Print Page Options
Previous Prev Day Next DayNext

Book of Common Prayer

Daily Old and New Testament readings based on the Book of Common Prayer.
Duration: 861 days
Albanian Bible (ALB)
Version
Psalmet 107:33-108:13

33 Ai i shndërroni lumenjtë në shkretëtirë dhe burimet e ujit në vende të thata;

34 tokën pjellore në vend të thatë për shkak të sjelljes së keqe të banorëve të saj.

35 Ai e shndërron shkretëtirën në liqen dhe tokën e thatë në burime uji.

36 Atje ai strehon të uriturit, dhe këta ndërtojnë një qytet për të banuar,

37 mbjellin arat dhe kultivojnë vreshta që prodhojnë një korrje të bollshme.

38 Ai i bekon dhe ata shumëzohen fort, dhe ai nuk e pakëson bagëtinë e tyre.

39 Por pastaj pakësohen në një numër të vogël dhe dobësohen për shkak të shtypjes, të fatkeqësisë dhe të ankthit.

40 Ai hedh përbuzjen mbi princat dhe i bën që të enden nëpër vende të shkreta, ku nuk ekziston asnjë rrugë.

41 Por e ngre nevojtarin nga varfëria dhe i shton familjet e tyre si një kope.

42 Njerëzit e drejtë e shohin këtë dhe kënaqen, por tërë njerëzit e këqij e mbajnë gojën të mbyllur.

43 Ai që është i urtë le t’i këqyrë këto gjëra dhe le të çmojë mirësinë e Zotit.

108 Zemra ime është e prirur për mirë, o Perëndi, unë do të këndoj dhe do të kremtoj lëvdimet e tua me gjithë forcën time.

Zgjohuni, o harpa dhe qeste, unë dua të zgjoj agimin.

Unë do të të kremtoj midis popujve, o Zot, dhe do të këndoj lëvdimet e tua midis kombeve.

Sepse mirësia jote është e madhe, arrin deri mbi qiejtë, dhe e vërteta jote deri te retë.

Qofsh i përlëvduar, o Perëndi, përmbi qiejtë dhe lavdia jote shkëlqeftë mbi gjithë tokën,

me qëllim që të dashurit e tu të çlirohen; shpëtomë me të djathtën tënde dhe përgjigjmu.

Perëndia ka folur në shenjtërinë e tij: "Unë do të triumfoj, do ta ndaj Sikemin dhe do të mas luginën e Sukothit.

Imi është Galaadi, imi është Manasi, Efraimi është forca e kokës sime, Juda është ligjvënësi im;

Moabi është legeni ku unë lahem; mbi Edomin do të hedh sandalen time, mbi Filisti do të dërgoj britma triumfi".

10 Kush do të më çojë në qytetin e fortë? Kush do të më çojë deri në Edom?

11 A nuk je ti, o Perëndi, që na ke kthyer, dhe nuk del më, o Perëndi, me ushtritë tona?

12 Na ndihmo ti kundër kundërshtarëve, sepse ndihma e njeriut është e kotë.

13 Me Perëndinë do të kryejmë trimëri, dhe do të jetë ai që do t’i shtypë armiqtë tanë.

Psalmet 33

33 Ngazëlloni, o njerëz të drejtë, tek Zoti; lëvdimi u shkon për shtat njerëzve të drejtë.

Kremtojeni Zotin me qeste; këndojini atij me harpën me dhjetë tela.

Këndojini një kantik të ri, bjerini me mjeshtëri veglës dhe brohoritni.

Sepse fjala e Zotit është e drejtë dhe të gjithë veprat e tij janë bërë me saktësi.

Ai e do drejtësinë dhe barazinë; toka është e mbushur nga mirësitë e Zotit.

Qiejtë u bënë me anë të fjalës së Zotit dhe tërë ushtria e tyre me anë të frymës së gojës së tij.

Ai mblodhi ujërat në një tog dhe vendosi thellësitë e tyre të mëdha si rezervuare.

Tërë toka le të ketë frikë nga Zoti dhe le të dridhen para tij tërë banorët e botës.

Sepse ai foli dhe gjëja u bë; ai udhëroi dhe gjëja u shfaq.

10 Zoti e bën të dështojë planin e kombeve dhe asgjeson synimet e popujve.

11 Plani i Zotit mbetet përjetë dhe qëllimet e zemrës së tij për çdo brez.

12 Lum ai komb që ka Perëndinë Zotin; lum populli që ai ka zgjedhur për trashëgim të tij.

13 Zoti shikon nga qielli; ai shikon tërë bijtë e njerëzve.

14 Nga vendi i banimit të tij ai këqyr tërë banorët e tokës.

15 Ai e ka formuar zemrën e të gjithëve, që kupton tërë veprat e tyre.

16 Mbreti nuk shpëtohet nga një ushtri e madhe; trimi nuk shpëton për shkak të forcës së tij të madhe.

17 Kali është një shpresë e kotë shpëtimi, dhe me forcën e tij të madhe nuk mund të shpëtojë asnjeri nga rreziku.

18 Ja, syri i Zotit është mbi ata që kanë frikë para tij, mbi ata që shpresojnë në mirësinë e tij,

19 për ta çliruar shpirtin e tyre nga vdekja dhe për t’i mbajtur të gjallë në kohë urie.

20 Shpirti ynë pret Zotin; ai është ndihma jonë dhe mburoja jonë.

21 Po, zemra jonë do të gëzohet tek ai, sepse kemi besim, në emrin e tij të shenjtë.

22 Mirësia jote qoftë mbi ne, o Zot, sepse kemi pasur shpresë te ti.

Isaia 66:1-6

66 Kështu thotë Zoti: "Qielli është froni im dhe toka është mbështetësja e këmbëve të mia. Ku është, pra, shtëpia që mund të më ndërtoni dhe ku është vendi i çlodhjes sime?

Tërë këto gjëra i ka bërë dora ime dhe të gjitha kanë ardhur në ekzistencë, thotë Zoti. Mbi kë, pra, do të kthej shikimin tim? Mbi atë që është i përulur, ka frymë të penduar dhe dridhet nga fjala ime.

Kush flijon një ka është si të vriste një njeri, kush flijon një qengj është si t’i thyente qafën një qeni, kush paraqet një blatim ushqimor është si të ofronte gjak derri, kush djeg temjan është si të bekonte një idhull. Ashtu si këta kanë zgjedhur rrugët e tyre dhe shpirti i tyre kënaqet në veprimet e tyre të neveritshme,

kështu edhe unë do të zgjedh fatkeqësinë e tyre dhe do të bëj që të bjerë mbi ta ajo të cilën ata druajnë; sepse, kur thirra, askush nuk u përgjigj, kur fola, ata nuk më dëgjuan; përkundrazi bënë atë që është e keqe në sytë e mi dhe parapëlqyen atë që nuk më pëlqen mua.

Dëgjoni fjalën e Zotit, ju që dridheni nga fjala e tij. Vëllezërit tuaj, që ju urrejnë dhe ju dëbojnë për shkak të emrit tim, kanë thënë: "Le të tregojë Zoti lavdinë e tij me qëllim që ne të mund të shohim gëzimin tuaj". Por ata do të jenë të shushatur".

Një zë, një zhurmë del nga qyteti, një zë vjen nga tempulli; është zëri i Zotit që u jep hakun armiqve të tij.

1 Timoteut 6:6-21

Perëndishmëria është një mjet që sjell dobi të madhe, kur njeriu kënaqet me aq sa ka.

Sepse ne nuk kemi asgjë me vete në këtë botë, dhe është e qartë se prej saj nuk mund të marrim gjë me vete;

por, kur kemi çfarë të hamë dhe të veshim, të jemi të kënaqur me kaq.

Por ata që dëshirojnë të pasurohen, bien në tundim, në lak dhe në shumë pasione të paarsyeshme dhe të dëmshme, që i plandosin njerëzit në rrënim dhe shkatërrim.

10 Sepse lakmia për para është rrënja e gjithë të këqijave dhe, duke e lakmuar atë fort, disa u larguan nga besimi dhe e depërtuan veten e tyre në shumë dhimbje.

11 Por ti, o njeriu i Perëndisë, hiq dorë nga këto dhe ndiq drejtësinë, perëndishmërinë, besimin, dashurinë, zemërgjerësinë dhe zemërbutësinë.

12 Lufto luftën e drejtë të besimit, rrok jetën e përjetshme, në të cilën u thirre dhe për të cilën ke bërë rrëfimin e mirë të besimit përpara shumë dëshmitarëve.

13 Po të përgjërohem përpara Perëndisë që u jep jetë të gjitha gjërave dhe të Krishtit Jezus, i cili, duke dëshmuar përpara Ponc Pilatit, dhe një dëshmi të mirë besimi,

14 ta ruash këtë urdhërim pa njolla e te meta, derisa të shfaqet Zoti ynë Jezu Krisht,

15 që, në kohën e caktuar, do ta tregojë i lumi e i vetmi sundimtar, Mbreti i mbretërve dhe Zot i zotërve,

16 ai që i vetmi e ka pavdekësinë dhe rri në dritë të paafrueshme, të cilën asnjë njeri nuk e ka parë kurrë dhe as mund ta shohë; atij i qoftë nderi dhe pushteti i përjetshëm. Amen.

17 Porositi të pasurit e kësaj bote të mos jenë krenarë, dhe të mos i mbajnë shpresat në pasurinë që është e pasigurt, por në Perëndinë e gjallë, i cili na jep gjithçka bujarisht për ta gëzuar,

18 të bëjnë të mira, të bëhen të pasur në vepra të mira, të jenë bujarë dhe të gatshëm për të dhënë,

19 duke mbledhur si thesar një themel të mirë për të ardhmen, për të arritur jetën e përjetshme.

20 O Timote, ruaj atë që të është besuar, duke u shmangur nga fjalët e kota dhe profane dhe nga kundërshtimet e asaj që quhet në mënyrë të rreme shkencë,

21 të cilën e përqafuan disa dhe dolën nga besimi. Hiri qoftë me ty! Amen!

Marku 12:35-44

35 Dhe Jezusi, duke i mësuar në tempull, tha: “Vallë, si mund të thonë skribët se Krishti është Bir i Davidit?

36 Sepse vetë Davidi, nëpërmjet Frymës së Shenjtë, tha: "Zoti i ka thënë Zotit tim: Ulu në të djathtën time, derisa t’i bëj armiqtë e tu stol të këmbëve të tua".

37 Vetë Davidi, pra, e quan Zot; si mund të jetë vallë bir i tij?.” Dhe pjesa më e madhe e dëgjonte me ëndje.

38 Dhe ai u thoshte atyre në doktrinën e vet: “Ruhuni nga skribët, të cilëve u pëlqen të shëtisin me rroba të gjata dhe t’i përshëndetin në sheshe,

39 dhe të kenë vendet e para në sinagoga dhe vendet e para në gosti,

40 që i gllabërojnë shtëpitë e të vejave dhe, për t’u dukur, luten gjatë; ata do të marrin një gjykim më të rreptë!.”

41 Dhe Jezusi u ul përballë arkës së thesarit dhe vërente se njerëzit hidhnin aty denar; shumë të pasur hidhnin shumë.

42 Erdhi një e ve e varfër dhe hodhi dy monedha të vogla, domethënë një kuadrant.

43 Dhe Jezusi i thirri dishepujt e vet pranë vetes dhe u tha atyre: “Ju them në të vërtetë se kjo e ve e varfër ka hedhur në thesar më shumë se të gjithë të tjerët.

44 Sepse të gjithë hodhën aty nga teprica e tyre, kurse ajo, me skamjen e vet, hodhi gjithë sa kishte për të jetuar.”