisë së tij dhe qeveritar mbi të gjitha pasuritë e tij,
22 për t’i lidhur princat e tij me gjykimin e tij dhe për t’u mësuar pleqve të tij diturinë.
23 Edhe Izraeli erdhi në Egjipt dhe Jakobi qëndroi për ca kohë në vendin e Kamit.
24 Dhe Perëndia e shumëzoi shumë popullin e tij dhe e bëri më të fuqishëm se armiqtë e tij.
25 Pastaj ndryshoi zemrën e tyre, me qëllim që të urrenin popullin e tij dhe të kurdisnin mashtrime kundër shërbëtorëve të tij.
26 Atëherë ai dërgoi Moisiun, shërbëtorin e tij, dhe Aaronin që ai kishte zgjedhur.
27 Ata kryen midis tyre mrekullitë e urdhëruara prej tij dhe bënë çudira në tokën e Kamit.
28 Dërgoi terrin dhe e bëri vendin të binte në errësirë, dhe ata nuk kundërshtuan fjalën e tij.
29 I ndryshoi ujërat e tij në gjak dhe bëri që të ngordhnin peshqit e tij.
30 Vendi i tyre u mbush me bretkosa të cilat hynë deri në dhomat e mbretërve të tyre.
31 Me fjalën e tij erdhën një shumicë e madhe insektesh dhe mushkonjash në të gjithë territorin e tyre.
32 U dërgoi breshër në vend të shiut dhe flakë zjarri në vendin e tyre;
33 goditi edhe vreshtat e tyre dhe drurët e fikut, shkatërroi drurët e territorit të tyre.
34 Ai foli, dhe erdhën karkaleca dhe vemje në numër të madh,
35 që përpinë tërë bimësinë e vendit të tyre dhe hëngrën frytin e tokës së tyre.
36 Ai goditi edhe të gjithë të parëlindurit në vendin e tyre, prodhimet e para në tërë fuqinë e tyre;
37 dhe e nxori popullin e tij me argjend dhe me ar, dhe nuk pati asnjeri ndër fiset e tij që të tronditej.
38 Egjiptasit u gëzuan nga ikja e tyre, sepse tmerri i Izraelit kishte rënë mbi ta.
39 Ai shpalosi një re për t’i mbuluar dhe ndezi një zjarr për t’i ndriçuar natën.
40 Me kërkesën e tyre ai solli shkurtat dhe i ngopi me bukën e qiellit.
41 Çau shkëmbin dhe dolën prej tij ujëra; këto rridhnin në shketëtirë si një lumë.
42 Sepse atij iu kujtua premtimi i shenjtë që i kishte bërë Abrahamit, shërbëtorit të tij;
43 pastaj nxori popullin e tij me gëzim dhe njerëzit e tij të zgjedhur me britma gëzimi,
44 dhe u dha atyre vendet e kombeve, dhe ata trashëguan frytin e mundit të popujve,
45 me qëllim që të respektonin statutet e tij dhe t’u bindeshin ligjeve të tij. Aleluja.
8 Kur Samueli u plak emëroi bijtë e tij si gjyqtarë të Izraelit.
2 I parëlinduri i tij quhej Joel dhe i dyti Abiah; ata ushtronin funksionin e gjyqtarit në Beer-Sheba.
3 Por bijtë e tij nuk ndoqën shembëllin e tij, u larguan nga rruga e drejtë duke siguruar fitime të palejueshme, pranuan dhurata dhe e prishnin drejtësinë.
4 Atëherë tërë pleqtë e Izraelit u mblodhën, erdhën te Samueli në Ramah,
5 dhe i thanë: "Ja, ti tani je plakur dhe bijtë e tu nuk ndjekin gjurmët e tua; prandaj cakto mbi ne një mbret që të na qeverisë ashtu siç ndodh në të gjitha kombet".
6 Por kjo nuk i pëlqeu Samuelit, sepse ata kishin thënë: "Na jep një mbret që të na qeverisë". Prandaj Samueli iu lut Zotit.
7 Dhe Zoti i tha Samuelit: "Dëgjo zërin e popullit për të gjitha ato që të thotë, sepse ata nuk të kanë hedhur poshtë ty, por kanë hedhur poshtë mua, me qëllim që unë të mos mbretëroj mbi ta.
8 Sillen me ty, ashty siç kanë bërë gjithnjë nga dita që i nxora nga Egjipti e deri më sot: më kanë braktisur për t’u shërbyer perëndive të tjera.
9 Tani, pra, dëgjo kërkesën e tyre, por lajmëroi solemnisht dhe shpallju të drejtat e mbretit që do të sundojë mbi ta".
10 Kështu Samueli i tregoi tërë fjalët e Zotit drejtuar popullit që i kërkonte një mbret.
11 Dhe tha: "Këto do të jenë të drejtat e mbretit që do të mbretërojë mbi ju. Ai do t’i marrë bijtë tuaj dhe do t’i caktojë në qerret e tij, me qëllim që të bëhen kalorës të tij dhe të vrapojnë përpara qerreve;
12 për t’i bërë ata kapidanë të mijëshëve dhe të pesëdhjetëshëve, për t’i vënë ata t’i lërojnë arat, t’i korrin të lashtat, t’i prodhojnë armë lufte dhe vegla për qerret e tij.
13 Do të marrë bijat tuaja për t’i bërë parfumiere, gjellbërëse dhe furrtare.
14 Do të marrë arat tuaja, vreshtat dhe ullishtet tuaja; më të mirat që keni, për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
15 Do të marrë të dhjetën e farërave dhe të vreshtave tuaja për t’ua dhënë eunukëve dhe shërbëtorëve të tij.
16 Do të marrë shërbëtorët, shërbëtoret, të rinjtë tuaj më të mirë dhe gomarët që keni për t’i përdorur në punimet e tij.
17 Do të marrë edhe të dhjetën e kopeve tuaja, dhe ju do të jeni skllevërit e tij.
18 Atë ditë ju do të ulërini për shkak të mbretit që keni për vete, por Zoti nuk do t’ju përgjigjet".
19 Me gjithatë populli nuk deshi t’i dëgjojë fjalët e Samuelit dhe tha: Jo, do të kemi një mbret mbi ne..
20 Kështu do të jemi edhe ne si gjithë kombet; mbreti ynë do të na qeverisë, do të na dalë në krye dhe do të luftojë në betejat tona".
21 Samueli i dëgjoi tërë fjalët e popullit dhe ia tregoi Zotit.
22 Zoti i tha Samuelit: "Dëgjoje kërkesën e tyre dhe cakto një mbret mbi ta". Atëherë Samueli u tha njerëzve të Izraelit: "Secili të kthehet në qytetin e tij".
15 Dhe të gjithë ata që rrinin në sinedër i ngulën sytë në të, dhe panë fytyrën e tij posi fytyra e një engjëlli.
7 Atëherë kryeprifti i tha: “A janë këto gjëra pikërisht kështu?.”
2 Ai tha: “Vëllezër dhe etër, dëgjoni. Perëndia i lavdisë iu shfaq Abrahamit, atit tonë, kur ai ishte në Mesopotami, përpara se të banonte në Haran,
3 dhe i tha: "Dil prej vendit tënd e prej farefisit tënd dhe shko në vendin që unë do të të tregoj".
4 Atëherë ai doli nga vendi i Kaldeasve dhe banoi në Haran; prej andej, mbasi i vdiq i ati, Perëndia e bëri të vijë në këtë vend, ku banoni ju tani.
5 Ai nuk i dha kurrfarë trashëgimie, as edhe vend për të vënë një këmbë. Por i premtoi t’ia japë për pronë atij dhe pasardhësve të tij, pas tij, kur ai ende s’kishte asnjë fëmijë.
6 Dhe Perëndia foli kështu: "Pasardhësit e tij do të banonin si të huaj në një vend të huaj, dhe atje do të mbaheshin në skllavëri dhe do të të keqtrajtoheshin për katërqind vjet.
7 Por Perëndia shtoi: "Unë do ta gjykoj atë komb të cilit ata do t’i shërbejnë; dhe pas kësaj ata do të dalin dhe do të më shërbejnë në këtë vend".
8 Pastaj i dha atij besëlidhjen e rrethprerjes. Dhe kështu Abrahamit i lindi Isaku dhe e rrethpreu të tetën ditë; Isakut i lindi Jakobi, dhe Jakobit dymbëdhjetë patriarkë.
9 Patriarkët, duke pasur smirë Jozefin, e shitën në Egjipt, por Perëndia ishte me të;
10 dhe e shpëtoi nga të gjitha mundimet e tij dhe i dha hir e urtësi para Faraonit, mbretit të Egjiptit, i cili e caktoi guvernator të Egjiptit dhe të mbarë shtëpisë së tij.
11 Por ra një zi buke dhe u bë një shtrëngesë në gjithë vendin e Egjiptit dhe të Kanaanit, dhe etërit tanë nuk gjenin ushqime.
12 Por Jakobi dëgjoi se në Egjipt kishte grurë, dhe dërgoi atje herën e parë etërit tanë.
13 Herën e dytë Jozefi u tregoi që ta njihnin vëllezërit e tij dhe Faraonit iu njoftua farefisnia e Jozefit.
14 Atëherë Jozefi dërgoi ta thërresin atin e vet Jakobin dhe gjithë farefisin e vet, gjithsej shtatëdhjetë e pesë veta.
15 Jakobi zbriti në Egjipt, ku vdiq ai dhe etërit tanë.
16 Ata pastaj i mbartën në Sikem dhe i varrosën në varrin që Abrahami pati blerë me argjend nga bijtë e Emorit, ati i Sikemit.
24 Dhe midis tyre lindi edhe një grindje se cili nga ata duhej të konsiderohej më i madhi.
25 Por Jezusi u tha atyre: “Mbretërit e kombeve i sundojnë ato, dhe ata që ushtrojnë pushtet mbi to quhen bamirës.
26 Por me ju mos qoftë kështu; madje më i madhi ndër ju le të jetë si më i vogli dhe ai që drejton si ai që shërben.
27 Në fakt kush është më i madh: ai që është në tryezë apo ai që shërben? Vallë, a s’është ai që rri në tryezë? E pra, unë jam midis jush porsi ai që shërben.
28 Ju jeni ata që qëndruat me mua në sprovat e mia.
29 Dhe unë ju caktoj mbretërinë ashtu si ma ka caktuar mua Ati im,
30 që ju të hani e të pini në tryezën time, në mbretërinë time, dhe të uleni mbi frone për të gjykuar të dymbëdhjetë fiset e Izraelit.