Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 137

137 Atje, pranë lumenjve të Babilonisë, rrinim ulur dhe qanim, duke kujtuar Sionin;

mbi shelgjet e kësaj toke kishim varur qestet tona.

Atje, ata që na kishin çuar në robëri, na kërkonin fjalët e një kënge, po, ata që na shtypnin kërkonin këngë gëzimi, duke thënë: "Na këndoni një këngë të Sionit".

Si mund të këndonim këngët e Zotit në një vend të huaj?

Në rast se të harroj ty, o Jeruzalem, e harroftë dora ime e djathtë çdo shkathtësi;

m’u lidhtë gjuha me qiellzën, në rast se nuk të kujtoj ty, në rast se nuk e vë Jeruzalemin përmbi gëzimin tim më të madh.

Mbaji mënd, o Zot, bijtë e Edomit, që ditën e Jeruzalemit thonin: Shkatërrojini, shkatërrojini që nga themelett".

O bijë e Babilonisë, që duhet të shkatërrohesh, lum ai që do ta lajë të keqen që na ke bërë!

Lum ai që merr foshnjët e tua dhe i përplas kundër shkëmbit!

Psalmet 144

144 Bekuar qoftë Zoti, kështjella ime, që i mëson duart e mia për luftë dhe gishtërinjtë e mi për betejë.

Ai është hiri im dhe kështjella ime, streha ime e lartë dhe çliruesi im, mburoja ime në të cilën gjej strehë, ai që ma nënshtron mua popullin tim.

O Zot, çfarë është njeriu që ti të kujdesesh për të, ose biri i njeriut që ti ta përfillësh?

Njeriu është si një frymë dhe ditët e tij janë si hija që kalon.

Uli qiejtë e tu, o Zot, dhe zbrit, dhe ata do të nxjerrin tym.

Hidh rrufetë dhe shpërndaji, lësho shigjetat e tua dhe bëji të ikin.

Shtrije dorën tënde nga lart, më shpëto dhe më çliro nga ujërat e mëdha dhe nga dora e të huajve,

goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

O Perëndi, do të këndoj një kantik të ri, do të këndoj lavdet e tua me një harpë me dhjetë tela.

10 Ti, që u jep fitoren mbretërve dhe që çliron shërbëtorin tënd David nga shpata e kobshme,

11 më shpëto dhe më çliro nga dora e të huajve, goja e të cilëve thotë gënjeshtra dhe dora e djathtë e tyre është një e djathtë mashtrimi.

12 Bijtë tanë në rininë e tyre qofshin si një bimë e harlisur, dhe bijat tona qofshin si shtylla qosheje, të gdhendura mirë për të zbukuruar një pallat.

13 Hambaret tona qofshin plot dhe paçin nga të gjitha të mirat; kopetë tona u shtofshin me mijëra dhe dhjetra mijëra në fushat tona;

14 qetë tanë tërheqshin ngarkesa të rënda dhe mos pastë asnjë sulm të papritur, dalje të papritur as britmë në sheshet tona.

15 Lum ai popull që është në gjendje të tillë, lum ai popull që ka për Perëndi Zotin.

Psalmet 104

104 Beko, o shpirti im, Zotin! O Zot, Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh; je veshur me shkëlqim dhe madhështi.

Ai të mbështjell me dritë si të ishte një mantel dhe i shtrin qiejtë si një çadër;

ai ndërton mbi ujërat dhomat e tij të larta, i bën retë si qerren e tij dhe ecën mbi krahët erës.

I bën erërat lajmëtarë të tij dhe flakët e zjarrit shërbëtorë të tij.

Ai e ka krijuar tokën mbi themelet e saj; kjo nuk do të luajë kurrë përjetë.

Ti e kishe mbuluar me humnerë si me një rrobe; ujërat ishin ndalur mbi malet.

Në qortimin tënd ato ikën, në zërin e gjëmimit tënd u larguan me nxitim.

Dolën malet dhe luginat u ulën në vendin që ti kishe caktuar për to.

Ti u vure ujërave një kufi që nuk duhet ta kapërxenin; ato nuk do të kthehen më të mbulojnë tokën.

10 Ai bën që të dalin burime në luginat; ato rrjedhin midis maleve,

11 dhe u japin për të pirë tërë kafshëve të fushës; gomarët e egër shuajnë etjen e tyre.

12 Pranë tyre banojnë shpendët e qiellit; midis gjelbërimeve lartojnë këngën e tyre.

13 Nga dhomat e sipërme të tij ai u jep ujë maleve; toka ngopet me frytin e veprave të tua.

14 Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij,

15 dhe verën që gëzon zemrën e njeriut, vajin që bën të shkëlqejë fytyra tij dhe bukën që i jep forcë zemrës së njeriut.

16 Kështu ngopen drurët e Zotit dhe kedrat e Libanit që ai ka mbjellë;

17 aty bëjnë folenë e tyre zogjtë, ndërsa lejleku bën nëpër selvitë banesën e tij.

18 Malet e larta janë për dhitë e egra, shkëmbinjtë janë streha e lepujve.

19 Ai ka bërë hënën për stinët, dielli e di orën e perëndimit të tij.

20 Ti dërgon terrin dhe bëhet natë; gjatë asaj shkojnë rreth e qark gjithë kafshët e pyllit.

21 Luanët e vegjël vrumbullojnë duke kërkuar gjahun dhe i kërkojnë Perëndisë ushqimin e tyre.

22 Por, kur lind dielli, ata tërhiqen dhe rrinë në strofkat e tyre.

23 Atëherë njeriu del për të punuar dhe punon deri në mbrëmje.

24 Sa të shumta janë veprat e tua, o Zot! Ti i ke bërë të gjitha me dituri; toka është plot me pasuritë e tua.

25 Ja deti, i madh dhe i gjerë, ku gëlojnë krijesa të panumërta;

26 e përshkojnë anijet dhe Leviathani, që ti ke formuar për t’u tallur në të.

27 Të gjithë presin që ti t’u japësh ushqimin në kohën e duhur.

28 Ti ua jep atyre dhe ata e mbledhin; ti hap dorën dhe ngopen me të mira.

29 Ti fsheh fytyrën tënde dhe ata e humbasin fare; ti heq frymën, dhe ata vdesin duke u kthyer përsëri në pluhurin e tyre.

30 Ti dërgon frymën tënde dhe ata krijohen, kështu ti ripërtërin faqen e dheut.

31 Lavdia e Zotit të rrojë përjetë; le të gëzohet Zoti me veprat e tij;

32 ai shikon tokën dhe kjo dridhet; ai prek malet dhe ato nxjerrin tym.

33 Unë do t’i këndoj Zotit deri sa të kem jetë; do t’i këndoj lavde Perëndisë tim deri sa të jem.

34 Le të jetë mendimi im i pëlqyer prej tij; unë do të ngazëllohem tek Zoti.

35 Le të zhduken mëkatarët nga toka dhe të pabesët mos qofshin më. Shpirti im, bekoje Zotin! Aleluja.

Ruthi 4:1-17

Boazi shkoi te porta e qytetit dhe u ul aty. Dhe ja, po kalonte ai që kishte të drejtën e shpengimit dhe për të cilin Boazi kishte folur. Boazi i tha: "O ti biri i filanit, afrohu dhe ulu këtu". Ai u afrua dhe u ul.

Boazi mori atëherë dhjetë burra nga pleqtë e qytetit dhe u tha atyre: Uluni këtuu". Ata u ulën.

Pastaj Boazi i tha atij që kishte të drejtën e shpengimit: "Naomi, që u kthye nga vendi i Moabit, ka shitur pjesën e tokës që i përkiste vëllait tonë Elimelek.

Mendova të të informoj dhe të të them: "Blije në prani të banorëve të vendit dhe të pleqve të popullit tim. Në rast se do ta shpengosh, shpengoje; por në rast se nuk ke ndër mend ta shpengosh, ma thuaj që ta di edhe unë; sepse asnjeri veç teje nuk gëzon të drejtën e shpengimit, dhe pas teje vij unë"". Ai u përgjegj: "Do të kërkoj të drejtën time".

Atëherë Boazi tha: "Ditën që do ta blesh arën nga dora e Naomit, ti do ta blesh edhe nga Ruthi, Moabitja, bashkëshortja e të ndjerit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij".

Ai që gëzonte të drejtën e shpengimit u përgjegj: "Unë nuk mund ta shpengoj për vete, sepse do të shkatërroj trashëgiminë time; shpengo ti atë që duhet të shpengoja unë, sepse unë nuk mund ta shpengoj".

Ky ishte zakoni në kohërat e kaluara në Izrael lidhur me të drejtën e shpengimit dhe të ndryshimit të pronësisë: personi hiqte sandalen dhe ja jepte tjetrit; kjo ishte mënyra e dëshmisë në Izrael.

Kështu ai që gëzonte të drejtën e shpengimit i tha Boazit: "Blije ti vetë," dhe hoqi sandalen.

Atëherë Boazi u tha pleqve dhe tërë popullit: "Ju sot jeni dëshmitarë që unë bleva sot në duart e Naomit të gjitha ato që ishin pronë e Elimelekut, të Kilionit dhe të Mahlonit.

10 Gjithashtu bleva për grua Ruthin, Moabiten, bashkëshorten e Mahlonit, për ta ringjallur emrin e të ndjerit në trashëgiminë e tij, me qëllim që emri i të ndjerit të mos shuhet midis vëllezërve të tij dhe në portën e qytetit të tij. Ju sot jeni dëshmitarë të këtij fakti.

11 Atëherë tërë populli që ndodhej te porta dhe pleqtë u përgjigjën: "Ne jemi dëshmitarë të kësaj ngjarjeje. Zoti e bëftë gruan që hyn në shtëpinë tënde si Rakelën dhe si Lean, dy gratë që ngritën shtëpinë e Izraelit. Paç pushtet në Efrathah dhe u bëfsh i famshëm në Betlem.

12 Shtëpia jote u bëftë si shtëpia e Peretsit, që Tamara i lindi Judës, për shkak të pasardhësve që Zoti do të të japë nga kjo e re".

13 Kështu Boazi e mori Ruthin, që u bë bashkëshortja e tij. Ai hyri tek ajo dhe Zoti i dha mundësinë të lindë, dhe ajo lindi një djalë.

14 Atëherë gratë i thanë Naomit: "Bekuar qoftë Zoti, që sot nuk të la pa një shpëtimtar. Emri i tij u bëftë i famshëm në Izrael!

15 Pastë mundësi ai të rimëkëmbë jetën tënde dhe u bëftë mbështetja e pleqërisë sate, sepse e ka lindur nusja jote që të do dhe që vlen për ty më tepër se shtatë bij".

16 Pastaj Naomi e mori fëmijën, e vuri në gjirin e saj dhe u bë taja e saj.

17 Fqinjët i vunë një emër dhe thonin: "I lindi një djalë Naomit!". E quajtën Obed. Ai qe ati i Isait, ati i Davidit.

2 e Korintasve 4:13-5:10

13 Por, duke pasur të njëjtën frymë besimi, sikurse është shkruar: “Unë besova, prandaj fola,” edhe ne besojmë, prandaj edhe flasim,

14 duke ditur se ai që ringjalli Zotin Jezus, do të na ringjallë edhe ne nëpërmjet Jezusit dhe do të na paraqesë bashkë me ju.

15 Sepse të gjitha këto gjëra janë për ju, që hiri, duke arritur me anë të shumë personave, të prodhojë falenderim me tepri për lavdi të Zotit.

16 Prandaj nuk na lëshon zemra; por, edhe pse njeriu ynë i jashtëm shkon në shkatërrim, ai i brendshëm përtërihet nga dita në ditë.

17 Sepse trishtimi ynë i lehtë që është vetëm për një moment, prodhon për ne, një peshë të pamasë e të pashoqe të amshueshme lavdie;

18 ndërsa ne nuk i drejtojmë sytë ndaj gjërave që duken, por ndaj gjërave që nuk shihen, sepse gjërat që duken janë për një kohë, kurse ato që nuk shihen janë të përjetshme.

Ne e dimë në fakt se, në qoftë se kjo çadër, vendbanimi ynë tokësor, prishet, ne kemi një godinë nga Perëndia, një banesë të përjetshme, në qiej, që nuk është bërë nga dorë njeriu.

Sepse në këtë çadër ne psherëtijmë duke dëshëruar fort të vishemi me banesën tonë qiellore,

nëse do të gjindemi të veshur e jo të zhveshur.

Sepse ne që jemi në këtë çadër psherëtijmë duke qenë të rënduar, dhe për këtë arsye nuk duam, pra, të na zhveshin, por të na veshin, që ç’është e vdekshme të përpihet nga jeta.

Dhe ai që na ka formuar pikërisht për këtë është Perëndia, i cili na dha edhe kaparin e Frymës.

Ne, pra, kemi gjithnjë siguri besimi dhe e dimë se gjersa banojmë në trup, jemi larg Zotit,

sepse ecim nëpërmjet besimit dhe jo nëpërmjet vizionit.

Por jemi të sigurt dhe na parapëlqen më tepër ta lëmë trupin dhe të shkojmë e të banojmë bashkë me Zotin.

Prandaj edhe përpiqemi t’i pëlqejmë atij, qoftë duke banuar në trup, qoftë duke e lënë atë.

10 Sepse ne të gjithë duhet të dalim para gjyqit të Krishtit, që secili merr shpagimin e gjërave që ka bërë me anë të trupit, në bazë të asaj që ka bërë, qoftë në të mirën apo në të keqen.

Mateu 6:1-16

“Mos e jepni lëmoshën tuaj para njerëzve, me qëllim që ata t’ju admirojnë; përndryshe nuk do të shpërbleheni te Ati juaj, që është në qiej.

Kur do të japësh lëmoshë, pra, mos i bjer borisë para teje, ashtu siç bëjnë hipokritët në sinagoga dhe në rrugët, për të qenë të nderuar nga njerëzit; në të vërtetë ju them, se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Madje kur jep lëmoshë, e majta jote të mos dijë ç’bën e djathta,

që lëmosha jote të jepet fshehurazi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë haptas.

Dhe kur ti lutesh, mos u bëj si hipokritët, sepse atyre u pëlqen të luten në këmbë në sinagoga dhe në sheshet e rrugëve, në mënyrë që njerëzit t’i shohin; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.

Por ti, kur lutesh, futu në dhomëzën tënde, mbylle derën dhe lutju Atit tënd në fshehtësi; dhe Ati yt, që shikon në fshehtësi, do të ta shpërblejë publikisht.

Por kur ju luteni, mos përdorni përsëritje të kota siç bëjnë paganët, sepse ata mendojnë se do t’u plotësohet lutja se kanë përdorur shumë fjalë.

Mos u bëni, pra, si ata, sepse Ati juaj i di gjërat për të cilat keni nevojë, para se ju t’i kërkoni.

Ju, pra, lutuni kështu: "Ati ynë që je në qiej, u shenjtëroftë emri yt.

10 Ardhtë mbretëria jote. U bëftë vullneti yt në tokë si në qiell.

11 Bukën tonë të përditshme na e jep sot.

12 Dhe na i fal fajet tona, ashtu siç ua falim ne fajtorëve tanë.

13 Dhe mos lejo të biem në tundim, por na çliro nga i ligu, sepse jotja është mbretëria dhe fuqia dhe lavdia përjetë. Amen".

14 Sepse në qoftë se ju ua falni njerëzve gabimet e tyre, Ati juaj qiellor do t’jua falë edhe juve;

15 por në qoftë se ju nuk ua falni njerëzve gabimet e tyre, as Ati juaj nuk do t’ua falë juve gabimet tuaja.

16 Dhe kur të agjëroni, mos u tregoni të pikëlluar si hipokritët; sepse ata shfytyrohen për t’u treguar njerëzve se agjërojnë; në të vërtetë ju them se ata tashmë e kanë marrë shpërblimin e tyre.